Po ti si e quan, rimel apo mascara? Le ta zbulojmë së bashku misterin e emrit të produktit që na i bën qerpikët më të bukur!

sy me rimel

Rimel apo mascara, besojmë se edhe ti e njeh objektin që thekson ngjyrën e qerpikëve tona me të dy emrat. Zgjedhja e termit më të saktë na kërkon të njohim pak historikun e lindjes së produktit.

Të mendosh se është një nga produktet më të dashura për ne, është pak e çuditshme se si nuk e kemi ende të qartë si quhet në të vërtetë.

Më parë është quajtur rimel, por së fundmi, make-up artistet i dëgjojmë që e quajnë më së shumti mascara. Tani ka një lloj konfuzioni dhe në përdorim vazhdojnë të jenë të dy variantet, madje edhe ndonjë tjetër.

rimel

Po çfarë ka që s’shkon dhe a po gabojmë me ndonjërin nga emërtimet? Le ta shohim duke u kthyer pas në kohë, pikërisht atëherë kur produkti lindi.

Pra, si lindi rimeli apo mascara? Pak histori

Grimi i qerpikëve është një praktikë me rrënjë shumë të lashta. Thuhet se diçka shumë e ngjashme ishte bërë tashmë në Egjiptin e lashtë, por mascara siç e njohim ne sot, në Amerikë ishte produkt i një historie romantike dashurie.

make-up rimel

Qe viti 1913 kur në Çikago një vajzë me emrin Maybel Williams na bie në dashuri me Chet Hewes, i cili, nga ana e tij, ishte gati për t’u martuar me një tjetër grua. Gruaja e re kërkoi ndihmën e të vëllait, Thomas Williams, një kimist/farmacist, i cili mendoi ta përqendronte strategjinë e joshjes së të motrës, pikërisht te shikimi i saj.

Kështu që shpiku një përbërje që bashkonte vazelinën me pluhurin e qymyrit. Duke e shpërndarë në qerpikë me ndihmën e një furçe dhëmbësh, e bëri shikimin e Maybel magnetik.

Jo vetëm që vajza e fitoi dashurinë e djalit që donte, por ja tek lindi edhe marka, që është ende sinonim i make up-it: Maybelline, e cila fillimisht prodhoi vetëm mascara në formën e një shkopi, ashtu si Thomas e shpiku. Por do të vinte Helena Rubinstein, në 1957-ën, për t’i dhënë mascara-s, formatin që njohim sot.

mascara maybelline
Po atëherë pse Rimel?

Për ta kuptuar, duhet të zhvendosemi në Evropë.

Në fakt, në Kontinentin e Vjetër, “boja për qerpikët” tashmë ekzistonte dhe qe shpikur nga ai që në 1834 kishte themeluar një markë tjetër të famshme në botën e kozmetikës, atë që ne të gjithë e njohim si Rimmel London.

Eugene Rimmel hapi dyqanin e tij të kozmetikës dhe bukurisë në Regent Street dhe krijoi produktin e tij më ikonik, një produkt qerpikësh, që e mori emrin e tij jo rastësisht.

Rimmel është historikisht më shumë emri i markës, sesa i produktit, dhe sigurisht që shtëpive të tjera kozmetike nuk u interesonte ta ruanin këtë paralelizëm, prandaj zgjedhja për të kaluar në “mascara”, që në të vërtetë do të thotë “bojë për qerpikët”, është më korrekte politikisht.

Tani ju quheni si të doni, ne kishim për detyrë t’ua sqaronim! Puç, puç!

Recommended Posts