Ingrid Gjoni njihet si këngëtarja bukuroshe, e cila i përket një brezi që e
njohin pa diskutim dhe e kanë ndjekur në të gjitha shndërrimet dhe
eksperimentet bërë edhe lukut e jetës së saj, në këtë të fundit aq sa
këngëtarja ka lejuar.
Ndoshta ndjekësit tanë e dinë se Ingridi ka mbaruar shkollën e Arteve dhe
si gjithë studentët e kësaj dege, është e tërhequr prej së bukurës dhe ka
kërkuar gjithmonë të eksperimentojë me të. Dhe ja ku erdhëm në pikën prej së
cilës zë fill fakti që ne kemi bërë sot për ju një intervistë me Ingrid Gjonin,
vajzën që pasioni i së bukurës e dërgon nëpër këndet e zbulimit të saj.
Kemi marrë vesh se i keni hyrë me pasion Interior Design-it. Nuk dua ta nis
me pyetjen si ju lindi ky pasion, në mënyrë që të mos biem në grackën e intervistave
të mëparshme. Do doja të dija:
1-Çfarë është për ju interior Design-i, çfarë përfaqëson për ju kjo degë e arkitekturës dhe artit njëkohësisht, me fjalë sa më të thjeshta e të ndiera?
Interior Design është një pasion, është një dhunti që të vjen nga brenda,
varet se sa dashuri i jep edhe sa merr.
Sigurisht, ka lidhje me objektet dhe këto të fundit ndërtohen mbi shijen
personale dhe mbi idenë që ti ke krijuar, që këtë dhomë apo këtë sallon do ta
bësh në këtë formë.
Për shembull, për të shpjeguar se ç ‘është për mua ky art i ri, mjafton t’u
them se mua po të më lesh gjithë ditën të merrem me një arredim shtëpie, unë
rri gjithë ditën, dhe nuk e ndiej kohën që kalon, teksa punoj.
Unë nuk lodhem me këtë punë edhe sikur t’i përkushtohem gjatë gjithë ditës
dhe nga këtu kuptoj brenda vetes se është një nga gjërat që më jep shumë
pasion. Harroj çdo gjë, harroj kafenë, harroj të shkoj për të blerë veshje për
veten, e kam kuptuar që jam shumë e përfshirë tek kjo gjë.
E kam nisur me gjërat e mia, që do të thotë me investimin tim të 20 viteve
punë shumë të lodhshme si këngëtare. Ka qenë gjithashtu pasion që u kthye në
profesion. Në fakt, investimet e mia kanë qenë shumë të kufizuara, sepse unë
kam dashur të jem me këmbë në tokë dhe jam munduar të investoj në një fushë që
i shkon karakterit tim dhe jam përkushtuar te shtëpitë. E fillova me arredimin
e shtëpisë sime, por jo se nuk kam qenë gjithmonë e pranishme me këshilla dhe
ide për njerëzit e afërt, për shoqërinë. Madje, dje, shumë mikesha më kanë
thënë se kishin 10 vite që më kishin thënë të merresha me këtë punë. Por duke
qenë se unë jam një njeri me këmbë në tokë, më është dashur të piqem njëherë,
si nga ana material, ashtu edhe nga ana profesionale, në mënyrë që të bindesha
se doja ta bëja këtë gjë.
2. Kur prekni me mendje, pra skematikisht, orenditë që përbëjnë arredimin,
çfarë ndieni, si e kuptoni që ato janë të duhurat?
Mua më ndodh që nga një objekt të ndërtoj idenë për arredimin e dhomës,
edhe pse mund të mos e kem fare të qartë dhomën dhe pozicionin e saj. Zakonisht
më frymëzojnë objektet që shoh. Për shembull, tek arredimi i dytë që kam bërë,
e kam marrë spunton nga një abazhur. Që do të thotë, ai abazhur ngeli shumë
thellë në zemrën time dhe, nisur nga ai, fillova të ëndërroj si do të mund të
ishte ngjyra që do të përmbante dhe si do të ndërtoja arredimin.
Një tjetër objekt që më ka frymëzuar ka qenë dera, që nuk është një derë
normale, sepse mua nuk më pëlqejnë gjërat normale, as gjërat e ekzagjeruara, më
pëlqejnë gjërat e veçanta të cilat i bëjnë njerëzit kuriozë.
Këto objekte mund të jenë rëndom gjithandej, por jo çdo sy mund t’i
shohë dhe të guxojë t’i përdorë. Mbi këto dy elementë unë rrezikova, duke qenë
se aty kishte edhe arkitektë, të cilët në vendin tonë shpesh marrin përsipër
edhe arredimin, gjë që për mua nuk është korrekte, pasi arkitekti nuk i njeh
shijet e arredimit. Besoj gjërat janë të ndara, ashtu si në muzikë.
E frymëzuar nga këto dy objekte unë krijova idenë e një ambienti në ngjyrë
të zezë. Kjo ishte shumë e guximshme dhe të gjithë njerëzit më thanë të mos e
bëj të zezë, pasi po rrezikoja shumë. Unë u thashë se e doja të zezë, pasi
gjithë koncepti im ishte projektuar mbi të zezën. I vetmi element që do të
thyente të zezën, ishte parketi në ngjyrë bezhë, ndërsa dollapi do të ishte i zi
me ndriçim.
Një element tjetër që më inspiron, është mermeri. Mbi mermerin që shoh, filloj të fantazoj arredimin e kuzhinës duke menduar edhe për objektet e tjera.
3. Ka një grup mendimi që thotë se vetëm personi i cili do të banojë shtëpinë, di ta bëjë të ngrohtë atë. Ju tremb ky fakt, apo nuk e konsideroni si të vërtetë?
Mua nuk më tremb, pasi njoh veten dhe besoj tek aftësitë e mia, besoj edhe te shija e miqve të mi, të cilët surprizohen, pavarësisht se kanë parë arredime në mbarë botën. Mua ky fakt më lumturon, sepse kushdo që ka ardhur, mbase dhe persona të cilët janë marrë prej vitesh me arredim, gjithmonë më kanë pyetur mbi personin që më ka arreduar shtëpinë.
4. Ju e perceptoni ngrohtësinë që jep arredimi i shtëpisë, ndërsa këtë po e
ndërtoni për dikë tjetër, i cili mund të jetë klienti juaj?
Nëse do të bëhet fjalë për një klient, gjë që e kam praktikuar më herët përmes këshillave për miqtë e mi, besoj se do të kisha bërë punë më të mirë. Sigurisht që klienti fillimisht duhet të caktojë disa kritere, sepse ka njerëz që janë tek e bardha dhe e zeza, ka të tjerë që qëndrojnë tek e kuqja, ka shumë tipologji njerëzish. Do të duhet të diskutosh me njeriun që të beson shtëpinë. Nuk mund të jetë krejtësisht personale. Në Shqipëri ndodh rëndom të bëhet krejtësisht personale. Ti has në ndonjë ambient dhe pyet mbi arredimin, të përgjigjen duke thënë se arredimin e ka bërë arkitekti. Kjo gjë mua nuk më pëlqen, pasi arkitekti ka shije të tjera nga ato të interior designerit. Por sidoqoftë, klienti duhet pyetur dhe duhet të dimë se ku qëndron shija e tij, si dhe çfarë ngjyrash preferon në shtëpi. Gjithashtu i rëndësishëm është edhe buxheti që ka menduar klienti.
5. Mund të ndani me lexuesit tanë kureshtarë, elemente dhe kuriozitete nga arredimi i vilës suaj?
Kam hasur vështirësi me personat që merren me punët brenda shtëpisë, si:
bojaxhinjtë, elektricistët, personat që shtrojnë parketin etj. Këtë punë duhet
ta bësh me shumë pasion, që të mos jesh ajo gruaja e cila mbas tre javëve shkon
dhe sheh se punimet janë ende te parketi. Unë jam një njeri i guximshëm dhe i
qëndroj punës në kokë gjithë kohës. Shoh shumë vështirësi që janë të zanateve
të tyre, jo të profesionit tim, por gjithsesi, përpiqem t’i ndihmoj.
Unë e kam ndërtuar idenë e arredimit pak nga pak. I kam mbledhur elementet
një nga një. Nuk shkova të porosis një dhomë gjumi me komodina tradicionale; në
shtëpinë time nuk ekzistojnë komodinat. Ekzistojnë dollapët ku nuk duket asgjë,
që janë të krijuar me një material nga fillimi deri në fund. Në
shtëpinë time nuk ka komodina, por komoditet. Elementët e tjerë i kam
ndërtuar mbasi kam bërë dollapin si kryesor dhe krevatin. Të tjerat i krijova
duke parë në dyqane të tjera, që të mos ndërtohet ambienti mbi të njëjtët
elementë. Ndaj edhe doli diçka e bukur e me shije.
Nuk është aq e thjeshtë, është pasion, por s’kam ndjekur rrugën e lehtë.
Ndaj e kuptoj se këtë gjë nuk mund ta bëjë çdokush. Unë nuk shkoj në një
mobilieri për t’i thënë më sugjero ti, unë shkoj me ide të qarta dhe dua t’i
rri në kokë çdokujt, pasi dua të dalë ajo që kam menduar unë.
Më ka ndodhur në një rast, kur kam dashur t’i vendos drita led krevatit
dhe nuk kanë ditur ta bënin, pasi nuk e kishin projektuar më parë. Kam vrarë
mendjen shumë për të arritur të bukurën dhe kam arritur ta gjej zgjidhjen. Them
se truri duhet futur më shumë në punë.
6. A bashkëpunoni me klientët tuaj duke marrë parasysh edhe dëshirat e
tyre, apo ju intereson më shumë “carta bianca”, pra liria në punën
tuaj kreative?
Sigurisht që më intereson. Por interior design është përgjegjësi dhe unë
jam njeri shumë i përgjegjshëm, jo vetëm në këtë aspekt, por edhe në përgjithësi.
Po ta fillojmë nga muzika, jam nga ato këngëtare që qëndrojnë deri në fund e
nuk lëviz pa u mbyllur lokali kur kam qenë e ftuar aty, kam përgjegjësi dhe e
çoj punë deri në fund. Këtë e dinë të gjithë ata që më njohin dhe kanë punuar
17 vite me mua.
Edhe arredimi është një përgjegjësi shumë e madhe. Me ata njerëz që mund të pëlqejnë shijen time, bazuar në ato fakte që unë kam publikuar, mund të ulemi të diskutojmë. Jam shumë e gatshme të ulem dhe të diskutoj për të kuptuar këndvështrimin e klientit, psikologjinë e tij dhe buxhetin. Nga ana tjetër, është e rëndësishme të kuptosh edhe prioritetet e tyre, në duan një shtëpi komode, apo diçka tjetër.
7. Ka të bëjë frymëzimi në arredim, duke pasur parasysh se është një formë
arti?
Siç e thashë edhe më sipër, unë frymëzohem nga objektet, diçka e vogël më
jep shtysë për të ndërtuar diçka shumë të madhe. Madje më ka ndodhur shumë herë
me njerëzit me të cilët shoqërohem, janë nxituar të më japin mendime dhe u kam
thënë të presin, sepse nuk e kanë parë rezultatin final.
Unë marr shkas nga diçka dhe i kam idetë shumë të qarta. Për shembull, bëj
kondicionerin në ato përmasa që më japin. Arkitekti mund të thotë: shiko se do
të bjeri tavani shumë poshtë dhe ti nuk do ta bësh dot kondicionerin, ashtu si
dëshiron. Dhe unë vras mendjen për të gjetur zgjidhje. Pastaj prezantohet një
problem i ri, ngjyra e kondicionerit është e bardhë, ndërkohë që mua më duhet e
zezë. Kjo më prish gjithë dhomën. Pastaj filloj të mendoj se kush mund të jetë
njeriu që do të marrë përsipër ta lyejë me ngjyrë të zezë. Një detaj tjetër në
Lalz. Çdo gjë ishte e zezë, ndërsa bolieri ishte i bardhë. E çmontuam dhe e
çuam në një vend ku lyheshin makinat. Kështu që erdhi i zi. Te shtëpia ku çdo
gjë është e zezë, vetrata ka dalë e bardhë nga brenda. Në fund, mjaftoi të
vendosje adeziv dhe ambienti dukej super luksoz. Por më është dashur të pyes
shumë persona, për të arritur tek ideja e adezivit.
8. A ju ka bërë kjo punë e re të mendoni ndonjëherë: “si nuk ndoqa
edhe studimet e larta në arkitekturë”?
Arkitektura është aty, janë përmasa fikse; unë nuk kuptoj shumë nga
përmasat e sakta, por di të them se përballë personave që janë profesionistë në
këtë fushë, në shumë raste, me sy të lirë dhe me shijen e idenë që kam pasur në
mendje, më ka ndodhur të kem hedhur poshtë përmasat e arkitektëve.
Sigurisht nuk jam e aftë për të bërë matje, por kur shkoj te
frigoriferi, te pianura, te furra, që në momentin e parë, unë e kam parë faqen
e murit dhe e di se sa objekte mund të më duhen për të ndërtuar kuzhinën.
Vërtet mund të mos i di përmasat, por shoh orenditë dhe e kuptoj çfarë duhet të
bëj. Gjithsesi, arkitektura është tjetër gjë, kurse unë dua disenjimin, që ka
të bëjë me shijen.
9. Ka ndonjë material që mban peng idetë tuaja në arredim?
Më pëlqen druri, por në stilin modern. Nuk e shoh shumë veten te klasikja, qëndroj te modernia, deri te neo-klasikja. Materiali që më pëlqen shumë të përdor në dhomat e gjumit është letra murale, pasi jep shumë ngrohtësi, nëse di ta shohësh dhe zgjedhësh mire atë. Për shembull, dhoma e gjumit që u arredua në ngjyrë të zezë, ka një letër murale të gjelbër dhe atë e kam kombinuar edhe me një abazhur të vjetër të cilin e kam përshtatur për këtë rast.
10.Tani që po i vjen fundi intervistës sonë, do të doja të dija, cila është
ëndrra juaj më e madhe që mbetet për t’u realizuar sa i përket interior
design-it?
Kam ecur me hapa të vegjël dhe çdo gjë është ndërtuar në shumë vite, me
shpresën se mund të zgjerohem në një të ardhme. Mbase kjo mund të dojë dhe
kohë, mund të mbetet edhe thjesht dëshirë, por pse jo të ketë një vila 2, vila
3, vila 4, pa u bërë shumë lakmitare. Dëshira ime është që ta zhvilloj këtë
projekt me vila plazhi, të arreduara nga unë. Nuk e kam filluar këtë rrugë për
të fituar, pasi për mua është më shumë çështje pasioni dhe dëshire. Është arti
im që dëshiroj ta ndaj me njerëzit. Ky pasion për arredimin më ka bërë të shkoj
drejt këtyre objekteve. Nëse para 15 viteve mendoja për të blerë veshje, ose
çanta për vete, sot nuk më shkon dora tek ato. Përveçse t’i blej Paridit
(djalit), më shkon dora te filxhanët, te kornizat… ndoshta mund të jetë dhe
tregues i moshës, por gjithsesi qëndrojmë brenda së bukurës.