Durrësi proteston me këpucët e kuqe, instalacioni në ditën e 8 marsit

Durrësi ka vendosur të protestojë sot, në ditën e 8 marsit të Grave, me instalacionin  e këpucëve të kuqe, formë proteste e cila tashmë ka bërë xhiron e botës që kur për herë të parë u soll nga artistja meksikane, Elina Chauvet, në shenjë proteste ndaj humbjes së të motrës, si pasojë e dhunës në familje.

Durrësi është i renditur i pari në listën e zezë dhe të turpshme të humbjes së jetëve të grave, në rrang vendi. Ndaj edhe sot protesta aty ka marrë ngjyrën e kuqe të këpucëve bosh, si një mesazh i fortë ndaj dhunës në familje dhe humbjes së jetës së grave nga dhuna barbare e burracake e burrave.

Shkallët e galerisë “Nikolet Vasia” janë mbushu me këpucë të kuqe proteste të mbledhura jo vetëm nga gratë e qytetit dhe janë simbolika e dhunës barbare që i ka marrë jetën grave.

Ka qenë regjisorja Driada Dervishi ajo, e cila edhe gjatë fjalës së saj theksoi se kjo ditë dhe ky instalacion do të duhet të shërbejë për ndërgjegjësimin ndaj fakteve tronditëse.

Ishte nëpërmjet rrjeteve sociale që mori jetë nisma e teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, një thirrje së cilës iu bashkuan shumë gra për t’iu bashkuar protestës dhe vullnetit për ndryshimin e mëndësisë në një shoqëri patriarkale, ku jeta e gruas nuk ka aspak vlerë dhe ajo shihet ende sot si plaçkë.

Nuk mbaron këtu, trupa e teatrit në bashkëpunim edhe me të tjera personalitete të artit kanë përgatitur 8 histori të vërteta grash, të shoqëruara me fotografi dhe video të shkurtra të cilat do të shfaqen mbasditen e ditës së sotme edhe live nëpërmjet fb të teatrit të Durrësit.

Recommended Posts