Tuesday, September 17, 2024

Demi Moore flet për statusin e saj: “Jam beqare sepse fle me nëntë qentë e mi”

Share

Demi Moore është padyshim një nga femrat më të bukura në botë, por megjithatë, ajo është beqare prej dy vitesh. Gjatë një interviste në The Tonight Show Starring Jimmy Fallon, diva 61-vjeçare zbuloi me humor se statusi i saj i beqarisë lidhet me faktin se ka nëntë qen, të cilët flenë të gjithë me të. Moore tregoi se shtrati i saj është i mbushur me jastëkë dhe dy shtretër të dedikuara ekskluzivisht për qentë: “Prandaj jam beqare!“, tha ajo duke qeshur. Aktorja shtoi: “Nëse dikush do të shihte rutinën time të natës, do të kuptonte sa ekscentrike jam“. Gjatë emisionit, Demi ndau me publikun disa foto të saj me qentë, duke përmendur posaçërisht Pilaf, një chihuahua që është bërë aq i famshëm sa që në gusht të këtij viti u shfaq edhe në kopertinën e Vogue.

Edhe pse vitet e fundit është për përfolur disa romanca të saj të pakonfirmuara, përfshirë një me 31-vjeçarin Joe Jonas, Demi zyrtarisht është beqare që nga viti 2022, kur përfundoi pas disa muajsh lidhja e saj me kuzhinierin e famshëm zviceran, Daniel Humm. Në të kaluarën, Moore ka pasur disa marrëdhënie të rëndësishme dhe tri divorce. Në moshën 18-vjeçare, ajo u martua me muzikantin Freddy Moore, nga i cili u nda në vitin 1985, por mbajti mbiemrin e tij. Martesa e saj më e njohur ishte ajo me Bruce Willis nga viti 1987 deri në 2000, me të cilin ka tri vajza (Rumer, Tallulah dhe Scout) dhe me të cilin ka ruajtur një lidhje shumë të ngushtë. Sot, që Willis vuan nga demenca, Demi është shpesh pranë tij, së bashku me pjesën tjetër të familjes së tyre “të përzier”, përfshirë edhe bashkëshorten aktuale të Bruce-it, Emma Heming.

Ndërsa, martesa e saj e tretë me Ashton Kutcher përfundoi shumë keq në vitin 2013. Në autobiografinë e saj Inside Out, botuar në vitin 2019, Moore akuzoi ish-burrin për tradhti dhe se e kishte detyruar dy herë të përfshihej në marrëdhënie treshe me një tjetër grua. Po ashtu, ajo rrëfeu se martesa me Kutcher e bëri të rikthehej te alkooli. Pas ndarjes nga Kutcher, Demi përjetoi një depresion të thellë dhe përfundoi në një qendër rehabilitimi për shkak të abuzimit me alkoolin dhe drogën. Që nga ajo kohë, përveç disa romancave të përfolura dhe një lidhjeje të shkurtër me Daniel Humm, Moore nuk ka rigjetur dashurinë. Dhe tani, me humor, na tregoi arsyen: ajo është shumë e dashuruar me nëntë qentë e saj.

Read more

Local News