Ndjesa e këshilluar e Robertit

Është bërë trend se mund të cenosh ç’të duash dhe ia hedh paq me një “falje publike” të këshilluar. Zakonisht, për ta çuar trendin deri në fund, media duhet zgjedhur me audiencë. Ky është edhe rasti i Robertit. Ai po kërkon t’i shpëtojë gafave të veta duke kërkuar falje publike, por nuk është i mirëartikuluar dhe ‘e dreqos” gjatë komentimit të situatës. Po kërkon të na sqarojë Roberti se është keqkuptuar vetëm këtej kufijve shqiptarë. Gjë që nuk e besojmë. Herë pas here i drejtohet vetes në vetën e tretë dhe nuk del e qartë me çfarë qëllimi. E qartë fare është një gjë: Roberti nuk e ka kuptuar se çfarë “gabimi” ka bërë, ai pretendon se emërtimi i dashnores ndryshon andej dhe këndej kufijve dhe ai pretendon se nuk kishte për qëllim të fyente gratë me “këshillat” e tij sepse, sipas tij, dashnorja është ajo vajzë apo grua që ti e njeh, fejohesh me të dhe e çon në shtëpi (thotë ai). Ndërkohë, fjalët e tij ishin këshilla për gratë e martuara e me fëmijë; se si nuk do të duhej t’i mëzisnin burrat që ata më pas të mos shkonin me dashnoret. Madje, ai fliste edhe për shifra dashnoresh. E madje, madje ai bënte edhe listën e sjelljeve të mira që gratë duhej të kishin në mënyrë që burrat të mos na shqetësoheshin. Jo Robert, jo, ndjesa publike nuk bëhet me këshillime, më parë duhet ta kuptosh ku e “dhj..”, siç the edhe ti, mandej ndjesa vjen e pastër dhe e pranueshme!

Recommended Posts