Me covid pa covid, Përdoreni zemrën tuaj për të rrahur!

Të zënë të gjithë me koronavirusin, duket sikur asgjë tjetër nuk ekziston. Nga ana tjetër thirrjet e vazhdueshme janë se si të mësohemi të bashkëjetojmë me të. Krejtësisht normale, si me të gjithë viruset e tjera, ndoshta, edhe pse nuk ia njohim ende mirë huqet.

Por nuk u nisa të shkruaj për koronën, edhe pse na dikton jetën nga mëngjesi deri në mbrëmje, e mbase edhe përtej.

Më bëri diçka përshtypje sot, ndërsa mora informacionin që 29 shtatori është Dita Ndërkombëtare e Zemrës dhe renda të kërkoj informacione mbi aktivitetet që Ministria jonë e Shëndetësisë, apo institucione të tjera të shëndetit publik do të kishin.

Në të vërtetë, sa hyn nëpër faqet e këtyre institucioneve, gjen vetëm “vdekjen”, në kuptimin e numrit të personave që largohen nga kjo jetë për shkak të covid, apo numrat e të infektuarve. Tmerruese, edhe sepse do të duhej të jepej herë pas here mesazhi që jeta vazhdon, edhe me koronavirus. Publiku duhet të informohet, por nuk besoj se ka nevojë “të vdesë nga frika”, pa asnjë mesazh mirëdashës nga ana shtetërore apo institucionale e njerëzore.

Por, të kthehemi te çështja që më bëri përshtypje: e dini sa informacione gjeta dhe sa aktivitete do të ndodhin sot, të planifikuara e bërë publike flasim? Zero. Gjeta vetëm një kalendar në faqen zyrtare të Ministrisë së Shëndetit, ku sigurisht ishte shënuar me tik Dita Ndërkombëtare e Zemrës, por asgjë më shumë se kaq.

Ndërkohë mediat italiane ishin të mbushura që një ditë më parë me të gjitha aktivitetet lidhur me këtë datë, madje edhe OBSH e kishte të publikuar qartë gjithë aktivitetet, përfshirë edhe sloganin: Përdoreni zemrën tuaj për të rrahur!

Sigurisht që ne kemi publikuar gjithçka ka të bëjë me ngjarjen, qoftë për të informuar publikun, qoftë edhe sepse, duke ditur se numri më i madh i vdekshmërisë në ditët e sotme vjen nga problemet kardiake, shtoi kësaj problematikën covid dhe i kemi thënë të gjitha.

Sidoqoftë, mendoj se slogani ndërkombëtar është mjaft i gjetur dhe ndërgjegjësimi i publikut që vjen i sqaruar nga kjo po aq.

Nuk na mbetet tjetër veçse të shpresojmë se diçka aty për aty e brenda ditës do të mund të organizohet edhe në Shqipëri, sepse problemet shëndetësore lidhur me zemrën në vendin tonë nuk janë të pakta. E të mos harrojmë se edhe sistemi ynë shëndetsor lë për të dëshiruar.

Enkeleda Ristani, revista Vip

Recommended Posts