Tortura me homoseksualët

Në të shkuarën kanë qenë të shumta eksperimentet e kryera mbi kaviet njerëzore. Ato janë kryer për të parë efektet e medikamenteve të reja, ose në rastet e tjera për të krijuar ushtarin perfekt për luftë. Një pjesë e madhe e këtyre eksperimenteve që përdornin kavie humane janë kryer në kampet naziste të përqendrimit. Mjekët nazistë nuk e kishin aspak problem të përdornin njerëzit e burgosur në kamp  për eksperimente. Ndër “kaviet” e preferuara të tyre kanë qenë edhe personat homoseksualë, dhe kjo gjë ka zgjatur edhe pas Luftës së Dytë Botërore; shembull për këtë fakt është edhe Projekti Aversion.

Ky projekt ka filluar në Afrikën e Jugut dhe ka arritur kulmin gjatë viteve 1971-1989.  Në këtë vend homoseksualiteti nuk tolerohej dhe nuk lejohej që në ushtri të kishte njerëz me orientim të ndryshëm seksual. Kjo pengesë shqetësonte drejtuesit e ushtrisë.

Ata mendonin se djemtë mund të shtireshin si homoseksualë  për të shmangur shërbimin ushtarak. Për këtë arsye, për një periudhë kohe, homoseksualiteti filloi të tolerohej. Gjithsesi kjo formë e të menduarit u la mënjanë kur filloi Projekti Aversion, i cili synonte të kuronte homoseksualitetin, por u shndërrua shumë shpejt në një formë torture për ushtarët homoskesualë.  

Projekti në fjalë kishte në bazë studimin e mundësive që mund të përdoreshin për të kthyer ushtarët homoseksualë në hetero. Ekipi i studiuesve kishte krijuar një lloj terapie standarde, të cilën duhet ta ndiqnin të gjithë subjektet e eksperimentit.

Fillimisht, një prift i ushtrisë dhe një grup psikiatrish kërkonin nëpër kazermat e ushtrisë për ushtarët homoseksualë, të cilët më pas i nënshtroheshin terapisë së detyrueshme për t’u kthyer në heteroseksualë. Stadi i parë i kësaj terapie ishte elektroshoku.

Pasi në krahët e viktimës lidheshin elektrodat, mjekët i tregonin atij imazhin e një burri të zhveshur. Pas kësaj i jepnin urdhër të fantazonte mbi fotografinë që kishte parë, teksa ata vëzhgonin sjelljen e tij. Pasi merrnin “përgjigje” nga ky stimulim fillonin goditjet me elektroshok. Më pas eksperimenti përsëritej me foton e një gruaje nudo. Nëse nuk kishte reagime të dukshme nga ushtari, vazhdonte sërish tortura me elektroshok. Kjo metodë vazhdonte  deri në momentin që ushtarët homoseksualë jepnin shenja “përmirësimi”.

Shumë prej këtyre eksperimenteve dështuan. Elektroshoku  nuk jepte efektin e shpresuar. Por, Projekti Aversion nuk ndalej me aq. Në rastet e dështimit të “terapisë”, subjektet e saj duhet t’i nënshtroheshin operacionit të ri përcaktimit të seksit, thënë ndryshe, operacioni i ndryshimit të seksit.

Në vitet ’70-’80 të shekullit të kaluar, sidomos në Afrikën e Jugut, operacioni për ndryshimin e seksit nuk ishte aspak i sigurtë, aq më shumë nëse qëllimi ishte kurimi i homoseksualitetit. Nga të dhënat e mbledhura  gjatë këtyre viteve, rreth 900 ushtarë homoseksualë,nga mosha 16 deri në moshën 24 vjeç, i janë nënshtruar operacionit për ndryshimin e seksit.

Ushtria nuk i përgatiste aspak ushtarët homoseksualë për efektet fizike dhe psikologjike të operacionit. Pavarësisht kësaj, pjesa më e madhe e tyre vdisnin në sallë. Ata që mbijetonin largoheshin me një identitet të ri, pa pasur mundësi të qëndronin pranë familjes dhe miqve. Një pjesë e madhe e tyre nuk kishin para për të përfunduar tranzicionin, i cili kërkonte dhe disa operacione të tjera dhe kurën hormonale. Për këto arsye, një pjesë e mirë e këtyre ushtarëve, që iu nënshtruan eksperimenteve çnjerëzore, zgjodhën që të vrisnin veten.

Në krye të ekipit torturues ka qenë mjeku psikiatër Aubrey Levin. Metodat e tij të preferuara për të “kuruar homoseksualitetin” ishin elektroshoku,kastrimi kimik dhe ndryshimi i seksit. Sigurisht, të gjitha këto procedura kryheshin pa miratimin e ushtarit.

Ai nuk u dënuar kurrë për krimet e tij dhe, në vitin 1995 u transferua në Kanada, ku ushtroi profesionin e mjekut. Në vitin 2010, ai u akuzua për abuzim seksual ndaj një burri. Gjatë procesit gjyqësor u akuzua edhe nga 20 persona të tjerë për abuzim seksual. Ai u dënua në vitin 2004 me 5 vite burg.

Recommended Posts