Sanremo 2020, fituesi

Pesë net garë, pesë net art, u kurorëzuan finalen e sotme me zgjedhjen e fituesit të Festivalit të Sanremos.

Nata finale ishte edhe një herë spektakël e festë. Krahas Amadeus dhe Florellos u kthyen në skenë Sabrina Salerno, Diletta Leotta. E bashkë me to prezantoi në natën e sotme edhe Francesca Sofia Novello.

Të ftuarit e natës përmbyllëse ishin Biagio Antonacci, Gente De Zona, Wilma De Angelis, Vittorio Grigolo, Cristiana Capotondi, Edoardo Pesce dhe Mara Venier, që siç edhe e kishte premtuar, i zbriti shkallët e larta të skenës e zbathur, me këpucët në dorë. Duhet thënë se shkallët e skenografisë së Sanremos, kanë shkaktuar ndrojë në të gjitha netët për prezantueset gra të tij.

Në garë, mbas renditjes së madhe sipas jurive, renditje që mori edhe fërshëllima nga salla, mbetën tre këngë: Pinguini Tattici Nucleari, Francesco Gabbani, Deodato, të cilat u rifutën në votimin përfundimtar, për të diskutuar çmimin e madh midis tyre.

Vendi i tretë shkoi për Pingini Tattici Nucleari; çmimin e kritikës Mia Martini dhe çmimin Lucio Dala e rrëmbeu Diodato, çmimin e tekstit më të mirë e fitoi Rancore, çmimin e kompozimit më të mirë, Tosca. Çmimin Tim të internetit dhe vendin e dytë në Sanremon e 70-të e fitoi Francesco Gabbani.

Dhe vendi i parë i përket Diodato, me këngën Fai rumore, ai që deri sot pasdite ishte renditur i dyti në listën Eurovision.

Edicioni i 70-të i festivalit legjendar të muzikës italiane, do të mbahet mend për shumëçka.

Ngjitja në skenë e artistëve italiane si Zucchero, që ngriti sallën peshë, bashkimi i Ricchi e Poveri, të cilët ngjallën nostalgji te gjithkush që është rritur me muzikën Italiane, janë disa nga gurët e çmuar që do t’i marrim me vete nga ky festival.

Stonimi i sinqertë i Tiziano Ferro-s është një tjetër moment që do të kujtohet, sidomos për këmbënguljen e artistit në sjelljen e materialeve të vështira të repertorit të muzikës italiane.

Monologu perlë i Benigni-t, artistit që di të bëjë botën të qajë e të qeshë njëheri, na bëri të kujtojmë edhe njëherë bukurinë dhe madhështinë e asaj që e kemi pasur gjithnjë para syve tanë, por nuk kemi dashur ta shohim për atë që është, dashurisë. Do të mbahet mend edhe për skualifikimin e Morgan e Bugo, pas incidentit në natën e katërt, duke lënë skenën mbas një mosmarrëveshjeje midis tyre.

Kjo Sanremo do të mbahet mend edhe për pjesëmarrjen në të, të moderatores së ekraneve tona Alketa Vejsiu.

Nuk e dimë nëse do të ishte e njëjtë pa prezencën e Fiorellos, por edicioni i 70- të i Sanremos së Amadeus, sot mbylli siparin, për të mbetur njëmë shumë në atë që gjithmonë ka qenë. Sepse Sanremo è Sanremo!

Kush do ta fitojë Sanremon?!

Pasi i pamë të gjitha në Sanremon e këtij viti, që nga veshjet e çuditshme të Achille Lauros në netët e festivalit, te hyrja ceremoniale e Robeto Benignit me një bandë frymore, e deri tek konflikti në skenë i Bugo dhe Morghan, na ka mbetur të mendojmë vetëm për fituesin.

Në fakt, në një festival me ngjarje siç është Sanremo, diskutimi i fituesit fillon që kur shpallet lista e këngëtarëve. Megjithatë, ajo që është vënë re sivjet në listat ku parashikohet fituesi i Sanremos është edhe ndryshimi i shpeshtë i tyre, bashkë me koeficientet përkatës.

Para se të fillonte festivali i Sanremos, në krye të listave qëndronte Anastasio, ndërsa në netët  e festivalit, renditja e  pretendentët për fitore ka ndryshuar çdo ditë, ndikuar kjo edhe nga renditja  që publikohet në mbyllje të çdo mbrëmjeje tw Sanremos, bazuar nw votat e jurive respektive.

Nëse do të krahasojmë këtë Sanremo, me festivalet e bëra në dy vitet e fundit, ka një diferencë. Në vitin 2018, Ermal Meta dhe Fabrizo Moro u diskutuan që do të fitonin festivalin e Sanremos  pa filluar ende gara dhe ashtu ndodhi. Ndërsa  në vitin 2019, fitoi Mahmood me Soldi, këngë që renditej e 13-ta në listat e kompanive të basteve.  Ultimo, këngëtari që renditej i pari në listat e kompanive të basteve  përfundoi i dyti.  Në fakt, vitin e shkuar veç surprizës Mahmood, renditja  përfundimtare, për shtatë pozicionet e para ,nuk ishte shumë e ndryshme nga renditja që ishte parashikuar në kompanitë e basteve.

Ajo që po ndodh  sivjet është ndryshimi i shpeshtë i këtyre listave. Nëse dy ditë më parë Elodie renditej e para, sot ajo renditet e treta. Artistja e re e dalë nga skena e Amici-t, është kaluar në renditje nga Francesco  Gabbani, i cili renditet në krye, i ndjekur nga Diodato,  që u votua maksimalisht mbrëmjen e djeshme nga gazetarët e pranishëm në Ariston. 

Ky Sanremo pritet që ta forcojë edhe më tepër idenë e “fituesit surprizë”, kjo nisur nga konkurrenca e fortë mes artistëve dhe ndryshimet e shpeshta në renditjen  e këngëtarëve.  Edhe në rrjetet sociale, listat që proklamojnë fituesit ndryshojnë shumë nga njëra- tjetra. Sigurisht, ka disa emra artistësh që përmenden më shumë se të tjerët, por në përgjithësi askush nuk di të thotë se cilat janë tre këngët që do të jenë në podium. Thënë këtë nuk kemi zgjidhje tjetër, veçse të presim shpalljen e fituesit, pa e ditur nëse do të ketë, ose jo ndonjë katapultim fituesi nga fundi i listës.  

Fiorello puth live Tiziano Ferron

Fiorellos nuk i del e keqja! Nga nata e parë e Sanremos ka krijuar trendin e fjalëve gjeneraliste që mbarojnë me – izëm (ismo). Sikurse Amadeus u akuzua për seksizëm (sessismo), Fiorello, ironikisht, në çdo dalje të tij ka një fjalë të re, ose edhe më shumë.

Sonte, në natën e katërt ishte “bacismo”. Për fat të keq, fjala nuk mund të vijë në të njëjtën mënyrë si në italisht, por meqë jemi shumë-gjuhë-folës, në përgjithësi, këtej nga ne kuptohet. Gjithsesi, për korrektësi është si me thënë “puthizëm”, fjalë e krijuar nga puthje + izëm.

Mirëpo, çfarë ndodhi mes Fiorellos dhe Tizianos?

Ka dy ditë që rrjetet sociale po çahen nga komentet dhe hashtagët. E nisi Tiziano Ferro me fansat e tij, duke u shpërndarë hashtagun #Fiorellostattezitto, (Fiorelo qepe gojën), ndoshta edhe për të justifikuar pak veten për këngët e paarritura, si pasojë e të kënduarit në orë të vona. Duhet thënë se ky festival, për herë të parë përfundon rreth orës 2 të natës, e ndoshta edhe më vonë. Në të vërtetë, Fiorello u ndie i fyer dhe ishte një hap larg largimit nga Sanremo. Ai u shpreh se nuk është gjë e bukur të të vënë fansat kundër dhe se në rrjetet sociale kishte marrë sharje me fjalë të rënda. Gjithsesi, Tiziano Ferro i dërgon një letër me ndjesën e tij dhe sot, të dy kënduan këngën “Solamente tu”.

Në fund të interpretimit, Fiorello e puth në buzë. Sigurisht që e gjithë kjo shkaktoi ilaritet dhe ndoshta shërbeu për të qetësuar fansat e njëri-tjetrit, por edhe për të shkrirë pak akujt mes tyre.

Disa zëra nga tabloidë italianë thonë edhe se e gjithë kjo mund të ketë qenë një demonstrim i sajuar në kuadrin e ditës ndërkombëtare kundër bulizmit dhe kibrobulizmit, që ishte në datën 7 shkurt. Kush e di!

Një gjë është e sigurt mbas Sanremo è Sanremo, se në ditët që jetojmë, për të bërë spektakël e marrë audiencë, po shfrytëzohet gjithçka. Apo kështu ka qenë gjithmonë?!

Pse e braktisi skenën, këngëtari i Sanremos

Në mes të natës së katërt të Sanremos ndodhi ajo që i druhet çdo drejtues festivali.

Bugo, një nga këngëtarët konkurrent, i cili këndonte në duet me Morgan, la skenën dhe këngën të papërfunduar. Ai iku në mënyrë demonstrative nga një konflikt me këngëtarin tjetër, Morgan, i cili po këndonte me një tekst të ndryshuar prej tij dhe që e kishte në copa letre. Fjalët e këngës ishin fyese e kërcënuese për këngëtarin tjetër Bugo. Ky i fundit mori një nga letrat e shkruara dhe u largua nga skena duke e lënë Morgan vetëm. Kënga u ndërpre dhe në skenë me shpejtësi u kthye Amadeus i shoqëruar nga dy drejtuesit e tjerë, Fiorello dhe Antonella Clerici. Këngëtari nuk pranoi të rikthehej më në skenë dhe kështu gara rivazhdoi pas disa minutash e dueti u skualifikua.

Sigurisht që nuk ishte një skenë që të linte shije të mirë, por disa ngjyra mospërputhjesh mes dy këngëtarëve u panë që mbrëmjen e shkuar, në natën e tretë të festivalit.

Disa nga fjalët që po recitonte Morgan me zë të stonuar ishin: “Le brutte intenzioni, la maleducazione, la tua brutta figura di ieri sera, la tua ingratitudine, la tua arroganza, fai ciò che vuoi mettendo i piedi in testa. Ma tu sai solo poi provare invidia. Certo non dico che è una forma d’arte. Tu ringrazia il cielo sei su questo palco, rispetta chi ti ci ha portato dentro e questo sono io”

Me mbylljen e natës së katërt, u mbyll edhe gara për një nga këngët pjesëmarrëse. Gjëra që ndodhin!

Fansat italianë të Dua Lipas ndihen të tradhtuar nga Sanremo

Vetëm një këngë këndoi Dua Lipa sot në Sanremo, në natën e katërt. Asnjë intervistë, asgjë! Për të gjithë ata që kanë ndjekur netët e festivalit deri në orët e para të mëngjesit, kjo u duk shumë e çuditshme. Askush nga të ftuarit nuk ka pasur një performancë kaq të shkurtër. Fansat e këngëtares me famë botërore, por edhe vajzës me origjinë shqiptare, janë ankuar nëpër rrjetet sociale nga e gjithë kjo. Në tabloidet italianë thuhet se ky ka qenë vendimi i Amadeus, megjithëse edhe vetë këngëtarja në një intervistë kishte lajmëruar fansat e saj se do të ishte për një performancë shumë të shkurtër në Sanremo.

“Sonte do të kem një dalje shumë shumë të shkurtër, me shumë mundësi nuk do të arrijë të them asgjë”, është shprehur ajo.

Ndërsa ndjekësit e saj kanë qenë thuajse të zhgënjyer: “5 minuta sikur t’i hiqeshin qyfyreve të Fiorellos dhe t’ia jepje Dua Lipas, është shumë kjo? Fali, nuk të meritojnë”, thuhej në faqen e Twitter gjatë festivalit Sanremo 2020.

Shpresonim të gjithë një performancë më të gjatë nga Dua, dhe mbase edhe një përshëndetje alla shqiptare, por me sa duket kohët televizive janë shumë të shtrenjta për të gjithë.

Një tjetër shqiptare në Sanremo

Bota ka nisur të bëhet e vogël. Në netët e Festivalit të Sanremos, parakaluan punët e stilistëve me famë botërore dhe mes tyre, krenarisht thënë, edhe stilistët shqiptarë. 

Si në çdo mbrëmje të festivalit, edhe natën e djeshme, u diskutuan veshjet me më shumë apo më pak stil. Ata që u diskutuan më shumë ishin stili David Bowie i Achile Lauros, fustani D&G i Alketa Vejsiut, që u komentua negativisht, por së paku komentet erdhën e u bënë pozitive për veshjen e saj të dytë, të stilistit shqiptar.

Krahas stilistëve me famë botërore kanë filluar të ngjisin shkallët e karrierës edhe stilistët tanë. Dhe nuk është hera e parë që ata konkurrojnë denjësisht nëpër kompeticione të rëndësishme dhe veshin emra të rëndësishëm të showbiz-it botëror.

Mbrëmjen e djeshme, në Sanremo  Alketa Vejsiu  veshi një fustan të kuq krijim ky i stilistit të talentuar Valdrin Sahiti, por ajo nuk ishte e vetmja që u vesh nga  një mjeshtër  shqiptar i dizajnit. Georgina Rodriguez, kolegia e saj në prezantim, zgjodhi dorën shqiptare të Lia Stubllës, për t’i besuar veshjen e saj.

I pari fustan i stilistet shqiptare që veshi Rodriguez, ishte  një fustan sateni në ngjyrë perle, me dekolte të thellë e një të çarë elegante. Fustani i dytë  vjen në ngjyrë pjepri dhe është i stolisur me temina. Ka një prerje të  thjeshte  tub që vazhdon deri në fund të këmbëve.  

Kënga fituese e Sanremos nuk e priti finalen

Kulminacioni i të gjithë netëve më të ftuar në Sanremo 2020 ishte Roberto Benigni, por jo sepse rikthimi i të mëdhenjve këngëtarë në skenë ishte më pak, dhe jo sepse monologët aktualistë vlejnë më pak, por sepse hapi pëllëmbën e dorës dhe fryu pluhurin e dashurisë mbi të gjithë njerëzimin.

Dje në sallën e Sanremos, Roberto Benigni  këndoi këngën e të gjithë këngëve, këngën e dashurisë së përjetshme.

Nuk dihet se kush e ka shkruar, thotë ai, mund të jetë një Ajo, apo një Ai, por dihet se kush e ka shkruar në fakt ka gdhendur diamante, i ka gdhendur një për një dhe vënë me shumë kujdes në një diademë  gati për t’u vendosur në kokë. Dhe vazhdon: kush ka punuar për këtë këngë, ka punuar për përjetësinë, sepse dashuria nuk është mister, por është zbulimi i misterit.

Roberto Benigni, në fakt, ka pasur mundësinë të drejtojë edicionin e 30-të të Sanremos dhe është e famshme puthja 45-sekondëshe  live në televizion. E me gjithë këtë, ai u shpreh dje, se kjo ishte Sanremo më e bukur që ka parë ndonjëherë.

Batutat e tij ishin si gjithmonë të spikatura, por ajo që shënoi edhe kulmin ishte shpjegimi që ai i bëri dashurisë, evokimi i saj dhe në fund vargjet e famshme të përjetësisë, që siç tha ai, fshihen pikërisht në Bibël për sublimitetin që kanë, bashkë me misterin se pse.

Emocionuese dhe për Oscar gjithçka Benigni performoi mbrëmë në një skenë teatri që mikpriste muzikantë. Pa dashur të zbehim asgjë nga tre netë festivali, duhet thënë se mbas Sanremo è Sanremo, vjen natyrshëm të thuash Benigni è Benigni.

Duket se shpëtuam nga një “incident diplomatik”

Alketa Vejsiu sonte i rrëmbeu skenën Amadeusit! Dhe i këtij mendimi ishin të gjitha ngjyrat e flamujve, atyre italianë e atyre shqiptarë.

“Show-girl e lindur në Tiranë ka treguar zotërim shumë të madh të gjuhës italiane, duke e mbajtur në “grusht” transmetimin dhe rrëmbyer skenën Amadeusit. Ka folur për ëndrrat e saj të realizuara, duke e çuar përpara show-un me siguri të jashtëzakonshme. Por ndoshta duke e mbajtur ca më shumë linjën”, shkruan Il Messaggero

Në të vërtetë, mbasi prezanuesit thirrën në skenë këngën e radhës të Elodie, ndërsa tërhiqeshin nga skena, mikrofoni vazhdonte të ishte i hapur dhe u dëgjua një diskutim minutash dhe akordesh. Në rrjetet sociale italiane kanë shpërthyer gjuetia e zgjidhjes së misterit. Mbase është tejkaluar me disa minuta koha në dispozicion për Alketën. Gjithsesi, mbas një kamomili, gjithçka është qetësuar dhe Alketa Vejsiu, vajza shqiptare që realizoi ëndrrën me Sanremon, vazhdoi prezantimin dhe e mbylli atë me monologun e dashurisë së shqiptarëve për Italinë, italianët dhe Sanremon, si edhe këndoi në krahë të emblemës italiane, Bobi Solo.

Rrugëtim të mbarë, Alketa!

Ka prekur ëndrrën që të gjithë prezantuesit do të donin t’u bëhej realitet. Një ditë që nis ndryshe për moderatoren shqiptare. Po t’u referohemi story-ve që ajo ka publikuar në llogarinë e saj në Instagram, do të ndërtonim një kronologji të vogël me eventet e ditës së madhe për Alketa Vejsiun, dhe që sigurisht, nuk lë indiferent asnjë shqiptar.

Një grup i televizionit Klan shoqëron ditën e sotme moderatoren, që punon nën siglën e këtij televizioni më së shumti, sigurisht për të mos humbur çastet më triumfuese të karrierës së saj të deritashme. E kënaqur së tepërmi duket Alketa, ndërsa Orinda Huta dhe Drini Zeqo prezantohen në dhomën e hotelit të saj, në qytetin me të njëjtin emër me eventin kaq domethënës për botën italiane e jo vetëm.

Më pas një falenderim për ata që kujdesen për look-un e saj, që duhet thënë se nuk bie aspak më poshtë emrave të tjerë, të cilët dirigjojnë këtë festival. Kemi mësuar se dy nga veshjet e saj do të jenë firmosur nga emra të mëdhenj, si D&G dhe Valdrin Sahiti. Kështu që nuk mund të mungonin edhe bizhuteritë e personalizuara nga Kastrati Junior. Të vjen mirë të shohësh se vajza shqiptare e ekraneve kërkon të prezantojë, sa më shumë të mundet, edhe stilistët tanë me emër.

Më pas, me tingujt e muzikës italiane në sfond, niset të kënaqë kureshtjen e gazetarëve italianë për vajzën e huaj, të ardhur nga përtejdeti, për “t’u ndeshur me gjigandin e madh” që s’kalon kurrë pa qendrën e vëmendjes.

Në orën 12, si çdo ditë gjatë zhvillimit të Sanremos, u mbajt konferenca për shtyp, në të cilën marrin pjesë drejtuesit e eventit, si dhe prezantuesit e tij e ndonjë i ftuar.

Si fillim drejtuesit e Sanremos treguan kënaqësinë dhe përgjegjësinë që ndienin, ndërsa audienca për këtë edicion sa shtohet nga nata në natë.

Alketa Vejsiu u prezantua gjithë klas e elegancë dhe me zhdërvjelltësi iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve. Binte në sy mungesa e prezantueses tjetër, Georgina Rodrigues, për të cilën u shpjegua se nuk mundi dot të ishte prezent.

Gjithsesi, ajo që vlen për t’u shënuar është se Alketa, e pyetur nga gazetarët se si ndihej në lidhje me këtë mbërritje në karrierën e saj, u shpreh tepër entuziaste. Ajo bëri paksa historik të lidhjes së kahershme të shqiptarëve dhe Shqipërisë me Italinë dhe në veçanti me Sanremon. Më pas, ajo falenderoi me gjithë zemër për mundësinë që i dhanë për të realizuar ëndrrën e saj, por edhe për të kulmuar karrjerën 20-vjecare, e cila, siç tha ajo, lindi me radion.

“Është çmim për karrierën time, mbërritja në Sanremo…”, u shpreh ajo mes të tjerash.

E pyetur nëse kishte një këngë përzemër, të cilën do ta veçonte nga të tjerat për këtë vit, Vejsiu u shpreh se sigurisht që kishte, por nuk mund ta ndante me gazetarët për shkak të detyrës që kishte. Veçse ajo foli me siguri se ky edicion do t’i përkiste të rinjve dhe që sigurisht ishte në avanguard, duke qenë se edhe njerëzit që e drejtojnë atë, e bëjnë me një dashuri aq të madhe.

Që në momentin që u mor lajmi se Alketa Vejsiu do të drejtonte Sanremon, por edhe nga momenti kur u prezantuan pak a shumë emrat që do të drejtonin këtë festival krah Amadeus, (dhe janë plot 10 gra e vajza, mes të cilave edhe me nënshtetësi të huaj), të gjithë u bënë kureshtar se pse kjo zgjedhje. Përgjigjen e ka dhënë Amadeus i cili ka thënë pak a shumë se tani Sanremo nuk është më vetëm e italianëve. Ajo ka hyrë në çdo familje dhe është pjesë e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Itali, por edhe jashtë saj. Ndaj s’kishte pse të mos qe kështu.

Ditën e mbyllim këtu, por nata për Alketa Vejsiun nuk ka filluar ende

Sonte e treta natë e një festivali emblematik. Te shqiptarja e ekraneve do të drejtohen sytë e miliona njerëzve dhe ajo më në fund do të ndihet si në përrallë.

Rrugëtim të mbarë Alketa!

2. Histori (shqiptare) me Sanremo

Siç ju premtuam, historitë me Sanremo nuk mbarojnë këtu dhe sot do të udhëtojmë në Sanremon me histori shqiptare, madje duhet thënë, histori shqiptare suksesi.

Nuk besoj se ka ndokënd që nuk e di se Anna Oxa, e madhja Anna Oxa, është me origjinë shqiptare. Ajo që duam të ndajmë me ju është një udhëtim e pak histori;

Anna Oxa (Iliriana Hoxha) ka qenë plot 13 herë pjesëmarrëse në Sanremo. Ajo është një ndër këngëtaret më të famshme italiane dhe ndër më të dashurat për publikun e shtetit fqinj. U prezantua në muzikën italiane me emër dhe mbiemër të tjetërsuar duke bërë që origjina e saj shqiptare të mësohej shumë vonë, madje nga goja e saj, pasi edhe fama e kishte rritur prej kohësh.

Për herë të parë në Sanremo, Anna këndoi në vitin 1978, ku u përfaqësua me këngën: “Un emozione da poco”, dhe u shpall fituese e vendit të parë në kategorinë e të rinjve. Në vitin 1989, këngëtarja u bë përsëri pjesë e festivalit me një duet të suksesshëm me Fasuto Lealin dhe së bashku morën çmimin e parë. Por nuk përfundon këtu…

Ishte viti 1999, kur Anna Oxa triumfoi në Sanremo me këngën e saj hit, “Senza pieta”. Pjesëmarrja e fundit e këngëtares në këtë festival ishte në vitin 2006, me “Processo a me stessa”.

Elsa Lila është një tjetër këngëtare shqiptare, e cila u bë krenari për të gjithë ne në vitin 2003, kur edhe performoi në Sanremo vetëm pak kohë pas emigrimit të saj drejt Italisë.

Kënga “Valeria” u pëlqye masivisht nga publiku italian. Në vitin 2007, Elsa rikthehet në Sanremo me një tjetër hit: “Il senso della vita”.

Ishte viti 2017 kur kantautori, këngëtari dhe kompozitori shqiptar, Ermal Meta, këndoi në Sanremo, “Vietato Morire”, një super këngë, e cila rrëmbeu zemrat e publikut italian e jo vetëm. Edhe pse ai nuk e rrëmbeu trofeun e festivalit, ishte si ta kishte bërë, kënga këndohej ngado dhe tashmë ishte fituesja.

Me një ‘fitore’ thuajse të parapregatitur nga “Vietato Morire”, Ermal Meta rikthehet në Sanremo 2018 dhe konkurron me këngën: “Non mi avete fatto niente”, një duet me Fabrizio Moron. Dyshja fitoi çmimin e parë dhe përfaqësoi Italinë në Eurovision.

Kantautori i njohur shqiptar, i cili krijon edhe për emra të mëdhenj të muzikës italiane, konkurron sërish në Sanremo 2019, ku prezanton një këngë në bashkëpunim me këngëtarin e njohur italian, Simone Cristicchi: “Abbi cura di me”.

Dymijë e njëzeta shënon edicionin e 70-të të festivalit të këngës italiane, Sanremo, dhe përsëri vëmendja e të gjithve ne drejtohet drejt skenës së famshme të Teatrit Ariston, ku një ndër prezantuesit e spektaklit të natës së tretë të tij do të jetë edhe Alketa Vejsiu, e cila është një prej figurave televizie më të njohura e më të dashura të ekraneve shqiptare.

Ajo u cilësua si “Antonella Clerici shqiptare” prej prezantuesit të njohur italian, Amadeus. Sanremo 2020 ka hapur siparin mbrëmjen e 4 shkurtit dhe do të vazhdojë deri më 8 shkurt, kur edhe do të shpallet fituesi. Moderatorja jonë e njohur do të prezantojë mbrëmjën e 6 shkurtit, përkrah bashkëshortes së futbollistit të famshëm Cristiano Ronaldo, Georgina Rodrigues.

Si mbërriti Alketa Vejsiu në Sanremo?

Në 14 janar të 2020, Alketa bëri publik një status ku i informoi të gjithë për pjesmarrjen e saj në edicionin e 70-të festivalit prestigjoz të muzikës italiane.

Dita më e lumtur e karrierës sime”, e cilësoi ajo këtë ëndërr të realizuar.

Por si çdo risi, edhe kjo pjesëmarrje e saj nuk mbeti e papolemizuar. Gjithsesi, ne kemi një arsye më shumë për ta ndjekur me kërshëri Sanremon këtë vit.

Moderatorja e njohur do të ngjitet mbrëmjen e sotme në skenën e Aristonit, ku do të bëjë edhe prezantimin e natës së tretë të festivalit.

Surprizat e Sanremos me histori shqiptare nuk kanë të sosur: një tjetër shqiptare ngjit skenën prestigjoze të Sanremos dhe bëhet fjalë për këngëtaren me famë botërore, Dua Lipa, e cila kryeson listën e të ftuarve të nderit që do të debutojnë mbrëmjen e natës finale të 8 shkurtit.

Të tjera histori me Sanremo do të kemi në vazhdimësi këto ditë deri në përfundimin e edicionit të 70-të, pasi siç kemi thënë edhe më parë: “Sanremo è Sanremo”.