Mbyll sytë emblema e humorit shkodran Gëzim Kruja

Në moshën 80-vjeçare, është ndarë nga jeta  mjeshtri i madh i skenës Gëzim Kruja. Ai mbylli sytë  sot paradite, ndërsa lajmi është konfirmuar nga familja e artistit.

Prej kohësh gjendja e tij shëndetësore  ka qenë e rënduar, ndërsa kohët e fundit e kishte të pamundur edhe  të fliste për shkak të sëmundjes.

Edhe pse ai i fali  shumë artit fatkeqësisht koronavirusi i pengon shqiptarët, veçanërisht  shkodranët, t’i japin lamtumirën ashtu si  e meriton. Aktori i njohur do të përcillet në banesën e fundit vetëm nga familja e tij, për shkak të masave për të parandaluar përhapjen e COVID-19.

Bashkia e Tiranës vendos kabina dezinfektimi në vendet ku ka mbipopullim

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erjon Veliaj, përmes një postimi në rrjetet sociale ka bërë me dije se nga dita e nesërme në vendet me fluks të madh personash që hyjnë e dalin do të përdoren kabina dezinfektuese.

Veliaj shprehet se kabina të tilla do të vendosen pranë Tregut të Kombinatit, si dhe pranë institucioneve, ku ka fluks përdorimi.

“Nga nesër do pilotojmë sistemin e kabinave dezinfektuese për hyrje-daljet në vendet me fluks përdorimi – si tregu i Kombinatit apo institucione të ndryshme. 👎🦠

Por kjo nuk e zëvendëson higjienën personale – ndaj laj duart dhe mbaj distancën edhe ku është kabina 🙏🏻🧼”

“Për dashurinë, shëndetin dhe jetën e gjatë”, 80-vjeçarët e dashuruar takohen në kufirin gjermano-danez pas mbylljes së kufijve

Dy të dashuruar në të tetëdhjetat, që jetojnë njëri në Danimarkë e tjetri në Gjermani, janë të vendosur dhe vazhdojnë të takohen në kufirin mes dy shteteve, pavarësisht mbylljes së kufijve për shkak të koronavirusit.

Inga Rasmussen, 85-vjeç që jeton në anën daneze dhe Karsten Tuechsen Hansen 89-vjeç që jeton në anën gjermane, u takuan dy vite më parë dhe ranë në dashuri.

Si për shumë të dashuruar edhe për ta kjo periudhë nuk ka qenë e lehtë, duke marrë parasysh izolimin dhe moshën e thyer. Janë përballur me shumë pengesa, por gjithsesi nuk janë dorëzuar dhe vazhdojnë takohen.

Ata shkojnë drejt kufirit me mjete të ndryshme transporti dhe ulen në karrige secili në një anë të kufirit, lexojnë, shkruajnë hanë biskota dhe bisedojnë.

“Dashuria vazhdon. Më pëlqen që kemi mundësi të takohemi njëherë në ditë kështu. Nuk mund të puthemi, ose të përqafohemi, por ajo është këtu dhe mund të bisedojmë për gjërat e reja,” tha Hansen.

 “Për dashurinë, shëndetin dhe jetën e gjatë,” tha ai duke ngritur gotën.

Një lajm i mirë në karantinë, vjen sezoni i katërt i serialit “La Casa De Papel”

Seriali La Casa De Papel tashmë është online në sezonin e tij të katër.

Seriali spanjoll që ka shënuar një sukses ndërkombëtar falë Netflix, ka ardhur me një sezon të katërt, të cilin mund ta ndiqni nga dita e sotme.

Sezoni i ri ka 8 episode, secili nga 41 deri në 57 minuta.Netflix e ka publikuar gjithë episodet, të cilat mund të shihen në gjithë botën për ata që kanë llogari në platformën e njohur.

Sezoni i tretë u mbyll me ekipin që po planifikonte të shpëtonte Rio-n, i cili ishte kapur nga autoritetet.

Money Heist është një nga serialet më të ndjekura në gjithë botën, ndonëse nuk është në gjuhën angleze.

Dikush paska bërë film për koronavirusin

Mostafa Keshvari, regjisori kanadez ka shkruar dhe xhiruar një film të plotë mbi pandeminë. Ngjarja zhvillohet në një ashensor, ku një vajzë kineze, mbetet e bllokuar bashkë me shtatë persona të tjerë, mes të cilëve një grua shtatzënë e një nazist i mbërthyer në karrige me rrota dhe swastikën tatuazh në kohë.

“Frika është virus.Ky film flet për frikën, është një studim mbi shoqërinë, njerëzit dhe zgjedhjet e tyre”, u shpreh Keshvari për New York Times.

 Ai ishte vetë në një ashensor duke lexuar titujt e parë të gazetave mbi sëmundjen, kur i lindi ideja  për skenat e filmit.

“Ishte fillimi dhe kishte vetëm disa incidente të vogla, askush nuk e mendonte se sëmundja do të prekte dhe të bardhët. Por virusi nuk diskriminon”, tha Keshvari.

Tradita të çuditshme në dasmat shqiptare

Dasma shqiptare veç pjesës së festimit të dashurisë, është edhe skena ku shfaqen qindra tradita, që populli ynë i ka trashëguar ndër shekuj. Ndër këto tradita, disa janë mjaft të çuditshme dhe nuk para shihen në dasmat  e vendeve të tjera.

Zakonet e dasmave, sigurisht që variojnë nga qyteti në qytet. Në këtë artikull ne do të bëjmë një përmbledhje të atyre zakoneve më interesante.

Kanagjegji
Kanagjegji organizohet nga familja e nuses, një ditë, ose disa ditë para dasmës  dhe ndryshe njihet edhe si nata e kanës (këngës), pavarësisht se shndërrohet në natën e vajit. Në kanagjegj nusja mbledh vajzat dhe gratë e fisit dhe feston me to. Në fund të tij, nusja e ardhshme ulet në një karrige i vendoset në fytyrë një shami e kuqe dhe i këndohen këngë tradicionale, që kanë për qëllim ta bëjnë të qajë.
 Ndarja e burrave nga gratë
Në momentin që krushqit vijnë për të marrë nusen, ata rrinë  për disa orë tek familja e kësaj të fundit. Gjatë këtij qëndrimi, burrat dhe gratë ndahen në dy dhoma të ndryshme. Në dhomën e grave, i këndohet  nuses nga krushqit si dhe i vendosen stoli , ndërsa në dhomën e burrave pihet alkool dhe bisedohet.
Shpulla dhëndrit
Në zonën e Korçës, në momentin e marrjes së nuses një djalë i vogël, zakonisht i afërm i nuses duhet të godasë dhëndrin me shpullë. Veç kësaj, pasi goditet me shpullë, dhëndri duhet që t’i japë para fëmijës, sa më e fortë të jetë goditja, aq më shumë para duhet të marrë fëmija. Në fund djali i vogël duhet që t’i vendosë dhe një lule në xhaketë dhëndrit.
Kulaçi
Besojmë se të gjithë e keni parë filmin “Përrallë nga e kaluara” dhe skenën kur Marigo-ja pritet nga vjehrra me dy kulaç të mëdhenj që i vendosen nën krahë. Kjo skenë ndodh pak a shumë në çdo dasmë shqiptare. Nusja kur mbërrin në familjen e dhëndrit, pritet nga vjehrra me dy kulaç, ose me një kulaç. Një copë vjehrra e këput dhe e fut në gojën e nuses, ndërsa në disa zona pjesa tjetër ndahet nga nusja dhe shpërndahet për dasmorët.

Lyerja e derës me mjaltë

Pasi nusja ka shpërndarë kulaçin, teksa i afrohet pragut të derës  nusja pritet nga vjehrra me një tas me mjaltë tek pragu i derës. Në këtë pikë e reja duhet të zhysë gishtat e saj në mjaltë dhe të lyejë pragun. Duke kryer këtë veprim mendohet se jetesa e nuses  me vjehrrën do të shoqërohet gjithmonë me ëmbëlsi.

 Djegia e shamisë së beqarit
Djegia e shamisë së beqarit është një traditë  shumë e njohur. Në fund të festimeve, dhëndrit i jepet një dorë një shami, kjo e fundit lyhet zakonisht me raki dhe digjet. Në këtë pikë dhëndri duhet të kërcejë duke tundur shaminë e përflakur. Ky zakon shënon edhe fundin e beqarisë së tij, të paktën sipas traditës.

Në ditën botërore të autizmit kujtojmë personazhet e përfshirë në spektër që kanë bërë histori

Sot është dita botërore e autizmit dhe ne thjesht dëshironim t’ju kujtonim përmes disa historive të personazheve ikonë në fusha të ndryshme që çdokush mund t’ja dalë, pavarësisht autizmit, apo problemeve të tjera.

Ndonjëherë jeta për personat që bëjnë pjesë në spektrin e autizmit nuk është aspak e lehtë, mirëpo këta personazhe të famshëm e kanë përdorur formë e tyre unikë të të parit të gjërave, për të arritur majat në fushat përkatëse.

Çarls Darvin
Nëse ju kujtohet Teoria e Evolucionit, falënderoni Çarls Darvin. Sipas mjekëve që kanë studiuar sjelljen e tij, shkencëtari që i dha botës teorinë më të fortë shkencore sa i përket origjinës së specieve ka qenë pjesë e spektrit të autizmit. Ata argumentojnë se dyshimet e tyre lindën pasi Darvin kishte tendencën që t’i kushtonte shumë rëndësi detajeve gjatë udhëtimeve, madje kishte dhe vështirësi në bashkëveprim me shoqërinë. Karakteristika këto që lidhen ngushtë me autizmin sot.
Mozarti
I konsideruar si kompozitori më i madh i të gjitha kohërave, është diagnostikuar, sigurisht nga teoricienët me sindromën Asparger, një nga spektret e ndryshme të autizmit që ndër të tjera lidhet edhe me gjenialitetin e personave. Veç kësaj personat që janë në këtë spektër të autizmit kanë çrregullime të sjelljes, nuk janë socialë si dhe vuajnë nga luhatjet e humorit.
Albert Ajnshtajn
Është konsideruar si një prej personave më të zgjuar në botë, ndoshta edhe më i zgjuari. Njeriu i jashtëzakonshëm, falë të cilit sot kemi baza për të studiuar më tej në shkencën e fizikës ka qenë pjesë e spektrit të autizmit.
Tim Borton
Ndonëse Burton nuk është diagnostikuar nga një mjek,  ai dhe gruaja e tij Helena janë të bindur se regjisori i famshëm ka Sindromën e Aspergerit, një formë autizmi e hasur në shumë personazhe të suksesshëm, të cilët ndonëse mund të jenë në kapacitetet e një gjeniu në një fushë të caktuar kanë probleme me marrëdhëniet sociale.
Bill Gates
Si është e mundur që një nga personat më të pasur në botë të jetë edhe me autizëm. Në fakt, kjo nuk është konfirmuar ende, mirëpo disa ekspertë janë të bindur se Gates bën pjesë në spektrin e autizmit nusur nga disa zakone që ai i ndjek me përpikmëri, nga ana tjetër Gates e shmang shikimin në sy dhe këto njihen si karakteristika të personave që bëjnë pjesë në spektrin e autizmit.
Steve Jobs
Disa njerëz sot mendojnë se lidhja që bëhet mes Steve Jobs dhe autizmit është spekulim i pastër, mirëpo ky pretendim po rritet akoma më shumë pas vdekjes së gjeniut në vitin 2011. Njerëzit mendojnë se Jobs bënte pjesë në spektrin e autizmit nisur nga forma e tij unike e të menduarit si dhe nga mungesa e empatisë ndaj të tjerëve.
Nikola Tesla
Falë rivalit të tij Thomas Edison i cili ka marrë meritat për shumë nga zbulimet e tij, Nicola Tesla vdiq në mjerim edhe i vetëm. Vetëm së fundmi Teslës ka filluar t’i njihet puna e jashtëzakonshme që ka bërë si dhe shumë nga idetë e tij gjeniale që ende sot përdoren. Sipas të dhënave, Tesla vuante nga një sërë fobish, ishte shumë i ndjeshëm ndaj dritës dhe zërit, si dhe e izolonte shpesh veten.

Lufton çdo ditë me Covid-19, familjarët e presin infermieren me duartrokitje në shtëpi

Në këto javë të vështira për mbarë botën, sytë, mendjet dhe zemrat e të gjithëve janë drejtuar kah mjekëve dhe infermierëve, të cilët po luftojnë çdo ditë me Covid-19, duke u kujdesur që të shpëtojnë sa më shumë jetë duke qenë në rrezik konstant e të vazhdueshëm me virusin që ka marrë deri më tani mbi 43 mijë jetë njerëzish në mbarë globin.

Përpos orëve të gjata  të punës ata janë duke rrezikuar jetën e tyre dhe gjithashtu atë të familjeve të tyre, të cilave shpesh herë u qëndrojnë larg si pasojë e rrezikut të infektimit.

Një infermiere NHS e cila përballet çdo ditë me koronavirusin një ditë është pritur nga familja e saj, pikërisht si ajo që është, si heroinë. Të rreshtuar në këmbë pranë derës, familjarët e saj e kanë pritur me duartrokitje dhe ovacione kur ajo ka mbërritur në shtëpi pas turnit të saj në spital.

Djali i saj hodhi një video në Twitter duke shkruar:

“Ne si familje e presim nënën tonë Lynne kur kthehet nga puna si heroinë. Do vazhdojmë ta bëjmë këtë sa herë që të kthehet në shtëpi.”

Amerikanët me ne fund zbulojnë bidenë

Pasi futën gjithë botën në mendime me blerjen e çmendur të letrës higjienike, amerikanët duket se i kanë gjetur zgjidhjen edhe këtij problem, me një objekt le të themi pak në njohur në vendin e tyre, bidenë.

Blerja e letrave higjienike tashmë është komplikuar shumë, ndaj dhe si pasojë njerëzit kanë filluar të porosisin në masë bide në Amazon. Ky produkt konsiderohet si objekt luksi në  vendin me ekonominë më të zhvilluar në botë dhe tani që flasim, ose më saktë para “krizës së letrës higjienike” gjendej vetëm në hotelet e luksit.

Faqet online në SHBA, tashmë nuk bëjnë gjë tjetër veçse sugjerojnë ide alternative për të mbajtur higjienën personale në mungesë të letrës higjienike. Bidetë shiten me çmime të arsyeshme dhe shpesh klientët dalin të kënaqur nga dyqanet, ose kur nuk kanë mundësi përdorin ashtu siç e bëjnë shqiptarët prej kohësh një kanoçe me ujë.

Një dëshmi shokuese në lidhje me rritjen e shitjeve të bideve vjen nga kompania Omigo, shitjet e kësaj kompanie tashmë janë rritur me 10 herë më shumë, ndërsa e gjithë situata në kompleks është konsideruar si “Black Friday” në këtë sektor.

Burimi Huffington Post

Fqinj dhe bashkëvuajtës

Të gjithë në Italinë fqinje po flasin për gjestin shqiptar. Kur them të gjithë, janë pikërisht të gjithë, që nga shkallët e epërme të politikës te të gjitha mediat e shkruara dhe tabloidët, madje edhe ato të sportit, e më tej rrjetet sociale me llogari personale.

Çfarë ka ndodhur?

Shteti shqiptar dërgoi dhe përcolli me ceremoni zyrtare, aq sa e lejon situata Covid-19, 30 personel spitalor, 10 mjekë e 20 infermierë, në vendin fqinj aq të dashur e të afërt për shqiptarët nga gjithmonë.

Deri këtu e gjitha kjo do të mund të përkthehej si një akt normal i një fqinjësie të mirë dhe solidariteti normal human, por duket se nuk është vetëm dhe thjesht kaq. Të flasim qartë, në luftën e madhe që po përballon Italia sot me koronavirusin, këta 30 personel sanitarë, nuk është se do të shpëtojnë Italinë nga e gjithë andralla e madhe që e ka zënë, mirëpo gjesti është shumë më shumë moral. Është një nga ato gjërat që ngroh shpirtra të akulluara momentalisht, të gjendur në luftë pothuajse të vetëm. Kush ka dëgjuar fjalime liderësh nëpër vende të ndryshme të botës, ka shquar faktin se të gjithë shprehen me të njëjtën tipologji gjuhe dhe të gjithë i mëshojnë faktit se në këtë luftë secili vend do të jetë i vetëm. Dëgjuar kështu, në këtë situatë ku je i detyruar të jesh i mbyllur në shtëpi, të krijon një lloj frike, sepse së fundmi jemi mësuar të mendojmë se pas gjithçkaje që ndodh në një vend, në bazë të globalizmit, gjithë të tjerët, dhe e kam fjalën për shtetet e tjera, të japin një dorë për të kapërcyer të keqen që të ka zënë. Ndërsa, në këtë rast, qenkemi të gjithë vetëm. Dhe në të vërtetë po ndodh. Të mëdhenjtë po merren me vetveten dhe kanë mbyllur dyert për të gjithë të tjerët, por kur kjo ndodh edhe brenda Evropës, çështja bëhet paksa më e ndjeshme.

Ajo që më jep nevojën për të shkruar është ngjashmëria e vazhdueshme që një popull ka me një individ. Vetminë që një individ e vuan në një kamp social, e vuan njësoj edhe një komb, ashtu si shumëçka nga situatat e tjera psikologjike. Ndaj miqtë tanë të përtejdetit ndihen sot të ngrohur dhe flasin e shkruajnë për vendin e shqiponjave, vendin jo të pasur, por që nuk harron, siç u shpreh kryeministri Rama, edhe pse mediat italiane, ndoshta për t’i dhënë edhe më shumë vlerë ndihmës shqiptare, i kanë përkthyer fjalët e tij pak më ndryshe, duke u shprehur për vendin e varfër.

Gjithsesi, ajo që sot ka vlerë është shprehja “jemi këtu, me ju”, ajo që kemi nevojë ta dëgjojmë të gjithë edhe personalisht, në ditë të vështira.

Shpresojmë që kjo luftë të mbarojë shpejt dhe të gjithë ne të mund të dalim nga dhimbja dhe kaosi i këtyre ditëve të errëta, që ndoshta i mendonim të largëta për t’i jetuar ndonjëherë.

Nga revista Vip