Jetë të gjatë, Bob Dilan! Transformisti i përjetshëm mbush plot 80 vjeç

Për të do të na duhet të sistemojmë pak urimin tonë klasik të ditëlindjeve. Kur një si Bob Dilan mbush 80 vjeç, urimi “u bëfsh 100” duket sikur nuk bën sens. Jo vetëm sepse artistët janë të pakohë, por edhe sepse Dilan vazhdon të jetë vital e frymëzues. Kështu që, Jetë të gjatë, maestro Bob Dilan! Ky është urimi ynë për çmimin Nobel të poezisë së pak viteve më parë dhe muzikantit që ka rritur breza.

Nga artisti te miti, nga miti te njeriu

Lindi më 24 maj 1941, në Duluth, një periferi e minierave të Minesota-s. Kantautor, kompozitor, regjisor dhe piktor ridizenjoi një larmi stilesh muzikore dhe shpiku një zhanër të ri: folk rock. Ikona e kundërkulturës dhe protagonist absolut i  shekullit XX. Ishte vetëm 20 vjeç kur këndonte folk në një qytezë amerikane dhe data shënonte 11 prill 1961. U ngjit në skenën e bluesman-it John Lee Hooker, i shtyrë nga pronari i lokalit.  Ishte hebre dhe kishte hyrë në mënyrë klandestine në Amerikë. Emri i tij në regjistrat civilë ishte Robert Allen Zimmerman, por shpejt albumi i tij i parë do ta prezantonte me emrin Bob Dilan.

“Jam Bob Dilan vetëm kur më duhet të jem, pjesën tjetër jam vetvetja”

Çmimi Nobel dhe asnjë ceremoni

Në 2008 do të fitonte një çmim Pulitzer, gati i panatyrshëm dhe në 2016 në rrugën e tij u kryqëzua çmimi më i madh botëror për letërsinë: Nobeli. Më vjen ta quaj Bobeli, pasi ky çmim nuk i ishte dhënë kurrë më parë një rrokeri, për vargjet e tij. Gjithsesi, ai i la pas ritet dhe madhështine me ceremonitë e saj. Çmimin do ta tërhiqte disa muaj më vonë, shoqja e tij Patti Smith. Ai vazhdon të mendojë për shpirtin e tij kritik e rebel. Dilani bashkëkohor, i kulturuar dhe modern u bë zëri i lëvizjes pacifiste të kohës dhe luftës kundrejt gjithë padrejtësive.

Këngët e tij rrëfejnë jetën reale, pikojnë dashuri, vuajtje, politikë, filozofi dhe shëlbim shoqëror, të ndërthurura në mënyrë të pashmangshme me historinë e vendit të tij. U ndikua nga të mëdhenjtë e poezisë botërore, si poeti anglez William Blake, por iu qas të vërtetës sipas Rimbaud. Shkrimtarët e preferuar janë Çehov dhe Henry Miller.

Karriera dhe ikona Dilan

60 vite karrierë në 80 vite jetë. 60 vite karrierë në të cilat “shqeu” çdo etiketë me të cilën do të donin ta përkufizonin. Ai rikrijoi zhanre dhe tinguj muzikorë, duke sfiduar konvencionet. E gjitha kjo për të kënduar një mijë fytyrat e Amerikës me të gjithë kontraditat e saj, shpirtrat luftarakë dhe moralizmin.

U bë lajmëtari i së vërtetës dhe zëri i atyre që nuk kishin, asnjë maskë për personalitetin kompleks muzikor e poetik.

Këngët folk do ta shënjonin përjetë, ato janë plot dëshpërim, trishtim, triumf… të gjitha ndjesitë më të thella bërë bashkë. Mes realizmit dhe mitit shkruan realitetin dhe shet 110 milonë disqe në të gjithë botën.

“Sa rrugë duhet të ndjekë një njeri para se të quhet njeri”?

Blowin’ In The Wind është kënga hapëse e albumit të tij të dytë The Freewheelin’, u bë himni i luftës për të drejtat civile të vieteve ’60. Metafora e rizgjimit të një kombi të lodhur e të zhgënjyer nga politika dhe lufta në Vietnam.

Në ’63 do të ndante skënën me Joan Baez, për të cilën do të thoshte se “një zë i brendshëm më thoshte se ajo ishte gjysma ime, që së bashku me të zëri im do të gjente harmoninë perfekte”. Një partneritet intelektual dhe sentimental.

Së bashku marrin pjesë në Marshimin e të Drejtave Civile të Uashingtonit dhe hipnotizojnë turmën e madhe me dy këngë të reja: “When The Ship Comes In” dhe “Only A Pawn In Their Game”

Kalimi në rrok

Ndryshoi prespektivën e jetës dhe muzikës së tij në vitet ’70 për shkak edhe të një incidenti me motor në vitin ’66. Dhe do të lindnin të tjera kryevepra. Do të lindte Blonde on Blonde, që do të pasohej nga Mr. Tambourine Man, shkruar për Another Side Of Bob Dylan.

Pastaj Desolation Row, balada sensuale Just Like A Woman dhe shumë brane të tjera vibruese e të pamundura për t’i përmbledhur në një list. Një gjë është e sigurt, ai vendosi të distancohet nga politika dhe ideologjia dhe t’i këndojë atmosferës solitare amerikane.

Dashuritë që frymëzuan Bobin

I ndrojtur dhe i zhytur në mendime, edhe jeta e tij private është e mbështjellë me mister. Shumë flirtime, dashuri dhe marrëdhënie të hapura. Bob 20-vjeçar bie në dashuri me aktivisten Suze Rotolo. Ajo është vajza që shfaqet, në ’63, në kopertinën e albumit The Freewheeling Bob Dylan.

Pasi takoi muzën e tij, gruan me “fytyrën e shenjtë dhe shpirtin fantazëm”, Sara Lownds, ish-modele e Playboy, Tambourine Man prish marrëdhëniet me Joan Baez dhe aktoren e preferuar të Andy Warhol, Edie Sedgwick. Në fund të vitit 1965, Dylan u martua fshehurazi me modelen dhe në janar 1966 lindi fëmija i tyre i parë, Jesse.

Çifti kishte tre djem dhe një vajzë: Jesse, Anna, Samuel dhe Jakob, ky i fundit më vonë u bë këngëtari kryesor i grupit muzikor The Wallflowers. U divorcuan në 1977. Nga martesa e dytë, në 1986, me këngëtaren Carolyn Dennis, lindi Desiree Gabrielle Dennis-Dylan, por vetëm pas 4 vitesh u ndanë.

Gjithçka transformohet në natyrë: Bobi ky transformues i përjetshëm

Duke menduar për trashëgiminë e tij në fund të vitit 2020, Bob Dylan shiti për gati 400 milion dollarë të gjithë katalogun e tij të punës te Universal Music Group dhe kaloi lockdoën-in i mbyllur në vilën e Malibu-së, duke pikturuar.

American Pastoral është titulli i një serie peisazhesh të krijuara nga muzikanti që do të ekspozohen më pas në një ekspozitë Bob Dylan: Retrospectrum, së bashku me akuarelë të tjerë, vizatime dhe skulptura metali të krijuara mbi 60 vjet nga artisti enigmatik. Ndërsa, më 10 maj 2022, pritet publikimi i arkivës sekrete të Bob Dylan, me mbi njëqind mijë letra dhe fragmente të jetës së tij.

Gjeniu i “Lulet e së keqes”, Charles Baudelaire, dhe 200-vjetori i tij

Si sot dyqind vjet më parë lind Charles Baudelaire, një nga më të mëdhenjtë e poezisë franceze dhe botërore, si dhe pararendës i Dekadentizmit. Le ta kujtojmë në këtë ditë, atë që na dha aq shumë!

Charles Baudelaire është poeti i jashtëzakonshëm, i cili gjatë jetës së tij të shkurtër (vdiq në moshën 46 vjeç) jetoi me të vërtetë disa ekzistenca. Ai ishte një shkrimtar, poet, kritik, përkthyes, gazetar, filozof… dhe s’di çfarë tjetër, sepse sa më shumë të themi, aq më shumë ka: asnjë profesion që kishte të bënte me letërsinë dhe poezinë nuk ishte i huaj për të.

Ai eksperimentoi me drogën, me një jetë të shthurur, mori sifilizin, efektet anësore të së cilit ndoshta i morën edhe jetën para kohe. Kishte një jetë të ndarë në mënyrë të barabartë midis luksit, të cilin nuk mund ta përballonte gjithmonë, dhe varfërisë absolute. Frekuentonte prostituta, por dy prej tyre u qëndroi “besnik” deri në vdekje: gruas shumë të re hebreje të quajtur Sara dhe Jeanne Duval, një gruaje kreole.

Me të ëmën pati një marrëdhënie në kufijtë e ekstremit, nga një lidhje e fortë dhe adhuruese, në urrejtje të thellë, kur ai e akuzoi për tradhti, në kohën që ajo u rimartua mbas vdekjes së të atit të poetit.

Një jetë jashtë skemave, shumë jashtë skemave, por kjo nuk e pengoi (përkundrazi) të bëhej një nga poetët më të njohur të shekullit XX, i aftë si pak të tjerë për të menduar, skandalizuar dhe rrëfyer ndjenjat dhe dobësitë njerëzore, dëshpërimin dhe ekstazën. Edhe ato që për kohën konsideroheshin kundër natyrës. Dhe qe kjo arsyeja për të cilën ai iu nënshtrua një gjykimi dhe u akuzua për “ofendim të moralit publik dhe sjelljeve të denja”.

Vepra e tij më e njohur për të gjithë ne sot, është e njëjta që i solli telashe me ligjin: morali i përbashkët nuk ishte ende gati, në atë kohë, për të pranuar librin “Le Fleurs du Mal” – “Lulet e së keqes”, e cila në fakt e pati suksesin e madh pas vdekjes së autorit.

Le fleurs du Mal nga Baudelaire

E shkruar nën avujt e opiumit dhe hashashit, e sigurt është se pas vdekjes së tij, “Lulet e së keqes” magjepsi miliona studentë të mrekulluar nga fjalët e tij crepuskulare, siç quhen tendenca të tilla poetike në studimet e letërsisë italiane, që reflektonin dhe tregonin më së miri shqetësimet e tyre rinore.

Edicioni përfundimtar pas vdekjes, u publiku në 1868, është më i gjati dhe përmban parathënie dhe shumë poezi të hequra, në një total prej 126 lirikash, të cilave më vonë u shtuan shtojca të ndryshme. Ashtu siç edhe gjashtë poezitë të censuruara më parë nga gjykata.

“Lulet e së keqes” është botuar edhe në shqip.

Në çfarë janë konvertuar Zonjat e Para pas Shtëpisë së Bardhë? E nisim me Melania Trump…

Dikush u bë redaktore, dikush stilist, e dikush tjetër filloi prodhimin e serialeve televizive. Kështu gratë e presidentëve amerikanë dhe kryeministrave britanikë u “ricikluan”. Duke filluar me Melania Trump, e cila sapo ka mobiluar zyrën e tij të re

Lokacioni, në fakt, është tërheqës. Dhe lajmi pothuajse befasues. Melania Trump duket se ka vendosur të hapë një zyrë në Palm Beach, Florida, aty ku është zhvendosur i gjithë klani i ish-presidentit. Ish-zonja e parë ka bërë të ditur se dëshiron të vazhdojë fushatën e saj kundër bullizmit dhe për mirëqenien e fëmijëve “Be Best”. Mëkat që CNN e “prishi festën”, duke treguar se stafi përbëhet nga tre ish-punonjës të zyrës së tij në Shtëpinë e Bardhë.

A është vërtet ky fundi i Melanisë?

Ndërsa të gjithë prisnin që lajmet e fundit të nisnin nga kampi martesor Trump (bastet kanë qenë gjithmonë prezent) është surprizë kur mendon se ish-modelja u largua nga Uashingtoni në 20 Janar me minimum pëlqimi dhe se problemi i saj i parë për të zgjidhur ishte mobilimi i pallatit në Mar-a-Lago, ku u tërhoq familja. Me dekoruesen ajo kishte zgjedhur lëkurë më pak të praruara, më shumë mermer të bardhë dhe dru të errët. Por zgjedhja nuk i pëlqeu “The Donald”.

Zonja të Para përgjithmonë

Nuk është e vështirë për zonjat e para të Amerikës që të rikthehen pas mandatit të tyre. Roli i tyre, unik në botë, është i institucionalizuar. Ato përgjithësisht vazhdojnë çështjet e identifikuara gjatë presidencës së burrave të tyre, përveç se merren me bibliotekat presidenciale.

Në rastin e Melania Trump, megjithatë, nuk dihet ende nëse po bën atë që është interesi i saj personal apo po ndjek strategjinë e kthimit në politikë të ish-presidentit të zhurmshëm. Tani për tani, çka dihet me saktësi është se Trump duhet të mbrojë veten kundër akuzave të fajësimit për trazirat në Uashington.

First Lady-t, të gjitha të ricikluara

Interesant pozicionimi i ri i kësaj “zonje të parë ngurruese”, e cila në kthimin e saj në Florida (me një kaftan Gucci me pamje vintazh) refuzoi të ndalonte dhe të përshëndeste gazetarët, sepse tani ishte “off duty”, jashtë shërbimit.

Në fund të fundit, edhe ajo duket se ka vendosur ta kalonte në favor të saj, rolin e dikurshëm institucional, si edhe zonjat e para që i paraprinë asaj. Nga Jackie Kennedy te Rosalynn Carter, nga Barbara Bush te Hillary Clinton dhe Michelle Obama, pothuajse të gjithë kanë “ricikluar” veten me projekte, kujtime dhe fondacione. Vetëm Hillary Clinton vazhdoi karrierën e saj politike, duke humbur në 2016, siç dihet, në garën për Shtëpinë e Bardhë. Në vitin 2020, megjithatë, ajo u emërua dekane e Queen’s University në Belfast. Dhe tani shkruan libra me vajzën e saj, Chelsea.

Në çfarë u kthye Jackie Kennedy

Jo çdo Zonjë e Parë ka lënë gjurmët e saj jashtë Shtëpisë së Bardhë. Por nëse fillojmë nga vitet 1930, më e mira e të gjithave ishte Eleanor Roosevelt.

Edhe pas vdekjes së burrit të saj, ajo ishte shumë aktive. Presidenti Harry Truman e përfshiu në delegacionin amerikan në Kombet e Bashkuara, ku qëndroi deri në 1953, dhe më pas John Kennedy, në 1961, e vendosi atë në komisionin presidencial për statusin e grave.

Por Jacqueline Kennedy është mbase zonja e parë që ka revolucionuar më së shumti jetën e saj, pas lamtumirës tragjike në Shtëpinë e Bardhë. U martua me Aristotel Onassis në 1968 dhe, më pas, pas divorcit, u kthye në Nju Jork ku bashkëpunoi me revista si eksperte arti dhe u bë redaktore e shtëpisë botuese Doubleday deri në vdekjen e saj në 1994. Sot ajo mbetet më ikonikja e të gjithave.

Po cila është mbretëresha e zonjave të para?

Siç shkruajti London Evening Standard, ajo u dha “madhështi” amerikanëve. Në fund të viteve 1970, Rosalynn Carter, tani 93 vjeç, kur burri i saj Jimmy nuk rizgjidhet, themeloi me të Qendrën Carter që merret me gratë dhe të drejtat e njeriut. Që nga viti 2004, ajo ka drejtuar pa u lodhur Rosalynn Carter Institute for Caregiving, për të ndihmuar të sëmurët dhe familjet e tyre.

Barbara dhe Laura Bush, matriarkat e dinastisë, kufizohen në shkrimin e kujtimeve. E para në të vërtetë krijoi Barbara Bush Foundation for Family Literacy, në mbështetje të shkollimit të fëmijëve.

Një gjë është për t’u shënuar për të gjitha, veç Jackie Kennedy (e cila i mbajti sekretet për vete) të gjitha first lady-t e Shtëpisë së Bardhë kanë botuar një libër me përvojën e tyre në Uashington.

Michelle Obama, thuajse ylli rrok

Më e fundit e Michelle Obama-s, “Becoming: My Story”, ishte libri me kujtime më i shitur ndonjëherë. Michelle Obama është bërë një yll ndërkombëtar, falë imazhit pozitiv që fitoi në Shtëpinë e Bardhë. Sidoqoftë, duhet të shohim nëse ajo do të lërë gjurmën e saj edhe në projekte sociale.  Ndërkohë, më 16 Mars, “Ëaffles + Mochi” arrin në Netflix, seriali i prodhuar nga Higher Ground, kompania e prodhimit të Michelle dhe Barack Obama, në të cilën ish-zonja e parë u mëson fëmijëve sekretet e ushqimit të duhur. Lufta kundër obezitetit të fëmijëve ishte një nga “betejat” e saj në Shtëpinë e Bardhë, ku mbolli edhe një kopsht perimesh.

Por “first ladies” flasin… anglisht

Por le të shohim ç’ndodhë në Evropë.

Fondacioni është gjithashtu rruga e zgjedhur në Londër, nga avokatja e fuqishme britanike, Cherie Blair, (gruaja e Tony Bler, kryeministri britanik deri në vitin 2007), me Cherie Blair Foundation for Women, kushtuar fuqizimit të grave.

Sidoqoftë, kur Samantha Cameron u largua nga Downing Street 10, në 2016 pas disfatës së burrit të saj David në referendumin për Brexit, nisi markën e modës Cefinn dhe u bë ambasadore e Këshillit Britanik të Modës.

Bler dhe Cameron, në fakt, kanë rifilluar karrierën e tyre të mëparshme. Por surpriza angleze është një tjetër dhe quhet Carrie Symonds. 29-vjeçarja, partnerja e Boris Johnson dhe ish-shefja e komunikimit në partinë Konservatore.

Ajo duket të jetë doktoresha e vërtetë e kryeministrit në detyrë, pasi i dërgon vazhdimisht këshilla në  WhatsApp, gjatë takimeve me ministrat.

Tani ajo po punon për të drejtat e kafshëve, por ambicia e saj mbetet politika.

Sot është 12 shkurt, Dita e Darvinit 2021. Eh, sikur akademikët tanë të kishin lajmëruar ndonjë aktivitet shkencor!

Biologu dhe antropologu i famshëm britanik, i lindur më 12 shkurt, 212 vjet më parë, na la një trashëgimi të pamatshme shkencore. Dhe që nga viti 2003, Dita e Darvinit është institucionalizuar për nder të tij, me ngjarje në të gjithë botën

Trashëgimia që Charles Darwin na la është e madhe. Pa biologun dhe natyralistin e njohur britanik, nuk do të kishim pasur disa nga teoritë më të rëndësishme shkencore që njohim sot, të cilat edhe pse të diskutueshme apo të hedhura poshtë nga një pjesë e botës fetare dhe jo vetëm, duhet thënë se ka një pjesë tjetër të botës shkencore që i beson dhe mbështeten në studimet e tyre mbi to.

Midis këtyre spikat ajo në lidhje me evolucionin e species nga përzgjedhja natyrore, një nga bazat e shkencës moderne dhe antropologjisë, teorizuar nga ai në 1859.

Dedikimi i një dite atij në përvjetorin e lindjes së tij – 12 shkurt 1809 – është një domosdoshmëri, dhe që nga viti 2003, Dita e Darvinit është institucionalizuar në të gjithë botën. Dhe në të vërtetë ngjarjet për nder të tij, sot duhet të jenë të shumta sa i përket botës akademike. Për shkak të pandemisë globale, ato do të mbahen në mënyrën virtuale.

Nuk e dimë nëse edhe akademikët shqiptarë do të festojnë këtë ditë tashmë ndërkombëtare, ndërsa në faqen zyrtare të departamentit të Fakultetit të Shkencave Natyrore, por edhe në atë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, nuk kishte të lajmëruar asnjë aktivitet, sidomos virtual.

85-vjetori i një ndër kolosëve të letrave shqipe, gëzuar ditëlindjen, Ismail Kadare!

Si sot 85 vite më parë, në qytetin e gurtë të Gjirokastrës, lindi Ismail Kadare, një nga prozatorët më të njohur shqiptar, sidomos në botën ndërkombëtare të librit.

I nominuar disa herë për çmimin Nobël, Ismail Kadare ka një jetë artistike tepër të pasur. Romanet e tij janë përkthyer si pak kush në mbi 45 gjuhë të huaja, e në këtë kuadër mbetet shkrimtari më i njohur shqiptar, për të mos thënë figura kryesore e letrave shqipe.

Shkrimtari ndodhet në vendin e tij amë në këtë përvjetor ditëlindjeje dhe në nderim të tij po zhvillohen veprimtari, një prej të cilave është edhe sesioni shkencor me titull “Ismail Kadare, shkrimtar shqiptar në letërsinë botërore”, aktivitet në të cilën Akademia jonë e Shkencave bën me dije se do të ripropozojë shkrimtarin shqiptar për çmimin Nobel.

Njoftimi

Akademia e Shkencave e Shqipërisë, në nderim të 85-vjetorit të akademikut Ismail Kadare, do të organizojë një veprimtari shkencore me temën “Ismail Kadare, shkrimtar shqiptar në letërsinë botërore”. Veprimtaria do të mbahet më 28 janar 2021, ora 12.00, në Akademinë e Shkencave, në sallën “Akademikët”.Në këtë veprimtari, fjalën e hapjes do ta mbajë kryetari i Akademisë së Shkencave, akad. Skënder Gjinushi. Më pas do të vijojë kumtesa me temë “Kadare në letërsinë europiane botërore”, që do të mbahet nga drejtori i Bibliotekës Kombëtare në Tiranë, z. Pirro Misha, dhe më tej kumtesa e studiuesit të letërsisë shqipe, prof. Bashkim Kuçukut, , me temën “Kadareja në kritikën botërore, një paraqitje enciklopedike e ndërkombëtarizimit të veprës së shkrimtarit shqiptar; paraqitje e dy vëllimeve të para “Kadareja në kritikën franceze”.” Pas këtyre kumtesave, do të jepet njoftimi për rikandidimin e shkrimtarit Ismail Kadare për çmimin Nobel në Letërsi nga kryetari i Akademisë së Shkencave, akad. Skënder Gjinushi, dhe më pas do të çelet ekspozita fotografike me foto dhe dëshmi që lidhen me momente kyçe të jetës së shkrimtarit, përgatitur nga Roland Tasho.

Ismail Kadareja e nisi jetën e tij artistike në kohën e diktaturës dhe që në atë periudhë ishte një nga shkrimtarët e shquar të kohës. Që në atë periudhë ai u lejua të përkthehet dhe sidomos të botohej në Francë, vend që me fillimin e rënies së diktaturës e priti dhe iu bë një atdhe i dytë.

Çmimet e marra nga ai në rrang botëror janë të shumta dhe ka marrë pothuajse të gjithë më të rëndësishmit, përveç Nobelit.

Ismail Kadare është nderuar me çmimi Botëror “Cino Del Duca”, në vitin 1992, “Man Booker International Prize”, në vitin 2005, çmimin “Neustadt International” për Letërsi në vitin 2019, “Princi i Asturias” në Letërsi në vitin 2009, çmimi “Jeruzalem” në vitin 2015. Franca i ka akorduar çmimin më të lartë shqiptarit të letrave, atë të “Komandantit të Legjionit të Nderit”, në vitin 2016.

Romanet e Ismail Kadaresë

“Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Përbindëshi”, “Kështjella”, “Kronikë në gur”, “Dimri i vetmisë së madhe”, “Nëntori i një kryeqyteti”, “Ura me tri harqe”, “Prilli i thyer”, “Kush e solli Doruntinën?”, “Pallati i ëndrrave”, “Koncert në fund të dimrit”, “Dosja H”, “Vajza e Agamemnonit”, “Darka e Gabuar”, “E penguara: Rekuiem për Linda B.” etj.

Mbreti vdiq, rroftë mbreti! Lë këtë botë për një ndoshta më të mirë, mbreti i futbollit botëror, Diego Armando Maradona!

Ishte 1986-a. Aso kohe isha vetëm 12 vjeç, por mbase për shkak të popullaritetit që kishte futbolli, i cili ndiqej masivisht dhe edhe për shkak se nuk kishe mundësi të kishe dy televizorë e të shihje diçka tjetër, në atë kohë i kishim ndarë skuadrat botërore për të cilat bënim tifo. Unë nuk di pse isha me Italinë, edhe pse do duhej të isha me Brazilin si im atë. Por në atë kampionat Italia iku shpejt dhe më kujtohet si sot që ndihesha e humbur. Nuk kisha më asnjë arsye për të parë Kampionatin Botëror. Në kërkim të simpatisë për një tjetër skuadër, sa për kësaj here, u shfaq ai “shkurtabiqi predhë”, ai që nisi t’i ndajë njerëzit me shpejtësi në dy kampe, në ata që e adhuronin dhe ata që e urrenin. Por sa më shumë ecnin ndeshjet, aq më joseriozë perceptoheshin urrejtësit. Në diskutimet në pushimet e ndeshjeve apo më pas, ata që nuk e duronin dot sepse kishin ende skuadrat e tyre në lojë, përfundonin duke pëshperitur që ishte predhë. Aso kohe nuk e kuptoja mirë këtë, por kuptoja se ai ishte zbulimi i këtij botërori. Ishte Maradona, argjentinasi me fanellën që e bëri ta nderojë e gjithë bota. Ndodhi ajo që ishte betuar në fëmijëri, të bëhej kampion bote me Argjentinën e tij dhe në atë kampionat botëror unë e adhurova, edhe pa qenë shumë e sigurt për botën e futbollit, edhe pa ditur mirë si ndaheshin goditjet e dënimit me “fallet” e futbollistëve. Por një gjë ishte e sigurt, kuptoja liderin, aksionin dhe golin që tundte muret e pallatit ku jetoja, veç rrjetës diku në Meksikën e largët.

Në fund të atij Kampionati Botëror, tradhtova për herën e vetme skuadrën time të zemrës, Italinë. Deklarova të qenit tifoze e Maradonës, së bashku me tim atë që edhe pse nuk ishte ndonjë tifoz për t’u shënuar i futbollit, e adhuroi menjëherë. Isha bërë tifoze e Maradonës, sepse ishte ai skuadra, ai numri 10 që nuk pushonte së vrapuari, ai që e griti Kupën e Botës me dinjitet.

Maradona ishte magjistar i topit, u bë “Dora e Zotit”, por më pas hyri në histori me golin më të bukur të të gjitha kohrave. Tmerroi rrjetën dhe anglezët me topin që “el pibe de oro” e tribloi në më shumë se 70 metra. Hyri dhe mbeti në histori futbollisti i tangos, fantazisti, “Pikaso i fushës”, Zoti i futbollit argjentinas. Kjo e fundit duhet marrë literalisht kështu, po të kemi parasysh se argjentinasit e tij ndërtuan kishën e tij, ku bënin rituale dhe i faleshin e i luteshin. E gjithë kjo ndërsa ishte ende gjallë. Natyrë kontraverse, i kritikuar, siç thamë më lart deri edhe i urryer, por në fund i dashur për të gjithë.

Para pak kohësh festuam vitin e 60-të të lindjes së tij, por sot ai i preu në besë të gjithë, zemra e tij i preu në besë të gjithë ndërsa vendosi të pushojë së rrahuri.

LA PLATA, ARGENTINA – JANUARY 24: Diego Maradona coach of Gimnasia y Esgrima La Plata looks on before a match between Gimnasia y Esgrima La Plata and Velez as part of Superliga 2019/20 at Juan Carmelo Zerillo Stadium on January 24, 2020 in La Plata, Argentina. (Photo by Marcelo Endelli/Getty Images)

E gjithë bota ndihet e tradhtuar nga ai sot, e gjithë bota e bashkuar në zi, nderon atë që i përkiste edhe pse s’ishte një nga ata, ishte biri i tij, biri i popullit. Dhe ndoshta këtu qendron madhështia e tij. Varfanjaku i dikurshëm u kthye në njeriun bujar e me zemër të madhe për njerëzit, pavarësisht jetës personale të trazuar.

Si kurrë ndonjëherë gjithë bota do të ketë një ditë zi në nderim të tij, ndërsa në Argjentinën që i përkiste, tre ditë zi kombëtare. Napoli që e nderoi gjithmonë, që e quajti birin e tij dhe ai e deshi pafund, ka krijuar me shpejtësi këndin e pelegrinazhit për të, për Zotin e futbollit napolitan!

Diego Armando Maradona riafirmoi edhe një herë titullin botëror të kampionit. Ata që e deshën dhe ata që e urryen bashkohen tashmë të gjithë bashkë për ta dashur, djaloshin 60-vjeçar që i përiste të gjithë botës dhe për të cilin u ngritën në këmbë të gjithë për ta brohoritur.

U pafshim pranë Zotit, legjendë e futbollit, magjistar i topit! Unë jam tifoze e Maradonës, po ju?

(redaksia e revistës Vip)

Covid na rrëmbeu edhe një tjetër legjend, largohet nga jeta Stefano D’Orazio i Pooh

Covid arriti të na marrë edhe një tjetër legjendë, bota e Pooh sot është në zi për Stefano D’Orazio, bateristin e një prej grupeve legjend të viteve ’70.

Stefano 2 vjeç ndodhej prej një jave në spital, por shokët e tij të grupit nuk e ndan lajmin me askënd, duke pritur shërimin e njërit prej tyre. Dhe pikërisht atëherë kur u duk se shëndeti i tij u përmirësua, Stefano shkoi përgjithmonë nga Pooh dhe nga ne. Tashmë, Pooh nuk janë më vërtet.

Imagjinojmë sa të shkatërruar janë miqtë e tij nga humbja e papritur.

Herën e fundit që “djemtë” luajtën bashkë ishte për të mbështetur Bergamon, në kulmin e pandemisë së pranverës.

Stefano D’Orazio, bateristi i Pooh, largohet nga jeta

Stefano D’Orazio, bateristin historik të Pooh, e humbëm. Ai ishte 72 vjeç. Muzikanti nuk kishte fëmijë, por ai u martua me partneren e tij Tiziana Giardoni, më 12 shtator 2017, në ditën e ditëlindjes së tij të gjashtëdhjetë e nëntë.

Bota e muzikës është tronditur dhe jo vetëm në Itali; Pooh i kaluan shpejt kufijtë e shtetit të tyre, siç dinë të bëjnë të mëdhenjtë.  Një lajm që mbërrin papritur dhe konfirmon momentin fatal për artin italian e jo vetëm, vetëm disa ditë pas vdekjes së Gigi Proietti.

Në Facebook, Roby Facchinetti shkroi një grimë të dhimbjes së tij:

 “Dy orë më parë … ai ishte shtruar në spital për një javë dhe nga respekti nuk kishim folur kurrë për këtë … këtë pasdite, pas ditësh frike, u duk se situata po përmirësohej … dhe ja ku, sonte, lajmi i tmerrshëm.

Ne kemi humbur një vëlla, një partner të jetës, dëshmitar i shumë momenteve të rëndësishme, por mbi të gjitha, të gjithë ne, kemi humbur një person të mirë, të ndershëm para së gjithash me veten e tij.

Ne lutemi për të.

Ciao, Stefano, miku ynë përgjithmonë …

Roby, Red, Dodi, Riccardo

Stefano iu bashkua Pooh, më 8 shtator 1971, duke zëvendësuar Valerio Negrini. Nga ai moment fillon një aventurë e madhe përkrah shokëve të tij të skuadrës: Roby Facchinetti, Dodi Battaglia, Red Canzian dhe Riccardo Fogli. Për Pooh ai ishte baterist, vokalist dhe tekstshkrues. Stefano luajti dhe shkroi “Tropico del Nord”, “La mia donna”, “Il giorno prima”, “Se c’è un posto nel mio cuore” etj.

Stefano D’Orazio largohet nga Pooh në Shtator 2009-ës, pas një turneu me 38 data. Lamtumira (momentale) u jepet fansave me një letër të gjatë:

Unë kam mbërritur fundin [e udhëtimit], faleminderit. Tani po zbres“.

Por do të futej sërish në formacion në ribashkimin e Pooh, më 2015-ën, e së bashku me veten e tij i solli Pooh edhe tekste të reja: “Tante storie fa”, “Le cose che vorrei” e “Ancora una canzone”

 D’Orazio ka botuar dy libra autobiografikë: “Rrëfej se kam stonuar – Një jetë si Pooh” dhe “Nuk do të martohem – Si të organizosh një martesë perfekte pa pasur dëshirë për t’u martuar”

Suksesi i fundit para vdekjes së tij, për rastësi mizore, ishte një pjesë mbi Covid dhe viktimat e shumta të pandemisë në Bergamo. D’Orazio shkroi tekstin e “Rinascerò, Rinascerai”, me kërkesë të Roby Facchinetti. Në një intervistë për Fanpage.it, Roby kishte treguar detajet e këngës së solidaritetit, që fatkeqësisht ishte bashkëpunimi i tyre i fundit: “Sapo përfundova kompozimin, telefonova Stefano D’Orazio dhe, i mbingarkuar nga emocionet, e pyeta nëse edhe ai i kishte parë ato imazhe të tmerrshme dhe i kërkova të shkruaj tekstin”, thotë Facchinetti.

U prehsh në paqe i përjetshmi Stefano i Pooh!

Doli për herë të fundit nga skena e tij shekspiriane, mes duartrokitjesh, Gigi Proietti, lamtumira e fundit

Sot në rrugët dhe piazzat e Romës, kaloi për herë të fundit Gigi Proietti, kësaj here në heshtje, pa batutat dhe humorin e tij. E kësaj here edhe rrugët heshtën, edhe spektatorët heshtën, duartrokitën në heshtje shëtitjen e fundit të gjigandit të skenës.

Ditë gri sot për Romën dhe gri edhe qielli i saj. Nderimet e fundit për aktorin e regjisorin Gigi Proietti u bënë ditën e sotme në Romë, nëpër rrugët e saj u bë përshendetja e fundit e aktorit me qytetin që e deshi fort, për t’u mbyllur në tempullin e tij, në teatrin e tij, të krijuar nga ai dhe që tashmë do marri emrin e tij.

E duartrokitën miqtë e tij aktorë, në praninë e së shoqes dhe të dy vajzave, nxënësit e tij, e përshëndetën mes batutave të tij, mes vargjeve e rreshtave, mes lotësh njerëzorë dhe dikush, i pëshpëriti edhe se do të takoheshin shpejt.

Përmalluese e gjithë ceremonia e fundit dhe një korte siç e meritonte aktori, me gjithë momentin e vështirë të pandemisë, që kufizoi njerëzit në pak syresh që i dhuruan duartrokitjet e fundit të përcjelljes nëpër rrugët e Romës.

Makina që mbante përsipër trupin e tij, u shoqërua nga gjashtë motorcikleta policie në të gjithë rrugëtimin e tij të fundit.

Edhe karabinierët e Romës e kanë nderuar sot Gigin, i cili krijoi empati në rrobën e karabinierëve italianë me filmin e tij, në të cilin luajti mareshallin e karabinierëve Rocca.

Funerali i aktorit dhe gjithë udhëtimi i tij përshëndetës me Romën u ndoq hap pas hapi nga RAI Uno, televizioni shtetëror italian.

Për fat të keq duhet të pranojmë se u mbyll edhe një shkollë e vjetër e aktrimit, një nga artistë që bën të kuptojmë vlerën e artit, ashtu si sot nuk e gjen më, vlerën e artit të painfektuar me banalizmat e ditëve të sotme, pa shtirjen dhe sforcon për të qenë. Sepse Gigi Proietti thjesht ishte dhe do të jetë Artisti i vërtetë i kohëve të tjera.

Roma, Auditorium parco della Musica 04 11 2020 OMAGGIO PROIETTI PROIEZIONE SULLA SALA SINOPOLI © Fondazione Musica Per Roma / foto Musacchio, Ianniello & Pasqualini – proietti auditorium omaggio

Proietti mbylli sytë në paqe, në datën 2 nentor, ditën kur mbushi 80 vjeç, nga një atak kardiak. La pas gruan dhe dy vajza. Për shërbimet e fundit religjoze u zgjodh Kisha e Artistëve në Romë.

Do të na mungosh Maestro Luigi (Gigi) Proietti!

Finalja e një epokë, Gigi Proietti mbylli sytë sot, në ditën e lindjes së tij

E mbylli epokën duke luajtur finalen e tij, Gigi Proietti, aktori e komediani italian, që na e bëri filmin e televizionin më të dashur.

Luigi Proietti u nda nga jeta pikërisht sot, ditën kur do të duhej të festonte 80-vjetorin e lindjes. Viti i mbrapsht e mori edhe një shkollë aktorësh.

Me më shumë se 50 vite karrierë mbi supet e tij e sytë tanë, Gigi Proietti e la këtë botë në orët e para të mëngjesit të sotëm, në plotinë e tetëdhjetë viteve të tij. Tepër i njohur edhe për publikun shqiptar, Gigi e nisi karrierën e tij si këngëtar e më pas hyri në teatër ku tregoi talentin e tij të lindur sidomos në komedi.

Lindi si sot në vitin 1940, në Romë dhe në vitin 1970 triumfon me muzikalin “Alleluja brava gente”. Mbas kësaj karriera e tij pa vetëm rritje. I njohur edhe për dublimet e tij në filma, Gigi numëron 33 fiction, 42 filma, 51 spektakle teatrore, 10 albume muzikore si solist.

I njohur gjithashtu për barsaletat e tij dhe ironinë e hollë. Proietti do t’i mungojë skenës dhe spektatorit jo vetëm italian.

Interpretimi i fundit ishte në 2019, në filmin e ri Pinoku të regjisorit Matteo Garrone.

Mbas një ataku kardiak, aktori dha sot frymën e fundit në ditën e ditëlindjes së tij, e sikur ta dinte këtë fakt, do ta kishim dëgjuar të bënte autoironi me këtë fakt, nga ato të hollat që vetëm ai dinte t’i bënte.

Rrugë të mbarë në qiell, Maestro!

Mbyll udhëtimin e tij tokësor, Sir Sean Connery, i pari agjent 007

Ditë zie për kinematografinë botërore, e cila ka humbur një ndër aktorët më legjendarë të saj.  

Legjenda e “James Bond”, Sir Sean Connery ka ndërruar jetë, teksa ishte në gjumë në moshën 90-vjeçare.  

Familjarët kanë qenë ata që kanë dhënë lajmin e trishtë, duke treguar se në fakt Connery vuante prej një kohe shumë të gjatë nga probleme shëndetësore.  

Aktori i njohur skocez, me një karrierë të gjatë dhe të larmishme filmike, ndërroi jetë në Bahamas dhe la pas gruan e tij Micheline dhe fëmijët Jason dhe Stefan.  

Sean Connery numëron në repertorin e tij artistik tërësi rolesh në kinemaografinë botërore, por ai gjithmonë do të mbahet mend për rolin e agjentit 007, të cilit mundi t’i “shpëtojë” me zgjuarsi.  

Kush ishte Sir Sean Connery?  

Edhe pse dyshojmë që nuk ka njeri që nuk e njeh aktorin ikonik të kinematografisë botërore, sërish duam të nënvizojmë arritjet e tij më të mëdha në shenjë falenderimi për gjithçka që na ka dhuruar.  

Connery, i cili lindi në Edinburgh të Skocisë, ishte i biri i një kamionisti dhe një kamariereje. Në moshën 11-vjeçare nisi të ndjekë mësime danci. Pesë vite më vonë largohet nga shkolla për t’iu bashkuar Marinës. Është kjo koha nga e cila vijnë tatuazhet e tij në krahun e djathtë, në të cilat shkruhen: “Skocia përgjithmonë” dhe “Mami dhe babi”.  

Sir është personifikimi i një njeriu që ndonëse e nis nga zero, arrin shumë lart, madje në majën më të lartë të suksesit. Përpara se të bëhej një aktor i rëndësishëm i kinematografisë botëror, ai është detyruar që të kryejë gjithfarëlloj punësh deri nga ato më rëndomta dhe e kemi fjalën si pjatalarës, murator, roje, bojaxhi arkivolësh, truprojë etj.  

Në vitet ’50 jeta e tij merr një tjetër kthesë dhe këtë moment e shënjoi interpretimi i tij në një musical të rëndësishëm siç ishte “South Pacific”, e vënë në skenë në Londrën e vitit 1951, mbas disa roleve teatrore të tij.  

Por ka qenë viti 1962, kur Sir Sean Connery do të futej në historisë e kinemasë hollivudiane, duke interpretuar  për gjashtë herë rolin e James Bond, agjentit të famshëm sekret 007, protagonist i romaneve nga Ian Fleming.  

Por ai ka interpretuar qindra role të tjera në filmat më të njohur si “Indiana Jones and the Last Crusade”, “The Rock”, “The Hunt for Red October” etj.  

Connery, si “Skocezi më i madh”, ka marrë çmimin “Lifetime Achievement” në 2006-ën, atëherë kur edhe ai konfirmoi tërheqjen nga aktrimi. Arsyet që e detyruan në këtë veprim i ka dhënë gjithmonë haptazi.  

Ai deklaroi se nuk  dëshirontë të ishte më aktiv në kinematografi për 2 arsye: sepse “pensioni është shumë i ëmbël” dhe sepse “tani ka shumë idiotë në Hollyëood”.  

Aktori i njohur gjatë karrierës ka fituar dy çmime “Bafta”, një “Oscar” dhe tre “Golden Globes”.  

Jeta e tij private  

Aktori është munduar që gjatë gjithë kohës, jetën e tij personale ta ruante me fanatizëm dhe të ishte tejet hermetik. Ai ka qenë dy herë i martuar: nga viti 1962 deri në 1974 me aktoren Diane Cilento, e cila i dha atij djalin e tij Jason, gjithashtu aktor; nga viti 1975 e deri me sot me Micheline Roquebrune.  

Ndonëse duhet të thksojmë se ka qenë gjatë gjithë kohës i preferuar nga gratë.  

Në 1989 revista “People” votoi Sean Connery si “njeriun më seksi në planet” dhe, dhjetë vjet më vonë, ai mori titullin si “njeriu më seksi i shekullit”.  

Një shpirt patriotik i pashlyeshëm  

Sir Sean Connery do të mbahet mend për shpirtin e tij luftarak dhe shumë revolucionar. Debulesa e tij më e madhe gjatë gjithë jetës ka qenë pavarësia e Skocisë nga Britania e Madhe.  

Ai ka treguar publikisht që nuk dëshironte të vinte më këmbë në Skocinë e tij të lindjes, deri pas pavarësisë së kësaj të fundit nga Britania e Madhe. Gjithashtu ai ka dhuruar duartrokitjet e tij më bujare për partinë e pavarësisë skoceze, të cilat nuk kanë munguar asnjëherë nga ai.