Kush do ta fitojë Sanremon?!

Pasi i pamë të gjitha në Sanremon e këtij viti, që nga veshjet e çuditshme të Achille Lauros në netët e festivalit, te hyrja ceremoniale e Robeto Benignit me një bandë frymore, e deri tek konflikti në skenë i Bugo dhe Morghan, na ka mbetur të mendojmë vetëm për fituesin.

Në fakt, në një festival me ngjarje siç është Sanremo, diskutimi i fituesit fillon që kur shpallet lista e këngëtarëve. Megjithatë, ajo që është vënë re sivjet në listat ku parashikohet fituesi i Sanremos është edhe ndryshimi i shpeshtë i tyre, bashkë me koeficientet përkatës.

Para se të fillonte festivali i Sanremos, në krye të listave qëndronte Anastasio, ndërsa në netët  e festivalit, renditja e  pretendentët për fitore ka ndryshuar çdo ditë, ndikuar kjo edhe nga renditja  që publikohet në mbyllje të çdo mbrëmjeje tw Sanremos, bazuar nw votat e jurive respektive.

Nëse do të krahasojmë këtë Sanremo, me festivalet e bëra në dy vitet e fundit, ka një diferencë. Në vitin 2018, Ermal Meta dhe Fabrizo Moro u diskutuan që do të fitonin festivalin e Sanremos  pa filluar ende gara dhe ashtu ndodhi. Ndërsa  në vitin 2019, fitoi Mahmood me Soldi, këngë që renditej e 13-ta në listat e kompanive të basteve.  Ultimo, këngëtari që renditej i pari në listat e kompanive të basteve  përfundoi i dyti.  Në fakt, vitin e shkuar veç surprizës Mahmood, renditja  përfundimtare, për shtatë pozicionet e para ,nuk ishte shumë e ndryshme nga renditja që ishte parashikuar në kompanitë e basteve.

Ajo që po ndodh  sivjet është ndryshimi i shpeshtë i këtyre listave. Nëse dy ditë më parë Elodie renditej e para, sot ajo renditet e treta. Artistja e re e dalë nga skena e Amici-t, është kaluar në renditje nga Francesco  Gabbani, i cili renditet në krye, i ndjekur nga Diodato,  që u votua maksimalisht mbrëmjen e djeshme nga gazetarët e pranishëm në Ariston. 

Ky Sanremo pritet që ta forcojë edhe më tepër idenë e “fituesit surprizë”, kjo nisur nga konkurrenca e fortë mes artistëve dhe ndryshimet e shpeshta në renditjen  e këngëtarëve.  Edhe në rrjetet sociale, listat që proklamojnë fituesit ndryshojnë shumë nga njëra- tjetra. Sigurisht, ka disa emra artistësh që përmenden më shumë se të tjerët, por në përgjithësi askush nuk di të thotë se cilat janë tre këngët që do të jenë në podium. Thënë këtë nuk kemi zgjidhje tjetër, veçse të presim shpalljen e fituesit, pa e ditur nëse do të ketë, ose jo ndonjë katapultim fituesi nga fundi i listës.  

Recommended Posts