Pse gratë nuk e mbështesin njëra-tjetrën në punë

Shpesh gratë shndërrohen në shënjestër të njëra-tjetrës, kjo pasi ndjehen të rrezikuara dhe të pasigurta. Frika e tyre më e madhe është se ndonjë grua tjetër mund të zerë vendin e tyre të punës. Ndaj dhe shpesh herë krijohet një ambient toksik, ku gratë në vend që të punojnë me njëra-tjetrën punojnë kundër njëra tjetrës.

Nga ana tjetër edhe maskilizmi toksik, mund të luajë rol në këtë sjellje të grave. Zoë Share, Drejtoreshë ekzekutive e Schmooz Media thotë se gratë, që abuzojnë dhe tallin gratë e tjera, kanë vështirësi në luftën e tyre për të fituar fuqi dhe respekt. Për to nuk ekziston koncepti i mbështetjes dhe vlerësimit për gratë e tjera, për to një grua tjetër e vlerësuar do të thotë se ato do të vlerësohen më pak.

Randi Braun, themeluese  e Something Major thotë se kur gratë ndjehen inferiore në vendin e punës, ato mund të bëhen edhe mizore.

Jennifer Hancock, themeluese e Humanist Learning Systems  u shpreh: ” Një shef që tallet me punonjësit, mund të bëjë që vetë punonjësit të tallen me njëri-tjetrin, thjesht për t’i rënë në sy.”

Si ta përballosh

Të gjithë, pavarësisht gjinisë meritojnë në punojnë në një ambient të sigurt, të shëndetshëm dhe inkurajues. Në fakt shumë punonjës tregojnë histori, se si janë të detyruar të durojnë situata të ndryshme në një punë të caktuar, pasi mund t’i rrezikohet vendi i punës.

Gratë të cilat vihen në lojë nga gratë që drejtojnë në punë shpesh mund të përjetojnë ankth, stres, si dhe pasiguri në lidhje me aftësitë e tyre. Gjendja bëhet më e vështirë, duke qenë se në përballjen me hierarkinë edhe punonjësit e tjerë heshtin, pasi një fjalë në të tilla raste mund të kushtojë vendin e punës.

Një nga mënyrat më të efektshme për  t’u përballur në raste të tilla është mbledhja e provave.  Nëse jeni duke përjetuar një situatë të tillë filloni të mblidhni prova në lidhje me incidentet. Sigurohuni që të gjitha provat t’i mbani me kujdes diku. Kujdes, jo në kompjuterin e punës! Pas kësaj ballafaqojeni personin që ju torturon në punë me faktet. Kaq ishte!

Stigma e lindjes natyrale. Pse nuk përmendet epiziotomia

Jam e ulur në divanin e shtëpisë së një të afërmes sime dhe pyes këtë të fundit për epiziotominë. Nëna ime dhe nëna e saj dëgjojnë pyetjen shtangin dhe më bëjnë shenjë, të mos vazhdoj më. Nuk e di a është turp, apo e papërshtatshme, por duke qenë se isha duke përdorur termin mjekësor dhe burrat që ishin në dhomë nuk kuptonin vazhdova.

  • A e dije që do të bënin epiziotomi, të kishte informuar mjeku për mundësinë?
  • Jo, mjeku jo, por e kisha parë në video.

Informimi i nënave të reja pra, më shumë se nga mjeku i tyre, tashmë bëhet përmes videove në platforma të ndryshme.

Që t’i shkojmë më thellë kësaj pune, tani duhet të sqarojmë procedurën.

Procedura e njohur me emrin epiziotomi është një prerje kirurgjikale, e cila kryhet zakonisht pak para lindjes së fëmijës, gjatë fazës që njihet ndryshe edhe si lindja aktive. Më herët kjo prerje kryhej në zonën e perineumit, ose ndryshe zona që lidh vaginën me anusin, ndërsa tani kryhet zakonisht në pjesën anësore të vaginës.

Një nga arsyet pse preferohet nga mjekët kryerja e kësaj procedure, në vend të çarjes standarde që mund të ketë nëna gjatë lindjes, është fakti që çarja në këtë rast është  e rregullt, kështu dhe nëna nuk do të ketë shumë plagë në pjesët intime. Nga ana tjetër American Congress of Obstetricians and Gynecologists një grupim mjekësh të specializuar në gjinekologji, shprehen kundër kësaj taktike, kjo duke qenë se plagët e shkaktuara nga kjo procedurë shërohen me më shumë vështirësi, se sa çarjet natyrale që shkakton lindja.

Ajo që ndodh në Shqipëri, por edhe në vendet e tjera, është një terr informativ, sa i takon lindjes natyrale. Në tendencë për t’i dhënë një procesi natyror një pamje honorifike, shpesh herë mjekët i kursejnë nënave informacionin thelbësor për procesin e lindjes. Kemi kontaktuar me disa nëna të reja dhe pjesa më e madhe e tyre kishte kaluar përmes kësaj procedure. Ajo që e bën akoma më shqetësues fenomenin është fakti që shpesh kjo procedurë kryhet për të përshpejtuar lindjen nga ana e mjekut.

Të gjitha gratë…

E dimë që çdo njeri është unik, megjithatë shpesh herë kjo karakteristikë e padiskutueshme e njerëzimit vihet në diskutim nga stereotipat. Sigurisht që gratë janë një ndër grupet që preken më shumë prej tyre. Bright Side ka pyetur  lexueset  në lidhje me steriotipet që mërzisin më shumë gratë dhe ka arritur që të krijojë listën e mëposhtme.

Të gjitha gratë vdesin për të blerë veshje– Jo në fakt disa gra nuk kanë aspak dëshirë që të dalin për blerje

Gratë nuk e kanë qejf njëra- tjetrën– Ky është një nga stereotipat më të  gabuara. Gratë ashtu si dhe burrat mund të preferojnë, ose jo njerëz të caktuar, por kjo nuk lidhet me gjininë.

Vajzat e vogla duhet të ëndërrojnë martesën– Në fakt jo të gjitha gratë kanë dëshirë që të martohen, meqë ra fjala na pëlqen të shkojmë nëpër dasmat e të tjerëve.

Nëse nuk të pëlqen një grua tjetër, je xheloze për të– Është normale që mos të na pëlqejë dikush, nuk ka rëndësi gjinia dhe jo domosdoshmërish jemi xheloze.

Të gjitha gratë duan ose kanë nevojë që të kenë fëmijë– Në fakt jo, disa gra duan të kenë fëmijë, disa gra nuk duan e disa të tjera nuk munden.

Leja e lindjes është si të shkosh me pushime– Nëse nuk e keni provuar se si është  të lëvizësh me 4 qepje në vaginë, duke u kujdesur për një të sapolindur që qan dhe ka nevojë për kujdes  më mirë mos flisni.

Të metat që na adhurojnë burrat

I kemi fshehur gjithmonë, duke menduar se fshehja e këtyre “të metave” do të na bënte të dukeshim më tërheqëse në sytë e burrave, por e kemi pasur gabim. Ekzistojnë disa defekte që kanë efektin e kundërt në sytë e burrave. Kushedi sa herë e kemi fshehur nishanin që kemi në fytyrë, duke menduar se nuk duket bukur. 

Sa herë jemi munduar të fshehim pjesë të karakterit që i kemi konsideruar si negative. Mos besoni çdo gjë që thuhet pasi nuk është e vërtetë, ka disa pjesë që gratë mund t’i perceptojnë si negative, por që në fakt i “çmendin” burrat. Zbulojmë bashkë “të metat” e grave që burrat i adhurojnë.

Të kesh frikë
E ke parasysh atë skenën e filmit ku një çift shkon në kinema për të parë një film horror dhe ajo fshihet gjatë gjithë kohës pas supit të tij. Shprehja e frikës në raste të tilla, tregon më shumë besim se sa 1000 zhveshje.  Frika e grave nxjerr në sipërfaqe instinktin e burrave dhe dëshirën e tyre për të mbrojtur partneren.
Të luash me flokët
Loja me flokët është një gjest i pavullnetshëm i grave që bën shumë efekt tek burrat. E keni parasysh kur kaloni gishtat ndër flokë, teksa keni humbur në mendime. Pikërisht, ai është momenti kur burrat mund të qëndrojnë për orë të tëra duke iu adhuruar si të ishit Pranvera e Botticelli-t
Qukat
Pak kohë më parë vajzat që kishin quka i mbulonin ato për t’i dhënë fytyrës një pamje më homogjene.  Ndërsa vitet e fundit kemi parë se si edhe vajzat që nuk kanë quka janë duke përdorur metoda nga më të ndryshmet për t’i krijuar ato. Qukat i japin fytyrës suaj një hije çiltërsie e pafajësie dhe kjo ju bën të dukeni më të ëmbla dhe më tërheqëse në sytë e burrave.
Të jesh e ngathët dhe të përkëdhelesh
Të sillesh sikur je e ngathët nuk do të thotë se je e papjekur apo më pak inteligjente se të tjerët. Në fakt është thjesht një hile e vogël për t’i bërë burrat të nxjerrin në sipërfaqe instinktet e tyre. Nëse do ta “peshkosh” një burrë, mund dhe t’i kërkosh ndihmë. Ata adhurojnë të ndjehen të dobishëm për gratë që pëlqejnë.
Shtati i shkurtër
Mendon se je shumë e shkurtër? Studimet kanë treguar se burrat preferojnë vajzat e shkurtra  dhe ato me gjatësi mesatare.  Në përgjithësi gratë e gjata nuk është se perceptohen si shumë tërheqëse prej burrave, kjo duke qenë se ato nuk e zgjojnë instinktin mbrojtës të tyre.

Fustani i Natalie Portman shpullë ndaj seksizmit

Në çmimet Oscar, ajo që pritet më shumë se sa vetë çmimet janë veshjet e tapetit të kuq. Teksa yjet parakalojnë me veshjet e markave të njohura, Natalie Portman vendosi të qëndisë në veshjen e saj të krijuar nga Dior, emrat e regjisoreve gra, të cilat u injoruan sivjet nga Akademia.

Portman, e përdori veshjen e saj, jo vetëm për t’u dukur bukur, por edhe për të mbajtur një qëndrim. Fustani i zi, mban të qëndisura emrat e grave regjisore, të cilat nuk janë nominuar në kategorinë përkatëse. Ndër to mund të përmendim: Greta Gerwig (Little Women), Lulu Ëang (The Farewell), Lorene Scafaria (Hustlers), Alma Har’el (Honey Boy), etj.

Kur u pyet në tapetin e kuq për zgjedhjen e saj, ajo u shpreh: “Doja të vlerësoja gratë, të cilat nuk u vlerësuan për punën e mrekullueshme që kanë bërë në mënyrën time.

Sido që të jetë, ky vit shënon një nga vitet kur regjisoret gra janë injoruar totalisht, pavarësisht impaktit dhe pëlqyeshmërisë që kanë marrë filmat në publik, akademia me sa duket nuk e ka marrë parasysh punën e regjisoreve.

Treguan të vërtetën e paslindjes, Oscar-ët ndalojnë spotin

Pasi vjen në jetë një fëmijë, shumë të paktë janë ata njerëz, që i kushtojnë rëndësi shëndetit të nënës. Pjesa e shërimit të plagëve pas lindjes është një e vërtetë e fshehur. Shpesh herë  për shkak të stigmës, gratë, as nuk kanë informacionin e duhur për situatën me të cilën do të përballen pas lindjes. Kjo vjen si pasojë e romanizimit të tepërt të procesit traumatik të lindjes, ku e gjithë vëmendja fokusohet tek ardhja në jetë e fëmijës.

Në fakt, nuk duam  të minimizojmë gëzimin e nënave, që marrin në dorë për herë të parë bijtë e dashur, por a nuk duhet të flasim edhe për shëndetin e gruas gjatë kësaj periudhe delikate?

Një gjë të tillë ka dashur të bëjë, “Frida Mom” një kompani amerikane e specializuar në krijimin e produkteve post partum. Kompania në fjalë, ka realizuar një spot, ku shfaqet në mënyrën më reale të mundshme situata e nënave të reja, si dhe vështirësitë që kalojnë ato në javët e para pas lindjes.

Mirëpo, spoti në fjalë, nuk do të transmetohet gjatë hapësirës komerciale të çmimeve Oscar, pasi ka pamje “shokuese”.

Përfaqësues  të “Frida Mom” janë shprehur se spoti është ndaluar, pasi kishte ndër të tjera pjesë nuditeti, si dhe sekuenca ku demonstrohej përdorimi i produkteve.

Spoti 60- sekondësh fillon me tingujt e të qarës së një bebeje, teksa nëna e tij mundohet të çohet nga shtrati. Kur ajo mundohet të ngrihet në ekran zbulohet nën bluzën e ngritur, pjesa e barkut që ka mbetur pas lindjes. Kur nëna më në fund ngrihet nga shtrati mund të shohim se ajo mban veshur pelena për të rritur.

Nëna e re, më në fund arrin të shkojë në tualet dhe mimika e saj shprehëse na bën të kuptojmë dhimbjen fizike që ndien, teksa përballet me pasojat e paslindjes.

“Spoti nuk është i dhunshëm, politik, apo me natyrë seksuale. Spoti ynë, nuk ka as natyrë religjioze, dhe nuk tregon as përdorimin e armëve,” u shprehen përfaqësues së kompanisë pas vendimit të akademisë.

“Është thjesht një nënë e re, që gjendet për herë të parë në shtëpi me një bebe të sapolindur dhe me një trup të ri. Ne pyesim veten, pse nënat e reja duhet të ndjehen kaq të papërgatitura.”

Reklama tregon nënën e re teksa heq pelenën dhe shkon në tualet dhe mbaron me mesazhin: “Paslindja nuk ka pse të jetë kaq e vështirë”

Sipas rregullave të spoteve publicitare, në SHBA  janë të ndaluara reklamat për: kandidatët politikë, mesazhet religjioze, armët, produktet e higjienës femërore, pelenat për të rritur dhe produktet kontraceptive.

Për Robertin dhe shekullin XXI

Robert Berisha ka publikuar së fundmi këngën “Dashnorja”. Titulli i këngës krijoi polemikë në mediat shqiptare, dhe jo vetëm. Por, arsyeja e këtij shkrimi nuk është thjesht titulli i këngës, por deklaratat e tij maskiliste dhe fyese për gratë e vajzat shqiptare.

“… rrijini gati burrave”, thotë ai, “që mos t’vjen puna me marr ata dashnore, … sa më pak fjalë, rrisni fëmijët, shkoni me pushime, hani, pini, rrijini gati dhe ndoshta ai nuk e rrit numrin e dashnoreve. Sa më shumë gabime bëni tek shtëpia, rritet numri i dashnoreve…”.

Këto fjalë duket të kenë dalë nga ndonjë shekull i shkuar. Vënë në gojën e një të riu shqiptar, pikërisht kur një nga plagët më të rënda sociale që kemi është vrasja dhe dhunimi i vajzave dhe grave, duket si një ëndërr e keqe.

Zot, bëje zgjim!

Robert Berisha ndoshta do të ishte mirë t’i hidhte një sy kronikave të zeza, për të kuptuar se në majë të listës së problemeve sociale që ai thotë se nuk u këndon, ndodhet ajo e dhunës ndaj grave e vajzave, për të cilat, profesor Roberti, na mban referat.

Gratë dhe vajzat shqiptare, i dashur Robert, nuk janë plaçkë dhe as objekte. Konceptet patriarkale e maskiliste, mund të të thosha t’i mbaje për vete, por as këtë nuk mund ta them. Po të them se pikërisht këto koncepte bën mirë t’i pastrosh nga koka jote e mos merr përsipër t’I bësh publike, sepse bëhesh qesharak.

“Dashnorja” nuk është fjalë e ndaluar. E vërtetë është, vjen nga fjala dashni dhe me dasht, por kam frikë se këtu fillojnë problemet e tua gjuhësore dhe konceptuale. Dashuria apo dashnia, siç e thua ambël ti, nuk është një po, një jo, një ndoshta. Dashuria jepet dhe merret, pra shkëmbehet mes qenieve humane dhe jo vetëm. Nuk mund të ndodhë që një grua qep gojën dhe i shërben burrit, sipas udhëzimeve të almanakut tend, dhe më pastaj, burri na u ndjeka mirë dhe shkon i qetë te dashnorja (ose jo, thua ti, sepse ti i jep të dy variantet, të cilat varen nga sjellja e gruas që ka në shtëpi) dhe pra, të dhënka këtë dashurinë sipas teje.

Lëmsh i madh, siç e sheh, po një lëmsh që duhet të mësosh ta shkokëlosh ti, para se të marrësh përsipër për të dhënë deklarata.

Nga ana gjuhësore, dashnorja me të dashurën ndahen vetëm me konatacionin që merr fjala, sepse asgjë të gabuar gjuhësisht nuk ka. Do të doja të të kujtoja se në këngët popullore shqiptare, që shumë lashtë u kanë kënduar dashnoreve, por kurrë nuk e kanë fyer gruan, sepse i dashur këngëtor, gruaja dhe dashnorja janë e njëjta gjini, siç e njëjta gjini dashnori dhe burri.

Po e mbyll anën gjuhësore se mund të të shkaktoj marrjemëndsh dhe ti na duhesh për ndonjë këngë të re dhe intervista të reja jo denigruese.

Korseja, instrument bukurie apo torture?

Korseja mund të perceptohet si mjet bukurie, por do të qëndronte shumë mirë edhe në renditjen e mjeteve të torturës. Prej shekujsh ajo është përdorur për të theksuar format e grave e, sidomos, belin e tyre. Në atë kohë, ashtu si dhe sot, burrat preferonin gratë me bel të hollë dhe me të pasme të bollshme.

Korseja mendohet se ka origjinën nga Greqia Antike. Imazhet e para të saj datojnë rreth vitit 2000 (p.k.). Pavarësisht faktit se e ka pasur zanafillën në antikitet, korseja filloi të përdorej gjerësisht në shekullin XV. Në atë kohë jo vetëm gratë, por edhe burrat përdornin korse, në një version pak më të lirshëm sigurisht.

Pasojat e përdorimit të korsesë

Në shekujt e kaluar, praktika e shtrëngimit të belit të grave, filloi të vinte në dyshim gjithnjë e më shumë shëndetin e tyre. Që në lashtësi, korseja u ka sjellë grave probleme me frymëmarrjen, por duke qenë se vishej në evente të rëndësishme, gratë nuk u kushtonin rëndësi pasojave.

Gjithsesi, efektet e përdorimit afatgjatë të korsesë janë të ndryshme dhe njëlloj të dëmshme në të gjitha rastet.

Pikë së pari, përdorimi shumë i gjatë i saj do të bëjë që organet të spostohen, si dhe të shtypen.

Së dyti, shtrëngimi i brinjëve do të sjellë edhe reduktimin e hapjes së mushkërive, si pasojë edhe frymëmarrja nuk do të jetë e plotë dhe e bollshme.

Korseja, prej shekujsh, është perceptuar si shenjë e feminiliteti, por në ditët e sotme duket sikur gratë kanë shpëtuar nga detyrimi për ta veshur. Megjithatë duke filluar nga vitet ‘90 e deri më sot, kanë qenë të shumtë ata stilistë, të cilët kanë tentuar ta rikthejnë në mode, sigurisht me karakteristika të tjera, jo aq torturuese. Disa vite më parë, korseja ka qenë dhe një nga produktet më të shitura në faqet e blerjeve online.

Duke pasur parasysh këto të dhëna, nuk dimë të themi nëse kemi shpëtuar apo jo nga “mjeti i torturës” që mban emrin korse.

“Martohu me përdhunuesin!”- Ligji që përdhunon sërish

Natyra seksiste  e disa shoqërive manifestohet edhe në ligjvënie.  Kemi qenë të gjithë dëshmitarë kur në disa shtete të SHBA-s,  kaloi ligji që ndalonte abortin në çdo rast, duke përfshirë këtu edhe rastet e përdhunimit.  Kultura konservatore në këto shtete nuk mendoi aspak për gratë dhe vajzat e abuzuara.

Së fundmi, Turqia e frymëzuar nga kultura religjioze e konservatore,  përmes një ligji skandaloz, pritet t’i japë goditjen përfundimtare viktimave të përdhunimit.

Një ligj i ri kontrovers pritet të miratohet nga parlamenti turk. Ky ligj do të lejojë që djemtë dhe burrat,  të cilët kanë abuzuar më herët me vajza  nën 18-vjeç, të falen nga drejtësia, nëse pranojnë të martohen me viktimat e tyre.

Projektligji i ashtuquajtur “martohu me përdhunuesin!”, pritet të kalojë në parlamentin turk në fund të muajit janar.

Nga ana tjetër, ky ligj ka shkaktuar trazira në Turqi, si dhe kundërshtime. Aktivistët e të drejtave të njeriut  shprehen se në rast miratimi, ligji në fjalë do të shërbejë për të legjitimuar përdhunimet, martesat e fëmijëve, si dhe për ta kthyer përdhunimin në një ndodhi të zakontë.

Ndërsa përfaqësues të OKB-së shprehen se ky ligj do të bëjë që abuzuesit të veprojnë më ashpër, duke qenë se krimet e tyre nuk do të ndëshkohen.  Kjo gjë do të sjellë që viktimat e abuzimit seksual të jenë akoma më të pambrojtura.

Ligji është kundërshtuar edhe nga opozita turke, anëtarët e saj thonë se një ligj i tillë do t’i detyrojë vajzat  dhe gratë të martohen kundër dëshirës së tyre, duke inkurajuar kështu edhe abuzimin.

Një ligj i ngjashëm është propozuar edhe në vitin 2016, në Turqi, por nuk kaloi në parlament, pasi pati reagime të forta kudo.