Sezoni i tretë dhe përfundimtar i serialit më të ndjekur në historinë e Netflix, “Squid Game”, po afrohet me hapa të shpejtë. Një trailer i ri, i publikuar së fundmi, tregon atë që pritet të jetë kulmi dramatik i këtij fenomeni global.
Seriali mbetet ende prodhimi më i shikuar në platformë dhe ka vazhduar të thyejë rekorde edhe me rikthimin e sezonit të dytë në dhjetor 2024. Vetëm brenda javës së parë të publikimit, sezoni i dytë theu rekordin për më shumë shikime në javën e premierës dhe brenda tre ditëve, hyri në listën e serialeve më të ndjekura në Netflix (në kategorinë e serialeve në gjuhë jo-angleze), duke u pozicionuar në vendin e dytë me 192.6 milionë shikime — menjëherë pas sezonit të parë, që numëron 265.2 milionë.
Sezoni i tretë do të vazhdojë aty ku na la i dyti, me një fund tronditës. Gi-hun (Lojtari 456) kthehet përsëri në zemër të lojërave, tashmë me një qëllim të qartë: t’i shkatërrojë ato përgjithmonë. I ndjekur nga kujtimet e tradhtisë dhe humbjes së mikut të tij më të afërt, Jung-bae (Lojtari 390), ai përballet me rreziqe të reja – përfshirë edhe rikthimin e Front Man-it, i cili kishte infiltruar kryengritjen duke u maskuar si Lojtari 001.
Traileri i sapo publikuar hapet me një pamje të rojeve me veshje rozë, që mbajnë një kuti të zezë – të njëjtën që përdorej për trupat e lojtarëve të rënë. Ata e sjellin kutinë në zonën e pushimit të lojës, ndërsa lojtarët, të frikësuar dhe kuriozë, afrohen dhe e hapin. Brenda ndodhet Gi-hun. Ai zgjohet dhe menjëherë pamjet na transportojnë drejt fillimit të një loje të re.