Anxhela Peristeri fiton votat europiane në tapetin e kuq, mediat e huaja e shpallin “Veshja më e Mirë”

anxhela peristeri ne tapetin e kuq

Në sondazhin e bërë nga mediat e huaja, Anxhela Peristeri shpallet e veshura më mirë në tapetin e kuq. S’kishte si të ndodhte ndryshe, veshja më e mirë, e punuar nga shqiptari i famshëm i stilit, Valdrin Sahiti, fiton shumicën e votave europiane

Eurovizioni ka filluar dhe këtë vit po zhvillohet në Hollandë. Këngëtarja përfaqësuese e Shqipërisë është Anxhela Peristeri, e cila pritet të performojë sot në skenën europiane të këngës.

Dhe siç edhe pritej, që në momentin kur veshjen e këngëtares shqiptare në Eurovizion e mori përsipër mjeshtri Valdrin Sahiti, Anxhela Peristeri shkëlqeu në tapetin e kuq. Së bashku me të këngëtarë nga vende të njohura të kontinentit të vjetër.

WiwiBlogs, portali më i madh i Eurovision-it, organizoi një sondazh publik për të përzgjedhur këngëtaren e veshur më bukur dhe Anxhela është shpallur fituese me shumicën e votave.

Fustani i saj i kuq i zjarrtë, i çarë deri në pjesën e sipërme të këmbës dhe me pjesën e sipërme në formë korseje, shoqëruar me berretën moderniste në ngjyrën e veshjes, i dha këngëtares sonë sharmante, atë prekjen plus të stilit dhe rafinimit.

E sigurt që votat kanë shprehur vërtetësinë e look-ut të saj, tani shpresojmë edhe më shumë se kaq.

Eurovizioni na ka lënë gjithmonë një shije të hidhur, sidomos kur kemi kuptuar se si votohet, me gjeopolitikë, gjeostrategji e jo vetëm. Të shpresojmë se bashkimi i forcave me Olti Currin dhe Kledi Bahiti, do të jetë ogur i mirë për këngëtaren tonë.

Mbrëmjen e djeshme ishte nata e parë gjysmëfinale dhe fituesit ishin:

Norvegjia – Tix con “Fallen Angel”

Izraeli – Eden Alene con “Set Me Free”

Rusia – Manizha con “Russian Woman”

Azerbajxhan – Efendi con “Mata Hari”

Malta – Destiny con “Je me casse”

Lituania – The Roop con “Discoteque”

Qipro – Elena Tsagrinou con “El diablo”

Suedia – Tusse con “Voices”

Belgjika – Hooverphonic con “The Wrong Place”

Ukraina – Go_A con “SHUM”

Mbrëmjen e sotme do të jenë në garë 17 vënde, një prej të cilave Shqipëria. Pesë shtete europiane, Italia, Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe Spanja janë automatikisht në finale, si pjesë themeluese e European Broadcasting Union. Atyre u bashkohet edhe Hollanda, si organizatorja e Festivalit.

Të kryqëzojmë gishtat që Anxhelës t’i shtohet edhe një tjetër fitore, veç Veshja më e Mirë e tapetit të kuq të Eurovizionit.

Çmimet David di Donatello 2021: Checco Zalone fiton çmimin i veshur “me pizhama”, ca thashetheme për tapetin e kuq

Sado që më shumë një ngjarje kombëtare, nuk na lë dot indiferent festa e shpërndarjes së çmimeve të kinematografisë italiane. Një Itali që e kanë zili në të gjithë botën për artin dhe kulturën, nuk mund të mos jetë në qendër të vëmendies edhe në një event të tillë.

Dje mbrëma u zhvillua spektakli i shpërndarjes së statujave David, për kinematografinë italiane. Duke qenë se në vendin fqinj ka vetëm pak ditë që janë liruar masat anti-covid, ngjarja u zhvillua nën masa të kujdesshme dhe kështu që në dy salla dhe u prezantua nga Carlo Conti.

Të gjithë gjigandët e kinemasë italiane ishin aty, ishte e madhja Sofia Loren, Sandra Millo, e cila mori çmimin e karrierës, e deri te më e reja Matilda de Angelis. Madje edhe Laura Pausini, që për pak sa nuk mori një Oskar për këngën më të mirë të filmit.

Nëse skenën e David di Donatello 2021 e pa më shumë fituesi i tre statuetave, filmi “Volevo Nascondermi” nga Giorgio Rights, me Filmi më i Mirë, Regjia më e Mirë dhe Aktori më i Mirë (Elio Germano), tapetin e kuq e populluan të gjithë me një dëshirë të madhe dhe me distancim sigurisht.

Por para se të shkojmë te tapeti i kuq, çfarë ishte më shumë për t’u shënuar nga spektakli, do të ishte patjetër Checco Zalone, që edhe në këtë rast zyrtarë e serioz, nuk mund të na linte pa na bërë të qeshim me batutat e tij.

Pak siç së fundi po ndodh, kujtojmë rastin e Oskarit të Anthony Hopkins, e mbase edhe fare rastësisht, se ndoshta mendonte që çmimin mund ta merrte Laura Pausini, Checco e mori çmimin nëpërmjet lidhjes internetike dhe thuajse me pizhama (në fakt me një t-shirt normal). Në lidhjen e bërë, ai pranoi se i erdhi i papritur çmimi dhe se e gjithë familja e tij ishte duke fjetur e as që i bëhej vonë se çfarë çmimesh merrte.

“Po ta dija do të vija. Familjes sime as që i bëhet vonë nëse fitoj çmime… falenderoj Akademinë për çmimin e merituar”, e mbylli ai duke shkaktuar si gjithmonë të qeshura në sallë. Checco mori çmimin e Këngës më të Mirë, pjesën Immigrato, për filmin e tij “Tolo, tolo”.

Edhe një herë tjetër Laura Pausini u nda pa çmim, edhe pse ishte veshur si anëtare jurie që do të duhej të jepte çmime, me kostumin Valentino.

Sa i përket tapetit të kuq, u duk se mbizotëronin pantallonat dhe sidomos jumpsuit-et, gjithsesi mediat italiane i quajtën mesatare dhe stil british, veshjet e këtij tapeti.

Micaela Ramazzotti u pa të parakalojë me një veshje nga Gucci, të stilit të viteve ’80, me mëngët e gjera e të fryra.

Ndërkohë që Sophia Loren kishte zgjedhur “strategjinë” Marlene Dietrich, nga Armani Privé që shënjonte ato harqet e saj të kujtimeve rinore. Por çmimi Aktorja më e Mirë, për të dytën herë, i shkonte shumë me shpirtin e saj. 

Në antipodë, mbretëresha e vitit të kinemave të mbyllura, të Sanremos dhe të Netflix, Matilda De Angelis kishte zgjedhur një veshje të thjeshtë Prada me rripa. I thjeshtë, por edhe ai me një lidhje precize me historinë e kostumeve dhe kinemasë: në nder të Anna Magnani.

Vittoria Puccini me një fustan Valentino dhe bizhu Bulgari, duket si një dea greke.

Alba Rohrwacher me Valentino Haute Couture, duket pak si motra e Hirushes që nuk i hyn mirë këpuca në këmbë.

Pastaj, kemi Ginevra Elkann me Guccin e saj, që përfundon me “perden e stilit barok”.

Kjo jaka në veshjen Gucci të Benedetta Porcaroli-t, nuk është se merret shumë vesh, po hajt më

Fabio e Damiano D’Innocenzo me Gucci, por seç ka një gjë që të lë të dëshiruar në të dy.

Sandra Milo me Rocco Barocco dhe me çmimin e karrierës më në fund. Kohë mbretërish të rëna nga vahti.

Claudia Gerini me Giorgio Armani Privé. Si në siklet duket, megjithatë.

Paola Cortellesi, i bukur fustani Giorgio Armani Privé, po flokët edhe mund t’i kishte krehur.

Ja marrim Diego Abatantuono, për shembull, dhe e kuptojmë se në një farë moshe s’të intereson më asgjë.

Ka edhe kështu pastaj, si Susanna Nicchiarelli me Missoni, që duket si ndërthurje e fustaneve të plazhit me zebrën. Mos më bëni të flas për sandalet.

Smoking pa hesap pastaj, por të veshura kryesisht nga gratë.  

Pietro Castellitto. Nuk e di çfarë ka dashur të thotë Dior me atë pullen, vetëm nëse e ka shtrënguar Pietro në momentin e fundit.

Elio Germano me Giorgio Armani dhe byzylykun tibetian që i solli fat.

Megjithatë, më i bukuri ishte ai, Armani, i veshur nga Pietra Detassis, Presidente dhe Drejtore Artistike e Akademisë së Kinemasë Italiane – David di Donatello Awards.

Një model i lezetshëm me jakat e rrumbullakosura dhe harkun “e vjedhur” nga Nabokov.

Tapeti i kuq u shndërrua në qilim të kuq shtëpie për protagonitët e The Crown 4

Emma Corrin, Helena Bonham Carter dhe Olivia Colman protagoniste të një premiere të pazakontë, drejtpërdrejtë, siç është bërë e udhës tashmë në kohë pandemie, nga dhoma e ndenjes në shtëpi

Të gjithë të mbyllur në shtëpi, por edhe kur bëhet fjalë për tapetin e kuq të premierës së një nga filmave më të ndjekur në platformën Netflix, serialin televiziv The Crown 4 (Kurora), e cila nga dita e dielë do të jetë e disponueshme në Netflix.

Dhe çfarë bënë protagonistët e sezonit të katërt të shfaqjes, Olivia Colman (Mbretëresha Elizabeth II), Helena Bonham Carter (Princesha Margaret) dhe Emma Corrin (Lady Diana)?

Duke vendosur një sfond të bukur me logot e Crown dhe Netflix në dhomën e ndenjes, siç është e udhës për çdo tapet të kuq, u veshën siç u ka hije për premierën e serialit më të ndjekur dhe pozuan përpara vetëm një paparaci, në vend të lumit të flesheve ku zakonisht ndodhen yjet e filmit e të premierave.

Nga produksioni edhe një rrogoz, apo qilim të kuq, pasi jo të gjithë kanë në dispozicion një tapet të purpurt-të kuq. Rezultati i këtij seti kryevepër të distancimit, postuar nga llogaria e Twitter-it të Netflix UK & Ireland ishte për t’u brohoritur, të paktën ky lloj qilimi i kuq, sepse në këto kohë të këqija që po jetojmë mund ta kishim humbur edhe këtë. Edhe sikur vetëm për hir të mbresës të çdo look-u polemizues. Por, mbi të gjitha pak gjenialitet në vend të një zeroje absolute.

Make-up dhe flokët? Të bëra vet dhe në kushte shtëpie. Mos e besoni po deshët!

Sa shumë mundim, tha për Vogue Emma Corrin, e reja Lady Diana e The Crown 4, në pritje për t’u bërë një nga aktoret më të kërkuara mbas këtij roli.

“Nga fotoja gjithçka duket shumë glamur, por më është dashur shumë kohë për të arritur atë rezultat. M’u desh të rregulloja flokët, të bëja grimin… një sfidë interesante për një person që nuk ia thotë shumë në atë drejtim”.

Një Emma Corrin në rolin e “njërës nga ne”. Dhe të thuash të vërtetën edhe mjaft diletante, po të kemi parasysh pozicionimin e dritave. Por gjithçka është e lejueshme në përpjekjet e kohëve covid.

Veshjet më ikonike të tapetit të kuq

Hollywood-i i vjetër është mishërimi i stilit dhe sofistikimit. Stili, hijeshia dhe eleganca e artisteve atëherë vazhdojnë të frymëzojnë ende sot. Teksa jemi në valën e çmimeve Oscar, kemi vendosur t’ju sjellim veshjet më ikonike që janë veshur në tapetin e kuq.

 Marilyn Monroe

Monroe është e famshme, mes të tjerash edhe për veshjet e saj në tapetin e kuq. Në vitin 1954, ajo u shfaq me një fustan të bardhë sateni, kombinuar me një rrip në bel, që i vinte në dukje siluetën. Për të plotësuar veshjen, Marilyn kishte zgjedhur një copë pelushi të bardhë. Epo, nuk është kot ikonë ende sot.

 Audrey Hepburn

Audrey Hepburn, ka qenë një ndër aktoret më të dashura të Hollyëood-it. Stili, hijeshia dhe eleganca kanë bërë që aktorja të kujtohet ende sot për rolet e saj të spikatura në filma si: Breakfast at Tiffany’s, Roman Holiday e shumë të tjerë. Në ceremoninë e çmimeve Oscar të vitit 1954, ku fitoi dhe çmimin si aktorja më e mirë protagoniste për filmin Roman Holiday, ajo u shfaq me një fustan të bardhë të firmës Givenchy. Fustani me copë të stolisur me lule dhe me një prerje të thjeshte e elegante do të mbetet për shumë gjatë në kujtesën e admiruesve të aktores.

Elizabeth Taylor

Artistja me sytë ngjyrë vjollcë, gjithmonë ka arritur të tërheqë vëmendjen në tapetin e kuq.  Këtë gjë e arriti më së miri gjatë Oscarve të viti 1957. Teylor veshi një fustan tyli në ngjyrë pjepri. Për të plotësuar pamjen aktorja kishte zgjedhur dhe një palë doreza të gjata elegante, si dhe një kurorë të firmës “Cartier”

 Grace Kelly

Mishërimi i elegancës. Aktorja veshi këtë fustan,  krijuar nga Edith Head në çmimet Oscar të vitit 1955. Këtë vit, ajo do të fitonte edhe çmimin si aktorja më e mirë protagoniste në filmin The Country Girl. Fustani i satenit, ishte kombinuar me doreza të gjata, të cilat aktorja i përdori brenda sallës ku ndaheshin çmimet.

 Sophia Loren  

Diva e kinemasë italiane e jo vetëm i “shastisi” të gjithë  me fustanin që veshi gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve në Festivalin e Kanës. Fustani i bardhë madhështor, qe kombinuar me doreza në ngjyrë më të errët se e bardha e tij. Tyli me lule, pelushi si dhe varësja shërbyen për ta kompletuar pamjen në mënyrën më të mirë të mundshme.

Oscar 2020, veshjet që dominuan tapetin e kuq

Qëllimi i çmimeve Oscar është vlerësimi i talentit  të aktorëve si dhe vlerësimi i filmave më të mirë. Mirëpo, si çdo vit vëmendja përqendrohet edhe tek veshjet që sjellin artistët në tapetin e kuq.

Çdo vit, këta të fundit  zgjedhin një veshje të caktuar,  cila mund të komentohet të pëlqehet , ose jo. Sivjet, yjet parakaluan në tapetin e kuq, duke na sjellë disa veshje të cilat do t’i kujtojmë gjatë, ose jo.

Teksa presim të mësojmë se cili do të jetë filmi që do të marrë statujën e artë të çmimeve Oscar, ose cilët do të jenë artistët që do të vlerësohen për rolet e tyre, po u lemë nën shoqërinë e veshjeve më të bukura në tapetin e kuq.