A po vuan Kate Middleton nga këpucët me taka? 7 dëmet që shkaktojnë ato

Kate Middleton së bashku me William kanë qenë në një vizitë disaditore në Skoci. Në fakt dukesha e Kembrixhit ishte në lartësinë e detyrës dhe prezantimit të saj. E veshur, ditën e fundit, në bojëqiell, çka na tërhoqi vëmendjen ishin skarpinat e saj, që “padashur” i kishin fotografuar këmbë të palosura keq. Të gjitha ne gratë e dimë mirë se çdo të thotë ajo përthyerje dhe shtrëmgim i këmbës në pjesën e dekoltesë së këpucës. A po vuan Kate Midleton nga këpucët me taka? Do t’ju tregojmë me këtë rast, 7 dëmet që i shkaktohen fizikut tonë nga këpucët me taka dhe sidomos skarpinat.

Dukesha e Kembrixhit dhe këpucët me taka

E bukur, e qeshur, e hijshme. Kate Middleton u prezantua kështu në vizitën e saj në Skoci, pasqyruar nga DailyMail. Por ne nuk do të merremi me vizitën. Ajo që na tërhoqi vëmnedjen ishin këmbët dhe skarpinat bojëqielli që dukesha kishte veshur. Janë firmë apo jo, kushtojnë shumë apo jo, lodhja dhe dëmet që shkaktojnë këpucët me taka janë njësoj.

Të gjitha e kemi provuar ç’do të thotë ta fusësh këmbën në çarkun e takave. Të gjitha e kemi provuar se sa domosdoshmëri bëhet më pas një masazh (që nuk do të donim të mbaronte kurrë) në shputa. Kate dukej jokomode, për të mos thënë e përvuajtur nga shtrëngimi që skarpinat i shkaktonin. Dhe nëse ajo arrinte ta mbulonte këtë me buzëqeshjen protokollare, këmbët flasin vetë.

Gati-gati na vjen të bëjmë një batut në lidhje me “sigurinë mbretërore”. A e ruajnë shëndetin e anëtarëve të familjes mbretërore sa duhet, protokollet e sigurisë britanike?

Gjithsesi, shpikja e takave, për mendimin tonë, është vrastare. Për këtë morëm mendime specialistësh sa i përket dëmeve që shkaktojnë këpucët me taka në fizikun e grave.

7 dëmet që shkaktojnë këpucët me taka

Metatarsalgjia: Një nga efektet më të zakonshme të takave të larta

Takat i bëjnë artikolacionet tona të pozicionohen sikur jemi në majë të gishtërinjve. Taka e rrit presionin në pjesën e përparme të këmbës. Nëse me këpucë të sheshta, pesha shpërndahet saktë midis thembrës dhe këmbës së përparme, me taka imponohet një sasi më e madhe e ngarkesës (dhe për këtë arsye stresi) në pjesën e përparme të këmbës. Më saktë te metatarsalet!

Inflamacioni i këtyre nyjeve shkakton të ashtuquajturën metatarsalgjia.

Jo vetëm kaq: sa më e lartë taka, aq më shumë gishtat do të zgjaten përpara, ose do të jenë “të palosura për lart”. Nëse ruhet për një kohë të gjatë, ky pozicion shkakton stres shtesë në nyjen midis metatarsaleve dhe gishtave.

Fashiti plantar apo fashiti i shputës

Në terma të thjeshtë, fashiti i shputës ndodh kur indet nën shputën e këmbës (në veçanti fasha e shputës) pësojnë acarim. Dhimbjet ose tensionet e lokalizuara shkaktohen në mes të shputës dhe në mes të thembrës.

Përdorimi i këpucëve me taka, por edhe shapkave me gisht në këtë rast, janë kontribues të kësaj patologjie.  

Gishtat, duke qenë në pozicion të zgjatur, vendosin fashën e shputës në një pozicion të shtrirjes së vazhdueshme. Meqenëse taka është një bazë mbështetëse shumë më e vogël dhe më e paqëndrueshme sesa një këpucë e ulët, ajo kërkon punë të vazhdueshme të muskujve të kyçit të këmbës dhe të këmbës për të ruajtur ekuilibrin.

Hallux Valgus ose kallot

Takat janë një nga faktorët që mund të kontribuojë në zhvillimin e tyre, kur përdoret shpesh dhe për shumë vite. Por ka edhe një rrezik tjetër: gjerësia e pjesës së përparme të këpucës.

Takat e theksuara ose të ngushta në pjesën e përparme (dhe kjo vlen për çdo lloj këpucësh) zvogëlojnë hapësirën e gishtërinjve. Këta të fundit, për këtë arsye, duhet të “shtypin” njëri-tjetrin për të gjetur një mënyrë më të qartë qëndrimi.

Shputa jonë është projektuar që të ketë një bazë të gjerë mbështetjeje. Gishtërinjtë kanë nevojë të marrin frymë. Mos e harroni këtë.

Gishti i çekanit

“Gishti i çekanit” është një deformim që prek kryesisht gishtin e 2-të dhe karakterizohet nga një kënd anormal i nyjës qendrore të gishtit. Përveç se është e dhimbshme, sigurisht që nuk është gjendja më estetike që ekziston.

Neuroma e Marton

Bëhet fjalë për një neuropati që prek mbaresat nervore të nervave intradigjitalë të vendosura midis kockave metatarsale. Mungesa e hapësirës ndërmjet metatarsaleve shkakton një kompresim të vazhdueshëm të këtij nervi: taka, madje e shoqëruar edhe me një majë të ngushtë, gjeneron një situatë të dërrmimit të vazhdueshëm.

Shtrembërimet e kyçit të këmbës

Të jesh në këmbë kërkon aftësi të jashtëzakonshme ekuilibri. Mendoni për herët e para që keni veshur taka. Më specifikisht, kërkohet një stabilitet dhe reagim i madh i kyçit të këmbës.

Sa herë keni parë e ndoshta edhe qeshur me rrëzimet e yjeve në skena apo pasarela?!

Krahasuar me një këpucë të sheshtë ku baza është e gjerë dhe e qëndrueshme, taka është e ngushtë dhe me mbështetje shumë të kufizuar në tokë. Kjo gjendje e detyron kyçin dhe shputën të punojnë papushim për të stabilizuar gjendjen. “Shputa dhe kyçi i këmbës janë si themelet e një shtëpie”, thonë specialistët. Po ju, a i keni themelet tuaja të forta?

Kontraktimet dhe dhimbjet në pulpë

Taka çon në mbajtjen e këmbës në një pozicion më vertikal dhe kjo do të thotë që pulpa juaj dhe tendina e Akilit do të jenë në një pozicion shkurtimi.

Një hulumtim zbuloi se pulpat e atyre që vishnin taka rregullisht ishte 13% më e shkurtër se ajo e grave që kishin veshur këpucë të sheshta. Duket si pak 13%, por për një muskul nuk është.

Kjo është arsyeja pse sapo hiqni këpucët me taka, ndieni një ndjesi të fortë tensioni (ose dhimbjeje). Sidoqoftë, ky aspekt mund të përmirësohet nga trajtimet specifike manuale të kryera nga fizioterapisti.

Mbas të gjithë dëmeve më sipër, shpresojmë që një ditë këmbët e grave të “mbrohen” me ligj!

redaksia VIP

Princi Harry nuk ka mbaruar ende, edhe një tjetër shigjetë drejtuar “The Firm”

Harry ne filmin dokumentar

Duket se princi Harry nuk ka mbaruar ende. Edhe një tjetër shigjetë lëshuar për The Firm, në dokufilmin serial “The Me You Don’t See”. Traumat e shkaktuar nga vdekja e nënës së tij, fakti që në moshë të njomë iu desh të ndjekë nga pas trupin e pajetë të së ëmës, do ta shtynin të hidhej në krahun e drograve dhe alkoolit. Në një kuptim, zbulimet e tij në filmin mbi shëndetin mendor, zbehin deklaratën e të vëllait William, lidhur me mashtrimin që BBC i bëri Lady Dianës.

Askush nuk do të mundet më kurrë, të më bëjë të hesht”, janë fjalët e princit Harry, i cili duket se shigjeton nga ana e tij Familjen. Ajo e braktisi, e braktisi ndërsa thirrjet për ndihmë për të dhe Meghan ishin të përsëritura. Princi Harry ka akoma për të thënë.

AppleTV + nisi transmetmin e dokufilmit serial “The Me You Don’t See”, me bashkëpunimin e Oprah Winfrey, në të cilin u shfaq një Harry me ton të sigurt dhe sfidues. Ai vazhdoi akuzat për të atin, princin Charles dhe pjesën tjetër të familjes. Princi Harry nuk ka mbaruar ende, The Firm tashmë e çoroditur nga kaq shumë zhvillime së fundmi, do të duhet të pres goditje të tjera.

intervista e Harry-t me Oprah
Trauma e Harry-t nga vdekja e së ëmës, Lady D

Në qendër të traumës së tij është vdekja e të ëmës, Lady Diana. Fakti që qe i detyruar të ndjekë pas arkmortin e saj, ndërsa ishte në një moshë fare të vogël. Ai rrëfen se asokohe ishte i detyruar të fshihte emocionet e tij, ankthin dhe sulmet e panikut.

Ndërkaq, mbështetja e të atit i mungonte.

Im atë na tha, mua dhe William, se ne do të duhet të vuanim siç ai kishte vuajtur fëmijë. Mesa duket kjo do të ishte vendimtare për veprimet e mëvonshme të Harryt. Ai u hodh për të harruar në krahët e drograve dhe alkoolit.

“Mendova se do të më ndihmonin, në fakt të gjitha kërkesat e mia u pritën me heshtje dhe indiferencë”, do të shprehej Harry, për atë që tani quhet rëndom The Firm.

LEXO EDHE: “Kjo është arsyeja pse u largova nga Britania e Madhe”, princi Harry zbulon të vërtetën para intervistës me Oprah

Harry e Meghan duke buzeqeshur
Harry dhe terapia e shëndetit mendor

Sipas tij ishte Meghan ajo që do ta ndihmonte dhe do ta shtynte atë të ndiqte terapinë. Terapi që pastaj vazhdoi për 4 vite. Dhe Harry nuk ngurroi të prezantonte disa nga metodat e mësuara në terapinë që ndoqi.

“Më dha mjetet e duhura për të përballuar gjithçka. Për mua ishte fillimi i një rruge mësimore. E kuptova që po jetoja në një kupolë qelqi në këtë familje, në këtë institucion, dhe isha në një farë kuptimi i bllokuar në atë mënyrë të menduari, në atë mentalitet”.

LEXO EDHE: Intervista e Meghan dhe Harryt me Oprah dhe lufta e transmetuesve britanik për të drejtat e transmetimit

Meghan e rrezikuar si Diana

Duket se në bazë të Megxit kanë qenë mendimet vetvrasëse të Meghan dhe indiferenca e ardhur nga Familja. Duket se dramat për dy gratë më të rëndësishme të jetës së Harry-t, janë shkaktuar nga të njëjtit njerëz dhe të njëjtat sjellje.

“Për katër vite ne kemi bërë gjithçka ishte e mundur për të vazhduar në rolin tonë. Por rreziku i humbjes së një gruaje tjetër në jetën time ishte si një shkëndijë. Lista po rritej. Dhe të gjitha për shkak të të njëjtëve njerëz, të njëjtit model pune, të të njëjtit organizim”, u shpreh princi Harry.

Edhe një tjetër goditje për The Firm, ndoshta për të vënë shpirtin e tij në paqe. Historia po përsëritej para syve të tij.

“Nëna ime u përndoq deri në vdekje, ndërsa ishte në relacion me një person jo të bardhë. Dhe ja se çfarë ndodhi!”.

Lady Diana me dy djemte e saj te vegjel
Zbulesat e Harry-t zbehin reagimin e William

Ndërsa raporti hetimor nxjerr në dritë mashtrimin që i qe bërë Dianës nga BBC, reagon edhe William. Dalë me shumë kujdes nga kornizat e një anëtari segnor të familjes mbretërore, ai bën një deklaratë personale, duke dënuar sjelljen e gazetarit dhe TV.

“Intervista kontribuoi në frikën, paranojën dhe izolimin e nënës sime”, përfundoi Duka i Kembrixhit.

Mediat britanike do ta quanin një lëvizje strategjike dhe të zgjuar, një cilësi prej mbreti të ardhshëm të denjë, ndërkohë që do të pasohej nga zbulesat e Harry-t. Për të disajtën herë, Princi i vogël e vë në vështirësi vëllanë e madh.

Nga ana e tij duka i Sussex lëshon edhe ai një deklaratë për ngjarjen me BBC-në. Ai flet për një “reksion zinxhir, e shkaktuar nga kultura e shfrytëzimit dhe metoda imorale”.

Por vështirësia më e madhe për William, që pret i dyti në radhë të hipë në fronin britanik, do të jenë deklaratat e të vëllait për mungesë empatie në Pallat. Gjë që tronit edhe një herë monarkinë nga themelet.

Lady Diana është gënjyer nga gazetari i BBC për “intervistën e shekullit”

intervista e lady dianes

Raporti i komisionit hetimor zbuloi se gazetari i BBC, Martin Bashir, ka gënjyer dhe falsifikuar dokumenta, për të bindur Lady Dianën të japë “intervistën e shekullit” për të. Intervistë në të cilën Lady Diana do të sulmonte princin Charles dhe familjen mbretërore.

BBC ka gënjyer. Ka mashtruar Lady Dianën për të marrë gjithë vëmendjen planetare. Me këtë konkluzion ka dalë komisioni i pavarur hetimor, i cili po hetonte mënyrat se si televizioni publik britanik zbuloi të vërtetat e bujshme të Dianës.

Pas 26 vitesh, komisioni bën përgjegjësin kryesor gazetarin Martin Bashir, i cili zhvilloi intervistën me të në vitin 1995.

Aso kohe Lady Diana kishte 3 vite e ndarë nga princi Charles dhe ajo vendosi të flasë hapur për shkaqet e ndarjes së saj. Por edhe shumë më shumë. U quajt “intervista e shekullit” pasi Diana foli në mënyrë të hapur duke shkelur rregullat e pashkruara të familjes mbretërore.

“Ishim tre në atë martesë, kështu që ca si shumë”, do të thoshte Lady Diana në intervistën me Bashir.

U thye “kodi i heshtjes”

Ishte hera e parë që princesha drejtoi hapur gishtin nga Charles dhe familja mbretërore angleze, duke thyer atë që ishte kodi i pashkruar i sjelljes së monarkisë: “Never complain, never explain” (“mos u ankoni kurrë, mos shpjegoni kurrë”). Diana shkoi aq larg sa të rrëfejë gjithë fatkeqësinë e saj të madhe, të përbërë nga depresioni, bulimia dhe vetë-dëmtimi. Një intervistë që tronditi Mbretëreshën Elizabeth, e cila urdhëroi Charles dhe Dianën të divorcoheshin menjëherë.

Gënjeshtrat e përdorura për të marrë intervistën

Tani nga raporti del se Bashir arriti ta bindë Dianën me një sërë gënjeshtrash. Ai i pat thënë se stafi i saj e spiunonte në favor të gazetave dhe shërbimeve sekrete, se kishte një komplot të kurdisur nga truprojat e tij dhe se Carlo ishte në një marrëdhënie me dadon e Oborrit.

Gazetari gjithashtu do të falsifikonte dokumente bankare, me ndihmën e krijuesve grafikë të BBC, për të nxitur vëllanë e Dianës, kontin Charles Spencer, për ta bindur motrën e tij për intervistën.

Disa ditë më parë Bashir, i cili kishte fituar një çmim Bafta për atë scoop, dha dorëheqjen nga BBC, për “probleme serioze shëndetësore”.

Reagimi i princit William dhe princit Harry

Pas të gjithë kësaj, vijnë reagimet nga ana e familjes mbretërore. Më e rëndësishmja është ajo e William, djalit të madh të Dianës, i cili e dëshironte me forcë hetimin.

“Mendimi im është se mënyra mashtruese në të cilën u lëshua intervista, ka ndikuar thelbësisht në ato që zbuloi nëna ime. Intervista ishte një kontribut i rëndësishëm në përkeqësimin e marrëdhënies midis prindërve të mi dhe dëmtoi shumë njerëz të tjerë”, argumenton Duka i Kembrixhit

Princi më tej mundi vetëm të shprehë të gjithë dhimbjen e tij:

“Më shkakton trishtim të papërshkrueshëm kur di se ‘të metat’ e BBC kanë kontribuar në mënyrë të konsiderueshme në frikën, paranojën dhe izolimin e nënës sime vitet e fundit”.

Ndërkaq princi Harry shpërthen duke e quajtur joetike, mënyrën se si iu mor intervista nënës së tij dhe se kjo intervistë “i mori jetën nënës së tij”.

Të dy princat kanë marrë letra ndjese ditën e djeshme nga ana e BBC, bën me dije DailyMail.

Dhe princi Harry godet përsëri: “Doja të ndërprisja ciklin gjenetik të vuajtjeve”

Në një intervistë të re me një podcast amerikan, Princi Harry kritikoi babanë e tij për trajtimin që i ka bërë në të njëjtën mënyrë si Charles vetë u trajtua në të ri. Kështu Harry donte të “ndërpriste ciklin gjenetik të dhimbjes dhe vuajtjes”

Nëse në Pallatin Buckingham u mendua se kishin parë më të keqen me intervistën e Sussex me Oprah dhe akuzat për racizëm ndaj familjes mbretërore, marsin e kaluar, tani do ta kenë vënë re se gaboheshin.

Princi Harry ka rezervuar tregime më shpërthyese te Dax Shepard në podcastin e Armchair Experts. E gjitha ndodhi në një intervistë që ai dha për të promovuar serinë e tij të re televizive të shëndetit mendor, prodhuar në bashkëpunim me Ëinfrey.

Një bisedë tjetër e gjatë, në të cilën, disa javë pas varrimit të Filipit, princi hodji akuza të rënda ndaj babait të tij Charles, duke e kritikuar atë për trajtimin që i bëri Harry-t në të njëjtën mënyrë si ai ishte trajtuar si i ri në Oborr.

Princi Harry: “Doja të largohesha që 20 vjeç”

Duka 36-vjeçar i Sussex e krahasoi jetën e tij si royal midis një lloj Truman Show, i ekspozuar vazhdimisht në kamera, dhe një kafshe të mbyllur në një kopsht zoologjik.

Dhe ai pranoi se donte të transferohej në Los Anxhelos për të “ndërprerë ciklin gjenetik të dhimbjes dhe vuajtjes”, siç edhe Charles, mbretëresha dhe Philip kanë kaluar më parë, dhe kështu të shmangte që fëmijët e tij të vuanin në të ardhmen.

archivio Image / Spettacolo / Principe Harry-Meghan Markle / foto Imago/Image

Përveç përmendjes së përdorimit të drogës në të kaluarën e tij si një princ rebel, shkaktuar nga trauma që pësoi nga humbja e nënës së tij në moshë të vogël, djali i dytë i Princit të Uellsit zbuloi se në moshën 20 vjeçare ai donte të linte rolin e tij si royal në Oborr, pikërisht për shkak të vuajtjeve që i ishin shkaktuar Dianës.

Gjatë bisedës 90-minutëshe, zbulimet e princit ndoqën njëra-tjetrën me një ritëm të pandërprerë. Harry pranoi se tani ndihet ndryshe dhe më i relaksuar në jetën e tij të re në Kaliforni me Meghan, shtatzënë me një vajzë dhe djalin e madh Archie.

Mësimet më të rëndësishme, shtoi princi, do t’i jepeshin nga Meghan, e cila e shtyu së pari të shkonte në terapi, për të hequr qafe zemërimin e tij të brendshëm, njëherë e përgjithmonë.

Dhe gruaja e tij më vonë do t’i dëshmonte atij me fakte se nuk ke nevojë të jesh royal, për të bërë një jetë të jashtëzakonshme.

Me këtë ndoshta iu vu vula largimit përgjithmonë të Harry-t nga Oborri dhe në një farë mënyre justifikon zërat për mospajtim gjatë vizitës së tij të fundit në Londër.

“Sikur princeshë Diana të ishte gjallë…!”, artistja që sjell, në pikturë, Familjen Mbretërore ndryshe

Sherret në Familjen Mbretërore duket se kanë turbulluar të gjithë. Edhe pse kurioziteti i misterit të një të tille është i madh, tashmë që gazetat ushqehen çdo ditë me “të palarat” e tyre, duket se nuk është më një gjë e bukur për t’u lexuar dhe kuptuar.

Ikja e Harryt nga Pallati, marrëdhënia e prishur midis dy vëllezërve, marrëdhënia gjithashtu gati inekzistente midis të atit, princit Charles dhe Harry-t, thashethemet dhe akuzat nuk kanë lënë askënd indiferent. Madje sa më shumë ato shfaqen, aq më e prekshme e normale shfqet Familja Mbretërore.

E në këto kushte, mendja njerëzore e sidomos artistike, kthehet të mendojë se si do të ishte jeta e tyre nëse Diana do të qe gjallë. Influenca dhe dashuria e nënës së tyre me siguri do ta mbante të bashkuar familjen, vëllezërit dhe nuset e tyre.

Kështu artistja Autumn Ying nisi ta imagjinojë të ardhmen e pakthyeshme dhe ta hedhë atë në letër, në një galeri të tërë pikturash imagjinare, bazuar te fotografitë reale.

Princi William dhe princi Harry flasin rregullisht për nënën e tyre, e cila vdiq në një aksident automobilistik kur ata ishin përkatësisht 15 dhe 12 vjeç, dhe sa i mungon ajo. Ying përdori fotot e së kaluarës si dhe të së tashmes për të ilustruar se si mund të ishte jeta e princave britanikë dhe grave e fëmijëve të tyre, nëse do të mund të kalonin kohë me Princeshën e Popullit sot.

Ying bën bashkë një Harry dhe William në moshat që kanë sot, me nënën e tyre të qeshur.

Ying fillimisht u frymëzua nga dasma e Harry-t dhe Meghan dhe vendosi të krijojë skena më personale. Ajo zgjodhi Instagramin për të shpërndarë artin e saj dhe shkroi:

“Versioni i gëzueshëm i familjes mbretërore, me anë të së cilës unë do të doja të shprehja se sa e çmuar është familja”.  

Princi Harry, djali më i vogël i Dianës, duket se është ai që nuk po e kapërcen dot ende vdekjen e së ëmës. Në më shumë se një rast ai është shprehur se vdekja e saj i ka shënjuar jetën, madje ka marrë edhe shërbim psikologjik lidhur me problemet e tij.

Ndaj artistja, ka imagjinuar një Harry të qeshur sot me princeshën Diana të kohëve të shkuara. Në fakt, të dy të qeshur sikur koha të mos kishte shkuar në drejtim të kundërt me dëshirat.

Harry, herë pas here i ka lidhur etapat e jetës së tij me të ëmën. Ai shpesh ka treguar se sa i ka munguar e ëma në ditët e lumtura për të.

Nga ana tjetër, i është kujtuar vuajtja e saj, sa herë e shoqja është ndierë e sulmuar, ashtu si nëna e tij dikur.

Por edhe princi William ka shprehur të njëjtën mungesë të së ëmës. Edhe ai ka rrëfyer se do të donte shumë që e ëma të njihte të shoqen, dukeshën Catherine, dhe fëmijët e tyre.

Ying shpreson të sjellë pak gëzim duke e pikturuar Dianën si gjyshe krenare dhe matriarken e familjes.

E meqënëse e gjithë bota përflet marrëdhënien e dy nuseve, artistja solli imagjinatën e saj, në të cilën të dyja nuset marrin forcë nga Lady D dhe shfaqen të qeshura e të bashkuara rreth saj.

Por artistja Ying sjell imagjinatën e saj edhe pas vdekjes së princit Filip. Ajo portretizon Dianën, e cila kishte marrëdhënie të afërt me Filipin, duke e pritur në jetën e përtejme dhe shkroi:

“Më i dashuri Pa! Dhe ja ku takohemi përsëri!”

Kanë filluar bastet për emrin e vogëlushes Sussex, si do ta quajnë Meghan e Harry vajzën e tyre?

Në Mbretërinë e Bashkuar kanë filluar bastet se vajza që presin të vijë në jetë shumë shpejt, Meghan dhe Harry do të quhet Filipa, për nder të Dukës së Edinburgut të ndjerë. Por, alternativat nuk mungojnë

Meghan Markle ka hyrë në javët e fundit të shtatzënisë dhe pyetja që shumë po bëjnë është: “Si do të quhet fëmija i dytë i Princit Harry?”.

Sipas bastaxhijve britanikë, ekziston një emër që ka mundësitë më të mëdha të jetë emri i ardhshëm i vajzës dhe thuhet se është Filipa. Arsyeja dihet tashmë. Ky arsyetim është mbështetur edhe nga agjencia Ladbrokes, e cila regjistroi një rritje masive të pikëve të emrit pas vdekjes së Princit Filip, gjyshit të Harry-t. Aktualisht “Filipa” është dhënë 3/1, një shenjë e qartë se shumë po shkojnë drejt asaj zgjedhjeje.

Një fakt ky i konfirmuar për revistën People, nga Jessica O’Reilly, zëdhënëse e Ladbrokes: “Mbështetja për Filipën e vogël nuk ka asnjë shenjë ngadalësimi dhe ne jemi detyruar të reduktojmë përsëri probabilitetin për të qenë emri i vajzës së Harry dhe Meghan”.

Megjithatë, jo të gjithë janë dakord. Agjencitë e tjera besojnë se emri i kandidates është ai i Dianës, nënës së Harrit, dhënë 5/1, ose Elizabeth, për nder të mbretëreshës së dashur.

Por lista nuk përfundon këtu, ka njerëz që mendojnë se do të jetë Allegra (10/1) apo Aleksandria (12/1) apo Emma dhe Victoria (të dyja të dhënat 16/1).

Sidoqoftë, nëse vendimi përfundimtar do të ishte Filipa, duhet thënë se sigurisht nuk do të ishte e re për shtëpinë mbretërore angleze. Kushërinjtë e Harry-t, princesha Eugenie dhe Zara Tindall të dyja i vunë emrin e dytë Filip, fëmijëve të tyre përkatës, që kur Duka i Edinburgut ishte ende gjallë.

Megjithatë ka një detaj që u ka shpëtuar të gjithëve dhe që mund ta bëjë Meghan të ndërrojë mendim për emrin Filipa. Fakti se kështu quhet edhe motra e Kate, ajo që në përgjithësi thirret Pipa.

E kështu mbase nga inati i së kunatës, ndoshta Meghan s’do ta quaj kurrë vajzën Filipa.

Të shohim si do të shkojnë bastet deri në fund dhe nëse kët detajin e fundit e kujtojnë edhe britanikët.

Gjithësesi, ne mendojmë se Meghan do të ketë përparësi në vendosjen e emrit të së bijës dhe nuk di pse na vjen në mendje se mund të dojë ta thellojë largësinë me Oborrin edhe nëpërmjet emrit të vajzës, e nëse nuk do ta quaj Diana, emri do të jetë ai që s’na ka shkuar fare në mendje deri tani. Ju si mendoni?

Mbretëresha Elisabeta komunikon me aksesorët e saj, çfarë spile kishte vendosur në daljen e parë publike zyrtare, pas lockdown?

Mbretëresha Elisabet bëri daljen e parë publike zyrtare, pas lockdownit në Mbretërinë e Bashkuar, dhe rasti ishte vërtet i rëndësishëm. Jo vetëm i rëndësishëm, por edhe tradicional, hapja e punimeve të Parlamentit britanik.

E shoqëruar nga princi Charles, e cili i kishte dhënë dorën edhe për ta ndihmuar në ecjen e saj tashmë të lodhur nga 95 vitet që mban mbi shpinë, por edhe ndoshta për të konfirmuar vazhdimësinë e fronit dhe mbështetjen te Charles në drejtimin e Mbretërisë, mbas humbjes së të shoqit, princit Filip.

Në fakt në çdo dalje të mbretëreshës asgjë nuk është e rastësishme, edhe nëse ndonjëherë ka pasur ndonjë tentativ për ta quajtur të tillë në diçka. E dimë mirë tani se Elisabeta flet me simbole dhe simbolet qëndrojnë gjithandej në veshjen e saj. Deri te spilat, që vendos.

Kësaj here, veshjen e saj “ala europiane”, e shoqëronte një çift spilash, të dhuruara nga prindërit e saj, George VI dhe Elizabet në 1944, me rastin e 18-vjetorit të saj. Dy spilat, të bëra me akuamarin dhe diamante, në stilin art deco, stilin tipik të viteve 40, janë nënshkruar nga Boucheron dhe janë pjesë e thesarit personal të mbretëreshës me rreth 300 copësh.

Veshja e mbretëreshës Elisabet

Look-u i Madhërisë së Saj, këtë herë, ishte “daily”, larg nga shkëlqimi i zakonshëm që përfshin kurorën perandorake në kokë (me 2,868 diamante, 17 safirë, 11 smeraldë dhe 269 margaritarë) dhe mantelin prej peliçeje.

Angela Kelly, stilistja e saj personale, stiloi për të një pallto gri-blu me aplikime lulesh të verdha, ari dhe jargavan. Në shpatullën e djathtë ajo kishte vendosur dy spilat, të cilat së fundmi i ekspozoi për 75-vjetorin e Ditës së VE (fitores së Europës mbi nazizmin) në maj të vitit 2020. Një kapelë me pupla në nuanca vjollce kompleton pamjen. Një look i “ricikluar” që sovrania e kishte veshur tashmë në Royal Ascot në 2019-ën.

Në vitin 2017, për të njëjtin rast, mbretëresha veshi një fustan blu, shoqëruar me një kapelë në nuancat e luleve të verdha. Pamja kishte surprizuar asokohe Guy Verhofstadt, i cili pat qenë negociatori i Brexit me Mbretërinë e Bashkuar.

“Është e qartë se Evropa vazhdon të frymëzojë Mbretërinë e Bashkuar”, u shpreh ai atëherë, edhe pse Angela Kelly ka thënë gjithmonë se ishte një “rastësi”.

Kuptimi i bizhuterive të mbretëreshës Elisabet

Siç thamë më lart, asgjë te mbretëresha nuk është e rastësishme, e as këtë herë nuk është e rastësishme vendosja e dy spilave nën njëra-tjetrën, në krahun e majtë të saj.

Janë spila që mbretëresha i ka vendosur në raste tepër të veçanta dhe që zakonisht kanë të bëjnë me ngjarje me përgjegjësi në jetën e mbretëreshës si e tillë.

Të dhuruara nga prindërit kur mbushi 18 vjeç, ndoshta është momenti që të mendojmë se mbretëresha po vazhdon të demonstrojë vazhdimin e përgjegjësisë që ka për kombin deri në fund të jetës së saj.

Elisabeta mbretëreshë i ka vendosur këto spila edhe në raste të tjera zyrtare, siç është rasti i fjalës që i drejtoi kombit në 8 maj të 2020, gjatë lockdownit, apo në 800-vjetorin e Magna Carta-s, më 2015-ën. Por me të njëjtat spila ka pritur edhe Barack Obamën, më 2016-ën.

Nuk besojmë se mbretëresha është vetëm sentimentale, pasi e dimë mirë se gjithçka tek ajo komunikon mesazhe. Ndoshta edhe kësaj here, veshja e saj jo rituale dhe vendosja e dy spilave tepër serioze, duan të japin edhe një mesazh për Europën.

Megan Markle flet me simbole, çfarë donte të thoshte me veshjen e fundit

Një gjë është e qartë, goca, Megan nuk del kurrë në publik e veshur thjesht dhe me çfarë t’i vijë ndërmend, mjafton që të kombinohet apo të jetë “firmato”.

E kemi thënë shpesh që Meghan Markle i ka sytë lart (në shtëpinë e bardhe pra), kështu që edhe veshjet e saj në daljet ë së fundmi i ka ca më të rralla, duan të komunikojnë me njerëzit.

Së pari po vihet re se Markle po e thekson gjithmonë e më tepër prejardhjen amerikane, dhe duket e arsyeshme për faktin që thamë më sipër.

Pse e themi këtë?

Në daljen e fundit e ditës së shtunë të javës së shkuar, me rastin e eventit Global Citizen Vax Live, Dukesha u shfaq e veshur me një fustan të firmosur nga Carolina Herrera.

Ju kujton gjë? Po pra, e njëjta stiliste e Kamala Harris, në festën e fitores elektorale të Joe Biden. Një stiliste venezueliane e frekuentuar edhe nga first lady-t Michele Obama e Melania Trump.

Markle tani ka pushtuar zemrat e amerikanëve dhe statusi i saj është konfirmuar edhe një herë nga ky fustan me lule (tashmë i shitur në internet) me nuancat e së kuqes dhe rozës me një fantazi lulëkuqesh.

E kuqja dhe trëndafilia, ndër të tjera, janë dy ngjyra që përdoreshin shpesh nga Zonja D, që Meghan Markle nuk lë rast pa shfrytëzuar për ta rikujtuar te adhuruesit e saj.

Nga ana tjetër në dorë nuk do të mungonte ora Cartier Tank, 18 karat, që i përkiste princeshës dhe që mesa duket i është dhuruar Meghan-it nga i shoqi, Harry.

Por le të vimë tani tek ajo që ishte edhe qershia mbi tortë e veshjes së saj, si dhe simboli më i fortë. Bëhet fjalë për varësen që mbante në qafë dukesha. Ky është një varëse elegante prej ari “Ëoman Poëer” nga Aëe, një markë që ka bërë gjithashtu bizhuteritë për Kamala Harris dhe Ruth Bader Ginsburg.

Markle zgjodhi një varëse që feston luftën e grave: simboli i Venusit, në fakt, është i kombinuar me një grusht proteste, të zbukuruar me një ametist vjollcë, një nga ngjyrat që shoqërohet tradicionalisht me feminizmin.

Gjerdan i plotë argjendi, i larë me ar të verdhë 14 karat, që përputhej në mënyrë të përsosur me fjalimin e bërë nga Meghan, e cila donte të rikujtonte se si pandemia ka dëmtuar kryesisht gratë.

“Kur mendojmë për vajzën tonë, ne mendojmë për të gjitha gratë dhe vajzat e reja që duhet të kenë të gjithë mbështetjen për të ecur përpara. Udhëheqja e tyre e ardhshme varet nga vendimet që ne marrim dhe veprimet që bëjmë tani”.

Janë fjalët që tha në event, midis të tjerash, Markle, e cila është në fund të shtatëzanisë së dytë, e tashmë pret një vajzë.

Mesazhi është i qartë dhe të gjitha të dhënat çojnë në një përfundim: #GirlPower!

Meghan po kujdeset për të ardhmen e grave dhe ka çdo qëllim që të përdorë ndikimin e saj për të luftuar për të drejtat e grave dhe sigurisht edhe ngjitjen e saj në karrierën politike. Dhe këtë po e bën me të gjitha mjetet, edhe me veshjet. Kështu që mos ia ndani sytë gjithë simbolikave që demonstron.

Sussex-i më i vogël mbush 2 vjeç. Archie Mountbatten-Windsor feston ditëlindjen e fundit si fëmijë i vetëm.

Lindi në Londër, më 6 maj të 2019-ës dhe quhet Archie Harrison Mountbatten-Windsor.

Së shpejti do të bëhet me një motër të vogël, kështu që edhe këtë vit do të mund ta festojë ditëlindjen si fëmijë i vetëm. Pas vetëm disa javëve, ai do të takojë motrën e tij të re, me të cilën do të ndajë apartamentin e rezervuar për fëmijët në katet e sipërme të vilës prej 14 milion dollarësh që Harry dhe Meghan Markle blenë vitin e kaluar në Montecito, afër Santa Barbara

Edhe pse kjo ditëlindje e dytë do të festohet jashtë shtetit që i përket, larg të afërmve royal, ai pritet të marrë urimin më të rëndësishëm në Zoom, atë të stërgjyshes së tij, Mbretëreshës Elisabet

Archie Mountbatten-Windsor feston në vilë

I shtati në linjën e trashëgimisë së fronit, por ende jo princ, Archie i vogël tashmë ka filluar të ndjekë çerdhen, jo shumë larg rezidencës së Sussex. Në mëngjes është nëna e tij që e shoqëron, me çantën e shpinës dhe ushqimet. Kështu që, ndoshta, ai do të ketë shokë të rinj për të ftuar në festën e ditëlindjes, e cila me siguri do të bëhet në parkun e rezidencës.

Nuk do të ketë të afërm royal, por as Markles, me të cilët Meghan i ka prishur të gjitha marrëdhëniet. Do të jetë vetëm gjyshja Doria Ragland, e cila madje ka apartamente private në vilën Montecito dhe me siguri do të ndihmojë në përgatitjet. Por mediave britanike duket se nuk u del e keqja, ndaj sot midis të tjerave pyesin: “A do të jetë edhe “teze Oprah”?

Urimet virtuale nga stërgjyshja Elisabeta dhe familja mbretërore

Sipas asaj që vetë Harry zbuloi në një intervistë televizive me mikun e tij James Corden, sovrania mban kontakte të rregullta me Archie, të cilit i pëlqen të bisedojë në Zoom. Aq sa i vogli, nën shoqërinë e nënës së tij Meghan, ka qenë në shoqërinë e stërgjyshes së tij, virtualisht, edhe pak para funeralit të Filipit në prill.

Harry thotë në të njëjtën intervistë, se Elisabeta e ka zakon të pyesë paraprakisht nipërit dhe mbesat se çfarë dhurate duan. Dhe Archie mesa duket pëlqen dhuratat praktike, pasi për Krishtlindjen e kaluar, ai kërkoi një prodhuese waffle-sh për kuzhinë.

Por urimet virtuale në rrjetet sociale nga familja mbretërore, nuk kanë munguar për të. Mbretëresha Elisabet, princi Charles, princi William e Kate kanë postuar të gjithë, foto me imazhin e nipit të familjes dhe urimet e rastit.

Mbretëresha i shoqëroi urimet në llogarinë e Instagramit me foton e çiftit Sussex, ndërsa i prezantonin të gjithë botës të birin e porsalindur.

Charles më pak formal, urimet i shoqëroi me foto nga pagëzimi i Archie-t, në të cilën shfaqet Harry, Charles dhe Archie.

Ndaërsa dukët e Kembrixhit postuan një foto më të gjerë familjare, në të cilën shfaqen edhe e ëma e Meghan dhe motrat e Lady Dianës.

Prindërit e Archie luftojnë për privatësi

Që kur u transferuan për herë të parë në Kanada dhe më pas në Kaliforni, Harry dhe Meghan kanë provuar të gjitha mjetet për të mbrojtur privatësinë e djalit të tyre. Deri më tani ka pasur shumë pak imazhe të fëmijës royale dhe ata paparacë që u përpoqën të “vidhnin” fotot e foshnjës, madje edhe duke përdorur drone, kanë ndierë mbi vete gjithë tërbimin e çiftit.

Imazhet më të fundit janë marrë për shkak të intervistës së fundit të Sussex me Oprah Winfrey, kur fëmija u pa duke luajtur me pulat në kopësht, në një mini kafaz pule të quajtur Archie’s Chick Inn.

Në verë, i vogli do të ketë më shumë kohë për t’u kushtuar kafshëve të tij të preferuara, pasi edhe Sussexes kanë njoftuar se do të tërhiqen nga skena publike, në mënyrë që të përqendrohen te e sapoardhura e familjes dhe te vëllai i saj i vogël Archie.

William e Kate festojnë 10 vite martesë të lumtur me dy foto të reja

Ai princi i kurorës (pas të atit që ka 70 vite që pret), ajo princeshë përrallash, por që ka treguar se është e denjë për t’i qëndruar në krahë mbretit të ardhshëm. E kemi fjalën për William dhe Kate, dukët e Kembrixhit, pinjollët e fronit britanik.

Në 29 prillin e vitit 2011, në praninë e 2000 të ftuarve, u kurorëzua një nga martesat më të bukura të oborrit mbretëror britanik, ajo midis William, djalit të parë të princesh Dianës dhe princit të kurorës Charles dhe Kate.

Dukej qartë që në abacinë Westiminster po kurorëzohej midis të tjerave edhe dashuria e dy të rinjve që ishin njohur në kolegjin e përbashkët.

Dukej se e gjithë familja mbretërore kishte dhënë bekimin e saj.

Dasma mbretërore e William dhe Kate

E pamundur të harrohet emocioni i vizatuar në gjithë qenien e princit të ri, William, i cili u shoqërua në altar nga më i vogli i familjes, kokorroçi Harry, gjithaq i emocionuar. Pastaj, ajo, Kate, princesha e dalë nga përrallat që kanë ushqyer prej gjithmonë fantazitë e të vegjëlve.

Kate mbante veshur fustanin e bardhë të stiluar nga Sarah Burton, drejtore kreative e Alexander McQueen. Ngjitja e shkallëve e princeshës së re, e ndihmuar nga e motra, ka mbetur ikonike në syte e të gjithë atyre që ndoqën dasmën.

Në rreshtin e parë të të ftuarve royal, princi Charles dhe Kamila, më tej mbretëresha Elisabet dhe i ndjeri Filip.

Më pas shkëmbimi i unazave dhe vështirësia emocionale e Williamit të ri për t’i vendosur asaj unazën në gisht.

Me qindra njerëz panë nga afër çiftin të dalë nga kisha dhe të demonstrojë kurorëzimin e tyre. Dasma u transmetua live për të gjithë botën.

Rrugët e Londrës ishin të përmbytura nga njerëz që donin të kishin në sytë e tyre dëshminë e parakaalimit të karrocës mbretërore me çiftin e ri mbretëror.

Mbërritja në Buckingham Palace dhe dalja protokollare në ballkonin e pallatit mbretëror. Turma e jashtëzakonshme e njerëzëve asistoi më pas në puthjen, që ngeli në historinë e atij 29 prilli.

Më pas kaluan këto 10 vite të cilat u mbushën sot, me zhvillime të jashtëzakonshme, ndër të cilat më të rëndësishmet ardhja në jetë e tre fëmijëve të tyre, princit të fronit George, lindur në qershor të 2013, Charlotte më 2015 dhe më të voglit të familjes, Louis, ardhur në jetë më 2018-ën.

Duket se ata të dy, çdo ditë e më shumë po dëshmojnë përgatitjet e tyre të denja për të arritur në fronin e Mbretërisë së Bashkuar, mes zërave që i pretendojnë në fron përpara ngjitjes së Charles.

Festimi i një dekadë martese

Ndërkohë që familja mbretëreore është ende në zi për largimin nga jeta të princit Filip, sigurisht që festimet e përvjetorit të martesës së William e Kate do të jenë të kujdesshme. Kështu çifti ka ndarë në rrjetet sociale, dy fotografi të reja të bëra në pallatin Kensington vetëm dy ditë më parë. Foto që dëshmojnë një dekadë të kaluar së bashku.

Fotografitë janë joshëse dhe plot shkëlqim, por natyrale dhe çifti pozon në oborrin e rezidencës së tyre në Londër, si dhe të ulur në kopësht.

Kate 39-vjeçarë shfaqet rinore me veshjen e saj stil bohem të Ghost, ndërsa William me një pulovër blu dhe këmishë, në stil sportiv.

Lexohet dashuria dhe qetësia në fytyrën e të dyve. Flokët e dukeshës janë me ondet e zakonshme, të preferuarat e saj, ndërsa William pranon me shaka se flokët e tij sa vijnë e bëhen më të pakët.

Kate mban në gisht unazën e fejesës me diamante, që i përkiste Lady Dianës.

(fotot të marra nga DailyMail)