Taylor Swift mund Whitney Houston, tani është ajo mbretëresha e top-listave

Falë albumit më të fundit “Folklore” ajo është artistja grua me numrin më të lartë të vendeve të para në renditje. Ngjarja është tashmë zyrtare dhe është ndarë edhe në Twiter.

Rritja e Taylor Swift është e pandalshme dhe tani ylli amerikan i muzikës pop ka thyer një rekord të ri, duke u bërë këngëtarja që ka pushtuar në mënyrë të përsëritur numrin një në listën prestigjioze Billboard 200.

Deri më tani, kurora kishte qenë e  Whitney Houston, por falë shitjeve të albumit të saj të fundit “Folklor”, Taylor u ngjit në vendin e parë për herë të 47-të, duke tejkaluar kështu numrin 46 të Houston.

Billboard 200 rendit rekordet më të njohura në SHBA, duke kombinuar shitjet fizike dhe dixhitale. Befasues albumi i fundit i Swift “Folklor”, i dalë në heshtje dhe pa promovime në gusht, fluturoi në krye të top listave këtë javë. Falë 87 mijë kopjeve të shitura, ylli i popit ka përjetuar tronditjen e vendit të parë, për herë të 47-të.

Një moment i rëndësishëm, edhe pse larg rezultateve të arritura nga kolegët meshkuj. Në fakt, Beatles ka kryesuar listën e rekordeve plot 132 herë, duke dominuar historikisht renditjen e përgjithshme, ndërsa midis solistëve kryeson Elvis Presley, i cili ka pushtuar majën 67 herë. Pas tij këngëtari Garth Brooks 52 dhe mbreti i pop-it Michael Jackson për 51 javë. Pozicioni i pestë për Taylor Swift  me 47 herë, e cila lë pas Whitney Houston (46) dhe grupin folk, The Kingston trio (46).

Në vendin e tetë është Sir Elton John (39), ndërsa vendi i nëntë është i ndarë nga dy grupe: Fleetwood Mac (38) dhe Rolling Stones (38). Në pozicionin e dhjetë gjejmë Harry Belafonte dhe Monkees (37), ndërsa tani jashtë topten-it gjenden Prince (35), Adele dhe Eminem (34), si dhe Eagles që u barazuan me Mariah Carey (30).

Zâ Fest prezanton magjinë e festës online

Zâ Fest është kthyer në një festë dhe s’do mend që do të ishte kështu.

Kur nisi edicioni i parë, para tre vitesh, fakti që drejtor artistik i këtij eventi ishte Vlashent Sata, ishte një garanci për të gjithë artdashësit shqiptar. Pastaj, koncepti për t’u organizuar në pikat më të bukura skajore të veriut të Shqipërisë, ishte edhe më shumë vlerë brenda vlerës së një organizimi të tillë muzikor.

Zâ Fest – zâni i festës nga Thethi magjik, këtë vit u ngjit edhe në kalanë e Rozafës, një nga monumentet tona të vyera kulturore, ku edhe pse pa publik për shkak të pandemisë, zhvilloi aktivitetin e saj të përvitshëm tashmë, në datat 14,15, 16 gusht.

Oganizatorët e Zâ Fest mbështeten nga Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri dhe vetë ambasadori Luigi Soreca është parë tepër aktiv në ndjekjen e këtij aktiviteti.

Lajmi më i ri nga eventi është se ditën e dielë, 27 shtator, oara 18:00, do të shfaqet online për të gjithë artdashësit shqiptarë, filmi i Zâ Fest nga edicioni i katërt në kalanë e Rozafës në Shkodër. Festivali do të shfaqet në platformën YouTube dhe Facebook të Zâ Fest.

Zâ Fest është parë si promovim, motivim dhe mesazh i fortë për rizgjimin e vlerave kulturore të vendit tonë, shijimin dhe prezantimin e natyrës së mrekullueshme shqiptare, kultivimin e artit të vërtetë, promovimin e ekonomisë lokale e jo vetëm, rikthimin në historinë e popullit shqiptarë dhe në vlerat për pak të humbura.

Për të gjitha këto arsye, suksesi i këtij eventi duhet të jetë padyshim krenari për artistin Vlashent Sata dhe organizatorët e tjerë të eventit.

Në skenën e improvizuar të kalasë së Rozafës u ngjitën në skenë për herë të parë, edhe grupe të rinj premtues si: Shkodra Elektronike dhe Sytë, të cilët me performancat e tyre sollën një këndvështrim krejt të ri në artin shqiptar.

Aktiviteti është i organizuar jo vetëm me muzikë, por edhe me mbrëmje poetike dhe aktivitete të tjera kulturore.

Në këtë edicion të 4-t të tij, në ambientet e mrekullueshme të Thethit, midis të ftuarve ishte edhe artistja Ilire Vinca, me 30 vjet karrierë në pedagogji, kinematografi dhe teatër, e cila interpretoi poezi me mesazhe të forta për të drejtat e grave. Gjithashtu, Ilir Kaso, pedagog i Akademisë së Arteve, përmes performancës së tij me gurë të mbledhura gjithandej nëpër Shqipëri, përcolli mesazhin e ruajtjes dhe dashurisë ndaj natyrës.

Nëse qëllimi i startit të këtij festivali ishte vijimësia e tij, pa ndroje e themi se ia ka arritur qëllimit, madje është nga të paktët evente me vlerë që zhvillohen në vendin tonë.

Jennifer Lopez dhe Maluma, uau çfarë surprize!

Jennifer Lopez dhe Maluma po na befasojnë gjithmonë e më shumë. Jo vetëm që do të luajnë bashkë në komedinë romantike“Marry Me”, por gjithashtu do të sjellin për fansat bashkëpunimin e tyre në dy këngë.

Premiera e të dy këngëve të reja do të shfaqet më 24 shtator, në orën 18:00.

Lopez ka postuar një klip promovues, ku njofton se klipi “Pa’Ti-Lonely” lançohet të enjten dhe premiera do të paraprihet nga një vështrim i prapaskenave në TikTok.

“Gjithçka nis në TikTok”, shkruan JLo në kanalin e saj në Youtube.

Dy këngëtarët seksi do të sjellin hitin e tyre të enjten dhe të gjithë mezi po presin.

Emmy Awards 2020 dhe fituesja 24-vjeçare që mori çmimin në distancë

Një event ndryshe, që me siguri as vetë VIP-ave s’u kishte shkuar në mendje kurrë. Të vishesh në dhomë dhe të bëhesh pjesë e eventit të çmimeve Emmy në sallonin e ndenjes. Kështu e transformoi jetën koronavirusi, pa dallime.

Ceremonia e ndarjes së çmimeve Emmy për vitin 2020, e drejtuar nga Jimmy Kimmel, sigurisht nuk kishte shkëlqimin e përhershëm, megjithatë diversiteti e bëri të veçantë dhe unike këtë mbrëmje.

Jennifer Aniston postoi një foto me maskën e saj të fytyrës, duke shkruar: Duke u përgatitur për çmimet Emmy me një maskë ndryshe.

Në fillim aktorja u shfaq në shtëpi në një lidhje direkte me Jimmy Kimmel, ku bashkë me të ishin dhe miqtë e saj të serialit “Friends”. Por surpriza nga Aniston nuk mungoi, pasi ajo spikati me look-un e saj mjaft elegant, kur u shfaq personalisht, në Staples Center, në Los Anxhelos. Aniston, e cila është nominuar për rolin e saj në “The Morning Show”, kishte veshur një fustan të zi nga John Galliano me bizhuteri të Christian Dior dhe taka Dior.

Ceremonia e çmimeve Emmy dukej shumë ndryshe këtë vit, ndërsa të nominuarit vendosën kamera në shtëpitë e tyre për të marrë pjesë virtualisht në këtë event në mes të pandemisë së koronavirusit.

Triufuesja e Emmy 2020 ishte aktorja e serialit “Euphoria”, Zendaya. Ajo kishte veshur një fustan të Christopher John Rogers, me një fund ngjyrë lejla voluminoz dhe një varg gurësh të çmuar Bulgari rreth qafës.

Zendaya bëri historinë e Emmy-t kësaj here, duke u bërë gruaja më e re që fitoi çmimin: “Aktorja kryesore e mirë në një Seri Dramë” për punën e saj në “Euphoria”. Zendaya është vetëm 24 vjeç.

Pasi pranoi çmimin e saj nga distanca, aktorja e “Euphoria” zbuloi pamjen e saj të dytë të natës, nga Giorgio Armani Privé: plot shkëlqim dhe i denjë për rastin.

Albumi i sapo publikuar i Ava Max, i pari në listën zyrtare në iTunes

Në kuadrin e mburrjes kombëtare të gjithhershme me sukseset e shqiptarëve nëpër botë, tashmë do të kemi edhe një arsye më shumë për ta bërë këtë. Çfarë ka ndodhur?

Shqiptarja me famë ndërkombëtare, Ava Max, ka arritur majat, duke na e bërë zemrën mal. Ajo ka publikuar albumin e saj të parë, “Heaven and Hell”.

Albumi i sapo “dalë nga furra” ka thyer çdo pritshmëri dhe duket se ka pasur shumë sukses që në 24 orët e para të publikimit.

Kjo pasi “Heaven and Hell” është ngjitur menjëherë në vendin e parë në top listën zyrtareve të albumeve në iTunes, në nivel global.

Një sukses i tillë patjetër që e ka gëzuar artisten shqiptare me prejardhje nga Qeparoi, e cila gëzimin e saj nuk hezitoi ta ndajë me fansat në rrjetin social Instagram.

Ajo publikoi dy fotografi, në njërën prej së cilës shfaqej top lista zyrtare me albumet më të kërkuara të momentit në iTunes, ku i pari renditet ai i këngëtares 25-vjeçare, ndërsa në fotografinë tjetër, Ava Max pozoi me disa balona në duar për të festuar këtë sukses.

“Albumi numër 1 nivel global, ju djema jeni bisha! Faleminderit”, ka shkruar në mbishkrimin e fotografive këngëtarja, emri i vërtetë i së cilës është Amanda Koçi.

Duke u renditur e para në këtë listë, shqiptarja ka lënë prapa albumet e emrave të njohur botërorë si: Alicia Keys, Marilyn Manson dhe Adele.

Në albumin “Heaven and Hell” janë të përmbledhura plot 15 këngë të suksesshme, ndër to edhe hitet: “Sweet bus Psycho”, “Torn”, “So Am I” etj.

VIP revista

Sapore di Sale, kënga që për pak sa se vrau Gino Paolon

Surpriza e madhe me vdekjen e Morricones është se mësuam që dora e tij ishte edhe në ato këngë që ishin bërë hit tashmë në jetën tonë .E një nga këto është Sapore di Sale kompozuar nga Gino Paoli por aranxhuar nga Ennio. 

E shkruar në vitin 1963, “Sapore di sale” është konsideruar si një nga këngët ikonë të muzikës italiane gjatë viteve 60`.

Mirëpo përtej muzikalitetit të këngës qëndron një histori dashurie dhe vuajtjesh, të cilat kanë kulmuar me tentativën për vetëvrasje të Gino Paolit në korrik të vitit 1963.

Suksesi i këngës 

Jemi në zemër të boom-it ekonomik, saktësisht në vitin 1963, pikërisht në këtë vit Gino Paoli do të publikonte “Sapore di sale” këngën më të suksesshme në gjithë karrierën e tij artistike. 

Sa për historinë e këngës, vetë Paoli ka deklaruar se është frymëzuar nga historia e komplikuar e dashurisë mes tij dhe Stefania Sandrellit. 

Historia e dashurisë 

Në vitin 1962, teksa bënte turne në gjithë Italinë Gino Paoli ndeshet me Stefania Sandrellin. Në atë kohë marrëdhënia e tyre u cilësua si skandaloze nga media dhe nga opinioni publik. Kjo duke qenë se Paoli ishte i martuar dhe priste një fëmijë me gruan e tij, ndërsa Sandrelli ishte ende minorene. 

Tentativa e vetëvrasjes 

Në korrik të vitit 1963, i ndikuar nga gjithë situata që kishte shkaktuar marrëdhënia me Sandrellin, Gino Paoli tenton t’i japë fund jetës, duke qëlluar veten me pistoletë në zemër. 

“Çdo vetëvrasje është e ndryshme dhe shumë intime. Është e vetmja mënyrë për të zgjedhur, sepse gjërat thelbësore në jetë, si vdekja dhe dashuria nuk zgjidhen”, është shprehur artisti pas ndodhisë. 

“Ti nuk zgjedh të lindësh, as të duash, e as të vdesësh. Vetëvrasja është e vetmja formë arrogante që mund të gjejë njeriu për të vendosur mbi veten. Por unë jam prova që tregon se as kështu nuk mund të vendosë vërtet”, vazhdon Paoli. 

Në fakt sipas tij plumbi e ka shpuar zemrën, por ka ngecur në një pjesë të saj, ku gjendet ende sot. Kështu dështoi tentativa për vetëvrasje. 

Kuptimi 

Siç tregon vetë Gino Paoli, kënga ka lindur në një shtëpi të braktisur pranë plazhit të San Gregorios. 

Autori gjendej në Siçili për shkak të koncerteve dhe qëndroi edhe disa ditë me pushime, i ftuar nga baroni Milio. 

Teksti i këngës përshkuan një ditë tipike plazhi, ku partneri merr rreze, ndërsa partnerja hidhet në ujë e më pas vjen të thahet pranë tij. 

Ditët kalojnë ngadalë dhe kështu të dashuruarit izolohen nga bota reale. Deri në momentin kur pushimet mbarojnë dhe vjen e pashmangshmja lamtumirë. 

Le të themi që kënga Sapore di Sale është streha ku u arratisën Gino Paoli dhe Stefania Sandrelli pas gjithë furtunës që shkaktoi pa dashje, dashuria e tyre e ndaluar. 

“Kompozimi” i fundit i Ennio Morricones: Shpresoj ta keni kuptuar sa shumë ju kam dashur

I madhi Ennio Morricone diti të jetë artist deri në çastet e fundit të jetës, madje edhe përtej saj, duke i surprizuar të gjithë me aktin e tij të fundit, që është një kompozim lamtumire i shkruar me fjalë të ndiera dhe jo me nota pentagrami. Kështu, pra, gjeniu, artisti, njeriu që na dha kolonat zanore të filmave më të dashur e jo vetëm, zgjodhi të shkruante vetë nekrologjinë e tij. 

Letra në fjalë i është besuar mikut dhe avokatit të familjes, Giorgio Assumma dhe publikuar në mediat e vendit fqinj paraditen e sotme. 

“Unë  Ennio Morricone, kam vdekur”, shkruhet në fillim të nekrologjisë, e cila përfundon me fjalë dashurie drejtuar gruas së tij të dashur, miqve, fëmijëve nipave dhe mbesave. 

“Shpresoj që ta kuptoni sa shumë ju kam dashur”, shkruan Morricone në letrën e lamtumirës.

Më tej vetë maestro ka shpjeguar edhe arsyet se pse përcjellja e tij do të bëhej në qetësi: “Për një arsye të thjeshtë, nuk dua të bezdis”. 

Teksti i plotë 

Unë, Ennio Morricone kam vdekur. Kështu dua të lajmëroj të gjithë miqtë e mi, të cilët më kanë qëndruar pranë gjithmonë dhe ata të cilët kanë qenë pak më të largët, i përshëndes me shumë dashuri, pasi është e pamundur t’i përmend të gjithë. 

Kujtoj veçanërisht Peppuccion dhe Robertën, miq vëllazëror, të cilët na kanë qenë kaq pranë vitet e fundit në jetën tonë. 

Ka vetëm një arsye që më shtyn t’u përshëndes kështu të gjithëve dhe që të kem një funeral privat: nuk dua të bezdis. 

Përshëndes me shumë dashuri Inesin, Laurën, Sarën, Enzon dhe Norbert-in, të cilët ndanë me mua dhe familjen time një pjesë të madhe të jetës. 

Dua të kujtoj gjithashtu me dashuri motrat e mia, Adrianën, Marian dhe Frankën, si dhe të dashurit e tyre dhe t’u them se i dua shumë. 

Nga zemra përshëndes fëmijët e mi, Markon, Alessandrën, Andrean, Giovanni-n dhe nusen time Monikën, si dhe nipat e mi, Francescën, Valentinën dhe Francescon. Shpresoj që ta kuptoni sa shumë ju kam dashur.

Në fund, (por jo nga rëndësia) Maria. 

Për të dua të përtërij dashurinë e jashtëzakonshme që na ka mbajtur bashkuar gjithë këto vite, dashuri që më vjen keq ta braktis. Për të lë lamtumirën më të dhimbshme.

Kështu, me këtë “kompozim lamtumire”  Morricone ka zgjedhur të përshëndesë gjithë personat e dashur të jetës së tij. Ndoshta, kësaj here, mjeshtri nuk zgjodhi notat, por edhe përmes fjalëve arriti të na rrëqethë, ashtu siç bëri për vite të tëra me muzikën  e tij. 

Mbas Serbisë me lahutën, tani Irani regjistron çiftelinë në UNESCO

Më shumë se një vit më parë, Serbia regjistroi lahutën si pjesë të trashëgimisë së saj kulturore. Ngjarje kjo që solli shumë polemika në vendin tonë, në atë kohë, ndonëse këto të fundit u zbehën shumë shpejt. Pas kësaj ngjarje, sot Irani ka  vendosur të regjistrojë në UNESCO çiftelinë, ose që të jemi më të saktë, një instrument të quajtur dotar, i cili është shumë i ngjashëm me çiftelinë tonë.

Në lidhje me këtë ngjarje ka folur kompozitori dhe muzikologu i njohur, Mark Luli, i cili ia vë gishtin institucioneve shtetërore për humbjen e vlerave të trashëgimisë jo materiale. Ndër të tjera duhet thënë se muzikologu ka një lidhje shumë të veçantë me çiftelinë, pasi zotëron një koleksion të tërë me instrumente, mes të cilave gjendet edhe çiftelia e parë në trevat shqiptare, që mendohet se daton qysh në vitin 1860.

“Çdo popull ka historinë e vet. Ne nuk jemi popull pa histori. Por, këtë unë do ta quaja diçka normale. Është fatkeqësi që e quaj normale, por do të na i marrin të gjitha vlerat tona, të gjitha vlerat tonë. Kjo do të thotë që populli shqiptar s’ka histori, por e keqja jonë vjen nga ata që na mbrojnë”, thotë muzikologu Mark Luli për ABC news.

Në përgjigje të asaj çka  ka ndodhur ka reaguar edhe zv-ministrja e Kulturës, Meri Kumbe, në profesion muzikologe, e cila shprehet se nuk bëhet fjalë për të njëjtin instrument. Kumbe thotë se instrumenti ka pësuar ndryshime në formë dhe në elemente për shkak të migracionit që ka ndodhur ndër vite.

“Kultura, sidomos trashëgimia kulturore jo materiale janë kultura që gjallojnë bashkë me njeriun, si të tilla migrojnë, shkojnë nga shteti në shtet, apo nga qyteti në qytet. Por, për të qenë korrekt nuk është regjistruar çiftelia, por shteti i Iranit ka vajtur me instrumentin e vet që quhet dotar. Nuk mendoj se duhet të krahasohen dy instrumente të ndryshëm në cilësinë e prodhimit të tingullit”, tha Kumbe.

Ndër të tjera Kumbe ka folur edhe në lidhje me akuzat që janë drejtuar kah institucioneve shtetërore në lidhje me indiferencën ndaj trashëgimisë jo materiale. Në këtë pikë zv-ministrja shprehet se është alokuar një fond posaçërisht me këtë qëllim.

 “Ministria e Kulturës e Shqipërisë ka një vëmendje të posaçme lidhur me trashëgiminë kulturore jo materiale, edhe specifikisht në regjistrimin e dukurive në listën prezantuese në UNESCO. Margariti ka firmosur  një buxhet në dispozicion të kërkesave që vijnë nga komuniteti për këtë qëllim. Buxheti vjen rast pas rasti, sipas kërkesës”, shprehet Kumbe.

Kitara ka pesë tela, por këtij gjeniu i duhet vetëm një prej tyre për të na mrekulluar

Quhet James Jared Nichols është vetëm 31- vjeç dhe është një prej kitaristëve më të mirë në botë sa i përket rrymës Blues

James ka lindur në Wisconsin dhe jeton në Nashville, Tennessee (për ata që nuk e dinë këtu ka lindur kompania që prodhon kitarat historike Gibson) ndërsa në karrierën e tij numëron bashkëpunime edhe me kitaristë që janë cilësuar si ikona, mes të cilëve mund të përmendim Joe Bonamassa, si dhe Zakk Wylde. 

Por pse Nichols konsiderohet si një nga kitaristët më të mirë në botë? Sekreti qëndron te stili i tij i veçantë që kalon çdo parashikim sipas ekspertëve të muzikës. Ky lloj stili i e lejon gjeniun e muzikës të luajë në kitarë melodi dhe akorde që variojnë nga Blues te Flamengo. 

Mjafton t’i hidhni një sy llogarisë së tij në Instagram, për të kuptuar çfarë është i aftë të bëjë. Madje aty do të gjeni edhe një video ku ai luan vetëm me një tel. 

Po e lexuat shumë mirë, James Jared Nichols mund të luajë në kitarë vetëm me një tel. Dhe jo vetëm që luan në kitarë, por duket sikur vallëzon mbi nota e melodi. Ilaç për veshët dhe për shpirtin, thjesht dëgjojeni. 

U anulua prej pandemisë, vendosen datat se kur do të mbahet EUROVISION-i

Koronavirus anuloi shumë evente të rëndësishme në botë dhe një ndër ta ishte edhe Eurovizioni. Festivali më i madh i muzikës në Evropë, i cili parashikohej të mbahej në Roterdam, u anulua, megjithatë organizatorët e këtij spektakli, sollën për fansat “Eurovision: Europe Shine A Light”, shfaqje kjo që u transmetua 46 vende të botës.

Ky event u organizua për të nderuar 41 këngët pjesëmarrëse në një format më ndryshe jokonkurrues, i cili u drejtua nga prezantuesit holandezë të Eurovisionit, Chantal Janzen, Edsilia Rombley dhe Jan Smit.

Sigurisht që kjo shfaqje nuk kishte të njejtën shije me festivalin e vërtetë, por tashmë numërimi prapa për Eurovision Song Contest 2021 zyrtarisht ka filluar. EBU dhe transmetuesit NPO, NOS dhe AVROTROS kanë konfirmuar se dy gjysmëfinalet do të zhvillohen në 18 dhe 20 maj dhe finalja e madhe më 22 maj 2021. Datat për konkursin e vitit të ardhshëm u njoftuan në Ahoy në Roterdam, vendi i shfaqjes së vitit të ardhshëm.

Këtë vit, Shqipëria do të përfaqësohej nga Arilena ra me këngën “Fall From The Sky”, mirëpo në 2021, s’mund të paraqitet me të njejtën këngë, sigurisht nëse do zgjidhet nga RTSH për të na përfaqësuar sërish.

“Këngët e këtij viti nuk do kenë të drejtë të garojnë kur të mbahet konkursi i vitit të ardhshëm. Shtetet pjesëmarrëse do zgjedhin nëse do përfaqësohen vitin e ardhshëm nga fituesi i këtij viti apo nga një këngëtar tjetër”, kanë deklaruar organizatorët e Eurovision Song Contest.