Pse duhet t’ia besojmë votat tona, Ivi Kasos?

Në rrëmetin e ditëve shqiptare me politikë të nëpërkëmbur dhe sfilitëse, ku brritmat dhe zvogëlimi i personalitetit ka fjalën e parë të çdoditës, duket se ka ardhur koha për ndryshim.

Ndryshimet tona ëndërrimtare janë të forta dhe pritshmëritë tona po aq. Por realiteti është tjetër, rrugët janë ende të pashtruara mirë, ndaj ndryshimi, që të jetë i sigurt, ecën me hapa të kujdesshëm.

Të kthehemi te pyetja jonë: pse duhet votuar Ivi Kaso?

Me sinqeritetin në majat e gishtave me të cilat po shkruaj, për të njohur edhe më mirë figurën e një Ivi që do të na përfaqësojë në Parlament, u nisa të kërkoj të dhëna në Google.

Nuk gjeta asgjë wiki të tipit “Ivi Kaso, lindi në filan qytet, në vitin filan etj. etj.”, por një lumzë me dalje televizive, në të cilat Ivi fliste për problematikat e aksh periudhe, e për të cilat kishte një sensibilitet politik e social të caktuar.

Gjithmonë i artikuluar mirë dhe me një shqipe të patëmetë, gjë që vlerësoj shumë, për hir të së vërtetës. Një Ivi që nuk këlthet, por që kërkon argumentin (që e ka, duhet thënë) për të kundërshtuar palën tjetër me qetësi dhe edukatë, pa fyer, pa urryer, pa arrogancë.

Pse i rreshtova këto? Sepse, miqtë e mikeshat e mia të Vip, tani marrë përsipër të flas edhe në emrin tuaj, ndihemi të lodhur nga përçudnimi i tjetrit me klithma, pa edukatë, me fyerjet e tjetrit dhe të inteligjencës sonë, të cilat kemi 8 vite të gjata (mbase edhe më shumë), që i dëgjojmë dhe i shohim para syve tanë nëpër ato ekranet e vogla, mbrëmanetëve kur njeriu tërhiqet në paqe nga lodhja e ditës dhe kërkon të kuptojë më shumë nga debatet televizivë për jetën politike e jo vetëm të vendit të vet.

Ivi është përfaqësuesi i djemve dhe vajzave për të cilët kemi nevojë për ndryshimin, sepse ndryshimi fillon kështu, me çbërjen përsëpari të sherrnajave të kota, me fjalë që s’thonë asgjë, nëpër debate e ekrane.

Ndërsa kërkoja të dhëna për Ivin, kuptohet që në këto raste edhe të dhëna personale e familjare, hasa në një ftesë të një të diele televizive, ku Ivi ishte i ftuar me dashurinë e jetës së tij, bashkëshorten Sonila.

Përtej shfaqjes televizive, ku ne e dimë që njerëzit përpiqen të nxjerrin në dritë të diellit më të mirën e tyre, çdokush nga ne ndoshta di të lexojë apo të shoh në këtë rast e të kuptoj midis rreshtave.

Dhe pashë atë që kisha harruar ta shihja tashmë në qeniet politike të “kalibrit”, pra politikanët: përtej koracës së një burri të fortë në politikën e egjër shqiptare, fshihej mirë një djalë emocional, që di të dashurojë, që di të flasë për dashurinë përtej kornizave të veshjes, që dëshiron atë familjen e ngrohtë ashtu si të gjithë ne.

Dhe është dashuria në bazë të qenies së tij, e pavarësisht se ky nuk është vyrtyt, (pasi do të ishte e udhës të qe në bazën tonë, sikurse Zoti ka urdhëruar të jetë), sot do të duhet ta rreshtojmë te virtytet, pasi rrallë e hasim në ata që na drejtojnë apo aspirojnë për të na drejtuar.

Ivi kërkon votën tonë në datën 25 prill, e kërkon me përulësinë e punës së tij dhe aspiratave për të plotësuar ndoshta me atë idealizmin që na mungon aq shumë, se ky vend duhet dhe do të bëhet, sa kohë të rinjtë bubrojnë ende shpresat tona për të ardhmen.

Shumë nga fjalët që po shkruaj kanë fituar inflacionin e politikanëve të papërgjegjshëm, por jam e sigurt që do të kthehet përsëri pesha e fjalës dhe bashkë me të llogaridhënia, gjëja më normale që kontrollon demokracinë në një vend.

Ivi dhe grupimi i tij politik po ngjall shpresën tonë dhe mbase është koha ta nisim nga fillimi, ashtu si do të duhet të jetë, ashtu si do të donim të ishte.

Le ta fillojmë me qytetarinë dhe dashurinë në bazë, për të shkuar drejt zgjidhjeve të problemeve që na shqetësojnë në secilën ditë.

Ne humanët jemi qenie politike që në krye të herës kur u organizuam në shtete dhe qeverisje, e për këtë arsye, sado të duam të rrimë larg saj, nuk është e mundur.

Ndaj vota për Ivin është vota për një nga ne, aq kohë sa Ivi do të mbajë mend premtimet e tij, sa kohë që Ivi do të udhëhiqet nga Vlerat dhe Vizioni dhe sa kohë këto janë komponentët që çojnë drejt Së Ardhmes.

Ivi premton të mbrojë të ardhmen tonë dhe ne do të duhet t’i japim shansin e votave tona!

revista VIP

ArTirana, kolonia e artit, kjo pikturë e madhe që ngjyros me dashuri Amfiteatrin e Liqenit

Prej dy ditësh tashmë po zhvillohet në kryeqytet një ngjarje e mrekullueshme artistike: kolonia e artit Art Tirana, me pjesëmarrjen e shumë artistëve nga rajoni dhe, më përtej, nga Europa.

Periudha është e vështirë, por artdashësit dhe publiku në përgjithësi, ka nevojë për shpresë, ka nevojë për artin që mban gjallë shpirtrat e tyre.

E organizuar nga dy të rinj tepër energjik, drejtori artistik Amarildo Ruçi dhe Ina Kollçaku në rolin e mikpritëses dhe organizatores së eventit, ata janë ndihmuar pa kushte nga kuratori nga Kosova, Fehmi Hoxha.

Është bërë e udhës tashmë, të jetë Bashkia e Tiranës, ajo që mbështet çdo iniciativë interesante e të guximshme të të rinjve dhe artistëve, dhe kështu ka ndodhur edhe kësaj here. Kryebashkiaku Erion Veliaj dhe institucioni që ai drejton, por edhe Ministria e Kulturës, kanë qenë inkurajues dhe në mbështetje të plotë të eventit, që po ia zhurmon paksa ngjyrat, jetës në kryeqytetin me ditët e goditura tashmë nga pandemia, si kudo nëpër botë.

Artistët dinë të bëjnë atmosferë dhe t’ia ndryshojnë faqen çdo objekti dhe kështu ka ndodhur edhe me gurët e Amfiteatrit të Tiranës, ngjyrat janë tashmë bashkëudhëtarët e vizionit të vendit që ka pritur kaq shumë artistë dhe evente këto dy vitet e fundit.

Ata janë kaq shumë të përfshirë brenda tablove të tyre, por nuk shqetësohen aspak nëse ti shkon t’i ngacmosh me batuta, apo t’u drejtosh ndonjë pyetje. Gjithmonë në humor, të gatshëm të lëkunden me tingujt e muzikës në sfond, herë të trazuar dhe të kredhur në ngjyrat e tyre dhe herë në humor të jashtëzakonshëm, atmosfera është e mrekullueshme.

Ishim në ambientet e amfiteatrit dhe pas pesë minutash na u duk se i njihnim prej vitesh. Profesorët që punojnë krahas nxënësve të tyre, aq sa ndonjëherë nuk e kupton nëse këshillohen apo kanë pranuar dorashkën e heshtur të duelit artistik.

Të çmendur të bukur, hokatarë dhe ndijesorë, në shoqërinë e tyre orët fluturojnë dhe gati-gati do të dukej e panatyrshme, nëse nuk do të ishe pjesë e grupit.

Të gatshëm për të të shpjeguar lojën e penelatave, të përkulur mbi telajo apo me duar të ngjyera në ngjyra, kupton se ata që ti i mendoje kaq të largët, atje në vendin e hyjnive, ku e kanë vendin zakonisht artistët, qënkan kaq njerëzor sa të të lënë të prekësh krijesat e tyre, të buta ende nga koloret që priten të thahen dhe admirojnë bashkë më ty edhe pikturat e miqve të tyre, qoftë edhe të rastësishëm, që bëjnë pjesë në këtë koloni.

Në datën 8 nëntor do të finalizohet edhe kjo aventurë kryeqytetase dhe mesa pamë e pyetëm secilin prej tyre, ditët në Tiranën tonë po kalojnë shkëlqyeshëm. Dhe kjo është shumë e rëndësishme për organizatorët e eventit.

Amarildo dhe Ina janë të kudogjendur dhe herë pas here kapin edhe ndonjë penel, sepse ambienti artistik, e dimë tashmë, është më infektiv se ai pandemik dhe lavdi zotave të artistëve që është kështu.

Profesor Hajrushi nuk i shpëtoi dot lojës në tablo, ai dhe profesor Nehati na thonë se janë frymëzuar nga organiatorët e eventit, për të qenë më të sinqertë, nga Ina. Përmes abstraksionit ata tregojnë ndijesitë që u jep mikpritja në Tiranë, kolonia më e re e artit. Profësor Fehmiu, që na thotë ta thërrasim Feo, është hokatar dhe shpirti i festës.

Më tej secili bën të gjithën, ja Vjosa, Mateo, Jasmina, Fehimi, Gulmira nga Kazakistani, Selver, Refkiu, Arjeta, Arjana, Suadi, Skënderi, Sabriu, Azemi dhe plot të tjerë, të zhytur në pikturat e tyre për të dhënë gjithë ngacmimet që u jep një event i mbushur me dashuri dhe entuziazëm.

Profesoresha Larisa nga Franca, ka mësuar mjaft mirë të sillet si shqiptare në ambientin, që sigurisht, është i dominuar nga ata. Kanë ardhur nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i zi, Bosnja dhe duket sikur s’ka asnjë kufi që t’i ketë ndarë nga artistët e këtej gardhit, sepse ata flasin me emocionet e tyre në telajo, me simbolikat e tyre të forta. Të duhet vetëm t’i lexosh ato me sy.

Pastaj, ka edhe mysafirë që nuk flasin shqip, por kuptojnë mjaft mirë e lexojnë mimikat, sepse ata janë lexuesit e vizives, e madje edhe shpirtt përtej lëkurës së shfaqshme.

Një gotë verë, pak muzikë në sfond dhe ngjyra, ngjyra e telajo, ca ngacmime hidh e prit, ecejakje e pritje për t’u tharë bojërat… ja kjo është atmosfera në të bukurën ArtTirana, që, shkrirë me ambientin e liqenit e Amfiteatrit, plotëson atë kuadron e madhe, pikturën që ata vetë, të gjithë bashkë bëjnë.

Lajm i mirë nga ARTI, çelet sot Kolonia Ndërkombëtare e Artit Pamor në Tiranë

Në këto ditë pandemike më në fund një lajm i mirë nga arti. Në kryeqytetin tonë, Tiranë, sot starton Kolonia Ndërkombëtare e Artit Pamor, me kurator Fehmi Hoxha, drejtor artistik Amarildo Ruçin dhe hostes e organizatore Ina Kollçakun dhe me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës.

Kolonia është konceptuar me pjesëmarrjen e piktorëve nga vende të ndryshme të botës, dhe do të çelet sot, me pritjen, akomodimin dhe njohjen e artistëve me vendin ku do të zhvillohet ngjarja artistike, kaq e dëshirueshme për publikun artdashës kryeqytetas.

Kolonia e Artit konsiston në bërjen bashkë të artistëve nga vende të ndryshme të botës dhe artistëve tanë padiskutim, dhe punimin, në ambient të hapur për vizitorët, të pikturave të ndryshme, një apo më shumë. Ngjarja do të zhvillohet në ambientet e amfiteatrit të Tiranës, në zonën e liqenit.

Artdashësit do të kenë mundësi të vizitojnë ambientin artistik për disa ditë dhe të jenë prezent gjatë punimeve që piktorët do të zhvillojnë, duke i ndjekur ata hap pas hapi.

Treshja organizative do të pres sot e do t’i urojë mirëseardhjen miqve artistë që do të kenë mundësi të marrin pjesë në këtë event, duke pasur parasysh që për shumë prej tyre ka qenë edhe e pamundur të vijnë, për shkak të masave shtrënguese në vendet përkatëse, lidhur me pandeminë.

Ata artistë ndërkombëtarë që kanë komfirmuar ardhjen do të punojnë gjatë ditëve të eventit, në sytë e vizitorëve dhe pikturat do të jenë të aksesueshme për të gjithë në çdo kohë gjatë ditëve të eventit.

Kolonia e Artit do t’i zhvillojë punimet nga data 4-8 nëntor 2020. Përveç artistëve shqiptarë, midis të cilëve edhe emra të njohur për artdashësit tanë, si Saimir Strati, mbajtësi i disa çmimeve Gines për Shqipërinë, Arif Lushi, Azem Kucana, Saimir Ahmeti, Adriana Pelushi, Jona Davidi etj., do të ketë pjesëmarrës nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Kazakistani, Franca, Turqia, Bosnja, Bullgaria etj.

Sigurisht që kjo festë e pikturës zhvillohet në kushte jo të favorshme për të bërë bashkë shpirtrat e trazuar të ngjyrave, por gjithsesi, jep shpresë dhe frymëzon në faktin se periudha e vështirë pandemike që po jetojmë nuk mund dhe nuk duhet ta ndalë artin.

Nata finale do të jetë edhe kurorëzimi i të gjithë festivalit, ku do të zhvillohet një ceremoni dhe do të përzgjidhet nga një pikturë për secilin pjesëmarrës në Koloni, si më e mira e eventit.

Në ditët në vazhdim, Revista Vip do t’ju informojë ditë mbas dite për të gjithë eventin dhe në rrjetet tona sociale do të kemi mundësi të prezantojmë edhe video e foto nga eventi.

Rrugëtim të mbarë artistëve të telajos!

Festa e librit nuk do të digjet! Panairi i librit 2020 do të jetë online

E gjitha kjo për shkak të pandemisë së covid-19, që ishte përgjegjëse për anullimin e panairit më të madh të përvitshëm të librit.

Lajmin e njofton Top Channel, i cili ka bërë të mundur krijimin e një aplikacioni të ri, nëpërmjet të cilit do të bëhet e mundur njohja e libradashësve me librat e rinj apo secilin titull pjesëmarrës në panair, përmes shtëpive botuese dhe sigurisht, blerjen e tyre.

Festa e librit nuk do të digjet!

Festa e librit kështu ka mundësi të mos humbasë fare. Kjo zgjidhje duket shumë e mirë, sepse kur jen fjala te libri, atij i jemi gjithmonë borxhli.

Aplikacionin e ka bërë të mundur webmasteri i Top Channel, Rigert Lusha. Ai shpjegon mënyrën e operimit në aplikacion, nga regjistrimi deri në momentin e blerjes dhe me mundësinë e pagesës në momentin kur merr dërgesën, gjë shumë e favorshme dhe e sigurtë për blerësin.

Panairi i librit online do të fillojë në datën 12 nëntor dhe deri tani janë të regjistruara 15 shtëpi botuese. Në pritje për t’u shtuar edhe shtëpi të tjera botuese.

Si do të funksionojë aplikacioni

Mënyrën e funksionimit të aplikacionit e shpjegoi dora vet “babai” i krijimit të tij, webmasteri Rigert Lusha.

Për të bërë blerjen online mjafton krijimi i një acaunt-i. Pasi logohemi në aplikacion duhet të japim adresën tonë, me anë të location, pasi kjo do të jetë thelbësore më pas për shpërndarjen dhe që librat e blera të vijnë në duart tona. Më pas, sigurisht do të duhet të futemi te shtëpia botuese, që na intereson, e pse jo edhe te të gjitha, madje ua këshillojmë këtë, për t’u njohur me titujt e çmimet.

Këtu do të jenë të dukshme edhe ofertat që do të jenë si zakonisht ndodh në panairin fizik. Pastaj zgjidhet libri, që do të duam të blejmë, dhe e shtojmë në shportë, selektojmë adresën tonë që e dhamë prej fillimit, dhe pastaj, paguaj në dorëzim, opsioni më i favorshëm, dhe gjithçka në rregull.

Gjithsesi, më mirë përdorimi i aplikacionit do të shihet në momentin kur gjithçka të jetë gati dhe online e në funksion.