Doodle kushtuar swing dhe Savoy Ballroom, në faqen kryesore të Google

Një doodle kushtuar swing-ut dhe Savoy Ballroom në faqen kryesore të Google, ditën e sotme. Do të ishte 26 maji i 2002-shit dhe Nju Jork. Frankie Manning e Norma Miller, anëtarët e Whitey’s Lindy Hoppers, zbulojnë pllakën përkujtimore të një salle ikonike vallëzimi. Do të bëhej simbol i swing-ut, por edhe i gjithëpërfshirjes. Kështu që edhe Google, sot, nderon ditën përkujtimore me një doodle muzikore. Salla e vallëzimeve u bë e famshme në vitet 1920 dhe 1950, në lagjen Harlem të New York.

Doodle muzikor kushtuar swing

Një sfond muzikor dhe dy njerëz të stilizuar duke kërcyer. Sapo hap faqen e parë të motorit të kërkimit, shfaqet një video me njerëz që kërcejnë, nota muzikore dhe fjalën Savoy Google.

Duke klikuar në video, notat muzikore të “Let’s Call the whole thing off”, një pjesë e famshme e Ella Fitzgerald dhe Louis Armstrong, dhe një ftesë për të gjithë përdoruesit e internetit:

“Testo ndjenjën tënde të ritmit për të festuar bashkë me ne swing-un dhe Savoy Ballroom”!

Bëhet fjalë për një lojë internetike, e cila mund të luhet vetëm ose në çift, në të cilën duhet të ndiqni ritmin muzikor. Qëllimi është i qartë: të marrësh informacion nëpërmjet lojës!

Sa më shumë luani, aq më shumë informacion merrni në lidhje me Savoy Ballroom.

Simbolika e gjithëpërfshirjes

Në rrjedhën e vitit 1926 do të hapej në Grand Apple, salla e vallëzimit, Savoy Ballroom. Do të quhej menjëherë “salla e këmbëve të lumtura” (the home of happy feet) dhe tepër e gjetur nëse mendon gëzimin e shkaktuar nga vallëzimi për të gjithë dashnorët e tij. por nuk është vetëm kaq. Sepse do të jetë historia e kësaj salle që do ta bënte të pashlyeshme nga kujtesa historike dhe legjendare.

Lokali u hap në rrethin Harlem, i banuar, në fillim të shekullit XX, kryesisht nga komuniteti afro-amerikan. Dhe salla e ballove bëri historinë pikërisht sepse, ndryshe nga vendet e tjera publike, lejonte hyrjen e njerëzve me ngjyrë.

Komuniteti afro-amerikan i Harlem-it e ktheu Savoy-ën në zemrën kulturore të lagjes dhe epiqendër të inovacionit në kërcim dhe muzikë sëing, për të gjithë botën.

Kështu që Google, sot i nderon të dyja: swing-un dhe gjithëpërfshirjen.

Mbyllja e Savoy Ballroom

U mbyll në 1958-ën. Por salla e vallëzimit që përfshinte dy të tilla, ka pritur legjendat e muzikës botërore, që nga Ella Fitzgerald te Chick Webb. Në të u zhvilluan të famshmet sfida muzikore midis bandave, “Battle of Bands”, ka qenë mikpritëse e bandave të xhazit dhe emrave më të mëdhenj të muzikës.

Edhe pse u mbull në 1958, fama dhe ndikimi i saj janë ende aktuale. Në vendndodhjen e tij historike midis Rrugëve 140 dhe 141 në Lenox Avenue të qytetit të Nju Jorkut, një pllakë përkujtimore i bën homazh sallës së ballove dhe trashëgimisë së saj.

Angelina Jolie pozon e mbuluar nga bletët në Ditën Botërore të mbretëreshave të eko-sistemit

angelina jolie e mbuluar nga bletet

Me rastin e Ditës Botërore të Bletës, “National Geographic” publikoi një video të Angelina Jolie, ambasadores së UNESCO-s dhe imazhit së projektit Guerlain “Gratë për Bletët”, e mbuluar nga bletët, insektet e çmuara. E gjitha kjo për të tërhequr vëmendjen dhe rritur ndërgjegjësimin e publikut për rëndësinë e tyre. Kohët e fundit, gjithmonë e më shumë është ngritur alarmi, lidhur me rrezikimin e jetës së bletëve dhe prishjen e eko-sistemit që sjell si pasojë kjo.

bleta mbi nje lule

Dita Botërore e Bletës u festua ditën e djeshme, më 20 maj. Kjo ditë është shpallur e tillë në vitin 2017, nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara për të rritur ndërgjegjësimin e publikut për rolin e rëndësishëm që luajnë këto insekte në jetën tonë. Por edhe për të paralajmëruar në lidhje me rreziqet serioze që ata kanë.

Për këtë Angelina Jolie, ish-ambasadore e projektit ” Women for Bees” e Unesco-s, në bashkëpunim me markën Guerlain, doli e para në pistë me një ndërmarrje tepër të guximshme. Synimi për të tërhequr rreth bletëve sa më shumë bletarë e dashamirës të insekteve të çmuara.

Kështu u realizua videoja e National Geographic, në të cilën Jolie shfaqet e mbuluar nga bletët për 18 minuta, nën objektivin e fotografit dhe bletarit Dan Winters.

Videoja e veçantë e Angelina Jolie për Ditën Botërore të Bletës

Aktorja amerikane u fotografua dhe u filmua e mbuluar në trup nga bletët. Fotografi i apasionuar edhe në bletari, Dan Winters, bëri të pavdekshmë imazhe dhe video gati të frikshme. Por, rëndësia e të gjithë kësaj ishte përtej frikës së pickimeve, ishte për të sensibilizuar të gjithë rreth asaj çka bleta do të thotë për jetën e planetit.

Rëndësia e bletëve për jetën e të gjithëve ne është e jashtëzakonshme, pa to shumica e frutave do të zhdukeshin nga tryezat tona. Së fundmi bletët janë tepër të rrezikuara për shkak të ndryshimeve klimaterike dhe ndryshimit të mjedisit të tyre të përhershëm.

18 minuta e mbuluar me bletë, videoja që të lë pa fjalë

Vetë fotografi ka treguar se si lindi ideja:

”Ishte Angelina ajo që mendoi për portretin e vetes të mbuluar me bletë. Unë jam një bletar dhe kur m’u besua detyra për të punuar me të, shqetësimi im kryesor ishte siguria. Xhirimet gjatë pandemisë, me pajisje të plota dhe bletë të gjalla, e bënë të vështirë punën”.

Për realizimin e videos, Winters përdori teknikën e njëjtë me kolegun e tij, Richard Avedon. Ky i fundit, 40 vjet më parë, “krijoi” Portretin e famshëm të një bletari. Fotografi përdori një feromon të veçantë, të formuluar nga i njëjti entomolog që ndihmoi Avedon, Ai pastaj e aplikoi atë në ato pjesë të trupit të Jolie, ku ai donte që bletët të pushonin.

Në set të gjithë ishin të veshur me kostume mbrojtëse, me përjashtim të aktores.

“Angelina qëndroi e palëvizur mrekullisht, e mbuluar nga bletët për 18 minuta, pa u thumbuar. Të jesh afër bletëve është gjithmonë një përvojë që më lë pa fjalë”, tha Winters.

Më parë ka qarkulluar edhe pamjet e një gruaje shtatzanë, e mbuluar nga rreth 20.000 bletë, por videoja e Jolie është vërtetë një realizim elegant. Redaksia jonë i bashkohet zërave që ngrihen për mbrojtjen e bletës, kësaj mrekulli nga e cila varet i gjithë planeti.

Cili është kuptimi i ngjyrave në ëndërr?

te mbash endrren ne duar

Ëndërrimi i ngjyrave ka një kuptim shumë specifik. Çdo ngjyrë na jep informacion të rëndësishëm për veten dhe të ardhmen tonë. Zbuloni personalitetin tuaj përmes interpretimit dhe kuptimit të ngjyrave në ëndrra.

Që nga kohërat antike, ëndrrat janë konsideruar si një formë kontakti me hyjnoren dhe mënyra më e mirë për të parashikuar të ardhmen. Çdo natë ato na çojnë në universe të pazakonta, me karaktere misterioze, vizione dhe skenare hyjnore e me ngjyra dhe situata që nuk mund t’i përjetojmë kurrë realisht.

Por çfarë do të thotë të ëndërrosh nëse nuk hap një derë të mendjes? Të gjitha shpresat, ambiciet, dëshirat, frika, momentet e mira dhe të këqija të jetës sonë kanë një vend të rëndësishëm në pavetëdijen tonë dhe na japin indikacione të rëndësishme për të ardhmen, shpesh krejtësisht irracionale.

Cila është lidhja midis ëndrrave dhe ngjyrave?

Në ëndrra, ngjyrat janë thelbësore, sepse ato na ndihmojnë të sqarojmë se cili është kuptimi i asaj ëndrre të veçantë, në të njëjtën kohë na sugjerojnë rrugën që duhet të ndjekim.

ngjyrat ne fytyre

Por le të shohim disa shembuj:

Bluja në ëndërr

Të ëndërrosh diçka blu do të thotë që ke paqe të brendshme të qëndrueshme. Në fakt, bluja simbolizon qetësinë dhe lumturinë.

E zeza në ëndërr

Ngjyra e zezë përfaqëson një periudhë tranzicioni apo edhe izolimi. Jo vetëm që përfaqëson të panjohurën, misterin, nënvetëdijen, por edhe problemet e mundshme familjare dhe në çift.

E verdha në ëndërr

Të ëndërrosh të verdhën do të thotë se keni besim te vetja dhe te aftësitë tuaja. Por kini kujdes, sepse kjo nuk do të thotë që rruga juaj do të jetë e gjitha tatëpjetë.

E kuqja në ëndërr

Tregon pasion dhe ndjeshmëri të madhe në dashuri. Ajo përfaqëson gjithashtu forcën, energjinë, guximin, agresionin, shtysën seksuale dhe fuqinë. Por kujdes, ëndërrimi shumë shpesh i kësaj ngjyre tregon nevojën për relaksim dhe izolim.

E gjelbra në ëndërr

Në ëndërr, jeshilja përfaqëson rritjen, pjekurinë, qetësinë, shpresën, pjellorinë dhe pavarësinë. Në thelb, edhe pse tashmë e gjeni kënaqësinë edhe në gjëra të vogla, ju prapë keni dëshirë të përmbushni dëshira edhe më ambicioze.

Po ti si e quan, rimel apo mascara? Le ta zbulojmë së bashku misterin e emrit të produktit që na i bën qerpikët më të bukur!

sy me rimel

Rimel apo mascara, besojmë se edhe ti e njeh objektin që thekson ngjyrën e qerpikëve tona me të dy emrat. Zgjedhja e termit më të saktë na kërkon të njohim pak historikun e lindjes së produktit.

Të mendosh se është një nga produktet më të dashura për ne, është pak e çuditshme se si nuk e kemi ende të qartë si quhet në të vërtetë.

Më parë është quajtur rimel, por së fundmi, make-up artistet i dëgjojmë që e quajnë më së shumti mascara. Tani ka një lloj konfuzioni dhe në përdorim vazhdojnë të jenë të dy variantet, madje edhe ndonjë tjetër.

rimel

Po çfarë ka që s’shkon dhe a po gabojmë me ndonjërin nga emërtimet? Le ta shohim duke u kthyer pas në kohë, pikërisht atëherë kur produkti lindi.

Pra, si lindi rimeli apo mascara? Pak histori

Grimi i qerpikëve është një praktikë me rrënjë shumë të lashta. Thuhet se diçka shumë e ngjashme ishte bërë tashmë në Egjiptin e lashtë, por mascara siç e njohim ne sot, në Amerikë ishte produkt i një historie romantike dashurie.

make-up rimel

Qe viti 1913 kur në Çikago një vajzë me emrin Maybel Williams na bie në dashuri me Chet Hewes, i cili, nga ana e tij, ishte gati për t’u martuar me një tjetër grua. Gruaja e re kërkoi ndihmën e të vëllait, Thomas Williams, një kimist/farmacist, i cili mendoi ta përqendronte strategjinë e joshjes së të motrës, pikërisht te shikimi i saj.

Kështu që shpiku një përbërje që bashkonte vazelinën me pluhurin e qymyrit. Duke e shpërndarë në qerpikë me ndihmën e një furçe dhëmbësh, e bëri shikimin e Maybel magnetik.

Jo vetëm që vajza e fitoi dashurinë e djalit që donte, por ja tek lindi edhe marka, që është ende sinonim i make up-it: Maybelline, e cila fillimisht prodhoi vetëm mascara në formën e një shkopi, ashtu si Thomas e shpiku. Por do të vinte Helena Rubinstein, në 1957-ën, për t’i dhënë mascara-s, formatin që njohim sot.

mascara maybelline
Po atëherë pse Rimel?

Për ta kuptuar, duhet të zhvendosemi në Evropë.

Në fakt, në Kontinentin e Vjetër, “boja për qerpikët” tashmë ekzistonte dhe qe shpikur nga ai që në 1834 kishte themeluar një markë tjetër të famshme në botën e kozmetikës, atë që ne të gjithë e njohim si Rimmel London.

Eugene Rimmel hapi dyqanin e tij të kozmetikës dhe bukurisë në Regent Street dhe krijoi produktin e tij më ikonik, një produkt qerpikësh, që e mori emrin e tij jo rastësisht.

Rimmel është historikisht më shumë emri i markës, sesa i produktit, dhe sigurisht që shtëpive të tjera kozmetike nuk u interesonte ta ruanin këtë paralelizëm, prandaj zgjedhja për të kaluar në “mascara”, që në të vërtetë do të thotë “bojë për qerpikët”, është më korrekte politikisht.

Tani ju quheni si të doni, ne kishim për detyrë t’ua sqaronim! Puç, puç!

Nuk do ta besoni se ku i ruajnë statujat e tyre të Oskarve, yjet më pikante të Hollivudit!

Meqë jemi ende në valën e Oskarve dhe ethet e çmimeve të marra e atyre të munguara, është mirë të shohim paksa, për kuriozitet, ku i mbajnë disa nga divat e Hollivudit, statujat e lakmueshme të më të madhes ngjarje kinematografike.

Ikona e çmimeve të mëdha është një statujë bronxi e larë në arë 24-karat.

Epo në këtë rast të gjithë e imagjinojmë se me sa fanatizëm e ruajnë divat, çmimin e tyre, përkthyer në këtë statujë të stërnjohur tashmë. Por, prisni pak se ndoshta do të shokoheni nga informacioni, ose ndoshta do t’ju ndihmojmë të qeshni pak.

Ah, dhe mos harroni se ylli i vërtetë i Academy Awards është statuja e famshme që personifikon një burrë, të gjithë prej ari (vetëm nga jashtë kuptohet), në forma të skalitura dhe me një kokë mbase jo shumë të rregullt.

Fillojmë me Barbra Streisand, e cila e fitoi statujën e saj të parë (ka dy), në 1969 si Aktorja më e mirë në Funny Girl.

Artistja e mban Oskarin thjesht në dhomën e ndenjes së rezidencës së saj luksoze në Los Anxhelos.

Goldie Hawn, fituese e Oskarit për Aktoren më të Mirë Jo Protagoniste në Cactus Flower, të 1970-ës, tha se ajo e mban statujën e saj në dhomën ku ajo zakonisht mediton. Imagjinoni tani Goldie-n duke bërë kundalini në një tapet të kuq?

E madhja Emma Thompson, fituese e dy Oskareve (1993 për Aktoren më të Mirë dhe 1996 për Skenarin më të Mirë jo-origjinal) mund t’i admirojë qetësisht statujat e saj… në banjë. Mos qeshni se nuk po tallem!

Susan Sarandon, e cila fitoi Oskarin e saj të vetëm në 1999, me Dead Man Walking, gjithashtu nuk u kursye në zgjedhjen e vendndodhjes për këtë çmim të rëndësishme. Zonja dhe zotërinj, burri i vogël prej ari është në banjën e miqve.

Gwyneth Paltrow, Aktorja më e Mirë në 1999-ën, në Shakespeare in Love, rrëfeu se kishte përjetuar Oskarin me një ankth të vërtetë. Në fakt, ylli ka deklaruar se marrja e çmimit përkoi me një periudhë të vështirë në jetën e saj.

Për këtë arsye, çmimi është në pjesën e pasme të një rafti librash, në dhomën e gjumit. Si imazh fantazmë duket.

Kate Winslet ka fituar dy çmime Oscar, një për Aktoren më të Mirë në 2009 (The Reader) dhe një për Aktoren më të Mirë Jo Protagoniste në 2011 (Steve Jobs). Nuk dimë nëse po imiton dikë, por edhe ajo ia ka gjetur vendin burrit të dhuruar, në tualet.

Natalie Portman, fituese e Aktores më të Mirë në 2011 me The Black Sëan, duket se nuk e mban mend fare se ku e ka (hedhur) Oskarin. Natalie mirë që qenka rëndë, por qenka edhe një prej nesh!

Cate Blanchett fitoi çmimin Aktorja më e Mirë Jo Protagonisste për The Aviator, në 2004, dhe Aktorja më e Mirë në 2014 për Blue Jasmine.

Aktorja tha se e dhuroi të parën me një shpirt patriotik në muzeun e filmit në Melburnin e saj, ndërsa të dytin e ka në shtëpinë e saj.

Emma Stone, së cilës iu akordua çmimi në 2017-ën, si Aktorja më e Mirë për La La Land deklaroi se “Statuja mbahet nga nëna ime“. Të gjithë tani imagjinojmë nënën Stone, shumë krenare, që i merr pluhurat statujës së Oskarit çdo ditë.

Olivia Colman, e cila u vlerësua me Aktoren më të Mirë në The Favorite në 2019-ën, thotë se ajo e mban statujën në shtrat, midis saj dhe burrit. Bobo, asqë dua ta imagjinoj!

Gjatë natës së Oskareve 2021, filmi Nomadland mori tre statuja. Ndër më të rëndësishmit, filmi fitoi çmimin për Regjisorin më të Mirë.

Kështu regjisorja e re Chloé Zhao është sot gruaja e dytë që fiton këtë çmim, por edhe gruaja e parë aziatike me statujën e artë të lakmuar në dorë.

Lind pyetja: ku do ta akomodojë regjisorja më e freskët e Oskar, burrin e saj prej ari?  Dhe nuk dua të mendojë se ku e mban të 2018-ës e ku do ta mbajë të riun, Frances McDormand.

Stili-pandemi dhe të gjithë kuriozitetet lidhur me Oscar 2021

Meqë ethet e zgjedhjeve në Shqipëri nuk na lejuan të ishim shumë të vëmendshëm me ç’u bë në natën e madhe të Oscarëve, sot do t’ju njohim me më pikantet e asaj nate, ato që bënë të ndizeshin rrjetet sociale me thënie e kundërthënie, me pro e kundër sa i përket performancave të yjeve. Ylli i Hollivudit, Brad Pitt, për shembull, pushtoi rrjetin me versionin macho të bishtalecit të tij. Me veshje Valentino dhe pa make-up, aktorja e Nomadland-it vihet në qendër të vëmendjes, së bashku me twerking-un e Glenn Close.

Midis konfirmimeve dhe zhgënjimeve, surprizave dhe zbulimeve, nata e Oskareve ishte përsëri një kuriozitet i shtuar, madje edhe me formatin më “intim” të imponuar nga pandemia. Gjithçka në lidhje me stilin dhe hijeshinë e yjeve të pranishëm në Los Anxhelos. Duke filluar me Brad Pitt, “man bun”, pigtail macho i të cilit pushtoi menjëherë rrjetën.

Flokët e kapur bisht me stil të Brad Pitt

Plot sqim dhe me një smoking e kravatë, aktori 57-vjeçar – i cili dha çmimin e Aktores më të mirë Jo Protagoniste për Yuh-Jung Youn, ka ndezur komentet në rrjetet sociale. Ai dashnori i përjetshëm për fansat e filmit, për nga bukuria dhe mënyra se si i qaset spektatorëve në lojën e tij aktoriale. Fansat e tij ishin të gatshëm të kërkonin edhe një Oscar për të këtë vit.

Por gjithsesi, diskutimi në internet u hap, sepse jo të gjithë adhuruesit e tij ishin dakord me pamjen e re:

Ashtu si unë, edhe Brad Pitt nuk dinte se ku t’i vendoste flokët e tij-Covid“, u tall dikush, duke aluduar pë mbylljen e salloneve të bukurisë deri vonë për shkak të pandemisë.

Dikush tjetër shkoi edhe më tej: “Mos, Brad, të lutem. Hiqi flokët nga ai bishtalec. Ishte vit i vështirë, meritojmë edhe ne pak gëzim”.

Ujë e sapun për Frances McDormand

Komentet u ndezën gjithashtu në lidhje me look-un e Frances McDormand, fitueses surprizë të Oskarit për Aktoren më të Mirë. Ylli 63-vjeçar u shfaq me një fustan Valentino, por plotësisht pa grim.

Me fytyrën plotësisht pa make-up dhe në versionin ujë e sapun, pa make-up për të mbuluar rrudhat, me flokë të shprishur, anti-diva rebele, e cila ka qenë gjithmonë një mbështetëse e fuqisë së grave, u ngjit në skenë me një pamje krejtësisht natyrale.

E kishte bërë tashmë tre vjet më parë, në Oskar 2018, kur mori çmimin si Aktorja më e Mirë, duke u prezantuar pa grim dhe duke mbajtur një fjalim të përqendruar në barazinë gjinore dhe rolin e grave.

Patjetër që edhe zgjedhja e Frances McDormand, ashtu si bishti i flokëve të Brad Pitt, ndau në mes fansat e ndjekësit, me mbështetje e kritika në mediat sociale.

Twerking i Glenn Close, çfarë surprize!

Një tjetër gjë la pamend të gjithë ndjekësit e ethshëm të Oscarëve: twerking-u i Glenn Close, e cila edhe pse nuk e fitoi Oskarin edhe kësaj here, i mahniti të gjithë.

Aktorja 74-vjeçare, gjatë lojës “gjeni këngën”, në fakt gjeti titullin e muzikës, duke e imituar atë: pasi muzika ishte kolona zanore e Aule Turbolente, një film i vitit 1988. Meqë titulli ishte “Da But” (Prapanica), Glenn Close interpretoi një twerk, duke fituar kështu të paktën atë seancë konkurrimi.

Apple AirTag dhe fundi i humbjes së objekteve, të përdoruesve të një iPhone

Kujt nga ne nuk i ka ndodhur të jetë në kërkim të sendeve të veta personale, deri edhe se ku ka parkuar makinën?! Duket sikur memoria jonë ka pësuar një rënie të çuditshme kohëve të fundit dhe shpesh e kapim veten “gafil”, duke mos kujtuar as gjëra nga më banalet e jetës së përditshme.

Duket se nisur nga kjo Apple po prezanton AirTags, ose si të gjeni artikujt e humbur me iPhone. Çfarë është, si funksionon dhe për çfarë shërben Apple AirTag? Le ta shohim së bashku!

Çfarë është AirTag, risia e fundit e Apple?

Pajisja përbëhet nga një aksesor i vogël, që përdoruesit do të jenë në gjendje të lidhin me objekte të ndryshme (të tilla si një tufë çelësash, një portofol etj.), të cilat më pas mund të gjenden në rast humbjeje.

Do të jenë shumë të vegjël dhe mund të aplikohen kudo.

Me AirTag, Apple synon të zgjerojë funksionalitetin e aplikacionit Find My (ai që përdoret për të gjetur iPhone ose pajisje të tjera të mollës së kafshuar), duke aplikuar konceptin në pajisje të ndryshme për përdorim të përditshëm .

A i humbni shpesh çelësat e shtëpisë? Nuk e gjeni kurrë portofolin tuaj kur duhet të dilni? A e keni harruar çantën tuaj të shpinës në një autobus dhe nuk e dini se ku është më? AirTag mund të jetë zgjidhja për ju. Ja se si do të funksionojë në detaje.

Si funksionon AirTag i Apple

AirTags përbëhen nga një teknologji e veçantë, e aplikuar në një pjesë prej çeliku të bardhë rrethore me logon e Apple. Ata do të funksionojnë duke iu afruar pajisjes Apple që do të çiftëzohet përmes iCloud, duke identifikuar AirTag në llogarinë e Apple, në përdorim të iPhone-t apo tabletit.

“Me dizajnin e tij dhe të gjitha tiparet e integruara të privatësisë dhe sigurisë, AirTag do t’u ofrojë klientëve një mënyrë tjetër për të shfrytëzuar fuqinë e ekosistemit Apple dhe shkathtësinë e iPhone“, u shpreh Kaiann Drance, nënkryetar i Worldwide iPhone Product Marketing, gjatë prezantimit.

Shoqërimi zhvillohet përmes teknologjisë Bluetooth, e ngjashme me lidhjet midis AirPods, duke përdorur një çip me fuqi të ulët që gjithmonë mund të mbajë aktive lidhjen me pajisjen e binjakëzuar. Për furnizimin, AirTags mund të përdori një bateri me buton të lëvizshëm dhe të zëvendësueshëm kur shkarkohen, (ato nuk do të rimbushen dhe do të duhet të zëvendësohen pasi të jenë shteruar për një kohëzgjatje të vlerësuar prej rreth një viti).

AirTags do të funksionojë në praktikë përmes aplikacionit Find My Apple, i cili do të pasurohet me një artikull të ri të quajtur Objekte (Items): domethënë me të gjitha objektet me të cilat do të binjakëzohet AirTags.

Sapo të lidhet një AirTag, përdoruesit do të mund të shohin opsionin Shto me fjalët “Etiketoni artikujt tuaj të përditshëm dhe mos i humbni kurrë më”. Pasi një objekt të jetë shoqëruar me AirTag, përdoruesit do të jenë në gjendje ta shikojnë atë brenda aplikacionit dhe ta ndjekin në mënyra të ndryshme:

ata do të jenë në gjendje të riprodhojnë një tingull, në mënyrë që t’i identifikojnë ato lehtësisht nëse humbasin në afërsi;

përmes ndjekjes offline në një hartë GPS;

përmes modalitetit I humbur. Me këtë opsion, objekti i lidhur me AirTag-un, mund të gjurmohet nga një tjetër përdorues iPhone, i cili pasi ta gjejë, do të ketë qasje në të gjitha informacionet e kontaktit të pronarit origjinal.

A do të kemi probleme me privatësinë?

Siç thamë, lokalizimi i një AirTag lejohet vetëm për pronarin e tij. Të gjitha të dhënat e vendndodhjes janë absolutisht private dhe të sigurta. Asnjë e dhënë e vendndodhjes ose historiku i vendndodhjes nuk ruhet fizikisht brenda AirTag dhe komunikimi me rrjetin Find My është i koduar end-to-end, në mënyrë që vetëm pronari i pajisjes të ketë qasje në të dhënat e saj të vendndodhjes, dhe askush, madje as Apple, nuk e di identitetin ose vendndodhja e secilës pajisje në rrjetin Find My.

AirTag është dizenjuar gjithashtu me një numër karakteristikash që uk lejojnë gjurmimin e padëshiruar, një risi e sektorit. Identifikuesit e sinjalit Bluetooth të transmetuar nga AirTag rrotullohen shpesh për të parandaluar gjurmimin e padëshiruar të vendndodhjes.

Pajisjet IOS mund të zbulojnë edhe një AirTag që nuk është me pronarin e tij dhe të njoftojnë përdoruesin nëse shfaqet një AirTag i panjohur, që lëviz me ta nga vendi në vend në kohë. Në këtë rast, thjesht ndiqni udhëzimet dhe çaktivizoni AirTag-un e panjohur.

Sa do të kushtojë AirTag?

Data e lançimit të AirTag është planifikuar për në fund të Prillit dhe pajisjet kanë filluar të porositen që nga dita e djeshme, 23 prill.

Çmimi i një AirTag të vetëm është 35 euro dhe për një paketë që përmban 4 AirTags do të kërkohen deri në 119 euro.

Aksesorë të ndryshëm janë në dispozicion, të tilla si Poliuretani Loop, Leather Loop dhe Leather Key Ring dhe porosia për të personalizuar gjithçka me emoji të ndryshme të dedikuara.

Kini kujdes të mos klikoni në këtë njoftim të çuditshëm të kalendarit në iPhone-n tuaj

Nuk po mundemi të gjejmë paqe. Herë pas here marrim e-mail spam, që pretendojnë të kenë të dhënat tona personale.

Herë të tjera marrim mesazhe me tekst që shpallin një fitore misterioze, por që dëshirojnë numrin e llogarisë sonë. Herë të tjera akoma mashtrimi i çmimeve ose paketave në stok shkon në ËhatsApp. Me pak fjalë, kriminelët janë gjithmonë shumë krijues, ata gjejnë mënyra të reja për të vjedhur të dhëna dhe para. Por kjo hile e re është edhe më delikate.

Kini kujdes të mos klikoni në këtë njoftim të çuditshëm të kalendarit në iPhone

Tani jemi në aplikacionin e kalendarit që gjendet në të gjithë iPhone. Njoftimet alarmuese shfaqen në ekran dhe ato janë të të gjitha llojeve. “IPhone juaj është dëmtuar keq”, “iPhone juaj ka një virus”, “Informacioni juaj mund të ekspozohet”.

Mendimi i parë është të kesh kapur një virus. Nuk ka nevojë të alarmoheni menjëherë, është thjesht spam. Nëse nuk klikojmë në ndonjë link, nuk ka pse të shqetësohemi, zgjidhet brenda një kohe të shkurtër. Por mos harroni: nuk duhet të hapni asnjë link apo njoftim të panjohur, përndryshe me të vërtetë do të ekspozonit telefonin.

Viktimë e këtij mesazhi të bezdisshëm bëheni duke klikuar aksidentalisht në një reklamë mashtruese. Kjo lejon që spam të instalohet në telefonin tuaj. Zakonisht rrezikoni sidomos kur përdorni faqet dhe aplikacionet për të dëgjuar muzikë ose për të parë filma në mënyrë të paligjshme. Pra, më mirë të mos i përdorni këto faqe.

Por si t’i heqim qafe ato dhe të mos rrezikojmë të aksesojnë të dhënat tona?

Ekzistojnë dy metoda. Në përgjithësi e para duhet të funksionojë për të gjithë. Nëse jo, kaloni tek e dyta. Duhet të shkoni te skeda “Impostazione” ose “Settings” dhe klikoni te “Kontaktet”. Pastaj klikoni në “Llogari” ose “Account”. Këtu do të gjendet një listë e llogarive që kemi regjistruar në telefon. Në seksionin “Kalendarët në të cilët jam pajtuar”, diçka e çuditshme do të tërheqë menjëherë vëmendjen tuaj. Thjesht klikoni dhe shkoni për të fshirë llogarinë. Dhe rreziku ka mbaruar. Nëse nuk ka asgjë të gabuar me “Kontaktet”, atëherë kontrolloni skedën “Mail”. Gjithmonë nga “Settings”. Dhe vazhdo në të njëjtën mënyrë.

Kini kujdes të mos klikoni në këtë njoftim të çuditshëm të kalendarit në iPhone. Duke fshirë llogarinë e cila është vetë-instaluar në kalendarin tonë, njoftimet gjithashtu do të zhduken. Dhe kështu nuk do të kemi më frikë të klikojmë aksidentalisht në ndonjë link mashtrues.

Nike “Satana”, skandali me atletet me gjak njerëzor

Atletja e fundit Nike tashmë ka ngritur shumë polemika. Reperi Lil Mas X, në fakt, krijoi një këpucë kushtuar Satanit, e cila, përveç referencave të ndryshme demonike, përmban edhe pika gjaku njerëzor.

Montero Lamar Hill, i njohur për të gjithë si Lil Nas X, është një reper 22-vjeçar amerikan, i cili kohët e fundit publikoi këngën e tij më të re, Montero (Call Me by Your Name), videoja e të cilit është një lloj udhëtimi në ferr.

Për të shoqëruar këngën, këngëtari i ri, i njohur për personazhet e problematikë të këngëve të tij dhe për të qenit qëllimisht provokues, krijoi një këpucë ekskluzive së bashku me MSCHF, duke zgjedhur Air Max 97, e cila tashmë ka ngritur shumë polemika.

Së bashku me kompaninë amerikane, në fakt, artisti ka krijuar një version të këpucëve të frymëzuara nga Satanai, kështu që në videon e tij përveç prezencës së yjeve me pesë cepa në atlete, shihet edhe një paletë kuqezi, e cila përmban gjak të vërtetë njerëzor në taban!

Nike dhe polemika mbi këpucët që përmbajnë gjak njerëzor

Disa kohë më parë, u lançua një ekskluzivitet prej vetëm 14 palësh, Air Max 97, të bekuara me ujin e shenjtë dhe temjan.

Por tani bëhet fjalë për një atlete që Lil Mas X ka krijuar, me rastin e publikimit të single-it të tij të ri, me ndihmën e MSCHF, një kompani me bazë në Brooklyn, e famshme për dhënien jetë të produkteve vërtet të veçanta.

Në të vërtetë, disa punonjës të MSCHF dhuruan gjak për të ndihmuar që atletja të ishte edhe më e lidhur me Satanin. E tyre ishte një lloj sakrifice ndaj djallit, e cila në mënyrë të pashmangshme ngriti polemikë të madhe.

Së bashku me 66cl bojë të kuqe (numri nuk u zgjodh rastësisht), në fakt, flluska e ajrit në atlete ishte gjithashtu e mbushur me një pikë gjaku njerëzor.

Këpuca, e cila do të kushtojë 1,018 dollarë, do të shitet duke filluar nga sot, por janë vetëm 666 palë (edhe këtu numri nuk është i rastësishëm) të prodhuara.

E zezë me detaje të kuqe në kontrast, të tilla si shkrimi “Luka 10:18” i cili i referohet vargut biblik që përshkruan rënien e Satanait nga Qielli, ato gjithashtu paraqesin yllin satanik, të aplikuar në lidhëse.

“Ne nuk kemi një marrëdhënie me Little Nas X ose MSCHF. Nike nuk i ka dizenjuar ose lëshuar këto këpucë dhe ne nuk i mbështesim ato!”, nxiton të deklarojë kompania me bazë në Beaverton. Megjithatë, sigurisht që nuk do të jetë në gjendje të parandalojë shitjen me shpejtësi të këpucëve, ashtu siç ndodhi me Jesus Shoes!

Au Vodka Time – “Uji” magjik që ngroh jetën

Imagjinoni një personalitet që shkon kundër rrymës, një rebel të lindur, një qenie atipike, që s’bën kompromise. Kjo është vodka.

Nëse të gjitha pijet e tjera shkojnë për t’u pasuruar me aroma e shije, me vodkën ndodh e kundërta, ajo kapërcen procese të tëra, për të arritur pastërtinë më perfekte, në të cilën fshihet një bukuri e pabesueshme. 

Meqë ju prezantuam pak me vodkën në përgjithësi, është momenti të bëhemi më konkretë dhe t’ju prezantojmë me Au Vodka, vodkën e frymëzuar nga ari, e cila ndërthur trashëgiminë britanike me përbërësit luksozë, për të na dhënë një cilësi të parë vodke, vërtet unike.

Secila shishe e Au Vodka fillon me drithrat e ardhura nga zemra e fermave angleze. Të zgjedhura kokërr për kokërr, miksi përzihet me ujin e kulluar të burimeve natyrorë, për t’u filtruar në floririn e tokës, elementin më të pastër e më të jashtëzakonshëm të natyrës.

Vodka nuk është një pije meditimi dhe nuk ngjërohet duke numëruar flluskat pranë oxhakut. Është pije betejash, shkon poshtë pa menduar se ka një nesër.

Nga ana tjetër, vodka është mbretëresha e koktejleve dhe kjo tashmë nuk ka më asnjë diskutim. Luksoze në shije dhe paketim, Au Vodka tashmë gjendet në Shqipëri me shijet më të pabesueshme, që nga Black Grape, Fruit punch, Blue raspberry, shijuar me akull apo Martini, duke i dhënë karakter çdo koktejli.

Bëni kujdes, vodka është shpikur nga zemra e akujve të Lindjes dhe shoqërohet në mënyrë perfekte me akullin, por gotat nuk duhet t’i vini kurrë në frigorifer. Do të ishte një gabim i pafalshëm.

Për të mos harruar, emri “vodka” i ka rrënjët në gjuhën sllave, ngaku ka prejardhjen, dhe do të thotë ujë, madje i trajtuar në përkëdhelore, (gati ujëz), e kështu është trajtuar gjithherë, si uji i jetës, uji që ngroh jetën. Por Au Vodka që po ju prezantojmë sot është “uji i arit”, për t’u ndarë vetëm me miq të mirë, si të qe e fundmja shishe në të fundmen natë mes miqsh!

Provojeni dhe ndani me ne ndijesinë më të fuqishme që vjen nga shkrirja e akullnajave të shpirtrave tuaj! Au Vodka është fundi i një nate të nxehtë dhe motivi i një fillimi të ri, më të pastër e më lufturak!

Ndaj nuk na mbetet gjë tjetër veçse të themi: Au Vodka, mirë se erdhe në Shqipëri!