Taylor Swift ka mbështetur Kamala Harris për garën presidenciale të Shteteve të Bashkuara. Pas shumë spekulimeve nëse këngëtarja më e famshme në planet do të përdorte influencën e saj të madhe për të mbështetur fushatën e zv/presidentes, Swift, e cila vitin e kaluar u emërua nga Forbes si gruaja e pestë më e fuqishme në botë (Harris ishte e treta), pak pas përfundimit të debatit presidencial, bëri të ditur në rrjetet sociale se do të votojë për Harris në nëntor.
“Kam mësuar së fundmi se një version i imi, i krijuar nga inteligjenca artificiale, që supozohej të mbështeste kandidaturën presidenciale të Donald Trump, u publikua në faqen e tij”, shkroi ajo në një postim, të shoqëruar me një foto nga fotosesioni i saj për “Personazhi i Vitit” nga revista TIME, ku mban në krahë macen e saj, Benjamin Button. “Kjo më rikujtoi frikën time për rreziqet e dezinformimit të përhapur nga inteligjenca artificiale. Më bëri të kuptoj se duhet të jem shumë e qartë për qëndrimin tim si votuese në këto zgjedhje. Mënyra më e mirë për të luftuar dezinformimin është e vërteta.
Në zgjedhjet presidenciale të 2024-ës do të votoj për Kamala Harris dhe Tim Walz”. Këngëtarja e përshkroi Harris si një “udhëheqëse të fortë dhe me vizion”, ndërsa lavdëroi Walz për mbështetjen e të drejtave të komunitetit LGBTQ+, të drejtës së grave për të vendosur për trupin e tyre dhe fecondimin e asistuar. “Kam bërë kërkimet e mia dhe kam marrë vendimin tim,” shtoi ajo. “Edhe ju duhet të bëni kërkimet tuaja dhe të zgjidhni vetë. Dua t’i kujtoj veçanërisht atyre që votojnë për herë të parë se duhet të regjistrohen për të votuar! Gjithashtu, mendoj se është shumë më e lehtë të votoni më herët. Do të vendos një link për regjistrim dhe informacione për votimin e hershëm.”
Mesazhi i saj përfundoi me: “Me dashuri dhe shpresë, Taylor Swift, Zonja pa fëmijë dhe me mace.”