Shën Valentini, dashuri në kohën e kolerës covid

Jemi mësuar që me ditën e Shën Valentinit t’i provojmë të gjitha ndijesitë: pak të shpresojmë te dashuria, pak të zhgënjehemi, pak të dhimbemi e pak më shumë herë të tallemi e ironizojmë (sidomos kur nuk kemi më shpresa). Por duket se këtë vit, kjo ditë e përcaktuar si ditë dashurie (ç’është kjo dashuri që paska vetëm një ditë) po merr një tjetër kuptim. Sigurish që njerëzit kur janë në vështirësi, i shikojnë gjërat nga një dritë tjetër.

Ja pse herë pas here kemi nevojë për simbole dhe data, edhe pse kemi filluar të humbasim besimin te kalendarët, (në mos qoftë për datën e rrogës).

Historia e tyre do të jetë simbolika e Shën Valentinit të këtij viti, përtej Valentinos dhe të gjithë historive me dashuri. Nuk e dimë nëse do të jetë më shumë se ky vit kjo simbolikë, por këtë vit është e sigurt, pasi është historia që mund t’i prekë të gjithë e të na bëjë të hedhim sytë nga ai/ajo që kemi në krahë, për të reflektuar qoftë edhe një sekond, nëse jemi në lartësinë e simbolikës.

Derek e Margaret u dashuruan që 14 vjeç dhe jetuan 70 vite martese së bashku, bën me dije Manchester Evening News. Nuk e dimë si ia kanë bërë, por kaq e vërtetë është që në bazë të jetëgjatësisë së tyre ishte dashuria, sa pushuan në paqen e madhe vetëm kur panë njëri-tjetrin në fund, në shtretërit e një spitali covid.

Lufta të merr gjithçka, edhe jetën, por jo gjithmonë dashurinë dhe kështu ndodhi edhe me 91-vjeçarët britanikë. Ndërsa ai shkoi tek ajo, në shtratin ngjitur, sa për ta parë, një shtrëngim dore dhe dy fjalë të shkëmbyera, ajo ishte më e qetë dhe dukej sikur u përmirësua papritur. Pjesën tjetër e bën lotët. Foton që përjetësoi gjithçka e shkrepi e bija, e cila duhet të ketë qenë dëshmitare e dashurisë së tyre për më gjatë se fundi.

Gjithsesi, ai e la i pari këtë botë, duke marrë me vete shtrëngimin e duarve të saj dhe ajo, pak ditë më pas, duke marrë me vete qetësimin se ata ishin e do të ishin bashkë përgjithnjë.

Ishte vjetëruar historia e Shën Valentinit njëditor, tashmë u rinovua nga realiteti i një lufte që po merr jetët njerëzore në mënyrë absurde dhe në panjohje, e sidomos jetët e atyre që janë ngrohtësia e streha e çdo nipi e mbese.

Po merr jetët, por dashurinë jo, jo gjithmonë! Shenjtët e jetës janë midis njerëzve, të dashurisë gjithashtu.

Shën Derek dhe Shën Margaret Dashuria, faleminderit!

Recommended Posts