Nata e dytë, Sanremo është kthyer!

Mbas kulmit të audiencës së mbrëmjes së parë të Sanremos, sonte akti i dytë në teatrin Ariston i një festivali që s’njeh moshë dhe as kufij. Nën shoqërinë e tre grave prezantuese, Amadeus, veshur me një xhaketë të kafenjtë me shkëlqim, të stilistit Gai Mattiolo, priti përsëri në skenë Fiorellon kësaj here nën lëkurën e Maria De Filipp-it.

Bashkë me natën e dytë të festivalit u përkujtua edhe data e lindjes së Fabrizio Frizit, një nga zërat dhe emrat televizivë më të dashur të italianëve, që u shua në vitin 2017 në mënyrë të papritur. Ishte e shoqja, Carlota Manttovan, e ftuar nga prezantuesi i Sanremos Amadeus, për t’i bërë homazh atij që me siguri do të drejtonte këtë festival po të jetonte, siç thotë prezantuesi.

Prezantueset në krahë të Amadeus për këtë natë janë Sabrina Salerno dhe dy gazetaret e Rai-t, Laura Chimenti dhe Emma D’Aquino. Ema ka zgjedhur të vishet me Antonio Grimaldi ndërsa kolegia e saj ka zgjedhur stilin e Sylvi Giradina, ndërsa Sabrina me gjithë incidentin e parashikuar pothuajse nga ana e saj, të takës së ngecur në shkallë, u prezantua elegante me fustanin e zi tepër të çarë për të evidentuar fizikun e saj ende në formë.

Duket se produksioni i Sanremos së këtij viti i ka kushtuar shumë rëndësi asaj çka është sociale. Mbas monologut të natës së parë, të gazetares palestineze, e cila u komentua si “fituese e Sanremos”, këtë natë të bën përshtypje që nga përzgjedhja e grave jo për bukurië rinore, por për pjekurinë e karrierën mbi shpinë dhe deri te mbërritja në skenë e djalit me SLA, për të sensibilizuar shoqërinë me mesazhin e të jetuarit të jetës me gjithsej.

Është mbrëmje emocionuese, rikthehen Richi e Poveri, bërë bashkë mbas shumë kohësh të ndarë. Vjen në skenë i madhi Zucchero, Masimo Ranieri e Gigi D’Alesio dhe sigurisht Tiziano Ferro që manifestoi për herë të dytë sonte të njëjtën pamundësi për të kapur notat e larta të Big-ve të muzikës italiane.

Sa i përket konkurrentëve në garë, emrat e mëdhenj i janë rikthyer skenës: Piero Pelu e Michele Zarillo, pastaj Elettra Lamborghini, Enrico Nigiotti, Levante, Pinguini Tattici Nucleari, Tosca, Francesco Gabbani, Paolo Jannacci, Rancore, Junior Cally, Giordana Angi. Me ndonjë përjashtim, muzikës së Sanremos i është kthyer cilësia muzikore.

Nga dy çiftet e të rinjve u përzgjodhën edhe dy emrat që do të vazhdojnë garën: Marco Sentieri dhe Fasma.

Në fund të natës së gjatë të Sanremos u bë një klasifikim paraprak në vend të parë të të cilit ishte Francesco Gabanni me këngën Viceversa, I shoqëruar nga Piero Pelu në vendin e dytë, pastaj me radhë Pinguini Tattici Nucleari, Tosca e Michele Zarillo.

Nesër jemi në pritje të vazhdimit të këtij manifesti muzikor, ndjekur në nivel ndërkombëtar, në të cilin do të prezantojë edhe Alketa Vejsiu, vajza e skenave shqiptare.