Jetë të gjatë, Bob Dilan! Transformisti i përjetshëm mbush plot 80 vjeç

Për të do të na duhet të sistemojmë pak urimin tonë klasik të ditëlindjeve. Kur një si Bob Dilan mbush 80 vjeç, urimi “u bëfsh 100” duket sikur nuk bën sens. Jo vetëm sepse artistët janë të pakohë, por edhe sepse Dilan vazhdon të jetë vital e frymëzues. Kështu që, Jetë të gjatë, maestro Bob Dilan! Ky është urimi ynë për çmimin Nobel të poezisë së pak viteve më parë dhe muzikantit që ka rritur breza.

Nga artisti te miti, nga miti te njeriu

Lindi më 24 maj 1941, në Duluth, një periferi e minierave të Minesota-s. Kantautor, kompozitor, regjisor dhe piktor ridizenjoi një larmi stilesh muzikore dhe shpiku një zhanër të ri: folk rock. Ikona e kundërkulturës dhe protagonist absolut i  shekullit XX. Ishte vetëm 20 vjeç kur këndonte folk në një qytezë amerikane dhe data shënonte 11 prill 1961. U ngjit në skenën e bluesman-it John Lee Hooker, i shtyrë nga pronari i lokalit.  Ishte hebre dhe kishte hyrë në mënyrë klandestine në Amerikë. Emri i tij në regjistrat civilë ishte Robert Allen Zimmerman, por shpejt albumi i tij i parë do ta prezantonte me emrin Bob Dilan.

“Jam Bob Dilan vetëm kur më duhet të jem, pjesën tjetër jam vetvetja”

Çmimi Nobel dhe asnjë ceremoni

Në 2008 do të fitonte një çmim Pulitzer, gati i panatyrshëm dhe në 2016 në rrugën e tij u kryqëzua çmimi më i madh botëror për letërsinë: Nobeli. Më vjen ta quaj Bobeli, pasi ky çmim nuk i ishte dhënë kurrë më parë një rrokeri, për vargjet e tij. Gjithsesi, ai i la pas ritet dhe madhështine me ceremonitë e saj. Çmimin do ta tërhiqte disa muaj më vonë, shoqja e tij Patti Smith. Ai vazhdon të mendojë për shpirtin e tij kritik e rebel. Dilani bashkëkohor, i kulturuar dhe modern u bë zëri i lëvizjes pacifiste të kohës dhe luftës kundrejt gjithë padrejtësive.

Këngët e tij rrëfejnë jetën reale, pikojnë dashuri, vuajtje, politikë, filozofi dhe shëlbim shoqëror, të ndërthurura në mënyrë të pashmangshme me historinë e vendit të tij. U ndikua nga të mëdhenjtë e poezisë botërore, si poeti anglez William Blake, por iu qas të vërtetës sipas Rimbaud. Shkrimtarët e preferuar janë Çehov dhe Henry Miller.

Karriera dhe ikona Dilan

60 vite karrierë në 80 vite jetë. 60 vite karrierë në të cilat “shqeu” çdo etiketë me të cilën do të donin ta përkufizonin. Ai rikrijoi zhanre dhe tinguj muzikorë, duke sfiduar konvencionet. E gjitha kjo për të kënduar një mijë fytyrat e Amerikës me të gjithë kontraditat e saj, shpirtrat luftarakë dhe moralizmin.

U bë lajmëtari i së vërtetës dhe zëri i atyre që nuk kishin, asnjë maskë për personalitetin kompleks muzikor e poetik.

Këngët folk do ta shënjonin përjetë, ato janë plot dëshpërim, trishtim, triumf… të gjitha ndjesitë më të thella bërë bashkë. Mes realizmit dhe mitit shkruan realitetin dhe shet 110 milonë disqe në të gjithë botën.

“Sa rrugë duhet të ndjekë një njeri para se të quhet njeri”?

Blowin’ In The Wind është kënga hapëse e albumit të tij të dytë The Freewheelin’, u bë himni i luftës për të drejtat civile të vieteve ’60. Metafora e rizgjimit të një kombi të lodhur e të zhgënjyer nga politika dhe lufta në Vietnam.

Në ’63 do të ndante skënën me Joan Baez, për të cilën do të thoshte se “një zë i brendshëm më thoshte se ajo ishte gjysma ime, që së bashku me të zëri im do të gjente harmoninë perfekte”. Një partneritet intelektual dhe sentimental.

Së bashku marrin pjesë në Marshimin e të Drejtave Civile të Uashingtonit dhe hipnotizojnë turmën e madhe me dy këngë të reja: “When The Ship Comes In” dhe “Only A Pawn In Their Game”

Kalimi në rrok

Ndryshoi prespektivën e jetës dhe muzikës së tij në vitet ’70 për shkak edhe të një incidenti me motor në vitin ’66. Dhe do të lindnin të tjera kryevepra. Do të lindte Blonde on Blonde, që do të pasohej nga Mr. Tambourine Man, shkruar për Another Side Of Bob Dylan.

Pastaj Desolation Row, balada sensuale Just Like A Woman dhe shumë brane të tjera vibruese e të pamundura për t’i përmbledhur në një list. Një gjë është e sigurt, ai vendosi të distancohet nga politika dhe ideologjia dhe t’i këndojë atmosferës solitare amerikane.

Dashuritë që frymëzuan Bobin

I ndrojtur dhe i zhytur në mendime, edhe jeta e tij private është e mbështjellë me mister. Shumë flirtime, dashuri dhe marrëdhënie të hapura. Bob 20-vjeçar bie në dashuri me aktivisten Suze Rotolo. Ajo është vajza që shfaqet, në ’63, në kopertinën e albumit The Freewheeling Bob Dylan.

Pasi takoi muzën e tij, gruan me “fytyrën e shenjtë dhe shpirtin fantazëm”, Sara Lownds, ish-modele e Playboy, Tambourine Man prish marrëdhëniet me Joan Baez dhe aktoren e preferuar të Andy Warhol, Edie Sedgwick. Në fund të vitit 1965, Dylan u martua fshehurazi me modelen dhe në janar 1966 lindi fëmija i tyre i parë, Jesse.

Çifti kishte tre djem dhe një vajzë: Jesse, Anna, Samuel dhe Jakob, ky i fundit më vonë u bë këngëtari kryesor i grupit muzikor The Wallflowers. U divorcuan në 1977. Nga martesa e dytë, në 1986, me këngëtaren Carolyn Dennis, lindi Desiree Gabrielle Dennis-Dylan, por vetëm pas 4 vitesh u ndanë.

Gjithçka transformohet në natyrë: Bobi ky transformues i përjetshëm

Duke menduar për trashëgiminë e tij në fund të vitit 2020, Bob Dylan shiti për gati 400 milion dollarë të gjithë katalogun e tij të punës te Universal Music Group dhe kaloi lockdoën-in i mbyllur në vilën e Malibu-së, duke pikturuar.

American Pastoral është titulli i një serie peisazhesh të krijuara nga muzikanti që do të ekspozohen më pas në një ekspozitë Bob Dylan: Retrospectrum, së bashku me akuarelë të tjerë, vizatime dhe skulptura metali të krijuara mbi 60 vjet nga artisti enigmatik. Ndërsa, më 10 maj 2022, pritet publikimi i arkivës sekrete të Bob Dylan, me mbi njëqind mijë letra dhe fragmente të jetës së tij.

Recommended Posts