Po ti çfarë kolegu je?!

Disa këshilla për nënat që punojnë nga shtëpia

Nëse ka një kategori personash që po “heq keq” gjatë kësaj periudhe janë nënat që punojnë nga shtëpia. Pikë së pari ashtu si  në çdo kulturë patriarkale edhe në Shqipëri pritet që gruaja t’i bëjë të gjitha që nga gatimi deri tek pastrimi e më pas dhe kujdesi për fëmijët. Kjo lloj situate krijon shpesh një klimë jo të mirë për gratë, të cilat tanimë janë të detyruara të punojnë nga shtëpia. Nëse po vuani një situatë të tillë hidhini një sy hapave të mëposhtëm, për të krijuar një ambient sado pak miqësor me produktivitetin tuaj në punë.

Organizohuni

Që të hyni tek kjo fazë duhet ta përfytyroni veten dhe familjen tuaj si një kompani në një situatë të jashtëzakonshme. Ky është një moment transformimi që duhet t’i përfshijë të gjithë. Mblidhuni në tavolinë me partnerin fëmijët dhe gjyshërit, nëse jetoni me këta të fundit, vendosni së bashku për detyrat dhe të drejtat e gjithsecilit duke pasur parasysh që të respektohen oraret e punës, për ata që punojnë nga shtëpia në familje.

U japim hapësirë talenteve të së gjithëve

Në ditët e zakonshme njerëzit mund të bëjnë veprime të përsëritura, të shtyra edhe nga forca e zakonit, ndërsa në karantinë, ndoshta të shtyrë dhe nga gjendja emocionale që krijohet ata mund të shfaqin ndonjë aftësi që nuk e kanë shfaqur më herët. Në një rast të tillë, nëse fëmija juaj e bën këtë gjë duhet ta motivoni dhe t’i krijoni hapësira praktikimi.

Përcaktojmë objektivat

Do të na duhet të përdorim një agjendë gjatë ditës, sigurisht me objektiva të përcaktuara qartë. Në përpilimin e agjendës duhet të jemi të qartë, gjithkush duhet ta dijë mirë rolin si dhe atë që pritet prej tij.

Delegojmë detyrat

Grave u pëlqen që të marrin shumë gjëra përsipër, mirëpo në momente si ky ndoshta ka ardhur momenti që të ndahet përgjegjësia e punëve mes anëtarëve të familjes. Kështu ato do të kenë mundësi që të punojnë më të qeta si dhe të jenë më produktive.

Para se të ankoheni kujtohuni që ka njerëz në karantinë me ish-in

Besojeni, ose jo, situatën më të keqe këto ditë, sigurisht veç personave që kanë familjarë, ose janë vetë të prekur nga Covid-19, po e kalojnë personat që janë në karantinë me ish-partnerin për arsye të ndryshme. Të gjendur para bllokimit të detyruar në shtëpi, këta persona janë të detyruar forcërisht që të vazhdojnë të jenë fizikisht afër ish-partnerëve të tyre. Të bllokuar në një raport të tillë ata duhet të përballen çdo ditë me grindje, heshtje dhe sigurisht vende të improvizuara për të fjetur. Nëse ndarja është e dhimbshme, detyrimi për të jetuar me dikë me të cilin nuk ke të ardhme është akoma më shumë.

Më poshtë do të rrëfejmë eksperiencat e disa personave që po e përjetojnë këtë situatë në vetë të parë.

 “Çdo ditë bindem më shumë se duhet të kërkojmë divorcin”, thotë Tammy, 37 vjeç. “Unë dhe gruaja ime, ishim ndarë më parë, unë kisha shkuar për të jetuar tek një shok, por kur u përhap pandemia u ktheva sërish në shtëpi”. Zënkat sipas tij, tani që nuk është e mundur të dalësh nga shtëpia janë më të vështira për t’u menaxhuar.

“Jetojmë në një apartament 300 metra katrorë, ajo fle në dhomën kryesore, unë në dhomën e miqve. Por ka shumë tension mes nesh. Pas zënkave, asnjë prej nesh nuk do të thyejë heshtjen. Do të preferoja më mirë të isha vetëm në këtë moment”

Britney, 33 vjeç  bashkëjeton me ish-të dashurin e saj. Për të gjërat janë pak më të thjeshta, pasi marrëdhënia mes saj dhe ish-partnerit përfundoi disa ditë më parë pa shumë tensione.

“I dua të mirën, vazhdoj të kujdesem për të, më vjen natyrshëm.” Pavarësisht situatës le të themi të qëndrueshme, duket sikur ajo dhe partneri i saj kanë ngecur në një situatë pa zgjidhje.

“Duket sikur kemi ngecur në boshllëk, pa pasur mundësi që ta materializojmë ndarjen. Mendoj se pjesa më e vështirë do të vijë më pas, pasi kjo situatë po na bën akoma më të varur ndaj njëri-tjetrit. Ndoshta do të jetë e vështirë kur të na duhet të ndahemi edhe fizikisht.”

Vetëvlerësimi i ulët dhe disa këshilla për menduar më pozitivisht për veten

Vetëvlerësimi është qendra e personalitetit tonë. Mendimet që ne kemi për veten tonë duken në mënyrën se si ne sillemi dhe se si të tjerët na trajtojnë ne. Nëse vetëvlerësimi ynë është i lartë ne zakonisht ndjehemi mirë me veten tonë më të shumtën e kohës, do të thotë se ne e pranojmë veten me anët e mira dhe jo të mira.

Nëse vetëvlerësimi ynë është i ulët atëherë ne fokusohemi në anët negative të asaj që bëjmë dhe që përjetojmë. Në shqetësohemi sepse nuk besojmë që mund të jetojmë në lartësinë e asaj që presin prej nesh njerëzit e tjerë. Njerëzit me vetëvlerësim të ulët priret t’u shfaqin të tjerëve vetëm anën negative të vetes.

Vetëvlerësimi i ulët :

·        Rrezikon njerëzit të përdoren dhe të abuzohen nga të tjerët fizikisht, verbalisht, emocionalisht.

·        Shkatërron besimin në vete dhe na pengon të marrim fatin  në duart tona.

·        Shkatërron qetësinë tonë të brendshme dhe na pengon të pranojmë veten ashtu si jemi.

·        Çon shumë njerëz në alkoolizëm, varësi ndaj drogës dhe sjellje të tjera  të rrezikshme ndaj vetes dhe të tjerëve.

·        Ushqen emocione si ankthi, frika, zemërimi, inati dhe cinizmi.

·        I bën njerëzit të ndjehen të pafuqishëm, pa kontroll mbi jetën e tyre.

Si mund ta rrisim vetëvlerësimin?

Të gjithë ne kemi në mendjen tonë një imazh të vetes sonë. Ne priremi të besojmë se dhe të tjerët na shohin ne ashtu si e shohim ne veten tone. Ajo që të tjerët mendojnë për ne është shumë e rëndësishme. Pse për ne ka shumë rëndësi se çfarë mendojnë të tjerët për ne? Përse mendimet e tyre kanë rëndësi? Sepse ne kemi nevojë për dashuri, për përkatësi, të trajtohemi me respekt.

Përmirësimi i vetëvlerësimit është i vështirë, por jo i pamundur. Që ai të kryhet duhet që ne të dimë se ku duam të shkojmë. Një pikënisje e mirë është të nisemi nga gjërat të cilat ne jemi të zotë dhe i bëjmë mirë. Kjo na bën të ndihemi krenarë dhe me kurajo. Kërkimi i gjërave pozitive në veten tonë, kërkimi i anëve të forta, është mënyrë e mirë për të filluar punën për ngritjen e vetëvlerësimit.

·        Pranoje veten ashtu siç je.

·        Mos u krahaso me të tjerët.

·        Zhvillo pritshmëri realiste.

·        Përpiqu të bësh gjëra të reja.

·        Mbështetu në anët e forta.

Të lumtur, apo të ndarë? Si do të dalin çiftet nga karantina

Pak nga pak karantina po na ndryshon jo vetëm jetën, por edhe po disa javësh izolim, karantina mund të ndryshojë edhe marrëdhënien tuaj.

Çiftet që më parë shiheshin shumë pak orë në ditë për shkak të punës, tani ndajnë me njëri-tjetrin gjithë ditën për shkak të karantinës.

Si përfundim karantina mund ta ndryshojë totalisht marrëdhënien tuaj, por si do të ndodhë kjo.

Ju tashmë kaloni aq shumë kohë bashkë sa të gjitha karakteristikat e çiftit po amplifikohen me shpejtësinë e dritës. Për shembull nëse më parë urrenit faktin që ai është i çrregullt, tani do ta vini re dhe do ta urreni akoma më shumë.

Në të kundërt, nëse më herët çdo gjë shkonte mrekullisht mes jush tani do të jeni më shumë se të lumtur për të ndarë kohën bashkë.

mbyllur në katër muret e shtëpisë do të mund të vini re çdo veprim të partnerit dhe kjo mund të krijojë probleme, ose në të kundërt akoma më shumë harmoni.

Gabimet që mund t’ua çojnë marrëdhënien drejt tatëpjetës

Shpesh ne nuk e kuptojmë që disa sjellje të caktuara tonat mund të jenë shumë të rrezikshme për raportet tona romantike. Justifikojmë veten dhe i konsiderojmë si gjëra normale, mirëpo vjen një kohë kur partneri nuk mund të durojë më dhe këto probleme që ne nuk i konsiderojmë mund të bëhen shkaktarë për përfundimin e një historie të bukur dashurie.

Xhelozia e pajustifikuar

Xhelozia është arsyeja kryesore pse përfundojnë shumë marrëdhënie. Nuk është fjala për një xhelozi të shëndetshme me baza, por shpesh herë njerëzit bëhen xhelozë pa asnjë arsye. Në disa raste ata madje edhe mund t’i ndalojnë partnerit aktivitete të caktuara për shkak se janë xhelozë. Në të tilla raste këshillohet të merrni frymë të numëroni deri në tre dhe të lexoni ndonjë gjë për kompleksin e inferioritetit.

Kur nuk kemi besim

Nëse nuk keni besim tek partneri do të jetë shumë e vështirë që kjo marrëdhënie të ecë në rrugën e duhur. Mungesa e besimit do t’ju bëjë që të dyshoni në gjithçka që bën apo thotë personi me të cilin jeni dhe do të humbni qetësinë. Ndër të tjera kjo do të krijojë edhe një klimë të tensionuar, aspak të shëndetshme për marrëdhënien tuaj.

Kur nuk thoni atë që ndieni

Partneri juaj nuk është magjistar që të kuptojë se çfarë dëshironi të thoni, kur ju shprehni krejt të kundërtën. Nëse nuk jeni totalisht të sinqertë do të krijoni një boshllëk emocional që vështirë se mund ta mbushni në vijim. Frika se partneri mund të largohet prej jush nuk duhet t’ju pengojë për t’i thënë të vërtetat.

Puna nga shtëpia, më shumë, apo më pak stresuese

Javët e fundit të shtyrë nga karantina shumë biznese kanë mbyllur zyrat dhe kanë përqafuar “smartworking”, ose punën nga shtëpia si mënyrën e vetme për të vazhduar punën.

Mirëpo shumë njerëz mund ta kenë të vështirë të punojnë nga shtëpia. Sipas një studimi të kryer në vitin 2018 nga Universiteti i Baylor, jo të gjithë njerëzit mund të adaptohen me punën nga shtëpia, sipas këtij studimi vetëm një tipologji e caktuar njerëzish me një personalitet të caktuar do të mund të përballonin punën nga shtëpia.

Studiuesit vunë se punonjësit që kishin më shumë efektivitet nga puna në shtëpi ishin ata që kishin autonomi dhe mundësi për të punuar në mënyrë të pavarur si dhe një qëndrueshmëri emocionale.

Duke vëzhguar punën e 400 personave, studiuesit kanë matur edhe nivelin e tensionit për çdonjërin prej tyre, por edhe stabilitetin emocional dhe autonominë në punë.

Në fund ata arritën në përfundimin se ata që kishin pikë më të larta në stabilitet emocional dhe në autonomi ishin më të prirur për të pasur sukses në punën nga shtëpia.

Studimi gjithashtu doli në përfundimin se puna nga shtëpia për personat e përshtatshëm mund të rrisë produktivitetin dhe të reduktojë stresin.

Në fakt, njerëzit që punojnë nga shtëpia e kanë më të lehtë që të ushqehen shëndetshëm si dhe që të gjejnë një lloj ekuilibri mes jetës private dhe punës.

Si pasojë, ushqyerja e shëndetshme si dhe koha që kalojnë me familjen mund t’i ndihmojë njerëzit që të ndihen më pak të stresuar, si dhe do t’ua bëjë ditën e punës akoma më produktive.

Një tjetër studim i kryer në vitin 2011, ka vënë në dukje se si puna nga shtëpia e ka reduktuar stresin e punonjësve me 25%, krahasuar me nivelin e stresit që përjetojnë punonjësit në zyrë.

Si t’u qëndroni pranë nga larg personave të dashur

Karantina na ka ndryshuar jetën për pak kohë dhe nuk mund të jemi pranë personave të dashur që mund të jenë familjarë ose miq. Por si mund të qëndroni pranë njerëzve të zemrës duke qenë të izoluar nga karantina. Më poshtë po u tregojmë disa mënyra.

Planifikoni një udhëtim
 “Unë kërkoj hotelin, ti kërko muzetë”. Bëjeni këtë plan me njerëzit e zemrës, mund të jetë një lojë me partnerin, motrën, vëllain, shoqen e ngushtë. Ndani detyrat dhe kushtojini kohë premtimit që i keni bërë vetes për të udhëtuar. Nëse keni mundësi zgjidhni një vend të largët, ose një vend ku nuk keni qenë më parë.
Luani në distancë
Në kohët e sotme është e mundur që të luani në distancë, mjafton që të gjithë pjesëmarrësit në lojë të kenë akses në internet dhe mjete për të zhvilluar video-telefonata. Nëse të gjithë kanë të njëjtën lojë në shtëpi do të mjaftojë që të lëviznit edhe gurët e pjesëtarëve të tjerë në lojë.
Darkoni bashkë në distancë
Ndoshta nuk do të jetë një darkë siç do të duhej të ishte, por mund të organizoni diçka. Pasdite vendosni menynë, më saktë tipologjinë e kuzhinës dhe në darkë mund të darkoni bashkë, sigurisht në largësi, duke shpresuar që do të mund të takoheni së shpejti.