Skandali i ‘Për’Puthen’, Albani: “Nuk kam thyer ndonjë rregull”

Ditën e diel, në Për’Puthen tek e Diell në Top Channel plasi debati  mes Albanit dhe gjithë të tjerëve. Shkaku ishin mesazhet që kishte shkëmbyer Albani me një vajzë, e cila ishte e gatshme të paguante, për të pasur një dhurues të materialit gjenetik për një fëmijë të dëshiruar.

Të gjithë protagonistët e emisionit filluan të diskutojnë rreth ngjarjes dhe të japin opinionet e tyre. Duket sikur edhe produksioni ka ndërmend ta penalizojë Albanin, por nuk dihet ende se çfarë vendimi do të marrin.

Ne e intervistuam Albanin, për të kuptuar më mirë se si janë zhvilluar ngjarjet.

Ti njihesh tashmë si Albani i Për’puthjes, po kush je ti në të vërtetë?

-Edhe pse njerëzit më etiketojnë si Albani i Për’puthen, unë vazhdoj të jem ai që kam qenë, një i ri i zakonshëm, me ca ambicie për të shkuar përpara. Për mua asgjë s’ka ndryshuar.

Po bëhet zhurmë e madhe pas ngjarjes së fundit, të së dielës kur u diskutuan mesazhet e tua me një vajzë që ishte e gatshme të paguante për një fëmijë, duket se opinionet  janë ndarë më dysh. Po ti si ndihesh?

– I cenuar privatisht . Megjithatë, nga natyra jam tip kurioz  dhe vëzhgues, dhe të them të drejtën më intrigoi fakti se deri ku do të shkonte kjo histori. Pse një vajzë e re nuk po i drejtohej bankës së spermës, për sa kohë ishte e gatshme të paguante dhe kërkonte ta blinte atë privatisht. E dyta, si ka mundësi që nuk kishte asnjë djalë rreth vetes, për t’ia arritur qëllimit të saj, qoftë edhe pa pagesë. Gjithsesi, cenimi i privatësisë më ka lënë shije aq të hidhur, sa vështirë ta harroj lehtë.

U diskutua në studio për një masë që do të marrë produksioni. Ti je i gatshëm për çfarëdolloj mase të jetë ajo?

– Unë e pranova në studio. Në këtë moment jam i gatshëm për gjithçka, sepse nuk mendoj se kam thyer ndonjë rregull sa i përket  produksionit. Mund të kem thyer ndonjë rregull moral, por me mbështetjen e njerëzve në rrjetet sociale, më rezulton se as këtë nuk e paskam thyer. Edhe pse, dua të theksoj se kjo është një çështje shumë delikate.

Ina u shpreh se ndihej shumë e zhgënjyer nga ty. Si ndihesh në lidhje me këtë? Çfarë ke ndërmend të bësh për ta rifituar besimin e saj?

– Në fakt java ka qenë shumë e nxehtë dhe nuk kam arritur dot të komunikoj me Inën, përveçse në studio. E kuptoj zhgënjimin e saj, jam duke menduar. Ende nuk e kam një ide, por do të luftoj për ta rifituar në një formë besimin e saj.

Ti u shprehe se kishe nevojë për para. A nuk iu paguan mjaftueshëm Top Channel?

Ne nuk paguhemi fare, por kjo nuk ka të bëjë me faktin që unë kërkova lekë aty.

Po planet e tua për të ardhmen?

– Deri tani kam qenë i bllokuar me emisionin, por sikurse duhet menduar seriozisht e ardhmja, vendosa së fundmi të investohem në një biznes timin, një qendër masazhesh. Shohim si do të shkojë!

Një mesazh, apo diçka që të ka ngelur pa thënë  dhe që dëshiron ta thuash patjetër? 

Falënderoj  gjithë ndjekësit e mi që më kanë suportuar me komente pozitive. Unë jam njeri i ndjeshëm, mbase nuk e kam përcjellë dot këtë te njerëzit, por në përgjithësi kam ndjekur komentet që më bëhen. Diku kam reflektuar, diku jam nervozuar, por në fund të fundit kam vendosur të ndjek rrugën time.

Ju falënderoj për intervistën, duke qenë se është e para për mua!

Recommended Posts