Gëzuar Kosovë! Festohet 13-vjetori i shpalljes së pavarësisë: “E prumë paqen bashkë!”

Si sot 13 vite më parë Kosova u shpall shteti më i ri në Europë. Kosova është e njohur nga 117 vende të botës dhe të gjithë presim të vazhdojë ajo.

Me rastin e festës së Pavarësisë monumenti New Born në Prishtinë ka ndërruar pamje, në të shfaqen duar me ngjyrat e ushtrisë. Ideatori i tij, Fisnik Ismaili krijoi një shfaqje spektakolare dhe kuptimplotë në murin e lindjes së Kosovës shtet.

Autori ftoi të gjithë të vendosin duart në instalacionin e këtij viti me synimin për të dhënë idenë që vepra do të merrte këtë vit. Simbolika është mjaft e qartë: Bashkimi dhe jo ndarja! Bashkimi që vjen me kujtesën dhe paqja që vjen pas luftës.

Ismaili i ftoi të gjithë të linin shenjën e tyre në këtë simbol lirie dhe të nderonin të rënët në luftë. Motoja e këtij viti, sipas autorit, është: “E prumë paqen bashkë”.

Krijuesi i këtij monumenti, ditën e djeshme, në mbarim të instalacionit shkroi në profilin e tij në Facebook:

“Natën e mirë, ushtarë dhe dëshmorë. Çdo ditë në mendje, sivjet në monument”

Vlen të përmendim se tashmë është bërë traditë që çdo vit, ditën e Pavarësisë, monumenti NewBorn ndërron pamjen, duke dërguar te qytetarët mesazhe të forta.

Recommended Posts