
Së fundmi, blogerja dhe influencuesja e njohur Estela Ujka ,nisur nga situata e pafavorshme, që po kalon biznesi i vogël vendas pas izolimit, ka marrë një nismë, e cila synon të ndihmojë këtë të fundit me anë të marketingut në rrjetet sociale. Në një intervistë ekskluzive për revistën VIP, Ujka ka shpjeguar nismën në fjalë, si dhe ka orientuar bizneset e vogla, të cilat mund të jenë të interesuar për t’u bërë pjesë e saj.
–Përshëndetje, Estela! Së fundmi ju keni marrë një nismë që synon mbështetjen dhe promovimin e biznesit të vogël vendas. Si ju lindi ideja? A erdhi kjo si pasojë e periudhës së izolimit që përjetuam të gjithë?
-Ideja më lindi pasi unë jam gjithë kohën në kontakt me bizneset, të cilat promovoj në platformat e mia sociale, dhe sigurisht që pandemia ndikoi ndjeshëm në ekonominë e tyre. Bizneset me të cilat ne bashkëpunojmë më shumë janë dhe ato që u prekën direkt nga pandemia, Fashion, Beauty, Events, Restorantet dhe Turizmi.
Shumica e bizneseve që unë punoj kanë paguar qiratë, punonjësit, detyrimet në shtet dhe gjatë 2 muajve që ishin të karantinuar, ndaj duke qenë në kontakt me ta ndienim përgjegjësinë t’i ndihmonim duke i reklamuar bizneset e tyre pa pagesë dhe duke rritur vëmendjen e publikut, sidomos në mbështetje të bizneseve të vogla vendase!
Duke i pasur në krah në rritjen tone si influencers ishte më e pakta që mund të bënim në këmbim. Ne jemi zotuar t’i suportojmë me postime në 2 javët në vazhdim, që më besoni është një sfidë e vërtetë edhe për ne pasi të gjithë bizneset kanë nevojë për marketing online.
– Supozojmë se një biznes i vogël sheh këtë ndërmarrje tuajën dhe dëshiron të bëhet pjesë. Si duhet të veprojë?
-Bizneset mjafton të shprehin interesin për të qenë pjesë e fushatës, por sigurisht duke pasur kërkesa të panumërta ,ata duhet të japin një arsye, apo veçanti pse duhet t’i ndjekin, apo mbështetin njerëzit në sipërmarrjet e tyre të vogla. Unë personalisht më pas mundohem të bëj një selektim, cilat nga këto biznese vërtet mund t’i ndihmoj, t’i jap një shtysë dhe cilat jo, siç e kam shprehur dhe në storiet e postuara jam munduar të skartoj faqe me përmbajtje që nuk e kanë krijuar vetë ata, faqe që shesin produkte të falsifikuara, faqe që kanë shumë pak postime ,(më pak se 20), faqe që reklamojnë produktet në tokë, apo të reklamuara shumë keq, faqe që kërkesa e tyre nuk është artikuluar qartë dhe më besoni ka shumë, sikurse nuk janë pjesë e këtij promocioni personal blogs. Duke qene se kërkesat janë realisht të shumta uroj dhe shpresoj që të paktën të gjithë të kenë një përgjigje nga unë.
– Instagrami juaj këto ditë është mbushur me story, ku promovohen bizneset e vogla, të cilat nuk kanë shumë mundësi reklamimi. A i janë bashkuar nismës suaj edhe personazhe Vip?
-Patjetër që dhe personazhe të tjerë i janë bashkuar nismës, kryesisht blogere Odetchie, Eraldo Rexho ,Niko Komani pasi mendoj se është momenti i duhur që të përdorim influencën që kemi për një kauzë të mirë dhe sigurisht, pse jo të shprehim mirënjohjen e mbështetjen tone për bizneset që na kanë suportuar e sponsorizuar projektet tona. Unë jam me parimin që të marrësh duhet dhe të japësh, njerëzit që na ndjekin nuk inspirohen për fee-t e lakmueshme që ne paguhemi për një postim, por na ndjekin për atë që përfaqësojmë, njerëz që pasionin e tyre e kanë kthyer në profesion, që influencën e kane ndërtuar me punë dhe që në fund të ditës ndajnë të njëjtat vlera me ne. Ne nuk jemi të diktuar nga vlerat monetare, por duam të jemi diçka më shumë, duam që të jemi model i mirë dhe inspirues për të gjithë që na ndjekin.
–Pse është e rëndësishme kjo nismë për ju dhe nëse keni një mesazh për ta ndarë edhe me ndjekësit tanë, të revistës Vip?
-Për ne është e rëndësishme që këtë krizë financiare ta kalojmë të gjithë, dhe nëse jemi ne një shtysë që ta kalojnë më lehte do të ishim vërtet të lumtur. Unë personalisht pata mundësi të njoh biznese që nuk i njihja më parë, pata mundësi të njoh vajza e gra që me kreativitetin, apo dy-punësimet e tyre ndihmojnë ekonominë e familjes, apo studimet dhe me thëne të drejtën në fund të ditës mbushesh me pak shpresë dhe energji të mirë , që jo të gjitha vlerat kanë humbur në këtë vend.
Mesazhi qe kam për ndjekësit e revistës VIP është të besojnë tek e mira dhe vlerat, dhe të jenë gjithmonë pozitivë, dhe sigurisht të na ndjekin ne 😀