Shuhet Guljem Radoja, humb betejën me Covid 19

Ndahet nga jeta Guljem Radoja, aktori brilant i roleve të spikatura në kinemanë shqiptare. Aktori 75-vjeçar luftoi me covid-19, pa mundur ta fitonte dot betejën. Ai ndodhej i intubuar në spitalin Shefqet Ndroqi në Tiranë, pasi kishte gati një muaj që po përballej me virusin në spitalin e Durrësit, qytet edhe ku jetonte.

Ditë më parë, për Guljemin, disa nga miqtë e tij të skenës shqiptare i bën thirrje shtetit shqiptar për ta dërguar për shërim jashtë shtetit, duke mësuar gjendjen e tij të rëndë. Por mesa duket, për aktorin rrebel, me origjinë shkodrane u mbyll këtu rrugëtimi.

Është bërë e udhës të mbushim faqet e gazetave me nekrologjinë e tyre, pa mundur si gjithmonë të bëjmë asgjë sa janë gjallë.

E udhës është t’u bëjmë edhe biografinë e të rreshtojmë pasurinë që lënë për ne, të gjithë ne, me galeritë e figurave të tyre, që na rritën. E mesa duket, as ne nuk i shpëtojmë dot uniformitetit në këtë rast, edhe pse do të duhet të themi se ai ishte një nga aktorët që ishte kundër prishjes së Teatrit Kombëtar, për të cilën zakonisht nuk flitet në nekrologjitë e sotme.

Brez të tërë e kujtojnë Guljemin si Stefan Bardhi në filmin “Mësonjtorja”, apo në rolin e Petro Nini Luarasit, në filmin “Kush vdes në këmbë”, tenente Gurabardhi në filmin “Në fillim të verës”, rolin e priftit në filmin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, por i pashlyeshëm edhe roli i italianit Alberto, në filmin “Gjeneral Gramafoni”.

Guljem Radoja ka punuar në disa nga teatrot e vendit: ai nisi në teatrin e Librazhdit, më pas e transferuan si regjisor në teatrin Bylis të Fierit dhe më pas në teatrin Aleksandër Moisiu të Durrësit, transferime këto, që siç ka treguar edhe vetë aktori ishin për shkak të biografisë së tij “të cënuar” në kohën e diktaturës.

Edhe në teatër ai përmendet për rolet në dramat “Bourgeois Wedding” e Bertold Brehtit, “Me syrin e një klouni” e Heinrich Bellit, “Trojanët” e Vasilis Theodoropulosit etj.

U prehsh në paqe, Guljem Radoja!

Recommended Posts