Protestë e vajzave dhe grave në Rrëshen, pas përdhunimit të vajzës 15-vjeçare

proteste e grave ne rreshen

Ditën e sotme, vajza dhe gra aktiviste të të Drejtave të Grave kanë protestuar në qytetin e Rrëshenit. E gjitha kjo në mbështetje të skandalit të disa ditëve më parë, kur një 15-vjeçare dhe familja e saj kanë denoncuar një grup prej 5 personash, për përdhunimin në grup.

Protesta kundër përdhunimit

Vajzat dhe gratë mbanin në duar pankarta dhe kanë marrshuar në qytet me thirrjet: “Ti nuk je vetëm” apo “Përdhunimi është krim”.

Protestueset kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve shtetërore kundër përdhunimeve të grave e vajzave, si dhe marrje masash të ashpra lidhur me këtë.

Në protestë u panë edhe nëna, të cilat të pasigurta për vajzat e tyre të reja, me lot në sy shprehen se faji nuk është i vajzave, por i atyre që përdhunojnë.

Gjithashtu, në radhët e protestuesve ka qenë edhe Ipeshkvi i Rrëshenit, Dom Gjergj Meta, në mbështetje të grave dhe vajzave dhe “në respekt për tjetrin, për trupin e tjetrin, për gratë fëmijët, adoleshentët. Respekti është në bazën e gjithckaje”, siç shprehet ai.

Nga ana tjetër, edhe Delegacioni i BE-së në Shqipëri është shprehur sot në mbështetje të grave dhe vajzave, duke u shprehur se “indiferenca vret”.

Ngjarja e përdhunimit

Vajza 15-vjeçare nga Mirëdita u përdhunua për një muaj nga një grup prej 5 personash. Personat, të gjithë në moshë madhore, madje edhe familjarë shumica e tyre, veç një 17-vjeçari, kanë marrë masën e sigurisë “arrest me burg”. Ngjarja e ka zanafillën në datën 8 mars dhe vajza kërcënohej me foto e video për të heshtur.

Të gjithë personat ishin të njohur të familjes, duke qenë banues të një vendi të vogël. Ndërkohë familjarët e vajzës kërkojnë largimin e tyre nga vendi i banimit, pasi prania e tyre thellon problemet psikologjike të së resë.  

Pritet që protestat e aktivisteve të të Drejtave të Grave të vazhdojnë edhe në qytete të tjera, ndërsa ditën e dielë, një protestë e madhe po organizohet në kryeqytet.

Recommended Posts