Tendenca pranverë-verë 2021: si ta sillni stilin folk-etnik këtë sezon

stili etnik ne koleksionin Dior

Stili folk-etnik vazhdon të jetë tendencë dhe do të jetë gjithmonë si një stil i pakohë. Stili etnik për pranverë-verë 2021, frymëzuar nga pasarelat dhe stili i rrugës

Ai nuk shuhet kurrë. Sapo nis të ngrohet pak koha me pranverën, jen e shfaqet me të gjitha ngjyrat, për t’u mbështjellë në ngjyrat e tokës. Është folk dhe multietnik, pak boho, pak hippi dhe shumë aksesorë.

Pendë, thekë e aksesorë varësesh që nuk të lënë të mos e shquash këtë stil pak të marrë, por shumë të dashur. Të bën të udhëtosh larg, qoftë edhe me mëndje, por të emocionon pafund, kur nisesh për në udhëtime. Të zbulon dhe e zbulon në çdo herë.

Edhe pasarelat nuk i janë dot indiferente stilit folk. Sigurisht që edhe këtë vit u pa të parakalojë me të gjithë çmendurimë e ngjyrave që e përbëjnë.

Për pranverë-verë 2021 udhëtimi ka filluar me ngjyrat e tokës të përziera me fantazitë paisley, pasuruar me qëndismat dhe të gjithhershmet thekë e dekorime tipike.

Stil etnik dhe folk, por shik

Detajet cigane, qëndismat e këmishave dhe fustaneve, zakonisht në pjesët e përparme, temina, rruaza. Printime bohemiane dhe thekë “të egër”. Mix përzierjesh nga e gjithë bota, porpullore dhe të pastra, veshje që ndërthurin në mënyrë perfekte natyralitetin me prerjen e gjerë dhe komode. Dhe është trendi që nuk të lë pa rënë në sy. Trendi i të përjetshmes, në kohën e duhur dhe vendin e duhur.

Evokimi i vendeve të largëta të sjella në qytet apo të marra me vete me pushime, elegante dhe të parezistueshme, veshje dhe aksesorë pa të cilat nuk mund të bësh në garderobën tënde.

Dhe stina e nxehtë do të vazhdojë të na i zbulojë edhe këtë vit me gjithë dinamizmin e tyre.

Të rejat e këtij sezoni

Moda etnike do të jetë edhe këtë vit dominuese, mbase këtë vit më shumë se vitin e shkuar. E kuptueshme. Presim udhëtimet, por edhe pa to, prekja etnike do të jetë elegante në mes të qytetit, ne mbasditet e aperitivëve, apo gjatë ditës, edhe në veshjet më klasike.

Do të vazhdojmë ta shohim në rripat e çantave dhe të mesit me qëndisma, çantat me thekë e rruaza, apo çantat e kashtës dhe ato efekt shallë. Do të shohim sandalet e sheshta me rripa të gjatë, jelekët e borduar me thekë dhe qëndisma, veshjet e gjata me ngjyrat e tokës etj.

Si ta sillni stilin etnik këtë sezon?

Stili etnik është preteksti për të vazhduar me trendet sipas formulës easy chic.

E vetmja gjë që ju duhet të bëni është të shikoni e të frymëzoheni nga shfaqjet e modës të pranverë-verë 2021, duke përzier hijet e ngrohta natyrore me të verdhën dhe ndonjë prekje të zezë.

Me pika apo me vija? Tendencat e këtij viti janë kthim pas në garderobën tonë

Dhe pastaj flitet për sëmundje psikologjike, lidhur me faktin që të vjen keq të hedhësh rrobat e viteve të mëparshëm. Me këto kthesa e kthime që moda merr, i bie të ruash gjithçka dhe ati të vjen keq që ato veshjet me pika e vija, tashmë janë dhuruar apo lënë në një kënd të koshit më të parë të lagjes.

Gjithsesi, le t’i shohim pak këto tendenca, si vijnë modelet me pika e vija për këtë sezon të 2021-shit.

Ato janë tepër të gjalla, hipnotike dhe fantazioze herë pas here, pikat janë frymëmarrje lehtësuese, humor i mirë dhe pozitivitet. Të paktën ne kështu mendojmë. Të ardhura nga vitet e famshme ’60, ato janë “stuhia” e këtij sezoni të ngrohtë. Kishim parë sezonin e shkuar të nisnin të shfaqeshin (mirë që e kam ende fustanin tim të preferuar nga vjet), por këtë sezon do të jenë shpërthimi i pranverë-verës 2021.  

Do të duhet të pikëlohemi të gjitha, dhe jo vetëm me një element, sepse pika e topa do të ketë pafund dhe gjithandej. Që nga xhaketat, edhe ato xhins, te këpucët, çantat, pa diskutuar fustanet, bluzat e pantallonat.

Printimet do të jenë mikro e makro, ndaj do të duhet të luani së tepërmi me to, për të qenë kreative e dinamike.

Ngjyrat? Oh, po ç’rëndësi ka kjo! Të gjitha ngjyrat do të jenë të pranueshme, pasi pranvera është nëna e tyre, dhe edhe vera nuk bie më poshtë.

Gjithsesi, nëse nuk do të doni të jeni kokë e këmbë me pika, mundohuni t’i bëni kombinimet me veshje me ngjyra të thjeshta, ose përqendrohuni në një aksesor të vetëm.

Ah, për kur mund të vishen veshjet me pika?

Kur t’ju dojë kokrra e qejfit. Gjatë ditës, me fustane apo këmisha bon ton, në funde midi apo pantallona të gjera, e deri te rrobat e sofistikuara të mbrëmjes. Madje edhe për dasma. Nëse nuk jeni infektuar ende, bëjeni tani! Është koha e pika-manisë.

Por pikat nuk janë të vetmet që do të tërbojnë këtë sezon. Janë edhe vijat dhe duket se edhe ato e kanë bombarduar sezonin e ngrohtë, që tipiken e vet ka lulet.

Mbase pak rezistencë natyrales nuk bën keq.

Vijat marine do të shfaqen, madje kanë filluar të shfaqen gjithandej. Të armatosura edhe me efektin optik që i bën trupit tonë, ato preferohën gjithmonë. Por sivjet edhe më shumë.

Në fakt skenën e modës do ta dominojnë vijat XL, nuk ka rëndësi nëse do të jenë horizontale apo vertikale (këtë do ta zgjidhni ju në bazë të efektit që ju duhet) por që do të duhet të jenë të gjera e të shqueshme, nëpër fustane, pantallona të shkurtra apo bluza.

Edhe vetë rigat do të jenë të koloruara, të stilit vintazh dhe të shoqëruara edhe me dantella, si te Dior. Në fakt do të jenë për përditshmëri dhe për mbrëmje, pra të shoqëruara me sandale të sheshta apo me taka, por nuk do të mungojë edhe stili kaftan, tipi i veshjes që përdorim për plazh dhe që e pamë në pasarelën e Michael Kors.

Mirë pra, bëni si të doni me lulet pranverore, por e dimë mirë se nuk do t’i shpëtoni dot virusit të pikave e vijave, ndaj zgjodhëm t’ju ndihmojmë ca me këtë artikull.

Çfarë është trendi glitz dhe si do të shkëlqejë pranverë-vera 2021

Bën sens. Mbas veshjeve sportive të kthyera në shpëtimin e kohëve covid, si për komoditet, ashtu edhe për mënyrën se si u sofistikuan në trendin e tyre, me pranverën dhe ngrohjen e motit, e për pasojë edhe ndoshta më pak virus në xhiro, dalin në skenë veshjet shkëqimtare: e gurat dhe temina. I kemi parë të ndriçojnë pasarelat e markave më të njohura dhe premtojnë shumë këtë sezon.

Quhet sindroma e “Sorrës Hajdute” ajo e veshjeve të bëra me “xixa” për pranverë-verë 2021. Një tërheqje e jashtëzakonshme e gati organike për gjithçka që shkëlqen, ndriçon dhe reflekton dritën vazhdimisht e që tani na riaktivizon receptorët tanë të brendshëm. Madje edhe kur nuk duam.

Le t’i quajmë veshjet që zyrtarizojnë verën, ato të formuara nga teminat dhe të mbuluara me gur kristalesh (edhe Swarovski) me një personalitet ekstrovert.

Por moda e “rënies në sy” dhe veshjet e “ekzagjeruara” për nga shkëlqimi nuk ka lindur sot, ajo rifilloi me rastin e koleksioneve të pranverë-verë 2021, në të cilën stilistët i dhanë fuqinë magjike faktorit kristal dhe shkëlqim, duke na veshur si yjet e kozmosit.  

Pa kufizime për gjininë dhe përmasat, por me një fokus të vetëm: festimin e dritës së kristaleve.

Pavarësisht nëse janë të mbuluara me vezullim, të përbërë nga rrjeta metalike, të zbukuruara me temina, të bëra prej pëlhurash me shkëlqim, e rëndësishme është se shkëlqimi i tyre do të ndriçojë Pranverën 2021.

Prandaj këtë sezon do të keni mundësi të zgjidhni një fustan të ndritshëm për raste të rëndësishme, për mbrëmjet më të veçanta të verës, për të festuar përvjetorët e zemrës suaj.

Nga veshja midi që mund të shoqërohet me syze dielli të errëta, si te Balenciaga, apo te fustani i gjatë eteror i veshur nga Bella Hadid në pasarelën Fendi, do të zbulojmë bashkë një galeri me veshjet më të bukura shkëlqyese, të cilat vijnë nga pasarelat e pranverë-verë 2021.

Që nga perlat e Valentino-s, cut out nga Paco Rabanne, monospalat nga Ashish dhe ylli i detit nga Versace, do të jenë shpërthim i vërtetë i dritës për këtë sezon.

Kostumet e banjës 2021, trendet dhe çfarë përcjellin këtë sezon

Në propozimet e kostumeve për verën 2021, ne gjejmë ato evergreen, që nuk dalin kurrë nga moda.

Por nuk është e gjitha, theksi vendoset te përfshirja, mbështetja ndaj kauzave dhe diversiteti.

Megjithë momentin historik që po jetojmë dhe shkujdesjen që nuk mund ta kemi pjesë tonën si më parë, megjithë verën atipike që na pret përpara, një gjë është e sigurt, ndryshimin e stinëve nuk mund ta ndalë dot askush. Kështu që sezoni po vjen dhe shpejt do të nisim të braktisim veshjet e ngrohta dhe të tepërta, për të mbërritur në rrobat e banjës.

Po cilat do të jenë ato më trend për sezonin e nxehtë të 2021?

Një palë rroba banje për secilin prej nesh

Midis evergreen dhe inovacionit, ne gjejmë disa pjesë thelbësore të rrobave të banjës. Përmendim bikinit e zeza, printime lulesh dhe kafshësh, belin e lartë, reçipetat në formë fashe pa rripa, por jo vetëm. Këtë sezon e ka fjalë: gjithëpërfshirja, mbështetja ndaj kauzave dhe larmia.

Markat më të famshme përpiqen të përqafojnë të gjitha llojet e fizikut pa gjykim, duke ofruar një zgjedhje të gjerë. Në valën e body positivity, gjithnjë e më shumë marka të specializuara në veshjet e plazhit kanë zgjedhur t’i japin vlerë trupit, pavarësisht nga gjinia, madhësia ose forma.

Madje ka firma që kanë zgjedhur të hedhin në treg një linjë të dedikuar, kushtuar vetëm trasgjinorëve.

Victoria’s Secret në kthesën që ka bërë nga kritikat lidhur me linjat, rikthehet këtë vit me rrobat e banjës dhe pikërisht me një linjë që flet për gjithëpërfshirjen, duke ofruar masa të përshtatshme për të gjithë.

Rrobat e banjës 2021, tendenca në mbështetje të mjedisit

Industria e modës është ërë gjithnjë e më e vëmendshme ndaj mjedisit dhe është vazhdimisht në kërkim të proceseve të qëndrueshme të prodhimit dhe materialeve të ricikluara.

Këtë vit do të shohim koleksione me fibra organike natyrore, bambu dhe fibra të ricikluara, apo ato në ndihmë të planetit, duke përdorur materialet e mbetjeve për të prodhuar dantella të ricikluara.

Tani le të shohim modelet trend për verën 2021

Rrobat e banjës trup: sportive dhe modelet që bëhen pjesë e outfit-it

Projektuar për t’i bërë ballë edhe valëve më të egra, rrobat e banjës trup janë të dizajnuara në pëlhura teknike dhe prerje sportive për t’u veshur jo vetëm për t’u larë, por edhe gjatë sporteve ujore. Por rrobat e banjës trup, këtë vit, do të mund të na shoqërojnë edhe pas plazhit, duke u bërë pjesë e veshjes së mbrëmjes, shoqëruar me një fund apo me pantallona të shkurtra.

Bikini, rrobat e banjës par ekselencë

Bikini është mbreti i rrobave të banjës dhe vështirë se mund të dalë ndonjëherë nga moda. Përfaqëson një evergreen të vërtetë, sa i përket veshjeve të plazhit. E përsosur për të bërë banjo dielli kudo që dëshironi. Ky vit ndoshta do të jetë ai i printimeve floreale dhe pëlhurave të ndritshme me tone delikate dhe romantike të tilla si “e kuqja e perëndimit të diellit”.

Alternativat janë të pafundme: për pjesën e sipërme shkohet nga modelet “ballkon” pa mbushje, në ato në formë shiriti me një sup, për dekolte më të bollshme, deri në kostumet thjesht në formë fashe, për një nxirje totale pa shenjat e bezdisshme të rripave.

Ndërsa sa i përket slip-eve, ato variojnë nga brazilianet dhe tangat, deri në pantallona të shkurtra, për t’i bërë të gjithë të ndihen të qetë.

Bikini me bel të lartë

Në emër të aromës vintazh, alternativa ndaj bikinit klasik është ajo me bel të lartë, e aftë të theksojë vijën e belit, duke na rikthyer modën e viteve ‘50.

Kostumi bandeau

Me ose pa mbushje, rrobat e banjës me pjesën e sipërme në formë fashe janë nga më të pëlqyerat për ata që preferojnë një ngjyrë të njëtrajtshme.

Tendenca trikini

Trikini quhen rrobat e banjës që përfaqësohen nga bashkimi i bikinit me një model trup, duke lënë gjithsesi disa pjesë të trupit të zbuluara, të cilat zakonisht janë barku dhe ijet. Ndaj konsiston në një pjesë të vetme, të përbërë nga tre pjesë.

Megjithëse mendohet të jetë një shpikje e kohëve të fundit, trikini u shfaq për herë të parë në 1967 në Francë.

Rripat e mesit Coquete dhe tendencat e pranverë-verë 2021

Siç edhe ju kemi paralajmëruar në një tjetër artikull, 2021-shi tenton rripat super të mëdhenj. Kemi parë që ka një tendencë të rripave të shoqëruara me çantat e vogla, gjithashtu trend i kohëve të fundit. Ky trend vazhdon, i pasuruar me prekje stili nga të mëdhenjtë e modës.

Por ky sezon po sheh daljen në skenë të rripave metalikë, në formën e zinxhirave. Lloje të ndryshme, elegant dhe modern, shoqërojnë fustanet e lehtë pranveror e veror, për t’i dhënë secilës prej nesh atë vlerën e shtuar të glamurit, që të gjitha dëshirojmë.

Por ajo që bën më shumë përshtypje është shfaqja e rripit super të gjerë, gati në formën e korseve, të cilat skalisin belin e atyre që i preferojnë për t’i dhënë një tjetër stil veshjeve të tyre.

Shoqërohen me këmisha apo fustane, zakonisht preferohen në veshje me ngjyrë të bardhë, gjë që bën sens me ardhjen e stinës së bukur.

Rripat zinxhir 2021

Rripat prej zinxhiri, të hollë dhe metalik, janë një passe-partout e vërtetë, që mund të na shoqërojë në çdo lloj gjatësie. Këtë vit do t’i shohim si kurrë më parë në fustane, këmisha dhe madje, të përdorura si një xhevahir sensual për trupin deri edhe në rrobat e banjës. Coquete Albania është pjesë e trendit me këto rripa të mrekullueshëm me gura, sa klasik, po aq edhe elegantë.

Rripat korse 2021

Rripi korse është i lartë dhe imponues, një aksesor që bëhet pjesë integrale e veshjes dhe sjell jehonën e kohëve tepër të largëta, me skalitjen e zonës së belit. Ato u panë të kalojnë në pasarela, nën logo e forma të ndryshme, por të gjitha me të njëjtin efekt.

Vlen të përmenden modelet e lëkurës me dopio toka, apo ato të formës së plotë në lëkurë, shoqëruese si të fundeve e fustaneve, ashtu edhe të pantallonave. Nga ana tjetër u panë rripat e gjerë të shoqëruara me punime kashte dhe lëkurë, e pashmangshme për sezonin.

Rripat pochet 2021 apo “mos më thirr vetëm rrip”

Një aksesor i pranishëm në veshje është përsëri në modë: atij i është besuar detyra e përcaktimit të stilit të secilit look.

Ai shoqërohet me çantat e vogla dhe xhepa multifunksional, një trend hit tashmë, i cili do të vazhdojë të shoqërojë sezonin pranverë-verë 2021.

Një rrip për t’u shtrënguar në bel, por që krijon një look të ri.

Propozim i bukur dhe super elegant, sidomos në një total look të bardhë, për një stil të pastër dhe pa asnjë njollë.

redaksia VIP

Çfarë është stili Bon Ton dhe si kombinohet një këmishë bon ton në këtë sezon

Ky stil i veshjes karakterizohet nga sqima dhe eleganca ekstreme, nga zgjedhja e prerjeve shumë të dëlira dhe modeleve shumë tradicionale, të cilat fjalë për fjalë kanë bërë historinë e modës.

Veshjet e Coco Chanel kanë qenë padyshim arketipi i bon ton për më shumë se gjysmë shekulli. Karakteristikat dalluese dhe të domosdoshme janë dekolteja e rrumbullakët, e përdorur shumë, rreshtat e pulleve të vogla me gura apo jo, modelet shumë tradicionale, por të riinterpretuara me prekje të vogla origjinale dhe femërore për t’i dhënë veshjes pak freski.

Stili bon ton mund të japë përshtypjen e të qenit një “stil i caktuar”, mbase i përshtatshëm më shumë për një grua të pjekur sesa për një vajzë të re dhe dinamike, por në këtë periudhë influencueset më të njohura të Instagramit, janë angazhuar për të na e ndryshuar mendjen.  

Por, a mund të jesh një nënë moderne, një grua avangarde dhe mbi të gjitha në kulmin e jetës, e përsëri të ndihesh e qetë nën një bluzë të modës së vjetër?

Përgjigja është qartë: Po. Bluzat e veshura nga vajzat që sot diktojnë tendencën, është një himn për romantizmin dhe bon ton-in.

Jaka e rrumbullakët dhe e bardhë ngjan shumë me atë të veshjeve të vajzave të vogla apo edhe të porsalindura. Bordurat e vogla me dantella apo me punim dore shoqërojnë jakat, mëngët dhe pjesën përgjatë shiritit të pullave.

Modeli me kuadrata është absolutisht klasik në unikalitetin e tij, është bërë modern dhe i lezetshëm nga përdorimi i ngjyrës lejla (e qeshur), e cila gjithashtu lehtëson tonin mbase pak serioz të veshjes.

Kjo lloj këmishë mund të vishet me pantallona të bardha palazo (totalisht të gjëra), për t’i dhënë një nuancë moderne një veshjeje që mund të duket paksa retro, ose me një palë pantallona klasike të së njëjtës ngjyrë.

Sidoqoftë, ka një gjë për të thënë: nëse pantallonat palazzo janë rikthyer në modë, kjo nuk do të thotë se ato nuk ishin aty që në vitet ’30, siç demonstrohet nga e mrekullueshmja Marlene Dietrich, në një foto që daton nga 1939.

E nëse votojmë për një altrnativë me fund, ky i fundit do të jetë absolutisht një fund i ngushtë mbas trupit, që rrit elegancën e këmishës duke krijuar një veshje absolutisht klasike dhe rigoroze, me një prekje të gjallërisë të dhënë nga ngjyra.

Dhe nëse do të donim ta kombinonim këtë bluzë me një minifund të lezetshëm? Sigurisht që mund të bëhet, pasi të gjitha minifundet mund të jenë në abitetin e tyre shoqëruar me çdo lloj stili.

Atletet, ky pasion që sa vjen e shtohet. Ju prezantojmë me 5 modele, një prej të cilave do të duhet ta keni patjetër këtë sezon!

Tani njihen me ndërkombëtaren sneakers dhe s’ka asnjë nga ne që nuk ka disa palë në shtëpi. Por ne do t’ju njohim me 5 më të famshmet për këtë sezon.

kur flasim për këtë lloj këpucësh, para nesh hapet një botë e tërë. Tani ka me të vërtetë nga të gjitha llojet, që ga e bardha totale tek ato me ngjyra. Sivjet, sidomos ato me ngjyra.

Nga pëlhura pambuku tek lëkura, duke kaluar nëpër ato të bëra nga materiale inovative dhe ekologjike, për shembull duke ricikluar plastikën, apo edhe mbetjet ushqimore të frutave, për një aksesor plotësisht eko-të qëndrueshme.

Një gjë është e sigurt, megjithatë, atletet janë bërë çelësi i vërtetë për t’u kombinuar me të gjitha: që nga kostumet elegante tek ato sportive, apo në përditshmëri. Ideale për një look zyre, por edhe perfekte për një mbrëmje nga ato më elegantet, kështu që ato nuk do të përjashtohen tani as nga fustani i mbrëmjes.

I pamë madje të parakalojnë edhe në pasarela, duke shoqëruar fustanet e alta moda-s. Kështu pra, atletet apo sneakers tashmë janë ato që kanë vendosur zërin e tyre kudo. Por cilat janë modelet që duhet të kemi patjetër këtë sezon ptanverë-verë 2021?

5 llojet e domosdoshme të sneakers-ave për pranverë-verë 2021

Nga Nike te Adadis, duke kaluar nëpër Vans-et ose Date, e për të arritur te më të mëdhenjtë e modës e luksit, si Golden Goose, Gucci, Balenciaga, dhe lista mund të vazhdojë e të zgjatet pafund.

Të gjithë kanë investuar te atletet, duke i prezantuar ato ngado.

Në fakt, atletet tani janë këpucët më të përdorura ndonjëherë. Shkak mund të jetë pandemia dhe kjo dëshirë për rehati, por le të ngrejë dorën dikush që nuk ka të paktën një palë në dollapin e tyre. E pra, s’ka, e dinim. Atletet tashmë kanë goditur zemrën e të gjithëve.

Dhe meqenëse atletet tani mund të konsiderohen si një palë këpucë klasike me taka, që shkojnë me çdo lloj look-u, le të zbulojmë 5 modelet më të domosdoshme për pranverë-verë 2021.

Total white (të bardhat)

Atletet e bardha, krejtësisht të bardha, mbeten gjithmonë në modë. Por cilat konsiderohen më ikoniket?

Nga Vans-et e larta klasike të bardha, tek atletet e linjës së pastër të Golden Goose, e deri te modeli  Air Force të Nike.

Chunky

Ato janë konsideruar si atlete budallaqe, madje është guxuar deri sa të quhen të shëmtuara, por ç’të bësh që janë shumë në modë. Besoj se e kuptuat se e kemi fjalën për Chunky-t.

Ne mund ta kombinojmë chunky-n me gjithçka. E bukur me ngjyra neutrale apo edhe ato krejtësisht të bardha, si Fila Disruptor, duke mos evituar dot modelet shumëngjyrëshe, si ato të Balenciaga-s, nuk ka asgjë që vendos limite.

Fluo

Tani na është bërë e pamundur të mendojmë verën e të mos na shkojë mendja te ngjyrat fluoreshente. Dhe as këtë sezon nuk përjashtohen, qoftë edhe në atlete. Stili që do të na shoqërojë do të jetë ai i viteve ’90 dhe marka të ndryshme i kanë propozuar ato, që nga Nike në Date, duke kaluar nëpër 2star dhe Sun 68.

E nëse disa kanë vetëm capak detaje të vogla, të tjerat janë në stilin total fluo.

Basket sneakers

Ikonike dhe pa koment, tashmë basket sneakers janë absolutisht të famshme. U bënë trend nga i famshmi Michael Jordan, i cili i veshi ato për markën Nike. Mjaftoi kjo dhe kampionati NBA për t’i bërë këto atlete të kërkuara nga të gjithë.

Tashmë edhe markat luksoze si Dior, i propozojnë ato si trend i këtij sezoni. Njerëzit me influencë internetike dhe jo vetëm, na i propozojnë në këmbët e tyre, për të na e bërë edhe më të ethshme pasjen e tyre.

Aniye By

Vegan

Dhe së fundmi, po e mbyllim këtë përmbledhje me modelet vegane, shumë të modës mes yjeve. Ndër më në modë sigurisht që janë ato të markës Veja. Atlete të bëra në një mënyrë eko-të qëndrueshme me lëndë të parë nga bujqësia organike dhe plastika e ricikluar.

Veshja e tyre nga Megan Markle e Katie Holmes, apo Emily Ratajkowki e Reese Whiterspoon, flet vetë. Dhe këto janë vetëm disa nga yjet që i kanë bërë të vetat tashmë, lista e të cilëve është shumë më e gjatë.

Manikyrët fluo të Fedez kanë shpërthyer internetin. A do të jetë kjo tendenca e së ardhmes?

Manikyrët e Fedez kanë bërë të shpërthejnë polemikat në rrjetet sociale, por janë shoqëruar edhe me pyetje të tipit: pse një burrë duhet të bëjë thonjtë me ngjyra? Dhe përgjigja nga ana e të gjithë atyre që e shohin këtë tendencë pa komplekse është gjithmonë e njëjtë dhe sigurisht revolucionare: e pse jo?

Chiara Ferragni dhe Fedez mbajnë thonj shumë të shkurtër, duke qenë se të dy punojnë shumë me pajisje teknologjike dhe PC dhe vajzat që vuajnë nga thonjtë e gjatë e dinë shumë mirë, sa të pakëndshëm janë thonjtë e gjatë për këtë lloj aktiviteti.

Sidoqoftë, kjo kurrë nuk i ka penguar Ferragnez që të kënaqen me artin e thonjve paksa të çmendur, gjithmonë me ngjyra e madje të ndezura.

Të dy shpesh zgjedhin manikyr identikë ose të paktën të ndryshëm vetëm nga ngjyra, për të dhënë mesazhin se tashmë nail art është një pasion unisex.

Megjithatë, tradicionalistët kanë ngritur gjithmonë kritika, ndërsa reperi Fedez dhe gruaja e tij kurrë nuk kanë ndalur së bëri thonjtë së bashku. Fedez u prezantua edhe në Ariston, në Sanremo me nail art shumë të rafinuar, për të ndarë me të gjithë pasionin e ri të tij.

Por çfarë vjen më pas? Smaltet fluo, të cilave Fedez u dha emrin e tij.

Manikyrët fluo të Fedez pritet të bëhen trendi më i ri në artin e thonjve

Ideja se make-up-i i përket vetëm grave, tani është e vjetëruar. E kemi parë rëndom në pasarelat e të mëdhenjve të modës, të cilët i mëshojnë unisex-it dhe tipit androgjen dhe në jetën e përditshme, gjithnjë e më shumë, djemtë e burrat e rinj po vendosin pa problem manikyrin e thonjve. Për të mos folur për rrokerët që tashmë e kanë trend që prej viteve ’80.

Kështu pra, Fedez vendosi të jetë në krye të trendit dhe t’i japë emrin e tij, një serie manikyresh gjysmë të përhershëm me ngjyra fluo, që u lançua dje.

Faqja e shitjeve, me të cilën Fedez ka hyrë në partneritet, u bllokua nga vizitorët online, aq sa doli nga përdorimi. Më pas u rikthye dhe ishte në gjendje të nisë shitjet.

Por cilat janë ngjyrat specifike të propozuara nga linja e manikyrëve të Fedez?

Ekzistojnë gjashtë ngjyra, tre prej të cilave janë “bazike”, domethënë e kuqe, e zezë dhe e bardhë, dhe tre të veçanta, që është e verdha e ndezur, mente dhe ngjyra e karavidhes apo aragostës (një e kuqe me një ngjyrim trëndafilie, saktësisht si lëvozhga e aragostës, nga e cila është frymëzuar).

Në realitet, e kuqja frymëzohet nga ngjyra e dritës që ndizet në stacionet e radios për të treguar që prezantuesit janë “on air” dhe se transmetimet kanë filluar, ndërsa e verdha e ndezur është një ngjyrë fluoreshente tipike e viteve nëntëdhjetë.

Sidoqoftë, goditja e vërtetë, gjetja pra, qëndron në veshjen e sipërme fluoreshente transparente që nuk ndryshon ngjyrat e manikyrit, por bën që çdo manikyri të shkëlqejë në errësirë.

Ndoshta një pamje fluo është e mirë për djemtë, por a është paksa “too much” për vajzat që janë të varura nga arti i thonjve?

Ndoshta, por mbase sepse nuk e kemi provuar ende. Kemi frikë se shumë shpejt do të bëhet virale.

Një strategji e mirë për të ndjekur trendin është të përdorni prekje të vogla të ngjyrave fluoreshente në një thua që praktikisht mbahet natyral ose trajtohet me smaltë nude.

Një strategji tjetër mund të jetë një pamje më agresive, me një bazë të zezë, mbi të cilën vendosen detaje dhe prekje të ngjyrës fosforeshente.

Me pak guxim, ju mund të zgjidhni edhe një pamje totale që përfshin vetëm një ngjyrë në të gjithë thoin, pa kombinuar domosdoshmërisht dy ose më shumë ngjyra së bashku.

Dhe madje edhe e verdha, e përdorur në thonjtë e shkurtër, nuk duket aq e tmerrshme për t’u vendosur e vetme.

Mbi të gjitha, tendenca e solid color, pra përdorimi i ngjyrave kompakte njish, tani është shumë e popullarizuar edhe në grimin e syve!

Epo, mirë ardhsh Verë! Po të presim.

Me pandemi nëpër këmbë, veshjet sportive, tendencë edhe për këtë sezon. Ja si t’i veshim e kombinojmë edhe me aksesorët

Nuk po kuptohet qartë nëse është street style në pararojë për tendencat apo të mëdhenjtë e pasarelave. Një gjë është e qartë, koha që po jetojmë me siguri që është. Të izoluar në shtëpi, ose të mbyllur me orare kufizuese, të detyruar të punojmë nga shtëpia, sigurisht që bën sens më shumë një veshje sportive me kohë të gjatë.

Ndaj gjithçka vërtitet rreth veshjeve sportive, të cilat duket se u iniciuan nga vajzat më in amerikane, por nuk munguan as nëpër javët e modës.

Veshjet sportive sot po evoluojnë me shpejtësi dhe fabrikat e prodhimit të tyre po perfeksionojnë stilet dhe pëlhurat e përdorura. Kështu që pëlhura e quajtur teknike, e cila është më profesionale, por edhe më e qëndrueshme, pa dritën e shitjeve me shpejtësi.

Por më tej kemi edhe një trend të fundit, lidhur me stilin e veshjeve sportive. Nga ana tjetër, sa herë jemi gjendur në vështirësi mbasi kemi veshur një kostum sportiv, për çantën që do të na shoqërojë me veshjen?

Nëse kostumet sportive i veshim pafund, nuk mund të rrimë gjithë kohës me zaino në sup, aq më tepër kur kostumet sportive gati po kalojnë në veshje shik.

Kështu që vendosëm të sugjerojmë më të fundit nga pasarelat dhe street style, lidhur me këtë.

Felpa me kapuç, hoody, streçe sportive dhe sneakers. Por jo vetëm. Edhe triko, funde e bluzat polo të bëra me pëlhurën teknike. Pa e zgjatur shumë: fjalën e ka sportivja dhe do të jetë mbretëresha e sezonit.

Të gjithë bien dakort se veshjet sportive, në kohën që po jetojmë, por edhe me një pranverë që po shihet si e paqendrueshme është zgjedhja më e mirë. Është shik, midis të tjerash dhe komode për gjithçka.

Teknike dhe sportive – tendencë pranverore

Nga Kaia Gerber te Kendall Jenner i shohim të vërtiten rrugëve të Los Anxhelosit me streçet sportive dhe atlete, duke kaluar me lehtësi nga klasa e yogës në tavolinën e drekës.

Elementi i parë që nuk bën të neglizhohet në këtë garderobë me look sportiv, janë teksturat: pëlhura teknike dhe performuese që duhen zgjedhur.

Por cila është ajo që nuk mund të shmanget? Sigurisht që felpa me kapuç. Mesa duket  ka vend për ri-interpretim, sepse atletet do të duhet të jenë me ngjyra dhe me stil.

Mesazhi kalifornian është: mendje e shëndoshë në truup të shëndosh, por sigurisht me modë!

Po çfarë rezervon pranvera 2021? T’i shohim bashkë

Materialet high tech dhe ngjyra, ngjyra, ngjyra. Moda sportive e këtij sezoni përfshin stilet futuriste dhe ca nga ato pa kohë. Dhe është krejt normale sa këto veshje tashmë janë përditshmëria jonë. Do të ecim nën ritme të alternuara, që nga kostumet sportive bazike, tek veshjet sportive të stilit bluza e funde me material teknik. Sigurisht që është kthyer bluza polo me fuqi të plotë, por në version grafik e me mëngë të gjata, sikurse variantet me mëngë të shkurtra e jakë gjysmë-golf, por me ngjyra agrumesh apo dyngjyrëshe.

Aksesorët? Për së pari kapelja në formë kove është ajo që bën boom. Sikur të jetë edhe me ngjyra fluoreshente pastaj është top.

Çantat pastaj, ato të shpinës sidomos, janë kthyer në objekte luksoze, me gjithë gamën e propozimeve që mjeshtrat e tyre na kanë bërë.

Sa i përket këpucëve, sandalet sportive të gomës janë numri nji, por atletet do të jenë ato që nuk do t’i heqim dot nga këmba: me ngjyra apo të bardhat që s’dalin kurrë nga moda, nuk do t’u rezistojmë dot pa blerë disa palë të tjera, veç atyre 100 copë që tashmë i kemi.

Por si të kombinohemi që të jemi në trend? Sipas koleksioneve të modës…

… janë dhënë sugjerimet në parakalimet e pasarelave.

Si ta kenë bërë me fjalë, brand-et e ndryshme kanë vënë theksin te veshjet sportive, për t’i sjellë ato jo vetëm të rehatshme, por edhe elegante dhe të rafinuara. Kështu që nuk kanë munguar në koleksionet pranverë-verë 2021.

Fustane floreale, xhaketat sportive (blazer) flu dhe me ngjyra pasteli u shfaqën siluetat e modës teknike, të diktuara tashmë nga koha që jetojmë.

Te Louis Vuitton pamë një kombinim unisex, përbërë nga pantallona dhe bluza oversize, për tu veshur nën kapardinën midi. Për Ferragamo pranvera 2021 është total look i frymëzuar nga uniformat e punës.

Nga ana tjetër, David Koma, përqendrohet në pantallonat e shkurtra të çiklizmit, të veshura nën korse me të kuqe të ndezur. Dhe Coperni rindez temën mashkullore / femërore me bady-n e ngushtë në nuancë ciklamine të kombinuar me pantallona burrash të zeza XL, veshje për t’u kompletuar me atlete të bardha në kontrast.

E sa i përket street style…

… jo më larg se dje folëm për nënat e reja që nuk janë thjesht kaq, por super-modele.

Por le të shohim Elsa Hosk, e cila e ka rafinuar së tepërmi pamjen e saj nën veshjet sportive, për shkak edhe të komoditetit si nënë e re.

 Shohim një Elsa në oversize, me felpë dhe streçe sportive dhe sigurisht atletet komode. Por kujdes, gjithçka në trend, ngjyrat energjike dhe aksesorët e studiuar deri në detaj.

Në një nga postimet e fundit në Instagram, ajo shfaqet me kostumin sportiv ngjyrë jargavani, me bluzën me kapuç dhe tutat në material eco-friendly, me atletet Nike dy ngjyrëshe, jeshile dhe e verdhë e artë. E të bën përshtypje çanta e vogël e dorës, Balenciaga, në ngjyrë të gjelbër neon.

Doni më për Belulin?

Këto kishim për t’ju informuar, nëse doni të shtoni diçka tjetër që keni pikasur, jemi të hapur për diskutime. Moda është Moda!

Redaksia Vip © të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Flokë gri? Po, faleminderit! Ngjyra gri argjend e flokëve dhe sfumaturat e saj që po magjepsin gratë

Ndonjëherë mjafton një ndërmarrje e guximshme, një lëvizje femërore që flet me frikën e të gjithave dhe voilà, gjithçka mund të kthehet në trend.

E kemi fjalën për gratë e maturuara tashmë, maturimi moshor i të cilave shoqërohet me flokët natyral gri, të cilat shpesh përpiqemi menjëherë t’i mbulojmë, si për të mos rënë dakord me moshën që ecën në ne.

Por ja tek gratë morën guximin t’i prezantojnë flokët e tyre të thinjur ashtu natyral, pa u përpjekur t’i mbulojnë ato me ngjyra të tjera më rinore.

A u kthye grija në trend?

Duket se po, grija po bëhet trendi i fundit dhe të gjitha duan ta provojnë atë. Matësi më i mirë sot mbeten rrjetet sociale dhe në këto të fundit grey blending i ka magjepsur të gjitha, ashtu si sirenat magjepsëse të Odisesë.

JANE FONDA

Eksperienca femërore ka treguar se gratë kanë qenë të dyzuara para ngjyrës gri të flokëve, disa e deshën menjëherë dhe përgjithmonë, të tjerat e urryen dhe e mbuluan menjëherë. Por nëse do të duam të përfshijmë edhe të rinjtë në këtë diskutim, një eko nga e shkuara me flokë gri aromë gjysheje i ka mbetur të gjithëve e pashlyeshme.

Nga ana tjetër nëpër sallonet e bukurisë në modë kanë ardhur tashmë tendencat pranverore, nga titanium silver në shadowing.

Gratë e guximshme dhe trendi gri

Nga Jane Fonde deri te Carolina e Monakos dhe Letizia e Spanjës, gratë u rebeluan ndaj “normalitetit” të mbulimit me kimikate të flokëve të tyre. Dhe rezultatet erdhën sigurisht, flokët e grave të maturuara po marrin frymë lirisht nën shkëlqimin e argjendt të origjinalit.

Lëvizjes iu bashkuan edhe royal-ët, për të demonstruar se ajo magjepsja mbretërore si e përrallave nuk humbet, nëse një tufë flokësh e zbardhur shfaqet diku nëpër flokë. Kështu që, edhe Carolina e Monakos, edhe Letizia e Spanjës iu bashkuan grave që deshën rikthimin në normalitetin e vërtetë, duke e nxjerrë atë nga thonjëzat.

Carolina e Monakos

Pra duket se lëvizja kundër përsosmërisë ka përfshirë çdo element femëror dhe po bëhet më e thellë. Ja pra që ndonjëherë, një ngjyrë tepër e diskutueshme bën rrugë të mundimshme për të rishpikur veten: nga hiri në ngjyrën e hirtë, si sfinksi, rilindi edhe njëherë tendenca.

Siç thamë më lartë, pamë Jane Fonda dhe Helen Mirren dhe jo vetëm, të eksperimentonin me grinë e shkëlqyeshme dhe plot dritë, vitin e fundit.

Grey blending – transformimi që mori grija duke shfrytëzuar thinjat

Kalimi në grinë përfundimtare dhe uniforme nuk është aq i lehtë. Aq më tepër duke shfrytëzuar dorën që të jep thinja. Thinjat depozitohen më shumë në zonën e tëmthave dhe në pjesën e përparme, por mbrapa dhe gjatësitë janë ende në ngjyrat e shkuara.

Kështu që ka një sfidë që i përket parukerisë, për të shfrytëzuar diçka që e kanë, me finalizimin e rezultatit që duan. Duket si një ekuacion matematikor, por ekuacionet zgjidhen.

Ja pra se si lindi teknika Grey blending, e cila ka pasur rezultate të jashtëzakonshme vlerësimi në rrjetet sociale, sidomos në Instagram. Dhe jo rastësisht. Në bazë ka një lojë me sfumaturat, të aplikuara me të njëjtat kritere si balayage, çka lejon një tranzicion të butë, pa shkëputje të mëdha, por që në të njëjtën kohë mund t’i japë jetë edhe një pamjeje hibride.

Çfarë është balayage dhe efekti në flokët gri

Balayage është një teknikë dekolorimi, por që ndryshon thelbësisht nga teknikat e tjera, duke dhënë edhe një efekt totalisht natyral.

Teknika shfrytëzon efektin “puthja e diellit” dhe aplikimi bëhet në përputhje me formën e fytyrës dhe prerjes së flokëve sigurisht. Zakonisht e vendos parukieria se ku do të ndërhyjë me dekolorimin në mënyrë që t’i japi flokut dritën natyrale që do të përkthehet më pas në fytyrë.

Të kthehemi tek nuanca gri. Është e njëjta teknikë që po përdoret: ashtu si me çdo lloj tjetër balayage, për të arritur grey blending fillohet disa centimetra nga rrënja. Në flokë gri natyralë, për shembull, mund të përdoren pigmente të ftohtë argjendi dhe bionde akulli për t’i dhënë dritë sfumaturave natyrale, ndërsa rreth fytyrës zbatohen rregullat e hair contouring, të cilat zgjasin, shtrëngojnë, përsosin dhe mbushin formën ovale optike.

Pra, nëse dikur gjithçka bëhej për t’i mbuluar, tani është e kundërta: të vësh theksin te grija është një zgjedhje e zgjuar.

Si alternativë e grey blending, nga të rejat zgjidhet dekolorimi, për të provuar një ngjyrë choc. Vetëm se kjo nuk të shpëton dot nga takimet me parukieren, për shkak të rritjes së flokëve dhe daljes së rrënjëve natyrale.

Tre nuancat e trendit pranverë-verë 2021

Titanium silver

Një ngjyrë shumë e popullarizuar, të cilëm e pamë të parakalonte në koleksionet e pranverë-verë të propozuara nga sallonet. Titanium silver, për shembull, (çeliku i ndritshëm), të cili s’duhet t’ia ndajmë sytë, ka dalë mes trendeve në fund të vitit 2020, mbështetur edhe nga zgjedhja e Institutit Pantone, për t’u përqëndruar në Ultimate Grey për 2021-shin.

Nuanca është verbuese dhe moderne, sidomos në një prerje pixie të kujdesshme, dhe evokuon stabilitet dhe qëndrueshmëri, cilësi më shumë sesa të nevojshme për të përballuar sfidat e kësaj periudhe. Siç shihet në foton më sipwr, baluke e gjatë, anësoret e sfiluara dhe qafa e zbuluar, edhe pse jo shumë. Ky është demonstrimi i Titanium silver në pixie, një grua e lirë dhe e pavarur.

Shadowing në flokët gri

Edhe në këtë rast, mjeshtrat e parukerisë e vënë theksin te prerja e shkurtër pixie, për të bërë bashkë grinë me një prerje të rafinuar, gjallëruar me tonalitete të ndryshme të ngjyrës, falë teknikës shadowing. Kontraste të guximshme të sfumaturave.

Tufa më të errëta shfaqen aty ku nuk i pret, duke i dhënë dritë tufave të flokëve më të hapura, dhe i japin kështu dinamikë prerjes, por edhe më shumë efekt volumi.

Diferencat e tonaliteteve mund të modulohet sipas dëshirës së secilës prej nesh, në bazë të kontrasteve që duam të kemi. Nga e gjitha kjo duhet ta keni kuptuar se ato që quhen ngjyra të sheshta janë për momentin out, dhe kjo në emër të dinamizmit dhe sofistikimit.

Grija fumé apo tym

Ngjyra neutrale, të ndritshme dhe të ftohta që theksojnë pastërtinë dhe thelbin e prerjes: kjo është zgjedhja e ngjyrave, e cila ofron një palete fumé. Sfumaturat janë të pozicionuara dhe të krijuara në perimetrin dhe gjatësitë për t’i dhënë jetë një bjondeje, që ka tendencën e hirtë. Mundësitë e përshtatjes dhe personalizimit këtu janë të gjëra dhe lejojnë adaptimin e nuancave edhe për lëkurat më të errëta, për të cilat zakonisht përjashtohen disa nuanca.

Një rrënjë me ngjyrë më të thellë për shembull, mund të kombinohet shumë mirë me lojën chiaro-scuro (e çelët-e errët) përreth fytyrës, e bën tonalitetin më të përshtatshëm për lëkurat e çelëta me ton të ngrohtë. Më sipër grija fumé e kombinuar me bionden. Më bukur se kaq…!

Redaksia Vip

© të gjitha të drejtat janë të rezervuara