Fiorello puth live Tiziano Ferron

Fiorellos nuk i del e keqja! Nga nata e parë e Sanremos ka krijuar trendin e fjalëve gjeneraliste që mbarojnë me – izëm (ismo). Sikurse Amadeus u akuzua për seksizëm (sessismo), Fiorello, ironikisht, në çdo dalje të tij ka një fjalë të re, ose edhe më shumë.

Sonte, në natën e katërt ishte “bacismo”. Për fat të keq, fjala nuk mund të vijë në të njëjtën mënyrë si në italisht, por meqë jemi shumë-gjuhë-folës, në përgjithësi, këtej nga ne kuptohet. Gjithsesi, për korrektësi është si me thënë “puthizëm”, fjalë e krijuar nga puthje + izëm.

Mirëpo, çfarë ndodhi mes Fiorellos dhe Tizianos?

Ka dy ditë që rrjetet sociale po çahen nga komentet dhe hashtagët. E nisi Tiziano Ferro me fansat e tij, duke u shpërndarë hashtagun #Fiorellostattezitto, (Fiorelo qepe gojën), ndoshta edhe për të justifikuar pak veten për këngët e paarritura, si pasojë e të kënduarit në orë të vona. Duhet thënë se ky festival, për herë të parë përfundon rreth orës 2 të natës, e ndoshta edhe më vonë. Në të vërtetë, Fiorello u ndie i fyer dhe ishte një hap larg largimit nga Sanremo. Ai u shpreh se nuk është gjë e bukur të të vënë fansat kundër dhe se në rrjetet sociale kishte marrë sharje me fjalë të rënda. Gjithsesi, Tiziano Ferro i dërgon një letër me ndjesën e tij dhe sot, të dy kënduan këngën “Solamente tu”.

Në fund të interpretimit, Fiorello e puth në buzë. Sigurisht që e gjithë kjo shkaktoi ilaritet dhe ndoshta shërbeu për të qetësuar fansat e njëri-tjetrit, por edhe për të shkrirë pak akujt mes tyre.

Disa zëra nga tabloidë italianë thonë edhe se e gjithë kjo mund të ketë qenë një demonstrim i sajuar në kuadrin e ditës ndërkombëtare kundër bulizmit dhe kibrobulizmit, që ishte në datën 7 shkurt. Kush e di!

Një gjë është e sigurt mbas Sanremo è Sanremo, se në ditët që jetojmë, për të bërë spektakël e marrë audiencë, po shfrytëzohet gjithçka. Apo kështu ka qenë gjithmonë?!

Nata e dytë, Sanremo është kthyer!

Mbas kulmit të audiencës së mbrëmjes së parë të Sanremos, sonte akti i dytë në teatrin Ariston i një festivali që s’njeh moshë dhe as kufij. Nën shoqërinë e tre grave prezantuese, Amadeus, veshur me një xhaketë të kafenjtë me shkëlqim, të stilistit Gai Mattiolo, priti përsëri në skenë Fiorellon kësaj here nën lëkurën e Maria De Filipp-it.

Bashkë me natën e dytë të festivalit u përkujtua edhe data e lindjes së Fabrizio Frizit, një nga zërat dhe emrat televizivë më të dashur të italianëve, që u shua në vitin 2017 në mënyrë të papritur. Ishte e shoqja, Carlota Manttovan, e ftuar nga prezantuesi i Sanremos Amadeus, për t’i bërë homazh atij që me siguri do të drejtonte këtë festival po të jetonte, siç thotë prezantuesi.

Prezantueset në krahë të Amadeus për këtë natë janë Sabrina Salerno dhe dy gazetaret e Rai-t, Laura Chimenti dhe Emma D’Aquino. Ema ka zgjedhur të vishet me Antonio Grimaldi ndërsa kolegia e saj ka zgjedhur stilin e Sylvi Giradina, ndërsa Sabrina me gjithë incidentin e parashikuar pothuajse nga ana e saj, të takës së ngecur në shkallë, u prezantua elegante me fustanin e zi tepër të çarë për të evidentuar fizikun e saj ende në formë.

Duket se produksioni i Sanremos së këtij viti i ka kushtuar shumë rëndësi asaj çka është sociale. Mbas monologut të natës së parë, të gazetares palestineze, e cila u komentua si “fituese e Sanremos”, këtë natë të bën përshtypje që nga përzgjedhja e grave jo për bukurië rinore, por për pjekurinë e karrierën mbi shpinë dhe deri te mbërritja në skenë e djalit me SLA, për të sensibilizuar shoqërinë me mesazhin e të jetuarit të jetës me gjithsej.

Është mbrëmje emocionuese, rikthehen Richi e Poveri, bërë bashkë mbas shumë kohësh të ndarë. Vjen në skenë i madhi Zucchero, Masimo Ranieri e Gigi D’Alesio dhe sigurisht Tiziano Ferro që manifestoi për herë të dytë sonte të njëjtën pamundësi për të kapur notat e larta të Big-ve të muzikës italiane.

Sa i përket konkurrentëve në garë, emrat e mëdhenj i janë rikthyer skenës: Piero Pelu e Michele Zarillo, pastaj Elettra Lamborghini, Enrico Nigiotti, Levante, Pinguini Tattici Nucleari, Tosca, Francesco Gabbani, Paolo Jannacci, Rancore, Junior Cally, Giordana Angi. Me ndonjë përjashtim, muzikës së Sanremos i është kthyer cilësia muzikore.

Nga dy çiftet e të rinjve u përzgjodhën edhe dy emrat që do të vazhdojnë garën: Marco Sentieri dhe Fasma.

Në fund të natës së gjatë të Sanremos u bë një klasifikim paraprak në vend të parë të të cilit ishte Francesco Gabanni me këngën Viceversa, I shoqëruar nga Piero Pelu në vendin e dytë, pastaj me radhë Pinguini Tattici Nucleari, Tosca e Michele Zarillo.

Nesër jemi në pritje të vazhdimit të këtij manifesti muzikor, ndjekur në nivel ndërkombëtar, në të cilin do të prezantojë edhe Alketa Vejsiu, vajza e skenave shqiptare.

Nga Fiorello te Diletta Leota, parada e veshjeve në natën e parë të Sanremos

Një nga temat më të spikatura në çdo edicion të Sanremo-s ka të bëjë me veshjen dhe look-un e prezantuesëve, këngëtarëve dhe të ftuarve të tjerë në festival.

Këtë herë edhe pse nuk ishte një veshje skenike, por shumë domethënëse, ai që ra më shumë në sy në natën e parë ishte Fiorello i veshur si prift. Sigurisht që ai më vonë e ndërroi veshjen, duke u paraqitur me një kostum të zi kombinuar me papion. Ndërsa miku dhe kolegu i tij Amadeus e hapi edicionin e 70-të, të festivalit Sanremo 2020, i veshur me një kostum me shkëlqim, kombinuar me papion të zi, dhe këmishë të bardhë.

Diletta Leota dhe Rula Jebreal dy prezantueset e natës së parë të Sanremos u shfaqën të veshura me fustane të gjatë elegante dhe gjithë stil. E para që zbriti shkallët e Ariston, ishte Diletta Leotta, e cila pati disa vështirësi në të ecur pikërisht për shkak të zgjatimit që kishte veshja e saj. Me rripin kontrastues që i shtrëngonte belin, ajo dukej si një divë Hollivudi. Pastaj, pjesa e poshtme e fustanit e fryrë si princeshë, në modelin Gracy Kelly. Veshja e saj linte për të dëshiruar.

Ndërsa gazetarja palestineze Rula Jebreal, rrëmbeu zemrat e të gjithëve me veshjen rrëzëllitëse Armani. Të dyja dukeshin si princesha përrallash. Madje shumë nga komentet e para në rrjetet sociale e krahasuan veshjen e Diletta-s, me atë të  Princeshës Bella në filmin e animuar  ‘E bukura dhe Bisha’’.

Sa i përket këngëtarëve, krahas zërit të mrekullueshëm që kumboi përmes këngëve garuese, ata sollën me vete në festival edhe stilin e tyre në të veshur. Irene Grandi u shfaq e veshur në stilin rock, me bluzë dhe pantallona lëkurë, veçse linte shumë për të dëshiruar. Ndërsa kolegia e saj që i kishte munguar për vite të tëra skenës së festivalit, Rita Pavone u shfaq me një veshje shumë më elegante, pantallona të ngushta të zeza dhe një xhaketë gjith grint, qw kombinonte me pantallonat. Po ashtu edhe Achille Lauro, kantautori roman i habiti të gjithë: ai u shfaq me njw tunik të zezë dhe pikërisht në mes të performancës së tij u zhvesh gati nudo, dhe mbeti në trup vetëm me një rrjetë me shkëlqim, e gjitha Gucci. në të vërtetë ai imitoi San Françeskon në pikturën e Giotto.

Sanremo 2020 rikthen emrat ikonë të muzikës italiane! Fiorello shfaqet i veshur si prift

Ka nisur nata e parë e festivalit të këngës italiane Sanremo 2020. Me një skenografi magjike, nën prezantimin e Amadeus, edicioni i 70-të i festivalit shënon një rikthim në të kaluarën, të paktën sa i përket këngëtarëve pjesëmarrës në konkurs, si: Irene Grandi, Rita Pavone, Elodie, Marco Masini etj. Organizatorët e festivalit kanë bërë një ndarje klasike të këngëtarëve në garë, midis atyre Big dhe kategorisë së të rinjve (24 këngëtarë të mëdhenj dhe 8 propozime të reja).

Në skenën Ariston, Amadeus nuk do të jetë vetëm, por do të shoqërohet këtë vit nga 10 prezantuese: Laura Chimenti, Antonella Clerici, Emma D’Aquino, Rula Jebreal, Diletta Leotta, Francesca Sofia Novello, Georgina Rodríguez, Sabrina Salerno dhe Alketa Vejsiu, të cilat do të alternohen në 5 mbrëmjet e festivalit.

Sonte përkrah Amadeus është gazetarja Rula Jebreal dhe moderatorja simpatike e emisioneve sportive, Diletta Leotti.  Dy vajzat janë prezantuar me fustane mahnitëse, Diletta me një fustan të verdhë të gjatë, ndërsa Rula me një fustan në ngjyrë argjendi.

Për të mbështetur Amadeus gjatë netëve të festivalit, do të jenë gjithashtu dy super të ftuar, shumë të dashur për publikun italian dhe jo vetëm: Fiorello dhe Tiziano Ferro.

I pari në skenën Ariston, i ftuar nga Amadeus ishte Fiorello, i cili i surprizoi të gjithë ndërsa u shfaq i veshur si prift. Këngëtari dhe moderatori jo pa qëllim e bëri këtë veshje, ndërsa përcolli për publikun mesazhin e paqes dhe dashurisë ndaj njëri-tjetrit, sidomos në këto kohë të vështira, por edhe për të ironizuar pak me polemikat para nisjes së Sanremos, që duhet thënë nuk kalon kurrë pa diskutime të nxehta, duke qenë festa më e rëndësishme e këngës italiane. Ndërsa, Tiziano Ferro këndoi për të përshëndetur publikun, këngën e famshme italiane ‘Volare’ të të madhit Domenico Modugno.

Për të shënuar ishte incidenti me zërin e Tiziano Ferro-s, ndërsa kërkonte me gjithë shpirt të arrinte notat e larta në këngën e dytë përshëndetëse, Almeno tu nell’universo, të Mia Martinit. Lotët e këngëtarit ishin aq të sinqertë sa e gjithë salla u ngrit në këmbë dhe e duartrokiti ngrohtë për ta çliruar nga emocionet e forta.

“Prisha gjithçka”, thotë ai mes lotësh, “më falni!”

Duket sikur pas përplasjeve e akuzave si seksist drejtuar Amadeus, filli i argjendtë që shoqëron si nerv qendror Sanremon është Gruaja, mbështetja për të dhe lufta kundër dhunës ndaj saj. Dhe kjo u manifestua me monologun rrënqethës së njërës nga grave që shoqëronte Amadeon në prezantimin e natës së parë, Rula Jebrael, gazetarja palestineze. Më parë edhe prezantuesja tjetër, me në qendër të vëmendjes gjyshen e saj, pati një monolog mbi gruan, të qënin e bukur dhe nëse kjo do të duhej të shihej ndaras apo në të gjithën e qenies.

Festa do të vijojë për 5 netë me radhë, deri ditën e shtunë, kur do të jetë dhe nata finale që do të shpallë fituesin e këtij edicioni të 70-të të Sanremos.

Fiorello për Amadeus: Sanremo të ka transformuar në një mostër

Amadeus dhe Fiorello kanë shkëmbyer batuta mes tyre, një ditë para nisjes zyrtare te edicionit të 70-të të Sanremos. Gjatë një konference për shtyp ku po flitej për festivalin, prezantuesi kryesor i këtij edicioni Amadeus, tha se asnjë nga polemikat e bëra deri më tani në adresë të festivalit, nuk e ka lënduar: ‘Sanremo është për ne si Super Boël. Do të jetë një festival i paparashikueshëm, por nesër do të zbuloni gjithçka”.

Por fill pas tij reagoi Fiorello, i cili tha me humor: ”Amadeus më zgjodhi pikërisht mua sepse jam i bukur. Ndërsa ai vetë është njeri i mirë, por Sanremo e ka transformuar në mostër. Është armiku numër 1 i publikut. Tani të duhet të ndryshosh mendimin e të gjithëve. Mund të ndihmoj edhe unë në të gjitha netët, por të enjten nuk do të jem. Këtë vit bëhen 20 vjet nga dalja e këngës sime të suksesshme, ‘Më në fund ti’ (Finalmente tu). Do të doja ta këndoja me Tiziano Ferro. Me Benigni-n, jo. Ndërsa, Junior Cally-n e kam ftuar në pagëzimin e vajzës sime”.

Fiorello vijoi me tej duke bërë shaka me shumë polemika, të këtyre ditëve duke shtuar se Amadeus nuk e kupton çfarë përshtypje lë te njerëzit. Madje ai nuk ngurroi të tregonte edhe disa histori të vjetra mes tyre. ”Në vitet 1990 ishim në diskotekë në Ibiza, ai nuk donte të vinte. Ne kishim një guru, Sandy Marton. Amadeus hipi mbi një kub, po nuk pa kë kishte afër; dy balerinë me ngjyrë, që ishin nudo.  Ai ishte në mes të tyre dhe s’e kuptonte. Ju ankoheni nëse flet pa lidhje, por ai  sërish nuk e kupton”.

Në vijim të konferencës për shtyp, Amadeus vijoi duke folur për 10 prezantueset femra, ndërsa tha se e dinte që do të kishte debate dhe kritika për këtë, por se ai ndihet mirë me zgjedhjet që ka bërë.