Tea teatrale dhe e vërteta e një aktoreje të keqe: S’Për’Puthen

Marrëdhënia me famën dhe marrëdhënia me të vërtetën. Do të duhet një studim psikologjik për të marrë përsipër kush është më i rëndësishëm dhe sa njerëzit dinë të zgjedhin marrëdhëniet, mbase t’i njohin për së pari.

Mbas skandalit që ka përfshirë “Për’Puthen”, Tea shfaqet në një video, që e ka titulluar “E vërteta…”. Të them të drejtën, nëpërmjet monologut të saj teatror, si një aktore e keqe patetike, Tea u përpoq me të gjitha forcat e saj të shfaqet viktima e gjithë ngjarjes, (dhe kësaj here në YouTube, sepse klikimet tani shërbejnë në këtë platformë). Bashkë me veten u përpoq të tërhiqte me vete edhe disa persona e personazhe të tjerë, pa e kuptuar as vetë ajo që po e thellon edhe më shumë moskuptueshmërinë e publikut.

Mjafton ta shohësh vetëm herën e parë videon, me dëgjimin e thjeshtë për të marrë vesh këtë të vërtetë, dhe kupton se aty për aty të vijnë në buzë një mijë pyetje, përveç se ndihesh nga deklamimi i keq i Teas sikur po të përdhunojnë inteligjencën.

Tea u tërhoq nga fama dhe mori pjesë në një emision që ndoshta nuk i rezultojë ashtu siç e priste, sepse të rinjtë që duan famë, nuk mendojnë konseguencat dhe përgjegjësitë.

Marrëdhënia e Teas dhe jo vetëm me famën ndërtohet aty për aty, fillojnë t’ia ndiejnë lezetin sepse njerëzit fillojnë t’i njohin, t’u shkruajnë. T’i duan. Kaq?

Jo, e dashur Tea dhe ju të tjerë, nuk është kaq! Nuk është kaq sepse ata që ju bënë të famshëm kanë edhe një marrë, edhe një dhënie me ty dhe ju. Mund ta vazhdoja ta tirrja, por s’ka rëndësi, të gjithë e kuptojnë.

Gjithsesi, skandalet në ditët që po jetojmë nuk dihet më nëse janë skandale, pra si konatacioni edhe pasojat, apo shkojnë për mirë. Në këtë kuadër nuk do ta dimë dot që tani nëse skandali do rrisë ndjekësit e Teas dhe për pasojë emisionit, apo e kundërta.

Nga ana tjetër, marrëdhënia me të vërtetën është tepër e komplikuar. Nuk e di sesi Tea merr përsipër të vërtetën me një recitim, e për më tepër të keq.

E vërteta shkon përkrahë me sinqeritetin dhe në videon e Teas, sipas meje nuk ka sinqeritet. Nga ana tjetër, brenda të vërtetës së Teas vazhdojnë gënjeshtrat e vogla. Pastaj, ka gjysmë të vërteta, që thonë se janë baraz me gënjeshtra, ka thuajse të vërteta dhe ka të vërteta të të tjerëve të zbuluara nga Tea. Pra Tea po kërkon të marrë përsipër të vërtetën dhe nuk e njeh akoma. Nuk e di se e vërteta është e hidhur dhe të dërrmon totalisht kur bëhet pjesa jote dhe më pastaj, të çliron qenien e të bën të lehtë si pupël.

Dhe këtu e kam fjalën për të vërtetën, jo “t’ia hedhim edhe kësaj here”.

Një gjë më bën përshtypje dhe do të më bëjë gjithmonë: si ka mundësi që publiku është kaq i mënçur?! Ai publiku në emër të të cili ç’nuk bëjnë për t’i hedhur hi syve dhe kocka pa shije. Ai publiku që u duhet të gjithëve, të famshëm, politikan, artistë, ai që do punë të joshet, ai që zhvlerësohet kur duan të përfitojnë nga ai dhe ai publiku që në fund, të vë drunë!

Edhe një gjë: idetë po qe se nuk janë të tuat, vihen në jetë në mënyrë qesharake!

revista VIP

Recommended Posts