Pse duhet t’ia besojmë votat tona, Ivi Kasos?

Në rrëmetin e ditëve shqiptare me politikë të nëpërkëmbur dhe sfilitëse, ku brritmat dhe zvogëlimi i personalitetit ka fjalën e parë të çdoditës, duket se ka ardhur koha për ndryshim.

Ndryshimet tona ëndërrimtare janë të forta dhe pritshmëritë tona po aq. Por realiteti është tjetër, rrugët janë ende të pashtruara mirë, ndaj ndryshimi, që të jetë i sigurt, ecën me hapa të kujdesshëm.

Të kthehemi te pyetja jonë: pse duhet votuar Ivi Kaso?

Me sinqeritetin në majat e gishtave me të cilat po shkruaj, për të njohur edhe më mirë figurën e një Ivi që do të na përfaqësojë në Parlament, u nisa të kërkoj të dhëna në Google.

Nuk gjeta asgjë wiki të tipit “Ivi Kaso, lindi në filan qytet, në vitin filan etj. etj.”, por një lumzë me dalje televizive, në të cilat Ivi fliste për problematikat e aksh periudhe, e për të cilat kishte një sensibilitet politik e social të caktuar.

Gjithmonë i artikuluar mirë dhe me një shqipe të patëmetë, gjë që vlerësoj shumë, për hir të së vërtetës. Një Ivi që nuk këlthet, por që kërkon argumentin (që e ka, duhet thënë) për të kundërshtuar palën tjetër me qetësi dhe edukatë, pa fyer, pa urryer, pa arrogancë.

Pse i rreshtova këto? Sepse, miqtë e mikeshat e mia të Vip, tani marrë përsipër të flas edhe në emrin tuaj, ndihemi të lodhur nga përçudnimi i tjetrit me klithma, pa edukatë, me fyerjet e tjetrit dhe të inteligjencës sonë, të cilat kemi 8 vite të gjata (mbase edhe më shumë), që i dëgjojmë dhe i shohim para syve tanë nëpër ato ekranet e vogla, mbrëmanetëve kur njeriu tërhiqet në paqe nga lodhja e ditës dhe kërkon të kuptojë më shumë nga debatet televizivë për jetën politike e jo vetëm të vendit të vet.

Ivi është përfaqësuesi i djemve dhe vajzave për të cilët kemi nevojë për ndryshimin, sepse ndryshimi fillon kështu, me çbërjen përsëpari të sherrnajave të kota, me fjalë që s’thonë asgjë, nëpër debate e ekrane.

Ndërsa kërkoja të dhëna për Ivin, kuptohet që në këto raste edhe të dhëna personale e familjare, hasa në një ftesë të një të diele televizive, ku Ivi ishte i ftuar me dashurinë e jetës së tij, bashkëshorten Sonila.

Përtej shfaqjes televizive, ku ne e dimë që njerëzit përpiqen të nxjerrin në dritë të diellit më të mirën e tyre, çdokush nga ne ndoshta di të lexojë apo të shoh në këtë rast e të kuptoj midis rreshtave.

Dhe pashë atë që kisha harruar ta shihja tashmë në qeniet politike të “kalibrit”, pra politikanët: përtej koracës së një burri të fortë në politikën e egjër shqiptare, fshihej mirë një djalë emocional, që di të dashurojë, që di të flasë për dashurinë përtej kornizave të veshjes, që dëshiron atë familjen e ngrohtë ashtu si të gjithë ne.

Dhe është dashuria në bazë të qenies së tij, e pavarësisht se ky nuk është vyrtyt, (pasi do të ishte e udhës të qe në bazën tonë, sikurse Zoti ka urdhëruar të jetë), sot do të duhet ta rreshtojmë te virtytet, pasi rrallë e hasim në ata që na drejtojnë apo aspirojnë për të na drejtuar.

Ivi kërkon votën tonë në datën 25 prill, e kërkon me përulësinë e punës së tij dhe aspiratave për të plotësuar ndoshta me atë idealizmin që na mungon aq shumë, se ky vend duhet dhe do të bëhet, sa kohë të rinjtë bubrojnë ende shpresat tona për të ardhmen.

Shumë nga fjalët që po shkruaj kanë fituar inflacionin e politikanëve të papërgjegjshëm, por jam e sigurt që do të kthehet përsëri pesha e fjalës dhe bashkë me të llogaridhënia, gjëja më normale që kontrollon demokracinë në një vend.

Ivi dhe grupimi i tij politik po ngjall shpresën tonë dhe mbase është koha ta nisim nga fillimi, ashtu si do të duhet të jetë, ashtu si do të donim të ishte.

Le ta fillojmë me qytetarinë dhe dashurinë në bazë, për të shkuar drejt zgjidhjeve të problemeve që na shqetësojnë në secilën ditë.

Ne humanët jemi qenie politike që në krye të herës kur u organizuam në shtete dhe qeverisje, e për këtë arsye, sado të duam të rrimë larg saj, nuk është e mundur.

Ndaj vota për Ivin është vota për një nga ne, aq kohë sa Ivi do të mbajë mend premtimet e tij, sa kohë që Ivi do të udhëhiqet nga Vlerat dhe Vizioni dhe sa kohë këto janë komponentët që çojnë drejt Së Ardhmes.

Ivi premton të mbrojë të ardhmen tonë dhe ne do të duhet t’i japim shansin e votave tona!

revista VIP

Recommended Posts