Google i kushton doodle Audre Lorde, poeteshës, feministes amerikane me ngjyrë

Google i bën homazh Audre Lorde, një poete afro-amerikane, që do të kishte mbushur 87 vjeç sot. Shkrimtarja me veprat e saj ndihmoi në rritjen e ndërgjegjësimit të grave, veçanërisht atyre me ngjyrë dhe homoseksualëve. Ajo vdiq nga kanceri në moshën 58 vjeç

“Me ngjyrë, lezbike, nënë, luftëtare dhe poete”. Kështu e përkufizoi veten Audre Lorde, shkrimtarja afrikano-amerikan, të cilit Google i kushton doodle-n e sotëm.

Gruaja, e cila do të kishte mbushur 87 vjeç sot, nëse kanceri i mëlçisë nuk do t’ia kishte marrë jetën më 1992, ishte një figurë kryesore në lëvizjen me ngjyrë, lezbike dhe feministe.

Adoleshenca dhe studimet e Audre Lorde

Ajo lindi në Harlem, në një kohë të vështirë për Shtetet e Bashkuara, të cilat ishin në mes të Depresionit të Madh dhe kolapsit ekonomik. Më e vogla nga tre vajzat, arriti të vazhdonte studimet e saj në nivele të larta: ajo u diplomua në 1959 nga Hunter College dhe të njëjtin vit filloi diplomën e saj master në Administrimin e Librit në Universitetin e Columbias, e cila e lejoi atë të gjente menjëherë punë brenda sistemit të bibliotekave publike e qytetit të New York.

Gjatë gjithë jetës së saj, ajo iu përkushtua mësimit të anglishtes, si në Shtetet e Bashkuara dhe në Gjermaninë Perëndimore, ku udhëhoqi lëvizjen lokale feministe.

Një adhuruese e librave dhe shkrimeve, që në moshë shumë të re, pëlqente të krijonte poezi kushtuar mbi të gjitha temave të drejtësisë shoqërore dhe racore. Në 1951, ajo shkroi poezinë “Pranvera” për gazetën e shkollës së mesme, por rektori e quajti atë “jo të botueshme”. Por revista Seventeen, shumë e popullarizuar në mesin e të rinjve, vendosi ta botonte, duke i dhënë famën e parë Lordes.

Ishte gjatë viteve të adoleshencës dhe rinisë shumë të hershme që ajo kuptoi se ishte lezbike. Pavarësisht kësaj, në 1962 u martua me Edëin Rollins, me të cilin pati fëmijët Elizabeth dhe Jonathan. Divorci erdhi në vitin 1970, dhe Audre ishte tani e gatshm të kthehej në marrëdhëniet e saj të të njëjtit seks. Ndër marrëdhëniet e tij më të rëndësishme të dashurisë ishte ajo me Frances Clayton, e cila zgjati njëzet vjet, nga 1968 deri në 1988.

Punimet më të rëndësishme të Audre Lorde

Ndër veprat e saj më të njohura është autobiografia e saj “Zami: Një mënyrë e re për të shkruar emrin tim” dhe, mbi të gjitha, The Black Unicorn, shkruar në 1978, ku ajo tregon pa grimcuar fjalët vështirësitë e të qenit grua lezbike dhe me ngjyrë, në Shtetet e Bashkuara të viteve 1970

Unë kryesisht shkruaj për gratë që nuk flasin,” thotë ajo, “sepse jemi të tmerruar. Sepse ne jemi mësuar të respektojmë frikën në vend që të respektojmë veten. Ne jemi mësuar të respektojmë frikën tonë, por duhet të mësojmë të respektojmë veten dhe nevojat tona”. “Burst of Light”, botuar në 1989, fitoi American Book Award.

Gjatë jetës së saj, ajo u godit për herë të parë nga kanceri i gjirit, përvoja e të cilit e bëri atë të shkruajë Los Diarias del Cancer, botuar për t’i dhënë mbështetje dhe guxim grave të tjera me kancer.

Kanceri, megjithatë, nuk e la të qetë, dhe pavarësisht operacionit të gjirit, sëmundja u kthye në mëlçi disa vjet më vonë. Audre Lorde vdiq më 17 nëntor 1992, vetëm 58 vjeç, në Saint Croix, e shoqëruar deri në frymën e fundit nga partnerja e saj, shkrimtarja dhe aktivistja, Gloria I. Josep

85-vjetori i një ndër kolosëve të letrave shqipe, gëzuar ditëlindjen, Ismail Kadare!

Si sot 85 vite më parë, në qytetin e gurtë të Gjirokastrës, lindi Ismail Kadare, një nga prozatorët më të njohur shqiptar, sidomos në botën ndërkombëtare të librit.

I nominuar disa herë për çmimin Nobël, Ismail Kadare ka një jetë artistike tepër të pasur. Romanet e tij janë përkthyer si pak kush në mbi 45 gjuhë të huaja, e në këtë kuadër mbetet shkrimtari më i njohur shqiptar, për të mos thënë figura kryesore e letrave shqipe.

Shkrimtari ndodhet në vendin e tij amë në këtë përvjetor ditëlindjeje dhe në nderim të tij po zhvillohen veprimtari, një prej të cilave është edhe sesioni shkencor me titull “Ismail Kadare, shkrimtar shqiptar në letërsinë botërore”, aktivitet në të cilën Akademia jonë e Shkencave bën me dije se do të ripropozojë shkrimtarin shqiptar për çmimin Nobel.

Njoftimi

Akademia e Shkencave e Shqipërisë, në nderim të 85-vjetorit të akademikut Ismail Kadare, do të organizojë një veprimtari shkencore me temën “Ismail Kadare, shkrimtar shqiptar në letërsinë botërore”. Veprimtaria do të mbahet më 28 janar 2021, ora 12.00, në Akademinë e Shkencave, në sallën “Akademikët”.Në këtë veprimtari, fjalën e hapjes do ta mbajë kryetari i Akademisë së Shkencave, akad. Skënder Gjinushi. Më pas do të vijojë kumtesa me temë “Kadare në letërsinë europiane botërore”, që do të mbahet nga drejtori i Bibliotekës Kombëtare në Tiranë, z. Pirro Misha, dhe më tej kumtesa e studiuesit të letërsisë shqipe, prof. Bashkim Kuçukut, , me temën “Kadareja në kritikën botërore, një paraqitje enciklopedike e ndërkombëtarizimit të veprës së shkrimtarit shqiptar; paraqitje e dy vëllimeve të para “Kadareja në kritikën franceze”.” Pas këtyre kumtesave, do të jepet njoftimi për rikandidimin e shkrimtarit Ismail Kadare për çmimin Nobel në Letërsi nga kryetari i Akademisë së Shkencave, akad. Skënder Gjinushi, dhe më pas do të çelet ekspozita fotografike me foto dhe dëshmi që lidhen me momente kyçe të jetës së shkrimtarit, përgatitur nga Roland Tasho.

Ismail Kadareja e nisi jetën e tij artistike në kohën e diktaturës dhe që në atë periudhë ishte një nga shkrimtarët e shquar të kohës. Që në atë periudhë ai u lejua të përkthehet dhe sidomos të botohej në Francë, vend që me fillimin e rënies së diktaturës e priti dhe iu bë një atdhe i dytë.

Çmimet e marra nga ai në rrang botëror janë të shumta dhe ka marrë pothuajse të gjithë më të rëndësishmit, përveç Nobelit.

Ismail Kadare është nderuar me çmimi Botëror “Cino Del Duca”, në vitin 1992, “Man Booker International Prize”, në vitin 2005, çmimin “Neustadt International” për Letërsi në vitin 2019, “Princi i Asturias” në Letërsi në vitin 2009, çmimi “Jeruzalem” në vitin 2015. Franca i ka akorduar çmimin më të lartë shqiptarit të letrave, atë të “Komandantit të Legjionit të Nderit”, në vitin 2016.

Romanet e Ismail Kadaresë

“Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Përbindëshi”, “Kështjella”, “Kronikë në gur”, “Dimri i vetmisë së madhe”, “Nëntori i një kryeqyteti”, “Ura me tri harqe”, “Prilli i thyer”, “Kush e solli Doruntinën?”, “Pallati i ëndrrave”, “Koncert në fund të dimrit”, “Dosja H”, “Vajza e Agamemnonit”, “Darka e Gabuar”, “E penguara: Rekuiem për Linda B.” etj.

Camilla nis fushatën “Reading Room”. A do t’i ngrihet popullariteti dukeshës së Corwallit?

Oborri mbretëror anglez, me gjithë ngjarjet e thashethemet që prodhon, jo rrallë na kujton skenat e filmave me kostume. Vetëm se kostumet e kohës janë të zëvendësuara me këto modernet, kurse intrigat duken ato që kanë qenë.

Pas filmit “The Crown 4”, pozita e Camilës u tronditën edhe një herë tjetër përpara publikut. Simpatia për princeshën Diana i dërgon ndjekësit e oborrit mbretëror anglezë në ndjesi të kundërta sa i përket trashëgimtares së fronit, gruas së mbretit të ardhshëm Charles, Camilla-s së Cornwall-it.

Por si gjithmonë PR-i i familjes mbretërore mendon për gjithçka dhe sigurisht që për rastin u përgatit një fushatë për të tërhequr simpatinë ndaj dukeshës antipatike.

Fushata e quajtur “Reading room” (salla e leximit), u lanciua me shpejtësi, ditën e fundit të vitit që sapo lamë pas dhe e ka zanafillën në Clarence House, vendi më i dashur ku jeton Camilla, ndërsa nuk ndodhet në Skoci, në rezidencën Highrove.

Ajo është 62 vjeçe dhe më në fund gruaja e princit Charles së Anglisë, pretendentit më të afërt për fronin. Ka ndërmarrë së fundmi iniciativën e prezantimit të 4 librave çdo javë, të rekomanduara nga ajo për publikun, gjë që duket se është duartrokitur nga botuesit dhe shtëpitë e tyre.

Reader’s Room është një klub leximi social. Për rastin Clarence House ka përgatitur edhe një portret të Camille-s, në faqen e Instagramit.

Portreti i ri i Camilla-s së Cornwall-it

Camilla shfaqet me një këmishë mëndafshi, duke pozuar e zhytur në mendime, me sa duket kur lexon. Një karficë zbukurimi në jelek. Flokët e trajtuar, por me stilimin e zakonshëm. Sipas ekspertëve, fotografia është shkrepur me siguri në Clarence House, në rezidencën ku ajo jeton.

Libra për të lexuar

Nisma e Sallës së Leximit tashmë ka marrë vlerësime nga botuesit. Çdo të premte, Dukesha do të sugjerojë një listë me katër libra, duke përfshirë intervista, video dhe komente nga autorët. Llogaria në Instagram tashmë ka mbledhur 33.000 ndjekës, që kur u lançua më 31 Dhjetor 2020. Dita e fillimit është planifikuar për 15 Janar. Kështu shpresohet të rritet kuotacioni i bashkëshortes së ardhshme mbretëreshë, e cila pasi u rrit në periudhën e skandaleve të Lady D, kohët e fundit pësoi rënie me zbulimet e serialit “The Crown 4”.

Panairi i Librit Online 2020 sfidon pandeminë

Ditën e djeshme u çel panairi i librit, që këtë vit do të jetë vetëm online, mundësuar nga një platformë internetike e Top Channel.

Panairi i 23-të i librit do të jetë i hapur për 4 ditë dhe do të organizojë mes të tjerash edhe 60 aktivitete, siç tha edhe kreu i Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri.

“Gjatë lëtyre katër ditëve të Panairit të Librit, nga sot deri ditën e diele, do të bëhen më shumë se 60 aktivitete nga shtëpitë botuesve, nga Shoqata e Botuesve, kemi disa aktivitete problemore, do të diskutojmë nesër në Bibliotekën Kombëtare për probleme të përkthimit, të mjeshtërisë së përkthimit. Tirana ka nevojë për një librari të madhe, ka nevojë për shumë librari, janë librari që i hëngri koha”, tha ai.

Çmimet e kësaj ndërmarrje, kësaj here online, do të shpërndahen ditën e dielë dhe i përkasin, si çdo herë tjetër, prurjeve të reja të këtij viti.

Festa e përvitshme e librit do të ndiqet online nga platforma që mundësoi Top Channel dhe ku marrin pjesë mbi 40 shtëpi botuese.

Sigurisht që ne kemi nevojë për kontaktin edhe fizik me librin, por në këtë vit pandemie, ajo libraria gjigande, që na bënte të mos dinim ç’libër të preknim më parë nuk qe e mundur për shkak të pandemisë.

Gjithsesi, e rëndësishme është që libri do të lidhet me lexuesin dhe do të shpërfaqet para syve të tij, do të merren informacionet më të fundit për librat më të fundit dhe falë mundësisë së shpërndarjes, do të kemi mundësi përsëri të marrim titujt dhe autorët që na pëlqejnë apo na zgjojnë kuriozitetin.

Ndoshta këtë vit, kopertinat do të jenë ato që do të flasin më shumë me ne, por sigurisht edhe emrat serioze të shtëpive botuese me besnikërinë e ndërsjellë dhe besimin për të na sjellë libra të mirë.

Suksese Festës së librit nga redaksia e Vip! Vizitoni platformën Panairi i Librit Online 2020 dhe blini e lexoni sa më shumë libra!

Festa e librit nuk do të digjet! Panairi i librit 2020 do të jetë online

E gjitha kjo për shkak të pandemisë së covid-19, që ishte përgjegjëse për anullimin e panairit më të madh të përvitshëm të librit.

Lajmin e njofton Top Channel, i cili ka bërë të mundur krijimin e një aplikacioni të ri, nëpërmjet të cilit do të bëhet e mundur njohja e libradashësve me librat e rinj apo secilin titull pjesëmarrës në panair, përmes shtëpive botuese dhe sigurisht, blerjen e tyre.

Festa e librit nuk do të digjet!

Festa e librit kështu ka mundësi të mos humbasë fare. Kjo zgjidhje duket shumë e mirë, sepse kur jen fjala te libri, atij i jemi gjithmonë borxhli.

Aplikacionin e ka bërë të mundur webmasteri i Top Channel, Rigert Lusha. Ai shpjegon mënyrën e operimit në aplikacion, nga regjistrimi deri në momentin e blerjes dhe me mundësinë e pagesës në momentin kur merr dërgesën, gjë shumë e favorshme dhe e sigurtë për blerësin.

Panairi i librit online do të fillojë në datën 12 nëntor dhe deri tani janë të regjistruara 15 shtëpi botuese. Në pritje për t’u shtuar edhe shtëpi të tjera botuese.

Si do të funksionojë aplikacioni

Mënyrën e funksionimit të aplikacionit e shpjegoi dora vet “babai” i krijimit të tij, webmasteri Rigert Lusha.

Për të bërë blerjen online mjafton krijimi i një acaunt-i. Pasi logohemi në aplikacion duhet të japim adresën tonë, me anë të location, pasi kjo do të jetë thelbësore më pas për shpërndarjen dhe që librat e blera të vijnë në duart tona. Më pas, sigurisht do të duhet të futemi te shtëpia botuese, që na intereson, e pse jo edhe te të gjitha, madje ua këshillojmë këtë, për t’u njohur me titujt e çmimet.

Këtu do të jenë të dukshme edhe ofertat që do të jenë si zakonisht ndodh në panairin fizik. Pastaj zgjidhet libri, që do të duam të blejmë, dhe e shtojmë në shportë, selektojmë adresën tonë që e dhamë prej fillimit, dhe pastaj, paguaj në dorëzim, opsioni më i favorshëm, dhe gjithçka në rregull.

Gjithsesi, më mirë përdorimi i aplikacionit do të shihet në momentin kur gjithçka të jetë gati dhe online e në funksion.

Edhe Google feston ditëlindjen e Gianni Rodarit me një doodle për nder të tij

Si sot 100 vjet më parë lindi intelektuali dhe shkrimtari i dashur, i cili fitoi çmimin prestigjioz “Hans Christian Andersen”, i konsideruar si “Çmimi Nobel” në letërsinë për fëmijë

Ai ishte profetik, ai dinte të dilte nga skemat dhe të kapërcente çdo mur. Mjafton të lexosh krijimtarinë e tij për të kuptuar se për çfarë po flasim. Por Gianni Rodarin, mësuesin, shkrimtarin, gazetarin me përdorimin e tij revolucionar të fjalës, autor i një krijimtarie të jashtëzakonshme, nuk mjafton thjesht ta lavdërosh. Ai është nga ata autor që lipset studiuar.

Një doodle për Gianni Rodari

Dhe në 100-vjetorin e lindjes së tij, edhe Google feston me një doodleqë ka pamjen e shkrimtarit dhe intelektualit të shquar, i konsideruar si një nga autorët më me ndikim të letërsisë fëminore të shekullit XX, i vetmi shkrimtar italian që ka fituar çmimin prestigjioz “Hans Christian Andersen”, në 1970. Dhe e bën këtë duke iu referuar “romanit të Cipollinos”, një shembull i një historie të trilluar, që përfshin probleme sociale, të jetës reale. Një libër që ka ndihmuar shumë nga ne të rriten.

 100-vjetori gjatë pandemisë

Sot në Itali, por jo vetëm, shumë po e festojnë këtë përvjetor. Është pak për të ardhur keq që ky përvjetor i rëndësishëm na gjen në një situatë kaotike, ndërkohë që në shumë vende të botës, por edhe në vëndlindjen e tij, në Itali, shumë shkolla po detyrohen të mbyllen dhe bashkë me to, po mbyllet në shtëpia edhe fëmijëria e fëmijëve tanë.

Por pavarësisht kësaj, ajo do të festohet ndoshta në mënyra të tjera, siç është bërë e udhës, me metodat internetike. Me rastin e ditëlindjes së maestros së fëmijëve publikohet edhe pulla postare festive e Postës Italiane, imazhi i së cilës deri më tani ka qenë shumë sekret.

Intelektuali që e donte arsimin

Gianni Rodári lindi në 23 Tetor 1920 në Omegna, në Liqenin Orta. I interesuar menjëherë për arsimimin e fëmijëve, ai fillimisht dha mësim në një shkollë fillore, dhe më pas u bë gazetar. Ai shkroi për gazeta të rëndësishme përfshirë “L’Unità”, “Pioneer”, “Paese Sera”. Dhe duke filluar që në vitet ‘50, ai filloi të botonte veprat e tij për fëmijë, duke nisur kështu karrierën e tij ikonike në letërsinë për fëmijë.

Vepra e tij u nderua me çmime të shumta, përfshirë, edhe atë të vitin 1970, çmimin prestigjioz “Hans Christian Andersen”, i konsideruar “Nobel” i letërsi për fëmijë, ndërkaq librat e tij janë përkthyer në 20 gjuhë të botës.

Ai vdiq në Romë në 1980-ën. Që nga vdekja e tij, dhjetëra vepra janë shkruar për Gianni Rodarin, dhe ka gjithashtu qindra parqe, klube, biblioteka, salla lojërash, rrugë dhe çerdhe dhe shkolla fillore të emërtuara me emrin e tij, në Itali. Më i rëndësishëm është “Parku Rodari”, i cili ndodhet në Omegna, qytetin e tij të lindjes.

Disa nga veprat të ardhura në shqip janë: ipaharueshmi “Aventurat e Çpolinos”, “Jasemini në vendin e gënjeshtrave”, “Përrallat lodërtare”, “Shigjeta e kaltër”, “Kopshti zoologjik i përrallave”, “Atalanta” “Piktori”, “Triunfi i zeros” e shumë të tjera.

Do të kemi gjithmonë me vete, Gianni Rodari, mjeshtër i madh i fëmijërisë së çdo fëmije!

Çmimi Nobel 2020 për Letërsinë shkon për poezinë e amerikanes Louise Glück!

Komiteti i Nobelit ndau sot, më 8 tetor 2020, në Stokholm të Suedisë, çmimin Nobel për Letërsinë, i cili iu akordua poetes amerikane Louise Glück, me motivacionin “për zërin e saj poetik të paimitueshëm, që me një bukuri të rreptë e bën përvojën individuale universale”.

Kush është Louise Gluck

Njujorkeze, e lindur në 22 Prill 1943, bëri debutimin e saj të parë në vitet gjashtëdhjetë, me dymbëdhjetë vëllime në shpinë. Lirika e saj vlerësohet për të qenit e drejtpërdrejtë dhe në kërkim të thellë të qartësisë.

Louise Gluck është gjithashtu lektore në Universitetin e Yale-s. Me poezinë e saj ajo evokon copëza kujtimesh duke ripërpunuar tema të tilla si: izolimi dhe vetmia, në një ton sa bisedor, po aq me tone medituese. Fituesja e Çmimit Pulitzer në 1994, me përmbledhjen The Wild Iris, 1993, ajo bindi kritikët për stilin e rregullt dhe elegant, me të cilin ajo thith sekuenca të gjata narrative me një tipar rrëfyes, që të kujton poezinë e Robertit Lowell, Sylvia Plath dhe Anne Sexton.

Në përmbledhjen ‘Meadowlands’ (1997) ajo evokon figura mitike të tilla si: Uliksi dhe Penelopa, brenda një shkrimi shumë modern, i cili tregon për një martesë që do të marrë fund. Ndër përmbledhjet e tjera të saj me poezi, The Seven Ages’, ‘Averno’. Ajo ka fituar çmimet Book Review’s Bingham Poetry Prize e The New Yorker’s Book Award in Poetry.

Sot Glück jeton në Kembrixh, Massachusetts.

Duke pritur çmimin Nobel 2020 në Letërsi, pak thashetheme korridoresh

Kur duhet edhe më pak se një orë nga publikimi i çmimit Nobel për letërsinë, le të shohim pak emrat që qarkullojnë ndër favoritët.

Për së pari, ju rikujtojmë se këta emra nga ana e Akademisë mbahen sekretë për më shumë se gjysmë shekulli, por sigurisht që ka të tjera indicie që flasin për emrat që janë në konkurim.

Njoftimi është planifikuar për në orën 13:00, me një audiencë të vogël dhe drejtpërdrejt në Nobelprize.org.

Ndër emrat që qarkullojnë janë Maryse Condè, Margaret Atëood, Joan Didion, Haruki Murakami, David Grossman, Michel Houellebecq, Milan Kundera dhe Stephen King. Kandidatura e shkrimtares siciliane Giovanna Giordano është tashmë publike

Pas skandaleve seksuale që hodhën në erë edicionin e 2018-ës dhe çmimin e dyfishtë në 2019-ën, këtë vit çmimi Nobel për Letërsi jepet në epokën me pandemike.

Pak zbulime, shumë hipoteza: lista e shkurtër është e blinduar, por ndër thashethemet më të shumta që qarkullojnë atje, është ajo sipas së cilës mund të fitojë një grua dhe emrat e Maryse Condè, shkrimtares së Guadeloupe-s, së cilës, në 2018-ën, iu dha çmimi i New Academy Prize, në Letërsi, çmimi alternativ i Nobel-it në mungesë të tij. Kthehet edhe emri i shkrimtares kanadeze Margaret Atwood dhe një tjetër kanadeze, poetesha Anne Carson, përflitet gjithashtu. Ndërkohë, dihet se ceremonia e dorëzimit në Concert Hall, më 10 dhjetor, përvjetori i vdekjes së Alfred Nobel, nuk do të ketë festimet e zakonshme dhe duhet të zëvendësohet nga një transmetim televiziv për shkak të pandemisë. Ndërkohë çmimi është rritur nga Fondacioni në 10 milion korona, pak a shumë 950 mijë euro.

Bastet e emrave favorite

Përveç Condè, Atëood dhe Anne Carson, ndër emrat që qarkullojnë janë amerikania Joyce Carol Oates, Marilynn Robinson dhe Joan Didion, britanikja Hilary Mantel dhe francezja Annie Ernaux. Por nuk mund të mungojë i përjetshmi Haruki Murakami, keniani Ngugi ëa Thiong’o, spanjolli Javier Marias, poeti i Koresë së Jugut, i burgosur disa herë, Ko Un dhe izraeliti David Grossman. Përflitet edhe për francezin Michel Houellebecq, francezin e natyralizuar çek Milan Kundera dhe amerikanin Stephen King.

E vetmja që theu heshtjen ishte shkrimtarja siçilane, Giovanna Giordano, e cila njoftoi se ishte nominuar për çmimin Nobel në Letërsi nga një prej katër universiteteve kryesore në Suedi. Ndërkohë që nuk flitet asgjë për shkrimtarin tonë Ismail Kadare. Gjithsesi, Nobeli i Letërsisë ka treguar se asnjëherë nuk kanë dalë parashikimet dhe çmimi ka surprizuar përherë të gjithë!

Libri përballë filmit

Në ditën ndërkombëtare të librit

Qëlloi mbrëmë t’a mbyll ditën me “Doktor Zhivago”, një film ku kërleshet rrëfimi epik i fatit të disa familjeve borgjeze gjatë revolucionit rus, me motivet e dashurisë dhe fatin e individit përnjëmend dramatik. Dhe në fakt filmi në fjalë, sikurse ndodh rëndom, është veç një pohim i përmbledhur i romanit me të njëjtin titull, por që kurrsesi s’mund të ketë frymëmarrjen, hapësirën dhe lirinë që ofron romani. Filmi në përgjithësi në vetvete është deri diku imponues, pasi të tregon se çfarë duhet të mendosh.

Në film përdoren efekte vizuale të gatshme e në këtë kuptim, nuk mund të flasim më për imagjinatë të individit, sepse gjërat janë jo vetëm të gatshme, por edhe standarde për të gjithë për të mos folur pastaj për dialogun e brendshëm, përshkrimin dhe informacionin si pjesë integrale të librit, që filmit doemos i mungojnë. Askush s’mund të na mësojë si t’a shohim një film, ndërkaq ka shumë mënyra për të lexuar një libër. Të shikosh një film mund të jetë një akt privat e individual sikurse mund të jetë edhe publik e social, sepse mund t’a ndash atë edhe me shoqërinë e individëve të tjerë, ndërsa leximi i një libri është ekskluzivisht një akt privat ku ti madje mund të zgjedhësh me kujdes edhe këndin tënd të shenjtë e të qetë ku t’a konsumosh këtë akt.

Thonë që leximi i librave na bën më pak social dhe kjo mund të jetë edhe e vërtetë, sepse të lexosh libra, nuk të lë shumë kohë të llomotisësh gjatë telefonave, të zësh miq pa mend e pa fund, apo të shpërdorosh kohën kot kafeneve me pabiseda, sepse libri kërkon kohë dhe privatësi, por atë mbushje e atë udhëtim shpirtëror që na jep libri, nuk e zëvendëson dot asgjë e asnjë.

Por për t’i ardhur kundër në fakt idesë se libri na bën më pak social, dua të sjell këndvështrimin tim në lidhje më autorin e çdo libri që afërmendsh e pa asnjë ekuivok, është  ndër njerëzit më të mençur e më interesantë njëherazi që përditshmëria jonë e qyteti ynë gjithnjë e më i vogël mund të na ofrojë, e probabiliteti që këtë njeri të këtij formimi të kishim mundësinë ta takonim së paku njëherë e të bisedonim, është shumë i vogël, por ja, ku e kemi aty në libër; gjatë dhe vetëm për veten tonë sepse çdo libër nuk është vetëm një krijesë e dashur e autorit, por edhe një pohim i tij i vetvetes. Por sa herë e kemi provuar zhgënjimin e një filmi pasi kemi lexuar librin, sa i pamjaftë ka qenë filmi e sa përvojë e zbrazët?

Në fakt është gjithnjë kështu. Kur vijmë nga libri te filmi kemi gjithnjë këtë tkurrje të brendshme, ndërsa ka qëlluar që kemi provuar edhe vektorin e kundërt nga filmi te libri dhe kemi ndjerë të na hapet një botë e madje t’i hyjmë asaj nga qindra dyer. Letërsia është konstrukti shpirtëror, bota ideore dhe gjuha e maturuar e jetës kulturore të një kombi dhe njerëzit që nuk ndajnë këtë konstruksion shpirtëror, nuk kanë sesi ta kuptojnë njëri-tjetrin. Ka disa lloj letërsie që herë vjen si thirrje e brendshme e letërsibërësit thjesht me qëllime estetike, apo herë edhe si letërsi e angazhuar me qëllimin për t’u shkruar e lexuar që të ndihmojë e përmirësojë botën.

Fakti pse lexojmë apo pse kemi vokacionin për të lexuar, varet nga qëllimi, por edhe efekti që letërsia ka tek ne si individë, por përsëpari duke i shërbyer këtij të fundit. Letërsia na zbulon botën në raport me vetveten shoqëruar me përjetimet e një udhëtimi me emocione sa të njohura, aq edhe të papritura. Letërsia mund të jetë thirrje, ngasje, qëllim, funksion, angazhim, emancipim, marrëdhënie, konflikt, ndërveprim, pushtet, por në fillim e në fund të gjithçkaje ajo është udhëtimi që s’mundim dot. Letërsibërësit për mua mbeten njerëzit më të magjishëm e më të veçantë; ja edhe sepse jo çdokush mund të shkruajë sikurse jo kushdo mund të lexojë.

Letërsia është për guximtarët, për të vullnetshmit dhe ja pse disa i shmangen asaj si djalli temjanit. Në një kohë që qytetet tona po bëhen gjithnjë e më të vogla në kuptimin e përmbajtjes dhe intelektualët e vërtetë i hasim gjithnjë e më rrallë, letërsia mbetet i vetmi takim entuziazmues, frymëzues, angazhues dhe emocionues njëherazi. Letërsia është liri edhe pse ata që nuk lexojnë, kaq paradoksalisht, kanë shpesh në dorë fatet tona.

Amarda Muskaj për revista Vip

Karantina ia hap dyert UNESCO-s, ja ç’po ndodh me bibliotekën e saj?!

Në këto muaj të vështirë për secilin nga ne, gjithsekush po mundohet të hapë ndonjë derë a dritare, për të na shpëtuar nga mërzia, trishtimi dhe pasiguria. Sigurisht që mbyllja brenda në shtëpi për arsye madhore, nuk i kishte shkuar askujt ndërmend dhe në mes të panikut, stresit dhe pasigurisë, shumë prej nesh janë arratisur tek strehëza më e ngrohtë e imagjinatës, libri.

Kështu, UNESCO ka menduar për t’i bërë njerëzimit një dhuratë, mbi të gjitha atyre që adhurojnë artin dhe kulturën, duke hapur dyert e bibliotekës  së saj online.

Biblioteka digjitale e Unescos është një trashëgimi e mirëfilltë. Në fondin e saj ruhen gati 20 mijë  skedarë nga artikujt historikë, të cilët e kanë origjinën nga 193 vende të ndryshme të botës. Të gjitha këto materiale, që përfshijnë, libra, harta, fotografi, dhe xhirime në shtatë gjuhë të botës, janë të aksesueshme tani për çdokënd.

“Në botën e sotme, kultura mund ta transformojë një shoqëri.  Në shoqëritë tona moderne kultura manifestohet në shumë forma, duke filluar nga monumentet e së shkuarës, tek tradita, e deri tek arti modern, apo jeta jonë e përditshme. Trashëgimia kulturore është burim identiteti dhe kohezioni, për shoqërinë e tronditur nga ndryshimi i shpeshtë dhe i paqartë ekonomik. Kreativiteti ndikon në ndërtimin e një shoqërie të hapur dhe pluraliste. Trashëgimia kulturore dhe kreativiteti bashkë kanë hedhur bazat e forta të njohurive të gjalla, inovative dhe të begata.” (Unesco)

“Unesco është e bindur se asnjë zhvillim, nuk mund të jetë i qëndrueshëm, pa një mbështetje të fortë kulturore. Në fakt, vetëm një qasje, e cila ka në qendër njeriun dhe respektin reciprok, për kulturën dhe dialogun mund të sjellë rezultatin e dëshiruar. Megjithatë, na duhet të themi se pak kohë më parë, kultura mungonte në ekuacionin e zhvillimit.”

Citimet e mësipërme të Unesco-s, jo pa shkak shprehin qartë rëndësinë e kulturës dhe trashëgimisë kulturore. Në fund të ditës, trashëgimia kulturore është shumë më shumë se fjala “interesante”, që lexuat në këtë artikull, apo që e keni ndeshur më parë tek libri i Historisë së Arteve.

Trashëgimia kulturore është pjesë e pandarë e identitetit tuaj. Mund të ndaheni edhe nga gjymtyrët gjatë jetës, por nuk do të mund të ndaheni kurrë nga trashëgimia kulturore. Është pjesë e juaja, ka qenë pjesë e të parëve tuaj dhe do të vazhdojë të jetë ndër breza. Unesco ka hapur fondin e saj të rallë jo më kot. Sot keni mundësi për të studiuar rrënjët, që të kuptoni se sa e lartë do të jetë pema juaj nesër.

Nëse jeni kuriozë, thjesht klikoni linkun këtu.