Nga “faleminderit Vera” në “faleminderit Amadeus”

Njerëzit mirënjohës i duhen kësaj bote, e nisur nga ky pohim mund të themi se Alketa Vejsiu duhet klonuar.

E mbajmë mend për togfjalëshin e famshëm “faleminderit Vera” e tani, pasi prezantoi Sanremon në krah të Amadeusit, nuk nguron ta falënderojë këtë të fundit, sa herë e përmend.

Pasi e falenderoi, e falenderoi e e falenderoi pa fund për mundësinë, në skenën e Ariston, prezantuesja shqiptare, nuk ka nguruar që t’i përsërisë falënderimet edhe në rrjetet sociale.

Si një studente e përkushtuar, ka nxjerrë bllokun e shënimeve dhe ka shkruar 3 gjërat, që duhet të mësojmë nga Amadeusi,krahas një videoje ku shihet duke u përqafuar me prezantuesin italian.

“I dua shumë njerëzit që veç faktit që janë të aftë e profesionistë, janë edhe njerëzorë si ti.

Ke qenë fantastik dhe uroj që ta prezantosh sërish Sanremon.

Tre gjërat që duhet t’i mësojmë të gjithë nga ty

Të jemi gjithnjë të përulur e mirënjohës

Të vlerësojmë miqësinë

Të punojmë në skuadër dhe të dimë ta ndajmë suksesin me të gjithë.

Ti ke bërë Sanremo-n të flasë shqip!”

Pse e braktisi skenën, këngëtari i Sanremos

Në mes të natës së katërt të Sanremos ndodhi ajo që i druhet çdo drejtues festivali.

Bugo, një nga këngëtarët konkurrent, i cili këndonte në duet me Morgan, la skenën dhe këngën të papërfunduar. Ai iku në mënyrë demonstrative nga një konflikt me këngëtarin tjetër, Morgan, i cili po këndonte me një tekst të ndryshuar prej tij dhe që e kishte në copa letre. Fjalët e këngës ishin fyese e kërcënuese për këngëtarin tjetër Bugo. Ky i fundit mori një nga letrat e shkruara dhe u largua nga skena duke e lënë Morgan vetëm. Kënga u ndërpre dhe në skenë me shpejtësi u kthye Amadeus i shoqëruar nga dy drejtuesit e tjerë, Fiorello dhe Antonella Clerici. Këngëtari nuk pranoi të rikthehej më në skenë dhe kështu gara rivazhdoi pas disa minutash e dueti u skualifikua.

Sigurisht që nuk ishte një skenë që të linte shije të mirë, por disa ngjyra mospërputhjesh mes dy këngëtarëve u panë që mbrëmjen e shkuar, në natën e tretë të festivalit.

Disa nga fjalët që po recitonte Morgan me zë të stonuar ishin: “Le brutte intenzioni, la maleducazione, la tua brutta figura di ieri sera, la tua ingratitudine, la tua arroganza, fai ciò che vuoi mettendo i piedi in testa. Ma tu sai solo poi provare invidia. Certo non dico che è una forma d’arte. Tu ringrazia il cielo sei su questo palco, rispetta chi ti ci ha portato dentro e questo sono io”

Me mbylljen e natës së katërt, u mbyll edhe gara për një nga këngët pjesëmarrëse. Gjëra që ndodhin!

Duket se shpëtuam nga një “incident diplomatik”

Alketa Vejsiu sonte i rrëmbeu skenën Amadeusit! Dhe i këtij mendimi ishin të gjitha ngjyrat e flamujve, atyre italianë e atyre shqiptarë.

“Show-girl e lindur në Tiranë ka treguar zotërim shumë të madh të gjuhës italiane, duke e mbajtur në “grusht” transmetimin dhe rrëmbyer skenën Amadeusit. Ka folur për ëndrrat e saj të realizuara, duke e çuar përpara show-un me siguri të jashtëzakonshme. Por ndoshta duke e mbajtur ca më shumë linjën”, shkruan Il Messaggero

Në të vërtetë, mbasi prezanuesit thirrën në skenë këngën e radhës të Elodie, ndërsa tërhiqeshin nga skena, mikrofoni vazhdonte të ishte i hapur dhe u dëgjua një diskutim minutash dhe akordesh. Në rrjetet sociale italiane kanë shpërthyer gjuetia e zgjidhjes së misterit. Mbase është tejkaluar me disa minuta koha në dispozicion për Alketën. Gjithsesi, mbas një kamomili, gjithçka është qetësuar dhe Alketa Vejsiu, vajza shqiptare që realizoi ëndrrën me Sanremon, vazhdoi prezantimin dhe e mbylli atë me monologun e dashurisë së shqiptarëve për Italinë, italianët dhe Sanremon, si edhe këndoi në krahë të emblemës italiane, Bobi Solo.

Rrugëtim të mbarë, Alketa!

Ka prekur ëndrrën që të gjithë prezantuesit do të donin t’u bëhej realitet. Një ditë që nis ndryshe për moderatoren shqiptare. Po t’u referohemi story-ve që ajo ka publikuar në llogarinë e saj në Instagram, do të ndërtonim një kronologji të vogël me eventet e ditës së madhe për Alketa Vejsiun, dhe që sigurisht, nuk lë indiferent asnjë shqiptar.

Një grup i televizionit Klan shoqëron ditën e sotme moderatoren, që punon nën siglën e këtij televizioni më së shumti, sigurisht për të mos humbur çastet më triumfuese të karrierës së saj të deritashme. E kënaqur së tepërmi duket Alketa, ndërsa Orinda Huta dhe Drini Zeqo prezantohen në dhomën e hotelit të saj, në qytetin me të njëjtin emër me eventin kaq domethënës për botën italiane e jo vetëm.

Më pas një falenderim për ata që kujdesen për look-un e saj, që duhet thënë se nuk bie aspak më poshtë emrave të tjerë, të cilët dirigjojnë këtë festival. Kemi mësuar se dy nga veshjet e saj do të jenë firmosur nga emra të mëdhenj, si D&G dhe Valdrin Sahiti. Kështu që nuk mund të mungonin edhe bizhuteritë e personalizuara nga Kastrati Junior. Të vjen mirë të shohësh se vajza shqiptare e ekraneve kërkon të prezantojë, sa më shumë të mundet, edhe stilistët tanë me emër.

Më pas, me tingujt e muzikës italiane në sfond, niset të kënaqë kureshtjen e gazetarëve italianë për vajzën e huaj, të ardhur nga përtejdeti, për “t’u ndeshur me gjigandin e madh” që s’kalon kurrë pa qendrën e vëmendjes.

Në orën 12, si çdo ditë gjatë zhvillimit të Sanremos, u mbajt konferenca për shtyp, në të cilën marrin pjesë drejtuesit e eventit, si dhe prezantuesit e tij e ndonjë i ftuar.

Si fillim drejtuesit e Sanremos treguan kënaqësinë dhe përgjegjësinë që ndienin, ndërsa audienca për këtë edicion sa shtohet nga nata në natë.

Alketa Vejsiu u prezantua gjithë klas e elegancë dhe me zhdërvjelltësi iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve. Binte në sy mungesa e prezantueses tjetër, Georgina Rodrigues, për të cilën u shpjegua se nuk mundi dot të ishte prezent.

Gjithsesi, ajo që vlen për t’u shënuar është se Alketa, e pyetur nga gazetarët se si ndihej në lidhje me këtë mbërritje në karrierën e saj, u shpreh tepër entuziaste. Ajo bëri paksa historik të lidhjes së kahershme të shqiptarëve dhe Shqipërisë me Italinë dhe në veçanti me Sanremon. Më pas, ajo falenderoi me gjithë zemër për mundësinë që i dhanë për të realizuar ëndrrën e saj, por edhe për të kulmuar karrjerën 20-vjecare, e cila, siç tha ajo, lindi me radion.

“Është çmim për karrierën time, mbërritja në Sanremo…”, u shpreh ajo mes të tjerash.

E pyetur nëse kishte një këngë përzemër, të cilën do ta veçonte nga të tjerat për këtë vit, Vejsiu u shpreh se sigurisht që kishte, por nuk mund ta ndante me gazetarët për shkak të detyrës që kishte. Veçse ajo foli me siguri se ky edicion do t’i përkiste të rinjve dhe që sigurisht ishte në avanguard, duke qenë se edhe njerëzit që e drejtojnë atë, e bëjnë me një dashuri aq të madhe.

Që në momentin që u mor lajmi se Alketa Vejsiu do të drejtonte Sanremon, por edhe nga momenti kur u prezantuan pak a shumë emrat që do të drejtonin këtë festival krah Amadeus, (dhe janë plot 10 gra e vajza, mes të cilave edhe me nënshtetësi të huaj), të gjithë u bënë kureshtar se pse kjo zgjedhje. Përgjigjen e ka dhënë Amadeus i cili ka thënë pak a shumë se tani Sanremo nuk është më vetëm e italianëve. Ajo ka hyrë në çdo familje dhe është pjesë e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Itali, por edhe jashtë saj. Ndaj s’kishte pse të mos qe kështu.

Ditën e mbyllim këtu, por nata për Alketa Vejsiun nuk ka filluar ende

Sonte e treta natë e një festivali emblematik. Te shqiptarja e ekraneve do të drejtohen sytë e miliona njerëzve dhe ajo më në fund do të ndihet si në përrallë.

Rrugëtim të mbarë Alketa!

Nata e dytë, Sanremo është kthyer!

Mbas kulmit të audiencës së mbrëmjes së parë të Sanremos, sonte akti i dytë në teatrin Ariston i një festivali që s’njeh moshë dhe as kufij. Nën shoqërinë e tre grave prezantuese, Amadeus, veshur me një xhaketë të kafenjtë me shkëlqim, të stilistit Gai Mattiolo, priti përsëri në skenë Fiorellon kësaj here nën lëkurën e Maria De Filipp-it.

Bashkë me natën e dytë të festivalit u përkujtua edhe data e lindjes së Fabrizio Frizit, një nga zërat dhe emrat televizivë më të dashur të italianëve, që u shua në vitin 2017 në mënyrë të papritur. Ishte e shoqja, Carlota Manttovan, e ftuar nga prezantuesi i Sanremos Amadeus, për t’i bërë homazh atij që me siguri do të drejtonte këtë festival po të jetonte, siç thotë prezantuesi.

Prezantueset në krahë të Amadeus për këtë natë janë Sabrina Salerno dhe dy gazetaret e Rai-t, Laura Chimenti dhe Emma D’Aquino. Ema ka zgjedhur të vishet me Antonio Grimaldi ndërsa kolegia e saj ka zgjedhur stilin e Sylvi Giradina, ndërsa Sabrina me gjithë incidentin e parashikuar pothuajse nga ana e saj, të takës së ngecur në shkallë, u prezantua elegante me fustanin e zi tepër të çarë për të evidentuar fizikun e saj ende në formë.

Duket se produksioni i Sanremos së këtij viti i ka kushtuar shumë rëndësi asaj çka është sociale. Mbas monologut të natës së parë, të gazetares palestineze, e cila u komentua si “fituese e Sanremos”, këtë natë të bën përshtypje që nga përzgjedhja e grave jo për bukurië rinore, por për pjekurinë e karrierën mbi shpinë dhe deri te mbërritja në skenë e djalit me SLA, për të sensibilizuar shoqërinë me mesazhin e të jetuarit të jetës me gjithsej.

Është mbrëmje emocionuese, rikthehen Richi e Poveri, bërë bashkë mbas shumë kohësh të ndarë. Vjen në skenë i madhi Zucchero, Masimo Ranieri e Gigi D’Alesio dhe sigurisht Tiziano Ferro që manifestoi për herë të dytë sonte të njëjtën pamundësi për të kapur notat e larta të Big-ve të muzikës italiane.

Sa i përket konkurrentëve në garë, emrat e mëdhenj i janë rikthyer skenës: Piero Pelu e Michele Zarillo, pastaj Elettra Lamborghini, Enrico Nigiotti, Levante, Pinguini Tattici Nucleari, Tosca, Francesco Gabbani, Paolo Jannacci, Rancore, Junior Cally, Giordana Angi. Me ndonjë përjashtim, muzikës së Sanremos i është kthyer cilësia muzikore.

Nga dy çiftet e të rinjve u përzgjodhën edhe dy emrat që do të vazhdojnë garën: Marco Sentieri dhe Fasma.

Në fund të natës së gjatë të Sanremos u bë një klasifikim paraprak në vend të parë të të cilit ishte Francesco Gabanni me këngën Viceversa, I shoqëruar nga Piero Pelu në vendin e dytë, pastaj me radhë Pinguini Tattici Nucleari, Tosca e Michele Zarillo.

Nesër jemi në pritje të vazhdimit të këtij manifesti muzikor, ndjekur në nivel ndërkombëtar, në të cilin do të prezantojë edhe Alketa Vejsiu, vajza e skenave shqiptare.

Nga Fiorello te Diletta Leota, parada e veshjeve në natën e parë të Sanremos

Një nga temat më të spikatura në çdo edicion të Sanremo-s ka të bëjë me veshjen dhe look-un e prezantuesëve, këngëtarëve dhe të ftuarve të tjerë në festival.

Këtë herë edhe pse nuk ishte një veshje skenike, por shumë domethënëse, ai që ra më shumë në sy në natën e parë ishte Fiorello i veshur si prift. Sigurisht që ai më vonë e ndërroi veshjen, duke u paraqitur me një kostum të zi kombinuar me papion. Ndërsa miku dhe kolegu i tij Amadeus e hapi edicionin e 70-të, të festivalit Sanremo 2020, i veshur me një kostum me shkëlqim, kombinuar me papion të zi, dhe këmishë të bardhë.

Diletta Leota dhe Rula Jebreal dy prezantueset e natës së parë të Sanremos u shfaqën të veshura me fustane të gjatë elegante dhe gjithë stil. E para që zbriti shkallët e Ariston, ishte Diletta Leotta, e cila pati disa vështirësi në të ecur pikërisht për shkak të zgjatimit që kishte veshja e saj. Me rripin kontrastues që i shtrëngonte belin, ajo dukej si një divë Hollivudi. Pastaj, pjesa e poshtme e fustanit e fryrë si princeshë, në modelin Gracy Kelly. Veshja e saj linte për të dëshiruar.

Ndërsa gazetarja palestineze Rula Jebreal, rrëmbeu zemrat e të gjithëve me veshjen rrëzëllitëse Armani. Të dyja dukeshin si princesha përrallash. Madje shumë nga komentet e para në rrjetet sociale e krahasuan veshjen e Diletta-s, me atë të  Princeshës Bella në filmin e animuar  ‘E bukura dhe Bisha’’.

Sa i përket këngëtarëve, krahas zërit të mrekullueshëm që kumboi përmes këngëve garuese, ata sollën me vete në festival edhe stilin e tyre në të veshur. Irene Grandi u shfaq e veshur në stilin rock, me bluzë dhe pantallona lëkurë, veçse linte shumë për të dëshiruar. Ndërsa kolegia e saj që i kishte munguar për vite të tëra skenës së festivalit, Rita Pavone u shfaq me një veshje shumë më elegante, pantallona të ngushta të zeza dhe një xhaketë gjith grint, qw kombinonte me pantallonat. Po ashtu edhe Achille Lauro, kantautori roman i habiti të gjithë: ai u shfaq me njw tunik të zezë dhe pikërisht në mes të performancës së tij u zhvesh gati nudo, dhe mbeti në trup vetëm me një rrjetë me shkëlqim, e gjitha Gucci. në të vërtetë ai imitoi San Françeskon në pikturën e Giotto.

Sanremo 2020 rikthen emrat ikonë të muzikës italiane! Fiorello shfaqet i veshur si prift

Ka nisur nata e parë e festivalit të këngës italiane Sanremo 2020. Me një skenografi magjike, nën prezantimin e Amadeus, edicioni i 70-të i festivalit shënon një rikthim në të kaluarën, të paktën sa i përket këngëtarëve pjesëmarrës në konkurs, si: Irene Grandi, Rita Pavone, Elodie, Marco Masini etj. Organizatorët e festivalit kanë bërë një ndarje klasike të këngëtarëve në garë, midis atyre Big dhe kategorisë së të rinjve (24 këngëtarë të mëdhenj dhe 8 propozime të reja).

Në skenën Ariston, Amadeus nuk do të jetë vetëm, por do të shoqërohet këtë vit nga 10 prezantuese: Laura Chimenti, Antonella Clerici, Emma D’Aquino, Rula Jebreal, Diletta Leotta, Francesca Sofia Novello, Georgina Rodríguez, Sabrina Salerno dhe Alketa Vejsiu, të cilat do të alternohen në 5 mbrëmjet e festivalit.

Sonte përkrah Amadeus është gazetarja Rula Jebreal dhe moderatorja simpatike e emisioneve sportive, Diletta Leotti.  Dy vajzat janë prezantuar me fustane mahnitëse, Diletta me një fustan të verdhë të gjatë, ndërsa Rula me një fustan në ngjyrë argjendi.

Për të mbështetur Amadeus gjatë netëve të festivalit, do të jenë gjithashtu dy super të ftuar, shumë të dashur për publikun italian dhe jo vetëm: Fiorello dhe Tiziano Ferro.

I pari në skenën Ariston, i ftuar nga Amadeus ishte Fiorello, i cili i surprizoi të gjithë ndërsa u shfaq i veshur si prift. Këngëtari dhe moderatori jo pa qëllim e bëri këtë veshje, ndërsa përcolli për publikun mesazhin e paqes dhe dashurisë ndaj njëri-tjetrit, sidomos në këto kohë të vështira, por edhe për të ironizuar pak me polemikat para nisjes së Sanremos, që duhet thënë nuk kalon kurrë pa diskutime të nxehta, duke qenë festa më e rëndësishme e këngës italiane. Ndërsa, Tiziano Ferro këndoi për të përshëndetur publikun, këngën e famshme italiane ‘Volare’ të të madhit Domenico Modugno.

Për të shënuar ishte incidenti me zërin e Tiziano Ferro-s, ndërsa kërkonte me gjithë shpirt të arrinte notat e larta në këngën e dytë përshëndetëse, Almeno tu nell’universo, të Mia Martinit. Lotët e këngëtarit ishin aq të sinqertë sa e gjithë salla u ngrit në këmbë dhe e duartrokiti ngrohtë për ta çliruar nga emocionet e forta.

“Prisha gjithçka”, thotë ai mes lotësh, “më falni!”

Duket sikur pas përplasjeve e akuzave si seksist drejtuar Amadeus, filli i argjendtë që shoqëron si nerv qendror Sanremon është Gruaja, mbështetja për të dhe lufta kundër dhunës ndaj saj. Dhe kjo u manifestua me monologun rrënqethës së njërës nga grave që shoqëronte Amadeon në prezantimin e natës së parë, Rula Jebrael, gazetarja palestineze. Më parë edhe prezantuesja tjetër, me në qendër të vëmendjes gjyshen e saj, pati një monolog mbi gruan, të qënin e bukur dhe nëse kjo do të duhej të shihej ndaras apo në të gjithën e qenies.

Festa do të vijojë për 5 netë me radhë, deri ditën e shtunë, kur do të jetë dhe nata finale që do të shpallë fituesin e këtij edicioni të 70-të të Sanremos.

Fiorello për Amadeus: Sanremo të ka transformuar në një mostër

Amadeus dhe Fiorello kanë shkëmbyer batuta mes tyre, një ditë para nisjes zyrtare te edicionit të 70-të të Sanremos. Gjatë një konference për shtyp ku po flitej për festivalin, prezantuesi kryesor i këtij edicioni Amadeus, tha se asnjë nga polemikat e bëra deri më tani në adresë të festivalit, nuk e ka lënduar: ‘Sanremo është për ne si Super Boël. Do të jetë një festival i paparashikueshëm, por nesër do të zbuloni gjithçka”.

Por fill pas tij reagoi Fiorello, i cili tha me humor: ”Amadeus më zgjodhi pikërisht mua sepse jam i bukur. Ndërsa ai vetë është njeri i mirë, por Sanremo e ka transformuar në mostër. Është armiku numër 1 i publikut. Tani të duhet të ndryshosh mendimin e të gjithëve. Mund të ndihmoj edhe unë në të gjitha netët, por të enjten nuk do të jem. Këtë vit bëhen 20 vjet nga dalja e këngës sime të suksesshme, ‘Më në fund ti’ (Finalmente tu). Do të doja ta këndoja me Tiziano Ferro. Me Benigni-n, jo. Ndërsa, Junior Cally-n e kam ftuar në pagëzimin e vajzës sime”.

Fiorello vijoi me tej duke bërë shaka me shumë polemika, të këtyre ditëve duke shtuar se Amadeus nuk e kupton çfarë përshtypje lë te njerëzit. Madje ai nuk ngurroi të tregonte edhe disa histori të vjetra mes tyre. ”Në vitet 1990 ishim në diskotekë në Ibiza, ai nuk donte të vinte. Ne kishim një guru, Sandy Marton. Amadeus hipi mbi një kub, po nuk pa kë kishte afër; dy balerinë me ngjyrë, që ishin nudo.  Ai ishte në mes të tyre dhe s’e kuptonte. Ju ankoheni nëse flet pa lidhje, por ai  sërish nuk e kupton”.

Në vijim të konferencës për shtyp, Amadeus vijoi duke folur për 10 prezantueset femra, ndërsa tha se e dinte që do të kishte debate dhe kritika për këtë, por se ai ndihet mirë me zgjedhjet që ka bërë.

Sanremo 2020, ja si do të vishet Alketa Vejsiu dhe prezantueset e tjera

Vetëm pak ditë na ndajnë nga nata e parë e mbajtjes së Festivalit më të madh të muzikës italiane, Sanremo, që këtë vit do të shënojë edicionin e tij të 70-të. Sigurisht që krahas kuriozitetit për t’u njohur me këngëtarët që do të marrin pjesë në festival, skenografinë, buxhetin e plot detaje të tjera, shumë kërshëri ka edhe për 10 prezantueset femra, të cilat do të jenë në krah të prezantuesit të njohur, Amadeus. Emrat e prezantueseve tashmë janë bërë publike, por ka mbetur pa u thënë se si do të vishen ato në netët e festivalit.

 Sot mediat italiane kanë zbuluar emrat e stilistëve që do të veshin moderatoret e Sanremos. Tgcom24 shkruan se Amadeus do të vishet nga Gai Mattiolo, dhe do të ketë dy kostume për çdo natë. Ndërsa, sa i përket vajzave, ato kanë zgjedhur stilistë të ndryshëm, nisur nga preferencat e tyre. Një nga prezantueset më të vjetra të televizioneve italiane, Antonella Clerici, ka zgjedhur të vishet me fustanet e stilistit italiano-libanez, Tony Ward; gazetarja dhe moderatorja sportive, Diletta Leotta, e cila do të jetë prezantuese në natën e parë, ka zgjedhur të vishet me markën Etro; Francesca Sofia Novello do t’ia besojë veshjen e saj Alberta Ferretit, ndërsa Emma D’Aquino do të vishet nga Antonio Grimaldi dhe Ferragamo. Një tjetër prezantuese, Laura Chimenti ka përzgjedhur stilisten Federica Tosi dhe Sylvio Giardina, por ka edhe marka të tjera që mbeten top sekret.

 Ndërkohë, mediat italiane përmendin edhe prezantuesen shqiptare, Alketa Vejsiu, e cila ka zbuluar se një prej fustaneve, do të jetë nga marka e saj Class, ndërkohë që fustanin tjetër ia ka besuar stilistit, Valdrin Sahiti. Gjithashtu, Alketa do të ketë edhe një fustan të tretë në natë e tretë të festivalit, i cili do të jetë i firmës Dolce & Gabbana.

Gati për Sanremo! Alketa Vejsiu shfaqet seksi dhe provokuese

Rrallë herë e kemi parë Alketa Vejsiun të shfaqet kaq provokuese sa në këto foto. Gjithmonë e veshur bukur dhe pa shumë ekzagjerime, Alketa ka krijuar imazhin e femrës sensuale dhe gati  perfekte në çdo gjë që bën.

Por në foton e fundit vjen ndryshe, sa seksi dhe provokuese, e veshur vetëm me një pellush dhe me këmbët e zbuluara, teksa qëndron ulur në një kolltuk.

Në postimet e fundit, Alketa ka marrë mjaft komplimente, përfshirë edhe këngëtaren e njohur italiane Giusy Ferreri, e cila i ka dedikuar disa zemra, ndërsa Alketa ia kthen me puthje.

Duket se pak ditë para se të ngjitet në skenën e madhe të Sanremos si prezantuese në natën e tretë të Festivalit, në krahë të Amadeus-it, Alketa ka vendosur që krahas talentit në moderim, të ekspozojë edhe hiret e saj ndoshta në kuadër edhe të deklarimeve të prezantuesit zyrtar të Sanremos, i cili çmonte së tepërmi bukuritë dhe hiret femërore të dhjetëshes së femrave që do ta shoqëronin.

Në fakt, deklarata e tij hapi shumë polemikë, polemikë e cila pati jehonë edhe në vendin tonë, ndoshta pikërisht sepse edhe ne përfaqësohemi aty nga një prej vajzave më të artikuluar të skenës shqiptare.