Zgjedhjet e fundit në Kosovë konfirmojnë Vetvendosjen, Meta uron klasën politike

Mes vështirësisë së motit të keq dhe temperaturave deri në 14 nën zero, por edhe vështirësitë me pandeminë, popullsia kosovare ka shkuar në votime.

Kosova shkoi në zgjedhje të parakohshme mbas krizës politike, të shkaktuar nga arrestimi i liderave të vjetër të elitës politike kosovare. Veç kësaj, kriza ekonomike dhe pandemia e koronavirus, thelluan krizën dhe problematikat në shtetin e ri. Duket se shumicën e votave e ka marrë partia Vetvendosja e Albin Kurtit.

Në fakt, ky i fundit pret me padurim votat e emigrantëve, që edhe më parë janë parë të jenë në krahun e VV, për të bërë numrat e nevojshëm për krijimin e qeverisë i vëtëm. Sytë janë nga diaspora, që nuk e ka zhgënjyer VV-në.

Në të gjitha rastet, analistët mendojnë se Vetvendosja e Albin Kurtit, por edhe Vjosa Osmanit tashmë, do të mund të bëjnë koalicion me partinë e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj.

Çka është e sigurt, Albin Kurti përjashton koalicionin me Listën Serbe, e cila duket se ruan 10 mandate.

Presim më tej ç’do të ndodhë dhe nëse do të mund ta krijojë qeverinë kësaj here i vetëm Albin Kurti me Vetvendosjen, ndërsa LDK-ja është shprehur qartë që nuk do të jetë në koalicion me ta.

Ndërkaq, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka uruar nëpërmjet faqes së tij zyrtare në Facebook, qytetarët kosovar dhe klasën e saj politike.

“Urime të gjithë qytetarëve dhe klasës politike të Kosovës për shembullin e shkëlqyer të besimit te demokracia dhe vota e lirë, si dhe për standardet e suksesshme të arritura në zgjedhjet e djeshme parlamentare. E përshëndes pjesëmarrjen e lartë të qytetarëve në votime, të cilët sfiduan kushtet e vështira atmosferike dhe pandeminë COVID-19, për të marrë në dorë fatet dhe për të vendosur të ardhmen e tyre. Kosova hapi një faqe të re në rrugëtimin e saj europian dhe konsolidimit të shtetit demokratik. Urojmë, që institucionet e reja, që do të formohen përmes bashkëpunimit, të udhëheqin me sukses shtetin e Kosovës për të fituar sfidat e të ardhmes”, ishte mesazhi i Metës.

Recommended Posts