Keni flokë të dëmtuar? Ndihma e shpejtë e ka emrin keratinë

Keratina është një proteinë që gjendet në flokët tona. Funksioni i saj është sa i thjeshtë dhe aq i komplikuar. Keratina është përgjegjëse për shëndetin e flokëve tona.

Në rastet kur flokët janë shumë të dëmtuar, rekomandohet që të bëhen trajtime me keratinë, kjo duke qenë se sasia e keratinës që prodhon trupi ynë nuk mjafton për ta bërë flokun aq të shëndetshëm sa duhet.

Gjithsesi, para se të merrni vendimin për të bërë një trajtim të flokëve me keratinë, kujdesuni që të zgjidhni sallonin e duhur, si dhe shihni mirë produktin që do të vendoset në flokët tuaja. Pas trajtimit, flokët tuaj do të duken të rigjeneruar, kjo pasi proteina ristrukturon folikulat e qimes së flokut, duke i dhënë flokëve një pamje më të bukur dhe të shëndetshme.

Sot keratina e hidrolizuar, përdoret shumë në sallone, hapat për aplikimin e saj janë relativisht të thjeshta. Fillimisht aplikohet një shampo i posaçëm që pastron flokët në thellësi, më pas përdoret një shampo tjetër i pasur me proteina.  Pasi shpëlahen flokët, aplikohet keratina e hidrolizuar, më pas vendoset një maskë e pasur me keratinë, në vazhdim të kësaj në flokë aplikohet nxehtësi. Më pas mjafton që flokët të thahen e të krihen dhe do të dilni nga salloni me flokët që keni ëndërruar gjithmonë.