Nexhmije Pagarusha, zëri i mrekullueshëm i diktaturës

Paska vdekur Nexhmije Pagarusha, ndjesë pastë!

Kujtimi më i hershëm që kam për Nexhmijen është nga fëmijëria ime. Do të kem qenë 6 vjeç. Jam në shtëpinë e vjetër të gjyshes dhe bëj detyrat e shkollës, ndërsa nga radioja e markës jugosllave Portorozh, e mbuluar me qëndisma, vjen me zë të ulët një këngë e Nexhmijes. Unë s’e kam mendjen aty, nuk dëgjoj as hapat e babait që kthehet nga puna. Ai me të hyrë në dhomë ndalet, mpreh veshët. Nuk më flet, as më vëren fare. Kalon skaj meje si të mos isha, e shkon dhe fik radion duke sharë nëpër dhëmbë. Pastaj del i zymtë nga dhoma. Në heshtjen e krijuar, oktava fantome të Bareshës përzihet me vajin e mbytur teë nënës sime në kuzhinë. Ajo sa ka marrë vesh se babain e kanë hequr nga puna, përsëri.

Unë jam rritur me një ndjenjë mikse ndaj Nexhmije Pagarushës, si shumë prej nesh që u rritëm nën Jugosllavi. Nexhmija ishte benjamine e lojalistëve jugosllavë, të cilët natë e ditë luftonin kulturën “iridentiste” nga Shqipëria. Nuk e teproj po të them, se në shtëpitë e të burgosurve, emri i saj ish i urryer. Këngët e saj me tone sllave e rome, në akord me udhëzimet e shokut Tito për vëllazërim-bashkim midis kombësish jugosllave, ishin tabu. Në luftën e dy diktaturave të egra për mendje e zemra të shqiptarëve, Nexhmije Pagarusha qe diva e oborrit, që pati në dispozicion të gjitha resurset e shtetit jugosllav. Asaj i jepeshin orkestrat më të mira, kompozitorë të njohur i bënin këngë enkas në spektrin e saj zanor. Njerëzve në anën e kundërt të barrikadës u mbetën kujtim i keq, paraqitjet e saj në bankete ekskluzive për shokun Tito e për të tjerë “shokë” te diktaturës. Për mua, zëri i saj është si kolonë muzikore e policisë dhe depresioneve të plakut tim.

Shpresoj të mos keqkuptohem: nuk them se gjendja qe më mirë nën diktaturën enveriste, se s’ishte. Vërtet Nexhmija u këndoi bareshave në kohën kur njeriu po aterronte në Hënë, e kur bashkatdhetarët e saj ishin kombësia më e diskriminuar në Jugosllavi. Por, në anën tjetër të kufirit, Fitnete Rexha u këndonte uzinave socialiste, ndërsa enverizmi po ushqente njerëzit me tallona, e po u thyente eshtrat në Spaç e Tepelenë. Beteja midis dy diktaturave në fushën e kulturës s’pati fitues, veç humbës tragjike në tana anët e mundshme.

Ndër humbësit ishin edhe vetë yjet e dikurshëm të estradave të diktaturës. Sa të rinj dëgjojnë sot, vërtet dëgjojnë Nexhmien? Sa Fitneten? E pra, të gjithë e dinë Hotel California. Të gjithë dinë hitet nga Pink Floid, Queen, Neil Young, a Rolling Stones. Gjithë këta u bënë yje në vitet kur diktaturat e Ballkanit kurdisnin Nexhmijen të këndojë për baresha, e Fitneten për uzina.

Sot, me distancën në kohë e hapësirën nga fëmijëria, kam arritur te një pikë, ku ndiej keqardhje edhe për Nexhmijen, edhe për Fitneten, për Vaçe Zelën, e për të gjithë artistët, që u bënë dekor diktaturash. E nuk ishte se u mungonte talenti: ku ta dish se ku do të arrinin, sikur të kishin qenë franceze a italiane. Sikur te mos kishin qenë pjellë e kombit më të shtypur në Europë.

Është mëshirë e madhe kjo, që koha shëron plagë! Ato plagë që koha s’i shëron, i zbut e i mëkon, të mos dhembin më njësoj. Koha i bën njerëzit nostalgjike, ata i merr malli për kujtime të fëmijërisë. E malli është si bareshat, u këndon veç ditëve me diell! S’do t’i kujtojë ujqërit e përgjakshëm që kafshonin në terr.

Edhe ai djali i vogël që bënte detyrat e shtëpisë, nganjëherë, kthehet e dëgjon prapë Nexhmien. E dëgjon, vërtet e dëgjon. E i dhimbset ajo, ashtu siç i dhimbset plaku me Fitneten, nëna që qan në kuzhinë, dhe vetja femijë në divan. Janë familje e palumtur të gjithë, tok me zërat nëpër eterin e radios. Dhe unë do t’i lija të patrazuar në botën e vet, me Nexhmijen në radio, po të mos ishte se ndiej prapë frymëmarrje të ujqërve në terr.

opinion nga Shqiptar Oseku

Recommended Posts