Me pika apo me vija? Tendencat e këtij viti janë kthim pas në garderobën tonë

Dhe pastaj flitet për sëmundje psikologjike, lidhur me faktin që të vjen keq të hedhësh rrobat e viteve të mëparshëm. Me këto kthesa e kthime që moda merr, i bie të ruash gjithçka dhe ati të vjen keq që ato veshjet me pika e vija, tashmë janë dhuruar apo lënë në një kënd të koshit më të parë të lagjes.

Gjithsesi, le t’i shohim pak këto tendenca, si vijnë modelet me pika e vija për këtë sezon të 2021-shit.

Ato janë tepër të gjalla, hipnotike dhe fantazioze herë pas here, pikat janë frymëmarrje lehtësuese, humor i mirë dhe pozitivitet. Të paktën ne kështu mendojmë. Të ardhura nga vitet e famshme ’60, ato janë “stuhia” e këtij sezoni të ngrohtë. Kishim parë sezonin e shkuar të nisnin të shfaqeshin (mirë që e kam ende fustanin tim të preferuar nga vjet), por këtë sezon do të jenë shpërthimi i pranverë-verës 2021.  

Do të duhet të pikëlohemi të gjitha, dhe jo vetëm me një element, sepse pika e topa do të ketë pafund dhe gjithandej. Që nga xhaketat, edhe ato xhins, te këpucët, çantat, pa diskutuar fustanet, bluzat e pantallonat.

Printimet do të jenë mikro e makro, ndaj do të duhet të luani së tepërmi me to, për të qenë kreative e dinamike.

Ngjyrat? Oh, po ç’rëndësi ka kjo! Të gjitha ngjyrat do të jenë të pranueshme, pasi pranvera është nëna e tyre, dhe edhe vera nuk bie më poshtë.

Gjithsesi, nëse nuk do të doni të jeni kokë e këmbë me pika, mundohuni t’i bëni kombinimet me veshje me ngjyra të thjeshta, ose përqendrohuni në një aksesor të vetëm.

Ah, për kur mund të vishen veshjet me pika?

Kur t’ju dojë kokrra e qejfit. Gjatë ditës, me fustane apo këmisha bon ton, në funde midi apo pantallona të gjera, e deri te rrobat e sofistikuara të mbrëmjes. Madje edhe për dasma. Nëse nuk jeni infektuar ende, bëjeni tani! Është koha e pika-manisë.

Por pikat nuk janë të vetmet që do të tërbojnë këtë sezon. Janë edhe vijat dhe duket se edhe ato e kanë bombarduar sezonin e ngrohtë, që tipiken e vet ka lulet.

Mbase pak rezistencë natyrales nuk bën keq.

Vijat marine do të shfaqen, madje kanë filluar të shfaqen gjithandej. Të armatosura edhe me efektin optik që i bën trupit tonë, ato preferohën gjithmonë. Por sivjet edhe më shumë.

Në fakt skenën e modës do ta dominojnë vijat XL, nuk ka rëndësi nëse do të jenë horizontale apo vertikale (këtë do ta zgjidhni ju në bazë të efektit që ju duhet) por që do të duhet të jenë të gjera e të shqueshme, nëpër fustane, pantallona të shkurtra apo bluza.

Edhe vetë rigat do të jenë të koloruara, të stilit vintazh dhe të shoqëruara edhe me dantella, si te Dior. Në fakt do të jenë për përditshmëri dhe për mbrëmje, pra të shoqëruara me sandale të sheshta apo me taka, por nuk do të mungojë edhe stili kaftan, tipi i veshjes që përdorim për plazh dhe që e pamë në pasarelën e Michael Kors.

Mirë pra, bëni si të doni me lulet pranverore, por e dimë mirë se nuk do t’i shpëtoni dot virusit të pikave e vijave, ndaj zgjodhëm t’ju ndihmojmë ca me këtë artikull.