9 Maji – Festa e Nënës, një festë ndërkombëtare që ndryshon përherë datë

Për 2021 është në 9 Maj. Mbase ndryshueshmëria e datës e ka një kuptim, na bën t’i festojmë ato, çdo ditë e datë, gjithherë të ndryshme, me të njëjtën dashuri. Në Shqipëri, si gjithmonë vazhdon të futen të gjitha gratë në një thes, dhe mbetet e paepur dita e 8 Marsit, edhe pse vazhdojmë të luftojmë për të sqaruar se 8 Marsi është Dita Ndërkombëtare e Gruas dhe është dita e luftës së grave për të drejtat e tyre.

“Mother’s Day”, Dita e Nënave festohet në pjesën më të madhe të botës të dielën e dytë të Majit. Është e vërtetë pastaj, edhe se vende të ndryshme kanë të përcaktuar ditë të ndryshme për të nderuar nënat dhe mëmësinë.

Pak historik

Duket si një festë e re, por në të vërtetë nuk është kështu. Që në antikitet është festuar Dita e Nënës dhe janë të njohura festivalet që nderonin nënat, të lidhura me perëndeshat e antikitetit. Grekët dhe romakët e nderuan përherë figurën amë të perëndive të tyre.

Edhe sot, një festival i rëndësishëm në Indi, Durga-puja, nderon perëndeshën Durga.

Gjatë Mesjetës, kur fëmijët ishin të detyruar të punonin larg familjes, që të vegjël, ktheheshin në shtëpinë e tyre një herë në vit, gjatë mesit të Kreshmës. U krijua kështu tradita e fëmijëve që ditën e lirë të vizitonin nënën dhe familjen e tyre.

Në Anglinë e shekullit të 16-të, kjo festë u quajt “E diela e nënave”. Fëmijëve – kryesisht vajzat që kishin shkuar për të punuar si shërbëtore shtëpiake, u jepej një ditë pushimi të Dielën e katërt të Kreshmës për t’u kthyer te nënat e tyre. Djali ose vajza e madhe do t’i sillnin një “tortë mëmës”, e cila do të pritej dhe do të ndahej për të gjithë familjen.

Bashkimet familjare ishin rregulli i ditës, me djemtë dhe bijat që merrnin të gjitha detyrat shtëpiake dhe përgatisnin një darkë të veçantë për nder të nënës së tyre.

Dita e Nënës 2021 është 9 Maji

Në këtë kuadër, siç thamë më lart, një pjesë e madhe e botës (kryesisht amerikane, por jo vetëm) feston Ditën e Nënës, të dielën e dytë të muajit Maj. Për këtë arsye datat ndërrojnë çdo herë dhe këtë vit festa përkon në datën 9. 

Të gjithë, jam e sigurt, që e duan një ditë për të celebruar, festuar e nderuar mëmësinë dhe Nënën si figurën kyçe në jetën e çdo njërit nga ne.

Të mirat, të heshturat, të sakrifikuarat, të dashurat si vetëm ato, të ëmblët, të harruarat, dhe mund të vazhdoja pafund në një list epitetesh që i përbën dhe ku secili prej nesh mund të shtonte atë fjalë që do ta përfaqësonte nënën e tij.

Madje tani që e mendoj, nuk do të ishte keq të vendosej një tabelë e bardhë e stërmadhe në qendër të secilit qytet, me vetëm një fjalë: Nënë dhe ku secili nga ne, edhe një kalimtar i rastësishëm të vendoste fjalën që e përfaqësonte nënën e tij. Kam bindjen që të bashkuara bashkë këto tabela do të bënin jo vetëm një libër të bukur, por edhe do të shkruanin një pjesë historie.

Gjithsesi, 9 Maji i këtij viti është e diela që do të festojë Nënën, atë gruan që lindi dhe rriti e rriti dhe edukoi me dashuri, përkushtim dhe sakrificë nga vetja, secilin prej nesh.

Është dita të kujtojmë edhe nënat e vdekura, ato të mirat që shkuan në qiell pa na pyetur dhe na lanë humbella dhimbjesh pas, në çdo moshë.

Është dita të jemi mirënjohës atyre, emblemave tona që asgjë dhe askush si zhbën dot: Nënat!

8 Marsi apo 9 Maji 2021

Mbase për nënat nuk mjafton një ditë dhe mbase nuk ia vlen t’i përcaktosh ditët se kur nderohen ato, por meqë kemi një ditë të përcaktuar për gjithçka, pse jo edhe një ditë kur të festojmë Nënat.

Në shoqërinë shqiptare vazhdon të festohet 8 Marsi si dita e të gjithë detyrave e shënjimeve që nëna ka në shoqëri, familje e jetë. Vazhdon të thjeshtëzohet lufta e Gruas për të drejtat e saj dhe të zbutet duke marrë mbi supe edhe nënën. Por kjo duhet të ndryshojë patjetër. Po, nëna është grua dhe ajo është e përfshirë në protestën e saj, në zërin e saj për të kërkuar të drejtat e saj, veçse 9 Maji i 2021, apo çdo e dielë e dytë e majit është vetëm e saj dhe është për të nderuar dhe shprehur mirënjohjen, përkëdhekur dhe kujtuar me mall, mbuluar me dashuri në një ditë siç ajo e bën çdo ditë për bijtë e saj.

Festa e Nënës nuk është ditë proteste, është një nga ato ditët e ëmbla dhe retrospektive, është të kujtohesh për të, ta mbulosh me puthje e përqafime, ta duash pa kushte së paku në një ditë, ashtu si ajo e bën për gjithë jetën.

Nesër është dita të gëzoni nënat tuaja, t’i merrni në krahë e t’i mbështillni me dashuri. Së paku në një ditë. Së paku një çast.

Enkeleda Ristani – revista Vip

Pse duhet t’ia besojmë votat tona, Ivi Kasos?

Në rrëmetin e ditëve shqiptare me politikë të nëpërkëmbur dhe sfilitëse, ku brritmat dhe zvogëlimi i personalitetit ka fjalën e parë të çdoditës, duket se ka ardhur koha për ndryshim.

Ndryshimet tona ëndërrimtare janë të forta dhe pritshmëritë tona po aq. Por realiteti është tjetër, rrugët janë ende të pashtruara mirë, ndaj ndryshimi, që të jetë i sigurt, ecën me hapa të kujdesshëm.

Të kthehemi te pyetja jonë: pse duhet votuar Ivi Kaso?

Me sinqeritetin në majat e gishtave me të cilat po shkruaj, për të njohur edhe më mirë figurën e një Ivi që do të na përfaqësojë në Parlament, u nisa të kërkoj të dhëna në Google.

Nuk gjeta asgjë wiki të tipit “Ivi Kaso, lindi në filan qytet, në vitin filan etj. etj.”, por një lumzë me dalje televizive, në të cilat Ivi fliste për problematikat e aksh periudhe, e për të cilat kishte një sensibilitet politik e social të caktuar.

Gjithmonë i artikuluar mirë dhe me një shqipe të patëmetë, gjë që vlerësoj shumë, për hir të së vërtetës. Një Ivi që nuk këlthet, por që kërkon argumentin (që e ka, duhet thënë) për të kundërshtuar palën tjetër me qetësi dhe edukatë, pa fyer, pa urryer, pa arrogancë.

Pse i rreshtova këto? Sepse, miqtë e mikeshat e mia të Vip, tani marrë përsipër të flas edhe në emrin tuaj, ndihemi të lodhur nga përçudnimi i tjetrit me klithma, pa edukatë, me fyerjet e tjetrit dhe të inteligjencës sonë, të cilat kemi 8 vite të gjata (mbase edhe më shumë), që i dëgjojmë dhe i shohim para syve tanë nëpër ato ekranet e vogla, mbrëmanetëve kur njeriu tërhiqet në paqe nga lodhja e ditës dhe kërkon të kuptojë më shumë nga debatet televizivë për jetën politike e jo vetëm të vendit të vet.

Ivi është përfaqësuesi i djemve dhe vajzave për të cilët kemi nevojë për ndryshimin, sepse ndryshimi fillon kështu, me çbërjen përsëpari të sherrnajave të kota, me fjalë që s’thonë asgjë, nëpër debate e ekrane.

Ndërsa kërkoja të dhëna për Ivin, kuptohet që në këto raste edhe të dhëna personale e familjare, hasa në një ftesë të një të diele televizive, ku Ivi ishte i ftuar me dashurinë e jetës së tij, bashkëshorten Sonila.

Përtej shfaqjes televizive, ku ne e dimë që njerëzit përpiqen të nxjerrin në dritë të diellit më të mirën e tyre, çdokush nga ne ndoshta di të lexojë apo të shoh në këtë rast e të kuptoj midis rreshtave.

Dhe pashë atë që kisha harruar ta shihja tashmë në qeniet politike të “kalibrit”, pra politikanët: përtej koracës së një burri të fortë në politikën e egjër shqiptare, fshihej mirë një djalë emocional, që di të dashurojë, që di të flasë për dashurinë përtej kornizave të veshjes, që dëshiron atë familjen e ngrohtë ashtu si të gjithë ne.

Dhe është dashuria në bazë të qenies së tij, e pavarësisht se ky nuk është vyrtyt, (pasi do të ishte e udhës të qe në bazën tonë, sikurse Zoti ka urdhëruar të jetë), sot do të duhet ta rreshtojmë te virtytet, pasi rrallë e hasim në ata që na drejtojnë apo aspirojnë për të na drejtuar.

Ivi kërkon votën tonë në datën 25 prill, e kërkon me përulësinë e punës së tij dhe aspiratave për të plotësuar ndoshta me atë idealizmin që na mungon aq shumë, se ky vend duhet dhe do të bëhet, sa kohë të rinjtë bubrojnë ende shpresat tona për të ardhmen.

Shumë nga fjalët që po shkruaj kanë fituar inflacionin e politikanëve të papërgjegjshëm, por jam e sigurt që do të kthehet përsëri pesha e fjalës dhe bashkë me të llogaridhënia, gjëja më normale që kontrollon demokracinë në një vend.

Ivi dhe grupimi i tij politik po ngjall shpresën tonë dhe mbase është koha ta nisim nga fillimi, ashtu si do të duhet të jetë, ashtu si do të donim të ishte.

Le ta fillojmë me qytetarinë dhe dashurinë në bazë, për të shkuar drejt zgjidhjeve të problemeve që na shqetësojnë në secilën ditë.

Ne humanët jemi qenie politike që në krye të herës kur u organizuam në shtete dhe qeverisje, e për këtë arsye, sado të duam të rrimë larg saj, nuk është e mundur.

Ndaj vota për Ivin është vota për një nga ne, aq kohë sa Ivi do të mbajë mend premtimet e tij, sa kohë që Ivi do të udhëhiqet nga Vlerat dhe Vizioni dhe sa kohë këto janë komponentët që çojnë drejt Së Ardhmes.

Ivi premton të mbrojë të ardhmen tonë dhe ne do të duhet t’i japim shansin e votave tona!

revista VIP

Ne NUK jemi një ditë kalendarike, e vendosur nga burrat për ne!

tre vajza te perqafuara
Ju jeni, pra ne ekzistojmë!

Asnjë nuk di ta thotë me përpikmëri pse 8 marsi është dita e gruas, madje as përpjekjen për ta quajtur “festa e gruas”. Dhe çdo vit gjendemi përpara të njëjtës dilemë dhe të njëjtave pyetje që na vijnë natyrshëm me zërin e brendshëm.

U mblodhën “baballarët e kombeve” edhe një herë dhe na përcaktuan në kalendarin e ditëve të shënuara, edhe një tjetër ditë, atë të festimeve pse jemi gra, apo protestave pse jemi gra.

Nuk jam e gatshme për të nisur historinë nga e para, pasi edhe ajo vetë është e turbullt, por një gjë e dimë të gjitha mjaft mirë; ne jemi gra, siç ata janë burra. Deri këtu çdo gjë natyrale, asnjëra nga gjinitë nuk bën dot pa tjetrën natyralisht. Rolet janë të ndara për t’i bashkuar të dy gjinitë bashkë, në një mision, atë të dashurisë për jetën, vazhdimësisë së saj.

Nuk do ta dimë dot kurrë se kur dhe pse nisi të nënçmohet gruaja, por dimë mirë se gjithçka finalizohej me të dhe këtu kam parasysh themelin, vazhdimësinë.

Nuk do të ishte e nevojshme fare të përmendej ndonjëherë si armë mbrojtëse fjalia gati denigruese sa i përket asaj çka dihet e duket, “gruaja mban në trupin e saj jetën”! Në kushte të tjera kjo fjali do të ishte po aq denigruese sa vetë lufta kundër gruas, apo vrasjet.

“Seksi i dobët” u përpoqën të na etiketonin, por seksi i dobët për çfarë? Nëse i referohet drejtpërdrejt togfjalëshit, nuk jemi ne që joshemi nga sytë, nuk jemi ne që eksperimentojmë e mburremi me seksin si krenaria e vetme e madhe në qenien humane. Atëherë përse “seksi i dobët”?

A jemi më të brishta fizikisht? Ndoshta po, edhe pse edhe kjo ha diskutim nëse provojmë të këmbejmë rolet në një lindje normale fëmije që sjellim në jetë, dhe jo një herë. Dhe harrojmë dhimbjet, dhe nuk urrejmë për shkak të dhimbjeve, përkundrazi, mbushemi me më shumë dashuri dhe e derdhim atë te të gjithë njerëzit e dashur, për t’u përkthyer në shoqëri.

Sot edhe një herë si çdo vit, një ditë në kalendar që na kujton se jemi gra, se jemi ndryshe nga ata, se jemi më të vdekshme, më të prekshme, më të nëpërkëmbura, më të pafuqishme.

Edhe një tjetër ditë që kërkon të na ndajë veçmas, edhe një tjetër ditë që kërkon të tërheqë vëmendjen e atyre, burrave pra, që ne meritojmë (të paktën në një ditë thonë ata) të urohemi, të marrim dhurata (!), madje përmes luftës së egër të feministeve, të protestojmë lirisht, pra të jemi!

Po, ata kanë vendosur që të na lejojnë të protestojmë lirisht në një ditë të caktuar. E në këtë ditë edhe njëherë të lexojmë emrat e të gjitha grave të vdekura nga duart e dobësisë së burrave. Dhe lista rifreskohet me shpejtësi çdo vit. Dhe ne përpiqemi të ngremë zërin në një ditë. Po, sepse ata na lejojnë për një ditë.

Bota e gruas shqiptare në një ditë 8 marsi është edhe më vajtuese, sepse megjithë luftën për mbijetesë ende nuk është ndarë mendja nëse duhet protestuar me listat e vdekjeve të rinovuara, apo duhet festuar me shfrenime femërore nëpër klube nate apo restorante bllokuar vetëm për gratë.

Bota e gruas shqiptare të 8 marsit është zënë në çark, qëkur bota mashkullore (përmend mashkullore, për të mos ngatërruar konatacionin e “burrërore” në shqip, çka lidhur me gruan është një nonsens i madh), nuk sheh se kombi shkon përpara nga duart e mendja e këtyre grave. Dhe nuk po ekzagjeroj aspak, anipse duket si një nga ato parrullat, me të cilat pastaj kërkojnë të na denigrojnë. Kjo është e vërteta e pastër dhe hapini sytë e bëni llogaritë!

Bota e gruas së 8 marsit të sivjetëm është edhe më e vrazhdtë. Nëse përballemi sot me një pandemi globale, më e goditura edhe njëherë është gruaja, e detyruar të qëndrojë në shtëpi për t’u përkujdesur për reston e familjes. Nuk ia lejoj dot vetes të flas për humbjen apo copëtimin e karrierës së gruas, ndërsa shumica e grave shqiptare luftojnë për mbijetesën. E ndërsa luftojnë për mbijetesën, bëhen heroinat e përgjakura të ditëve pa 8 mars, apo edhe me.

Të rejat shqiptare sot po ndryshojnë erën që përndjek anijen dhe që ka filluar të drithërojë tokën nën këmbët e burrave (literalisht). Po vjen me ndërgjegjësim, po vjen me refuzim, po vjen me rrugën e shkelur nga ato vetë. Asnjë nga ata nuk e priste që ato nuk do të mendonin më martesën si ritual dhe zgjidhje të problemeve të tyre (mbasi panë mirë se për nënat e tyre nuk qe zgjidhje), nuk do ta shihnin sjelljen në jetë të fëmijëve si primare, si detyrë ndaj tokës e ndaj jetës.

Asnjë prej tyre nuk e priste që një ditë vajzat shqiptare do të kuptonin kaq qartë ligjet e natyrës, dhe në natyrë femra zgjedh mirë për të sjellë pasardhës të fortë e të denjë. Të rejat shqiptare e kanë kuptuar këtë, ndaj kanë filluar të zgjedhin pavarësinë ekonomike (me sforco të tejskajshme sigurisht), për të qenë të zonjat më tej në përzgjedhjen e më të mirëve ndër ta. Për herë të parë vajzat nuk po tremben nga statistikat me pakicë numrash mashkullorë!

Një gjë është e sigurt, ata ndihen të refuzuar, për të parën herë ndihen të refuzuar, pasi gruaja është ndalur një hop të mendojë për të ardhmen e saj dhe përgjegjësinë natyrale që ka mbi shpatulla. E nëse ai nuk është gati (siç nuk është) atëherë ajo kërcënon ta përjashtojë nga institucioni më i vjetër, me të cilën e futën në kurth gruan, martesa.

Gruaja as në 8 mars, as në 17 prill e as në 26 maj nuk mund të pranojë të jetë një ditë kalendarike dhe as një kontratë martesore, herë ligjore e herë e heshtur. Derisa burrat të kuptojnë se të dy gjinitë bashkë bëjnë një të tërë, gratë do të refuzojnë talljet e një jete të futur në kllapën e një dite.

Ne jemi! Ne ekzistojmë!

(enkeleda ristani – për revistën VIP)

A është Sanremo ende Sanremo?!

Në vendin fqinj, Itali, ka filluar festa më e madhe e përvitshme e këngës, Sanremo. Këtë vit një Sanremo e paprecedentë, një sallë Ariston e zbrazur dhe një skenë gati po jetë, megjithë sforcot e prezantuesve të saj Amadeus dhe Fiorello.

Vitin e shkuar, në sheshin më të parë jo vetëm italian të këngës, u ngjit në një nga netët, prezantuesja shqiptare Alketa Vejsiu dhe zëra (në Shqipëri) u përhapën që ajo do të ishte në drejtimin e festivalit të këtij viti, meqënëse u prit mirë nga teleshikuesit italianë dhe jo vetëm. Por mesa duket, edhe pas shumë tratativash që besojmë se duhet të jenë bërë, nuk rezultoi kështu. Edhe këtë herë Sanremo ka vendosur të himnizojë gruan (dhe kjo duket nga numri dhe emrat e të ftuarave), por ndryshe nga viti i shkuar, ka vendosur t’i dedikohet emrave dhe grave vendase.

Janë 8 bashkëprezantuese që do të shoqërojnë dy burrat e Sanremos së dytë së bashku, në të gjithë netët e festivalit. Do të jenë aktore, modele, këngëtare, gazetare, prezantuese të vjetra e madje edhe një dirigjente orkestre, por do të jenë italiane.

Nata e parë dhe e dytë e Sanremos tashmë ia kanë lënë radhën skenës së natës së tretë, që do të vazhdojë të jetë bosh apo me tullumbacet e zgjedhura për të dytën natë, ose ndoshta me diçka tjetër të menduar, veç ajrit mbi poltronat e teatrit Ariston.

Parakalimi i këngëtarëve sërisht i njejtë, mes polemikave dhe diskutimeve nëse Sanremo është më Sanremo. Opinionistët flasin për performanza të ngathta, (me të drejtë, ndërkohë që komunikojnë nga skena me publikun në ekran), për veshje të mërzitshme dhe të pakuruara mirë dhe për nivel këngësh gjithmonë në zbritje, të paktën për dashnorët e muzikës së mirë italiane në vitë.

Sanremo vazhdon zbritjen e nivelit muzikor dhe rritjen e trendit të performancave spektakolare (e ndoshta të bezdisshme, meqë i bie fyellit në një vrimë) të Achille Lauro-s, që vazhdon t’i kushtojë më shumë rëndësi se me çfarë do ta bëjë publikun të flasë për të kësaj here. Dhe mesa duket ia ka arritur. Megjithë vogëlsinë e tij si këngëtar, të gjithë flasin për të dhe atë çka ai kërkon të përcjellë përmes çudive të tit të radhës, të menduara me siguri gjatë një viti të tërë. Një mix midis shumë gjërave, që nuk po e bëjnë dot vetja. Ose ndoshta po.

Sanremo kështu është kthyer në skenën e Achille-s dhe performancave të dobëta, por të presim nëse Fedez do të marrë fitoren siç është përgatitur, apo do të kemi surpriza, që të thuash të vërtetën nuk mungojnë kurrë në një gjigand si Sanremo.

(enkeleda ristani për VIP)

Shën Valentini, dashuri në kohën e kolerës covid

Jemi mësuar që me ditën e Shën Valentinit t’i provojmë të gjitha ndijesitë: pak të shpresojmë te dashuria, pak të zhgënjehemi, pak të dhimbemi e pak më shumë herë të tallemi e ironizojmë (sidomos kur nuk kemi më shpresa). Por duket se këtë vit, kjo ditë e përcaktuar si ditë dashurie (ç’është kjo dashuri që paska vetëm një ditë) po merr një tjetër kuptim. Sigurish që njerëzit kur janë në vështirësi, i shikojnë gjërat nga një dritë tjetër.

Ja pse herë pas here kemi nevojë për simbole dhe data, edhe pse kemi filluar të humbasim besimin te kalendarët, (në mos qoftë për datën e rrogës).

Historia e tyre do të jetë simbolika e Shën Valentinit të këtij viti, përtej Valentinos dhe të gjithë historive me dashuri. Nuk e dimë nëse do të jetë më shumë se ky vit kjo simbolikë, por këtë vit është e sigurt, pasi është historia që mund t’i prekë të gjithë e të na bëjë të hedhim sytë nga ai/ajo që kemi në krahë, për të reflektuar qoftë edhe një sekond, nëse jemi në lartësinë e simbolikës.

Derek e Margaret u dashuruan që 14 vjeç dhe jetuan 70 vite martese së bashku, bën me dije Manchester Evening News. Nuk e dimë si ia kanë bërë, por kaq e vërtetë është që në bazë të jetëgjatësisë së tyre ishte dashuria, sa pushuan në paqen e madhe vetëm kur panë njëri-tjetrin në fund, në shtretërit e një spitali covid.

Lufta të merr gjithçka, edhe jetën, por jo gjithmonë dashurinë dhe kështu ndodhi edhe me 91-vjeçarët britanikë. Ndërsa ai shkoi tek ajo, në shtratin ngjitur, sa për ta parë, një shtrëngim dore dhe dy fjalë të shkëmbyera, ajo ishte më e qetë dhe dukej sikur u përmirësua papritur. Pjesën tjetër e bën lotët. Foton që përjetësoi gjithçka e shkrepi e bija, e cila duhet të ketë qenë dëshmitare e dashurisë së tyre për më gjatë se fundi.

Gjithsesi, ai e la i pari këtë botë, duke marrë me vete shtrëngimin e duarve të saj dhe ajo, pak ditë më pas, duke marrë me vete qetësimin se ata ishin e do të ishin bashkë përgjithnjë.

Ishte vjetëruar historia e Shën Valentinit njëditor, tashmë u rinovua nga realiteti i një lufte që po merr jetët njerëzore në mënyrë absurde dhe në panjohje, e sidomos jetët e atyre që janë ngrohtësia e streha e çdo nipi e mbese.

Po merr jetët, por dashurinë jo, jo gjithmonë! Shenjtët e jetës janë midis njerëzve, të dashurisë gjithashtu.

Shën Derek dhe Shën Margaret Dashuria, faleminderit!

Tea teatrale dhe e vërteta e një aktoreje të keqe: S’Për’Puthen

Marrëdhënia me famën dhe marrëdhënia me të vërtetën. Do të duhet një studim psikologjik për të marrë përsipër kush është më i rëndësishëm dhe sa njerëzit dinë të zgjedhin marrëdhëniet, mbase t’i njohin për së pari.

Mbas skandalit që ka përfshirë “Për’Puthen”, Tea shfaqet në një video, që e ka titulluar “E vërteta…”. Të them të drejtën, nëpërmjet monologut të saj teatror, si një aktore e keqe patetike, Tea u përpoq me të gjitha forcat e saj të shfaqet viktima e gjithë ngjarjes, (dhe kësaj here në YouTube, sepse klikimet tani shërbejnë në këtë platformë). Bashkë me veten u përpoq të tërhiqte me vete edhe disa persona e personazhe të tjerë, pa e kuptuar as vetë ajo që po e thellon edhe më shumë moskuptueshmërinë e publikut.

Mjafton ta shohësh vetëm herën e parë videon, me dëgjimin e thjeshtë për të marrë vesh këtë të vërtetë, dhe kupton se aty për aty të vijnë në buzë një mijë pyetje, përveç se ndihesh nga deklamimi i keq i Teas sikur po të përdhunojnë inteligjencën.

Tea u tërhoq nga fama dhe mori pjesë në një emision që ndoshta nuk i rezultojë ashtu siç e priste, sepse të rinjtë që duan famë, nuk mendojnë konseguencat dhe përgjegjësitë.

Marrëdhënia e Teas dhe jo vetëm me famën ndërtohet aty për aty, fillojnë t’ia ndiejnë lezetin sepse njerëzit fillojnë t’i njohin, t’u shkruajnë. T’i duan. Kaq?

Jo, e dashur Tea dhe ju të tjerë, nuk është kaq! Nuk është kaq sepse ata që ju bënë të famshëm kanë edhe një marrë, edhe një dhënie me ty dhe ju. Mund ta vazhdoja ta tirrja, por s’ka rëndësi, të gjithë e kuptojnë.

Gjithsesi, skandalet në ditët që po jetojmë nuk dihet më nëse janë skandale, pra si konatacioni edhe pasojat, apo shkojnë për mirë. Në këtë kuadër nuk do ta dimë dot që tani nëse skandali do rrisë ndjekësit e Teas dhe për pasojë emisionit, apo e kundërta.

Nga ana tjetër, marrëdhënia me të vërtetën është tepër e komplikuar. Nuk e di sesi Tea merr përsipër të vërtetën me një recitim, e për më tepër të keq.

E vërteta shkon përkrahë me sinqeritetin dhe në videon e Teas, sipas meje nuk ka sinqeritet. Nga ana tjetër, brenda të vërtetës së Teas vazhdojnë gënjeshtrat e vogla. Pastaj, ka gjysmë të vërteta, që thonë se janë baraz me gënjeshtra, ka thuajse të vërteta dhe ka të vërteta të të tjerëve të zbuluara nga Tea. Pra Tea po kërkon të marrë përsipër të vërtetën dhe nuk e njeh akoma. Nuk e di se e vërteta është e hidhur dhe të dërrmon totalisht kur bëhet pjesa jote dhe më pastaj, të çliron qenien e të bën të lehtë si pupël.

Dhe këtu e kam fjalën për të vërtetën, jo “t’ia hedhim edhe kësaj here”.

Një gjë më bën përshtypje dhe do të më bëjë gjithmonë: si ka mundësi që publiku është kaq i mënçur?! Ai publiku në emër të të cili ç’nuk bëjnë për t’i hedhur hi syve dhe kocka pa shije. Ai publiku që u duhet të gjithëve, të famshëm, politikan, artistë, ai që do punë të joshet, ai që zhvlerësohet kur duan të përfitojnë nga ai dhe ai publiku që në fund, të vë drunë!

Edhe një gjë: idetë po qe se nuk janë të tuat, vihen në jetë në mënyrë qesharake!

revista VIP

1 tetori, Dita Ndërkombëtare e Të Moshuarve. Ngrini telefonin e bëjini një telefonatë dashurie gjyshërve tuaj!

Muaji tetor prej kohësh tashmë është shpallur si muaji i luftës kundër kancerit të gjirit. Por, pak e dinë ndoshta që 1 tetori është dita ndërkombëtare e të moshuarve, ne do të na pëlqente ta quanim festa e gjyshërve, edhe pse ndoshta kanë shënuar ndonjë tjetër ditë për këtë në ndonjë kalendar.

Është bërë e udhës që në artikujt tanë së fundmi, duam apo s’duam, të lidhim ngjarjet me epokën covidiane që po jetojmë, sikurse na ka kushtëzuar jetën dhe aktivitetet e çdo dite. Por nëse ka vend për t’u përmendur kjo epokë e mallkuar është pikërisht në këtë ditë, për faktin se shenjestra e këtij virusi ishin dhe janë ata, të moshuarit.

Jeta, që para koronavirusit na ka sjellë në një sens “braktisjen” e tyre. Nuk kemi më kohë dhe as mundësi të jetojmë me ta, nuk e gjejmë kohën të shkojmë t’i takojmë apo qoftë edhe t’i telefonojmë, nuk jemi më prezent në gjërat që i shqetësojnë dhe mallëngjejnë. E sot, koronavirusi na solli edhe izolimin e tyre.

Është e pashmangshme që në një ditë si kjo, të mos i bëhet homazh secilit gjysh e gjyshe që është larguar nga jeta.

Edhe pse nuk më pëlqejnë ditët e përcaktuara kalendarike për të festuar apo kujtuar, ndonjëherë këto ditë rrisin ndjeshmërinë tonë ndaj së paku problematikave të veçanta që bëjmë sikur i kemi harruar.

E sot është një nga ato ditë.

Ata janë kontribuesit më të mëdhenj të një shoqërie. Shoqëria pasi i ka shtrydhur si limoni, i flak tej dhe nuk kujtohet më për ta. Kontributi i tyre harrohet dhe ata kthehen në një peshë për shoqërinë, madje edhe për familjen.

Ne harrojmë se ata, gjyshërit tanë, janë miniera e arit qoftë për mendimin, qoftë për eksperiencën e qoftë për dashurinë pa kushte. Sa herë ju ka ndodhur të ktheheni pas në kohë, në kohën e fëmijërisë së shpenguar, në ato dhomat e ëmbla të kujtimeve, dhe kë gjen aty? Ata, të ëmblit tanë, gjyshërit tanë. Ua sigurojë se brenda tyre ata vazhdojnë të ndihen të rinj dhe nuk e kuptojnë dot deri në fund, se pse mbartësi fizik i shpirtit të tyre nuk po funksionon më mirë si më parë.

Sot një përqindje e tyre gjenden në shtëpitë e të moshuarve, ndoshta pa kushtet që meritojnë, të braktisur nga ata që u dhanë jetën, të abuzuar herë pas here nga të gjithë e në mëshirë të fatit.

Disa prej tyre enden rrugëve dhe lypin, por shumë prej tyre ruajnë krenarinë e të kaluarit nëpër një rrugë që ne sa po shkelim.

Vlen të theksohet se pas grave dhe fëmijëve, ose bashkë me ta, janë kontigjenti më i sulmuar nga dhuna. Dhe sigurisht, tashmë edhe më të pambrojturit.

Do donim të shihja diçka konkrete bërë për ta në këtë ditë, një përkujtim të kontributit që dhanë ashtu siç e meritojnë, një lule (edhe pse për shumë prej tyre lulja nuk hahet, ndërsa kanë probleme me mbijetesën), rrugë të mbushura me ta e nga ata, së bashku me të rinjtë e familjes.

Sot duhej të ishte dita e tyre, në fakt do të vazhdojë të mbetet një ditë në kalendarin ndërkombëtar, të cilin kanë vrapuar ta shënojnë të gjitha shtetet, ndërkohë që konkretisht, qameti mund të mbajnë ndonjë fjalim për çfarë do të duhet të bëjmë në të ardhmen, kur e sotmja nuk ka rëndësi se ekziston.

Të dashur lexues të revistës sonë, ngrini së paku telefonin në një ditë si kjo, telefonojini gjyshërve tuaj, thuajini se sa shumë i doni dhe se sa mirënjohës jeni ndaj tyre, konkretizojeni këtë ditë që të mos mbetet vetëm si një njollë mbi kalendarin ndërkombëtar!

Enkeleda Ristani – redaksia Vip

Me covid pa covid, Përdoreni zemrën tuaj për të rrahur!

Të zënë të gjithë me koronavirusin, duket sikur asgjë tjetër nuk ekziston. Nga ana tjetër thirrjet e vazhdueshme janë se si të mësohemi të bashkëjetojmë me të. Krejtësisht normale, si me të gjithë viruset e tjera, ndoshta, edhe pse nuk ia njohim ende mirë huqet.

Por nuk u nisa të shkruaj për koronën, edhe pse na dikton jetën nga mëngjesi deri në mbrëmje, e mbase edhe përtej.

Më bëri diçka përshtypje sot, ndërsa mora informacionin që 29 shtatori është Dita Ndërkombëtare e Zemrës dhe renda të kërkoj informacione mbi aktivitetet që Ministria jonë e Shëndetësisë, apo institucione të tjera të shëndetit publik do të kishin.

Në të vërtetë, sa hyn nëpër faqet e këtyre institucioneve, gjen vetëm “vdekjen”, në kuptimin e numrit të personave që largohen nga kjo jetë për shkak të covid, apo numrat e të infektuarve. Tmerruese, edhe sepse do të duhej të jepej herë pas here mesazhi që jeta vazhdon, edhe me koronavirus. Publiku duhet të informohet, por nuk besoj se ka nevojë “të vdesë nga frika”, pa asnjë mesazh mirëdashës nga ana shtetërore apo institucionale e njerëzore.

Por, të kthehemi te çështja që më bëri përshtypje: e dini sa informacione gjeta dhe sa aktivitete do të ndodhin sot, të planifikuara e bërë publike flasim? Zero. Gjeta vetëm një kalendar në faqen zyrtare të Ministrisë së Shëndetit, ku sigurisht ishte shënuar me tik Dita Ndërkombëtare e Zemrës, por asgjë më shumë se kaq.

Ndërkohë mediat italiane ishin të mbushura që një ditë më parë me të gjitha aktivitetet lidhur me këtë datë, madje edhe OBSH e kishte të publikuar qartë gjithë aktivitetet, përfshirë edhe sloganin: Përdoreni zemrën tuaj për të rrahur!

Sigurisht që ne kemi publikuar gjithçka ka të bëjë me ngjarjen, qoftë për të informuar publikun, qoftë edhe sepse, duke ditur se numri më i madh i vdekshmërisë në ditët e sotme vjen nga problemet kardiake, shtoi kësaj problematikën covid dhe i kemi thënë të gjitha.

Sidoqoftë, mendoj se slogani ndërkombëtar është mjaft i gjetur dhe ndërgjegjësimi i publikut që vjen i sqaruar nga kjo po aq.

Nuk na mbetet tjetër veçse të shpresojmë se diçka aty për aty e brenda ditës do të mund të organizohet edhe në Shqipëri, sepse problemet shëndetësore lidhur me zemrën në vendin tonë nuk janë të pakta. E të mos harrojmë se edhe sistemi ynë shëndetsor lë për të dëshiruar.

Enkeleda Ristani, revista Vip

Kush do ta fitojë çmimin Nobel për Letërsinë në epokën koronavirus dhe Black Lives Matters

Ndërsa nominimet për Çmimin Nobel për Letërsi 2020 janë të panjohura, duhet së paku të kuptojmë se çfarë do të përdoret si kriter për zgjedhje nga ana e jurisë suedeze të Nobelit.

Pavarësisht të gjithave, juritë botërore në përgjithësi na kanë treguar “ndjeshmërinë” e tyre përballë çështjeve ndërkombëtare. Vitin e shkuar me gjithë skandalet e një viti më parë, (edhe këto i përkisnin kohëve që jetonim) u zgjodhën të jepeshin dy çmime, njëri prej të cilëve përsëri skandaloz e i përfolur.

Gjithsesi, çmimi Nobel për Letërsinë do të shpallet në 8 tetor, rreth orës 13:00 dhe është i pari i epokës covidiane.

Nga viti i kaluar kemi dy fitues, Olga Tokarczuk për vitin 2019, e cila lumturoi thuajse të gjithë, (apo së paku nuk bëri polemika) dhe Peter Handke, i cili i përkiste vitit të skandaleve seksuale 2018, që si gjithë botën përfshiu edhe Akademinë.

Sidoqoftë ky vit vjen me ca të holla më shumë, edhe pse nuk janë edhe aq të holla 1.1 milion euro dhe famën e pavdekësisë, që herë pas here ka qenë e diskutueshme.

Me gjithë këto dhe faktin se si emrat e kandidatëve të sotëm edhe ata që kanë kandiduar deri në pesëdhjetë vite nga sot, janë sekret, pyetja që na vërtitet përsëri në mendje është kush mund të fitojë këtë vit Nobelin e letërsisë.

Vazhdojmë të hamendësojmë të paktën profilin e fituesit të mundshëm dhe për këtë na ndihmojnë faktet e precedentet.

Shumë shpesh kemi parë që çmimi të jepet për arsye gjeopolitike, sociale dhe vitin e shkuar pamë se u rrek të ishte edhe gjinore, megjithëse autorja e meritonte plotësisht çmimin.

Por, a mund të themi se këtë vit do të ketë një koherencë zhvillimi me ngjarjet e këtij viti të mbrapsht?

Nga ana tjetër, vitin e shkuar janë futur në fuqi disa ndryshime në rregullat e gjykimit përpara tërheqjes së çmimit.

Nobeli do të kërkojë të jetë më gjithpërfshirës, si sa i takon gjeografisë ashtu edhe gjinisë, e ndoshta këtu mund të përfshihet edhe gjinia e tretë e përfolur së fundmi.

Ndoshta gjykatësit konservator suedezë kanë hequr dorë nga europianizimi i çmimit dhe edhe nga maskilizimi i tij, e në përputhje me situatën, a mund të presim që Nobeli të shkojë edhe në Afrikë për shembull?

Me gjithë shkrimtarët e mirë të gjallë, e dimë se në njëzet vitet e fundit 6 nga 20 çmimet ishin gra dhe fitorja e Olgas vitin e shkuar ishte për t’u përshëndetur. Vlen të theksohet se diskutimi këtu nuk bëhet nëse Nobeli duhet dhënë vetëm për faktin grua, ndërsa krejt e kundërta është e vërtetë, midis gjithë kritereve dhe emrave shpesh të diskutueshëm që janë përzgjedhur për çmimin e madh, sigurisht që gratë nuk janë parë me prioritet apo si të barabarta, duke qenë se ekziston fabula “pena më e mirë është mashkullore”.

Do të qe më mirë që në vlerësimet e bëra të mos shihej gjinia, e madje të shihej po njësoj produkti pa asnjë kufi gjinor.

Mbase në kuadër të kësaj analize modeste, që sigurisht niset nga premisa, duket se mbërrihet te fakti se çmimi u dashka të shkojë “se s’bën” te një shkrimtar me ngjyrë që nuk është europian dhe mundësisht pa gjini të përcaktuar klasikisht.

Unë shpresoj të fitojë produkti, i parë edhe në kontributin personal që shkrimtari (për gjeneralen) ka dhënë. Atëherë me siguri do të jenë të gjitë të kënaqur e nuk do të gjejmë veten në diskutimet a duhet të ndahet shkrimtari nga individi apo jo, por as në shkrimtari pasqyrë e problematikave apo lëvizjeve që jetohen në një periudhë apo në një tjetër për të qenë politikisht korrekt jo me njerëzit që bëjnë kohën, por me kohën që cyt njerëzit.

Ka të ngjarë e dua të shpresoj se Akademia suedeze e Nobelit nuk do të dojë këtë vit të gjendet nën buferën që u gjend vitin e shkuar, me dhënien e Nobelit një filo-Milosheviçi, kjo edhe pse vjen mbas skandaleve të veta. Kështu që lind shpresa se personazhi i këtij viti do të sjellë pak paqe midis qarqeve jo vetëm letrare botërore. Të shohim nëse do të sjellë edhe poezi.

Akademia nuk është më e njejta, sikurse edhe koha që jetojmë, aq e vërtetë është kjo sa çmimet për herë të parë do të ndahen online, pa ceremoninë përshkënditëse të gjithëhershme.

Pra me pak dhe shumë fjalë, fituesi do të duhet të mos jetë polemik, qoftë edhe për të ndrequr ca reputacionin e shprishur të të zotëve të shtëpisë.

Këto janë çfarë mund të jetë apo nuk do duhet të jetë profiler-i i Nobelit, edhe pse ajo që vlen, përsëris është vepra dhe kontributi bërë njësh në një të vetëm, meqë kjo ka qenë kriter i kahershëm i Akademisë, shpesh herë i shkelur dhe justifikuar.

Enkeleda Ristani – revista Vip

Meghan Markle, dukeshë e rreckosur apo aktiviste politike e sforcuar?

Që pas takimeve tepër të ngrohta dhe afrisë me ish-zonjën e parë të Shtëpisë së Bardhë, Michele Obama, nisën dyshimet e para se për ku po synon Meghan.

Në të vërtetë edhe ajo e ka lënë të kuptohet herë pas here dhe zërat e fundit nga tabloidët anglishtfolës janë për një “kokë më kokë” të ardhshme të Meghan e Ivanka Trump.

Të ngjallë kureshtje, por edhe mund të ketë gjasa, ndërsa bota po kërkon të marrë një ngjyrim feminist, mbase për të vënë në provë një drejtim ndryshe të botës tashmë të lodhur nga politikat maskile. Ëndërra janë, bën vaki dhe dalin!

Gjithsesi, që Meghan të ketë ndonjë aftësi drejtuese deri të Shtëpisë së Bardhë e bashkë me të botës, duket gati në kufijtë e imorales (në kuptimin e gjerë të fjalës) në rastin më të keq, e në rastin më të mirë, qesharake.

Le të shohim pak lëvizjet e fundit të Meghan nen dritën e një lloj historiku, por nisur nga dalja e saj e fundit dhe gjuhës së fotografisë.

Ish-aktorja e ‘’Suits’’ (duhet thënë kjo, edhe pse nuk ka pasur peshën qendrore në film) ka ndryshuar sërish stil.

Nga fundet e serive televizive, të cilat e bënë të njohur, te veshjet me stil mbretëror të cilat e bënë të famshme, tani ka kaluar në veshje plotësisht më të thjeshta dhe sportive dhe mbi të gjitha në një model flokësh tip ‘’bija e luleve’’. Nuk di nëse të gjithë e njohin këtë term, i cili vjen nga vitet e largëta ’60 dhe revolucionit kulturor që u lidh me më së shumti me lirinë. Ishte emërtim  i Hipive të viteve ’60, burra dhe gra që e donin lirinë, njw liri e kuptuar nw tw gjitha senset, edhe si dashuri e lirë e njerëzve që jetonin jetët e tyre pa diskriminim dhe paragjykim. Ata përdorën flokët e gjata, shpesh të zbukuruar me kurora lulesh. E megjithëse pa kurorë lulesh, Meghan kishte zgjedhur pikërisht këtë të na demonstronte.

Pra gjithçka e llogaritur në mënyrë perfekte për mesazhin që ajo dëshiron të japë: atë të një aktivisteje politike të matur dhe autoritare.

Zero bizhuteri

Një tjetër detaj që bie në sy është mungesa e bizhuterive. Përveç unazës së fejesës së Lady Dianës, që mezi duket, mban disa byzylykë të thjeshtë. Pa vathë, pa gjerdan. Gurët e çmuar nuk duken asgjëkundi. Edhe make up-i është fare natyral.

Dukeshë e rreckosur apo aktiviste e shtirur?

Imazhi i saj ka dashur të komunikojë qartësisht strategjinë e PR-ve, apo asaj vetë: ajo kërkon t’u thotë grave të tjera “ja, unë jam si ju, unë ju përkas juve, më dëgjoni, më shikoni sa e thjeshtë jam”.

Por, siç e ka stigmatizuar Gloria Steinem, ikona e luftës për të drejtat e grave, problemi është se “stereotipi i një princeshe e përndjek”.

Në thelb, Meghan duhet të bëjë paqe me identitetin e saj një herë e përgjithmonë, pa kërkuar të ndërrojë lëkurët.

Ka ca çështje pezull me oborrin britanik, ka një titull ende të pa hequr nga shpatullat dhe me gjithë lëvizjet në dukje “revolucionare” të saj, lidhur me kurorën britanike, ka në krahë një burrë që nuk di më se çfarë në të vërtetë është, një eunuk politik, një as mish as peshk për shkak të geneve dhe gjakut të tij blu, që me gjithë ndonjë transfuzion dashurie për Meghan, nuk mund të kthehet në të kuq…

enkeleda ristani – revista Vip