Ne NUK jemi një ditë kalendarike, e vendosur nga burrat për ne!

tre vajza te perqafuara
Ju jeni, pra ne ekzistojmë!

Asnjë nuk di ta thotë me përpikmëri pse 8 marsi është dita e gruas, madje as përpjekjen për ta quajtur “festa e gruas”. Dhe çdo vit gjendemi përpara të njëjtës dilemë dhe të njëjtave pyetje që na vijnë natyrshëm me zërin e brendshëm.

U mblodhën “baballarët e kombeve” edhe një herë dhe na përcaktuan në kalendarin e ditëve të shënuara, edhe një tjetër ditë, atë të festimeve pse jemi gra, apo protestave pse jemi gra.

Nuk jam e gatshme për të nisur historinë nga e para, pasi edhe ajo vetë është e turbullt, por një gjë e dimë të gjitha mjaft mirë; ne jemi gra, siç ata janë burra. Deri këtu çdo gjë natyrale, asnjëra nga gjinitë nuk bën dot pa tjetrën natyralisht. Rolet janë të ndara për t’i bashkuar të dy gjinitë bashkë, në një mision, atë të dashurisë për jetën, vazhdimësisë së saj.

Nuk do ta dimë dot kurrë se kur dhe pse nisi të nënçmohet gruaja, por dimë mirë se gjithçka finalizohej me të dhe këtu kam parasysh themelin, vazhdimësinë.

Nuk do të ishte e nevojshme fare të përmendej ndonjëherë si armë mbrojtëse fjalia gati denigruese sa i përket asaj çka dihet e duket, “gruaja mban në trupin e saj jetën”! Në kushte të tjera kjo fjali do të ishte po aq denigruese sa vetë lufta kundër gruas, apo vrasjet.

“Seksi i dobët” u përpoqën të na etiketonin, por seksi i dobët për çfarë? Nëse i referohet drejtpërdrejt togfjalëshit, nuk jemi ne që joshemi nga sytë, nuk jemi ne që eksperimentojmë e mburremi me seksin si krenaria e vetme e madhe në qenien humane. Atëherë përse “seksi i dobët”?

A jemi më të brishta fizikisht? Ndoshta po, edhe pse edhe kjo ha diskutim nëse provojmë të këmbejmë rolet në një lindje normale fëmije që sjellim në jetë, dhe jo një herë. Dhe harrojmë dhimbjet, dhe nuk urrejmë për shkak të dhimbjeve, përkundrazi, mbushemi me më shumë dashuri dhe e derdhim atë te të gjithë njerëzit e dashur, për t’u përkthyer në shoqëri.

Sot edhe një herë si çdo vit, një ditë në kalendar që na kujton se jemi gra, se jemi ndryshe nga ata, se jemi më të vdekshme, më të prekshme, më të nëpërkëmbura, më të pafuqishme.

Edhe një tjetër ditë që kërkon të na ndajë veçmas, edhe një tjetër ditë që kërkon të tërheqë vëmendjen e atyre, burrave pra, që ne meritojmë (të paktën në një ditë thonë ata) të urohemi, të marrim dhurata (!), madje përmes luftës së egër të feministeve, të protestojmë lirisht, pra të jemi!

Po, ata kanë vendosur që të na lejojnë të protestojmë lirisht në një ditë të caktuar. E në këtë ditë edhe njëherë të lexojmë emrat e të gjitha grave të vdekura nga duart e dobësisë së burrave. Dhe lista rifreskohet me shpejtësi çdo vit. Dhe ne përpiqemi të ngremë zërin në një ditë. Po, sepse ata na lejojnë për një ditë.

Bota e gruas shqiptare në një ditë 8 marsi është edhe më vajtuese, sepse megjithë luftën për mbijetesë ende nuk është ndarë mendja nëse duhet protestuar me listat e vdekjeve të rinovuara, apo duhet festuar me shfrenime femërore nëpër klube nate apo restorante bllokuar vetëm për gratë.

Bota e gruas shqiptare të 8 marsit është zënë në çark, qëkur bota mashkullore (përmend mashkullore, për të mos ngatërruar konatacionin e “burrërore” në shqip, çka lidhur me gruan është një nonsens i madh), nuk sheh se kombi shkon përpara nga duart e mendja e këtyre grave. Dhe nuk po ekzagjeroj aspak, anipse duket si një nga ato parrullat, me të cilat pastaj kërkojnë të na denigrojnë. Kjo është e vërteta e pastër dhe hapini sytë e bëni llogaritë!

Bota e gruas së 8 marsit të sivjetëm është edhe më e vrazhdtë. Nëse përballemi sot me një pandemi globale, më e goditura edhe njëherë është gruaja, e detyruar të qëndrojë në shtëpi për t’u përkujdesur për reston e familjes. Nuk ia lejoj dot vetes të flas për humbjen apo copëtimin e karrierës së gruas, ndërsa shumica e grave shqiptare luftojnë për mbijetesën. E ndërsa luftojnë për mbijetesën, bëhen heroinat e përgjakura të ditëve pa 8 mars, apo edhe me.

Të rejat shqiptare sot po ndryshojnë erën që përndjek anijen dhe që ka filluar të drithërojë tokën nën këmbët e burrave (literalisht). Po vjen me ndërgjegjësim, po vjen me refuzim, po vjen me rrugën e shkelur nga ato vetë. Asnjë nga ata nuk e priste që ato nuk do të mendonin më martesën si ritual dhe zgjidhje të problemeve të tyre (mbasi panë mirë se për nënat e tyre nuk qe zgjidhje), nuk do ta shihnin sjelljen në jetë të fëmijëve si primare, si detyrë ndaj tokës e ndaj jetës.

Asnjë prej tyre nuk e priste që një ditë vajzat shqiptare do të kuptonin kaq qartë ligjet e natyrës, dhe në natyrë femra zgjedh mirë për të sjellë pasardhës të fortë e të denjë. Të rejat shqiptare e kanë kuptuar këtë, ndaj kanë filluar të zgjedhin pavarësinë ekonomike (me sforco të tejskajshme sigurisht), për të qenë të zonjat më tej në përzgjedhjen e më të mirëve ndër ta. Për herë të parë vajzat nuk po tremben nga statistikat me pakicë numrash mashkullorë!

Një gjë është e sigurt, ata ndihen të refuzuar, për të parën herë ndihen të refuzuar, pasi gruaja është ndalur një hop të mendojë për të ardhmen e saj dhe përgjegjësinë natyrale që ka mbi shpatulla. E nëse ai nuk është gati (siç nuk është) atëherë ajo kërcënon ta përjashtojë nga institucioni më i vjetër, me të cilën e futën në kurth gruan, martesa.

Gruaja as në 8 mars, as në 17 prill e as në 26 maj nuk mund të pranojë të jetë një ditë kalendarike dhe as një kontratë martesore, herë ligjore e herë e heshtur. Derisa burrat të kuptojnë se të dy gjinitë bashkë bëjnë një të tërë, gratë do të refuzojnë talljet e një jete të futur në kllapën e një dite.

Ne jemi! Ne ekzistojmë!

(enkeleda ristani – për revistën VIP)

Recommended Posts