Mareni për te Për’Puthen i bie nga Kina

Intervistë ekskluzive me Maren Hoxhën

Ai do të mbahet mend për hyrjen në studio me sheqer dhe piper në duar: piperin për Antonetën dhe sheqerin për Inën. Ka deklaruar se ka shkuar te emisioni Për’Puthen për Antonetën, ndërkohë, ajo që s’është thënë për të, është se ai mbërrin në emisionin e ndjekur masivisht, pas pjesëmarrjes në disa filma si aktor. Revista Vip realizoi me të një intervistë.

Kush është Mareni i para “Për’puthen”?

Unë jam një djalë 25-vjeçar. Kam mbaruar shkollën për IT në Durrës. Mbas një vit qëndrimi në Amerikë, u ktheva për të kryer studimet e larta në vendin tim. E ndërkohë që vazhdoja studimet, dëgjova për një audicion që bëhej nga regjisori Fatmir Koçi dhe thashë: pse jo? Shkova dhe fitova. Më dhanë rolin e një kapo-bande, rol i rëndësishëm për një 19-vjeçar. Duke qenë se bashkëpunimi i parë shkoi mirë, regjisori më kërkoi edhe për një të dytë, “Elvis walks home”, rolin e një ushtari serb.

Ndërkohë, rrahjet e zemrës gjatë kësaj periudhe?

 A, ju doni të dini për dashurinë e parë?! Sigurisht. Kam qenë 18 vjeç kur u dashurova për herë të parë, por nuk zgjati shumë sepse ajo u transferua jashtë vendit. I mbajtëm kontaktet edhe për pak kohë, por nuk po funksiononte më. Largësia bëri të vetën.

Kur erdhi filmi tjetër “Balkan Blood”?

Edhe këtë herë me audiencë të hapur. Regjisori Shu Hau ishte në kërkim të plotësimit të kastit me aktorë shqiptarë. Duke qenë se aktorit kryesor kinez i duhej një krahë i djathtë, atëherë më zgjodhën mua.

Ku u bënë xhirimet?

Në Petrelë, te Vila e Zogut në Durrës dhe në portin e Vlorës.

Të gjitha rolet me personazhe negative. Çfarë kanë parë regjisorët te ty?

Regjisorët kanë intuitën e zbulimit të karakterit të personazhit që duan, në fytyrën e aktorit. Ndoshta të dy regjisorët panë këtë tek unë. Nuk është e thjeshtë të luash personazhet negative.

Si ishte të punoje me regjisorin kinez?

Ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme. Regjisori ishte tepër komod, edhe pse unë ndihesha shumë i frikësuar. Roli ishte me përgjegjësi dhe ia dola.

Nga filmi kinez drejt e te “Për’puthen”, pse kjo zgjedhje?

Doja të provoja edhe një eksperiencë të gjallë televizive. Ku i dihet, ndoshta deri në fund përputhem me Antonetën. (qesh)

Si është kjo eksperiencë e re?

 Krejt ndryshe nga filmi. Po vë re se njerëzit më njohin më shumë si Mareni i Për’puthen se djali i filmave.

 Përse i dhurove Inës sheqer dhe Antonetës piper?

Doja ta bëja hyrjen time më komike, por me sa u pa, u keqkuptua nga të dyja vajzat.

Është e vërtetë se ke shkuar në emision vetëm për Antonetën? Nuk do të dalësh asnjëherë me Inën dhe Edonën?

Më pëlqen të fokusohem e të bëj për vete vetëm një vajzë, dhe ky është mesazhi që dua të jap edhe për djemtë e tjerë të moshës sime.

Çfarë do të ndodhë me të ardhmen tënde, duke qenë se të dy djemtë e familjes (edhe vëllai yt) aspirojnë filmin?

Unë së shpejti do t’i bashkohem familjes sime në Amerikë. Synimi im është Hollivudi. Duket si ëndërr e madhe, por pse jo? Sot mund të arrihet gjithçka; punë, pasion, pak fat dhe besoj se mund të realizohet.

Kujt i je mirënjohës për çfarë ke bërë deri tani dhe djalin që je?

Dua të falenderoj tim atë që më ka mbështetur në çdo hap timin! Ka fare pak kohë që e humba babin, por do të punoj fort për ta bërë krenar për mua.

Dua t’ju falenderoj edhe ju të revistës Vip, për intervistën.

Recommended Posts