Çifti shqiptar i modelingut sjell linjën e veshjeve “Beyonce”

Shenjat e para drejt modelingut botëror dhe rrugës për në “Hollywood” i dhanë dyshja Kujta dhe Meri Berisha. Fustani i realizuar prej tyre, krejt papritur u shfaq i në profilin e Instagramit të Beyonce. Aq i pabesueshëm na u duk ky moment, sa filluam të dyshonim nëse realisht diva që e kishte veshur apo jo. Kritika e mirëpriti dhe për të kanë shkruar disa nga tabloidet e njohura botërore si: DailyMail, Metro, Vanity Fair.

Nxitur nga ky sukses, së shpejti do të dalë në shitje prej tyre linja më e re “Beyonce”, me të njëjtën stil si krijimi i tyre i parë. Çmimet do të jenë nga më të ndryshmet dhe shumë shpejt persona nga e gjithë bota do të kenë mundësinë t’i blejnë online veshjet e kësaj linje.

“Do të dalë një linjë për Beyonce, afërsisht tek ky stili, do të rrimë në një thjeshtësi, do të ketë kosto të ndryshme dhe do të hapet online për të gjithë botën”, zbuloi Kujta në studion e emisionit “Shqipëria Live”.

Java e modës në Milano, çfarë propozojnë stilistët

Fytyra ujë dhe sapun, bashkë me flokët e drejtuar më së miri, kanë qenë dy pamjet tipike që pamë në javën e modës në Milano. Sigurisht që ka pasur përjashtime, ndër të cilat mund të përmendim tonin lejla të Guçi-t ose gërshetin e sofistikuar të Maryling.

Në pasarelat e Londrës dhe të NeW York-ut ranë në sy buzët e lyera me ngjyra të ndjezura si dhe flokët e lëpira.  Ndërsa nga ajo që kemi parë deri tani në Milano Fashion Week, mund të themi se trendet që do të jenë në modë gjatë këtij viti janë luku nude, bashkë me flokët që duken si pak të kuruara.

Kjo pamje e thjeshtë që sugjerohet nga java e modës në Milano lidhet me faktin se veshjet janë aq luksoze, sa do t’ju duhet vetëm një  shkëlqyes mbi buzë dhe një gërshet për të kompletuar pamjen tuaj.

Shembuj tipikë të pamjes ujë dhe sapun kanë sjellë në pasarelë Alberta Ferretti dhe N°21, si dhe Maryling e Jil Sander.

Gucci nuk këndoi në kor. Veshjet e shtëpisë së njohur të modës ngjanin si veshje të dala nga ndonjë shtëpi kukullash. Shtëpia e famshme e modës nxori në pasarelë një modele që dukej sikur sapo kishte dalë nga diskoteka, më flokët e çrregullt të shoqëruar me një rreth dhe sytë e lyer me ton lejla, modelja i dha pak ngjyra javës “nude” të modës, në Milano.

Surprizat, me sa duket nuk do të mungojnë në Milano Fashion Week, një event ku stilistët prezantojnë trendet që do të ndjekim të gjithë në stinën që vjen.

“Djalli”vishet me pranverë

Prada, ka vendosur të sjellë pranverën në dyqanet e saj. Përmes një projekti të ideuar nga Thomas Demand, shtëpia gjigante e modës, ka sjellë shpërthimin e sythave pranverorë, përmes imazheve të qershive japoneze. Këto lule qershie, njihen si imazhi që lajmëron edhe ardhjen e pranverës.

Në fakt, projektet e Pradës, të cilat janë kuruar nga artisti gjerman janë të shumtë. Një ndër më të famshmit është edhe “Varka që rrjedh”

Demand është i njohur për fotot e tij të veçanta. Artisti e përdor fotografinë në një shkallë të caktuar, duke rikrijuar kështu imazhe të gjalla, përmes versioneve artificiale.

Për të realizuar, projektin, artisti u frymëzua nga Hanami, ose thënë ndryshe (mahnitja pas bukurisë së luleve). Simbolika e vetë lules së qershisë, shpreh dëshirën e artistit për t’i dhënë fund kohës së dimrit e për të sjellë pranverën, stinën që përtërin natyrën, njeriun dhe emocionet humane.  

Edhe një tjetër Jennifer Lopez

Viti 2020 duket se ka filluar mbarë për artisten nga Amerika Latine. Pas performancës në Super Bowl 2020 së bashku me Shakirën, duket se veç dasmës së shumëpritur mes Jennifer Lopez dhe Alex Rodriguez fansat do të marrin edhe një lajm tjetër sa i përket divës së pop-it. Jennifer Lopez do të hedhë në treg koleksionin e saj të këpucëve.

Me sa duket artistja, ka vendosur të shtojë paratë në llogarinë bankare, duke qenë se koleksioni është ekskluziv. Gjithsesi duhet të themi se Jennifer Lopez e dashuron modën dhe shpesh herë ka qenë pikë referimi për shumë persona që e ndjekin.

Disa ditë më parë, vetë JLo, përmes një postimi në Instagram njoftoi fansat në lidhje me hedhjen në treg të koleksionit të këpucëve të ideuar prej saj.

Këpucët e këtij koleksioni janë krijuar nga Lopez në bashkëpunim me ‘Camuto Group’ dhe koleksioni ka emrin e artistes, pra quhet thjesht “JLO JENNIFER LOPEZ”. Pritet që këpucët të dalin për shitje në fillim të muajit mars në Amerikë dhe Kanada, si dhe në dyqanet online.

Në një intervistë JLO, ka deklaruar se për të krijuar këtë koleksion është frymëzuar nga Los Angeles, New York dhe Miami.

“Në fillim të karrierës sime kam dashur të bëj gjithçka. Të këndoj, të aktroj të kërcej, të merrem me modë. Ky koleksion këpucësh prezanton tre qytete, që janë bërë pjesë e pandarë e identitetit tim. New York, Los Angeles dhe Miami. Kemi dashur të sjellim ‘street style-in e New York-ut” të bashkuar me klasin e Hollywood-it të vjetër  dhe gjallërinë e Miamit. Shpresoj që përmes këtij koleksioni, vajzat dhe gratë të kenë mundësi të tregojnë më së miri anë të ndryshme të personalitetit të tyre”.

Çfarë të veshësh për Shën Valentin, këshilla të minutës së fundit

Sot është një ditë e shënuar për ju dhe gjysmën tuaj më të mirë. Mund të dilni të festoni diku jashtë, ose të hani një darkë romantike në shtëpi, por gjithnjë duhet t’i kushtoni shumë rëndësi veshjes.

Sigurisht, nuk ka receta për veshjen perfekte.  Çdo gjë varet nga kontesti. Mund të rrezikoni që ta teproni pak me veshjen, ndaj dhe duhet të jeni të kujdesshëm në mënyrë  që të ruani masën.

Nëse jeni në stres dhe nuk e dini se çfarë mund të vishni sot, mos u shqetësoni jemi këtu për t’ju ndihmuar. Ju kemi sjellë tre kombinime veshjesh perfekte për raste të tilla.

Një fund me motive dhe pulovër

Mjaftojnë pak elemente që të dukeni e kuruar dhe e veshur bukur për të gjitha rastet. Dy veshjet e gardërobës suaj që mund t’ju ndihmojnë shumë në raste të tilla janë fundet e gjata me motive si dhe bluzat njëngjyrëshe. Mund të zgjidhni ta kombinoni me taka elegante, ose nëse fundi është i gjatë mjaftueshëm mund ta vishni edhe me gjysmë çizme elegante. Për të veshur sipër mund të zgjidhni një partesy, ose nëse ju shkon me stilin tuaj mund ta kombinoni veshjen me një xhaketë lëkure të shkurtër. Kjo e fundit do t’i bëjë këmbët tuaja të duken më të gjata.

 Me të zeza

Nëse dëshironi që të mos mundoheni shumë për të krijuar një kombinim që qëllon në shenjë, thjesht vishuni me të zeza. Mund të zgjidhni një fustan të zi, prej tyli të trashë kombinuar me këpucë të zeza elegante dhe një xhaketë të zezë që ju vë në dukje belin.

Veshja e shpejtë

Nëse do të dilni në një takim direkt pas punës, mund të vishni edhe xhinse, normalisht nuk do të dukeni aq të kuruar sa në dy rastet e para,  por mbetet një zgjidhje praktike, e cila nëse kombinohet me aksesorët e duhur mund të rezultojë tepër efikase.

Kombinoni xhinset me një triko të shkurtër në ngjyrë të errët. Që veshja juaj të duket akoma më e kuruar mundohuni që të përdorni aksesorë në ngjyrë të artë. Në fund kompletoni pamjen me një çantë të vogël në ngjyrë neutrale.

Çfarë veshën yjet në festën e Vanity Fair

Që nga mbrëmja e djeshme, mediat  janë të “pushtuara” totalisht nga ceremonia e çmimeve Oscar. Tashmë kemi diskutuar çmimet, aktorët, filmat, të veshurit më bukur, të veshurit më keq etj.

Por, me sa duket, na paskan shpëtuar veshjet që përdorën të famshmit në “after party”. Nëse po vdisni nga kurioziteti(ashtu si ne), shihni galerinë më poshtë.

Veshjet më “PFFF” të çmimeve Oscar

Nëse do të zgjidhnim të përshkruanim veshjet e çmimeve Oscar, mund të themi se shumica e tyre ishin spektakolare. Mirëpo, ashtu si dhe në jetë, disa personazhe të famshëm, le të themi që “nuk ia thonë shumë modës”.

Olivia Colman, është një ndër aktoret që mund të veshë çdo gjë që do. Madje, madje mund të veshë edhe një fustan Stella Mccartney, të degëzuar dhe të stolisur me kristale, që nuk ka pikën e kuptimit.

E vetmja gjë pozitive për një aktor që nuk është nominuar në çmimet Oscar, është fakti që mund të kalojë në tapetin e kuq pa u vënë re. Bëjmë shaka, sigurisht që vihen re, sidomos kur vishen keq. Këtë fat e pati edhe Saoirse Ronan e veshur me Gucci, për fat të keq e vumë re dhe do ta mbajmë mend, sigurisht , jo për ndonjë arsye të mirë.

Ka fustane që janë të jashtëzakonshëm, për ka dhe fustane si ai i Kristen Wiig që gjatë kësaj kohe kanë marrë komente nga më të ndryshmet online.  Fustani i aktores është krahasuar me një peshk, me lasanjën, si dhe me një furçë tualeti.

Salma Hayek, me sa duket ka dështuar me veshjen prej “perëndeshe”.  Ngjyra e bardhë e fustanit Gucci  ngjan më shumë me veshjen e një nuseje, se sa me një veshje të përshtatshme për tapetin e kuq.

Laura Dern, ka fituar aq shumë çmime këtë sezon, sa me sa duket i kanë mbaruar edhe “fustanet e hajrit”. E dimë që fustani Armani do t’i ketë kushtuar shumë, por  për fat të keq duket sikur e ka blerë në treg.

Sinqerisht, të vish në Oscars me një fustan portokalli të shndritshëm, që duket si thes patatesh është një zgjedhje që vetëm Maya Rudolph mund ta bëjë.

Në disa raste vlen shprehja “Sa më thjesht, aq më bukur”. E njëjta shprehje vlen për aktoren Sandra Oh, e cila u shfaq e mbytur në gurë e në tyl, me fustanin voluminoz të Elie Saab

Oscar 2020, veshjet që dominuan tapetin e kuq

Qëllimi i çmimeve Oscar është vlerësimi i talentit  të aktorëve si dhe vlerësimi i filmave më të mirë. Mirëpo, si çdo vit vëmendja përqendrohet edhe tek veshjet që sjellin artistët në tapetin e kuq.

Çdo vit, këta të fundit  zgjedhin një veshje të caktuar,  cila mund të komentohet të pëlqehet , ose jo. Sivjet, yjet parakaluan në tapetin e kuq, duke na sjellë disa veshje të cilat do t’i kujtojmë gjatë, ose jo.

Teksa presim të mësojmë se cili do të jetë filmi që do të marrë statujën e artë të çmimeve Oscar, ose cilët do të jenë artistët që do të vlerësohen për rolet e tyre, po u lemë nën shoqërinë e veshjeve më të bukura në tapetin e kuq.

Një tjetër shqiptare në Sanremo

Bota ka nisur të bëhet e vogël. Në netët e Festivalit të Sanremos, parakaluan punët e stilistëve me famë botërore dhe mes tyre, krenarisht thënë, edhe stilistët shqiptarë. 

Si në çdo mbrëmje të festivalit, edhe natën e djeshme, u diskutuan veshjet me më shumë apo më pak stil. Ata që u diskutuan më shumë ishin stili David Bowie i Achile Lauros, fustani D&G i Alketa Vejsiut, që u komentua negativisht, por së paku komentet erdhën e u bënë pozitive për veshjen e saj të dytë, të stilistit shqiptar.

Krahas stilistëve me famë botërore kanë filluar të ngjisin shkallët e karrierës edhe stilistët tanë. Dhe nuk është hera e parë që ata konkurrojnë denjësisht nëpër kompeticione të rëndësishme dhe veshin emra të rëndësishëm të showbiz-it botëror.

Mbrëmjen e djeshme, në Sanremo  Alketa Vejsiu  veshi një fustan të kuq krijim ky i stilistit të talentuar Valdrin Sahiti, por ajo nuk ishte e vetmja që u vesh nga  një mjeshtër  shqiptar i dizajnit. Georgina Rodriguez, kolegia e saj në prezantim, zgjodhi dorën shqiptare të Lia Stubllës, për t’i besuar veshjen e saj.

I pari fustan i stilistet shqiptare që veshi Rodriguez, ishte  një fustan sateni në ngjyrë perle, me dekolte të thellë e një të çarë elegante. Fustani i dytë  vjen në ngjyrë pjepri dhe është i stolisur me temina. Ka një prerje të  thjeshte  tub që vazhdon deri në fund të këmbëve.  

Jo vetëm djalli, edhe eleganca qëndron te detaji

Nuk është nevoja që të përdorni veshje shumë të kushtueshme për t’u dukur elegante, mund të jetë krejt e kundërta. Ndonjëherë, një veshje mund të duket shumë klas edhe pse mund të jetë kompozuar me elemente shumë të thjeshta.

Përtej zgjedhjes së materialit, në raste të tilla edhe zgjedhja e ngjyrave mund të bëjë diferencën.

Disa prej ngjyrave jemi të sigurt që i dini tashmë, ndërsa të tjerat…Upsss  surprizë!

E gjelbër e mbyllur

Mund ta keni parë nëpër rrugë, e gjelbra e mbyllur  ka filluar të duket pak a shumë në modë, ose të paktën keni filluar të dyshoni. Në rregull, po ua konfirmojmë  është në modë dhe do t’ju bëjë të dukeni shumë elegantë. Ngjyra delikate dhe fine  mund t’ju kujtojë edhe veshjet vintage. Nga ana tjetër, nëse dëshironi  të dukeni elegante dhe jashtë kornizave, e gjelbra mund të jetë një zgjedhje gati ideale për ju.

E bardha e fildishtë

Nuk është e bardha klasike, që vjen e ftohtë, e bardha e fildishtë ka ngrohtësi si ngjyrë. Kjo e bën atë kolorin perfekt në kohën e ndërrimit të stinëve. Mos u merakosni fare për kombinimin, kjo ngjyrë do të duket bukur me ngjyrat klasike si: e zeza, grija, bluja. Mund ta kombinoni edhe me  ngjyrat e ndezura, sigurisht nëse keni mjaftueshëm guxim.

Bluja klasike

Bluja klasike do të jetë ngjyra më në trend për pranverën e vitit 2020. Kështu që, nëse ende nuk keni asnjë veshje në këtë ngjyrë, ju këshillojmë që të blini diçka. Zgjedhja perfekte mund të ishte një fund i gjatë në këtë ngjyrë, të cilin mund ta vishni nga mëngjesi në mbrëmje me taka dhe atlete.

 Lëkura natyrale

Kjo ngjyrë është idealja, sidomos kur flasim për aksesorët, si çanta dhe këpucët. Është pak a shumë si e zeza shkon me çdo gjë, dhe nuk del kurrë jashtë mode. Tonet e ngrohta të saj i japin menjëherë një hije elegance pamjes suaj, pa ju bërë të dukeni më shumë formale se sa duhet. Kjo ngjyrë kombinohet më së miri me ngjyrat neutrale, si dhe me nën tonet e së bardhës.

Vjollca

Në podiumin e ngjyrave  sivjet është ngjitur edhe vjollca. Kolori delikat mbetet ideal për të shtuar pak dritë në veshje, pa rrezikuar të dukeni vulgare. Ngjyra vjollcë ka një hije delikatese e hijeshie, mjafton një element në këtë ngjyrë, për t’i dhënë pamjes suaj atë “detajin e djallit”, që bën diferencën.

 Portokallia

Nuk e prisnit?! Po në fakt, portokallia do të jetë ngjyra hit në verën e vitit 2020. Gjithsesi nuk flasim për portokallin e ndezur e vezulluese, e kemi fjalën për një ngjyrë më të mbyllur e më të ftohtë. Do të shihni se si kjo ngjyrë, përtej paragjykimeve do t’ju bëjë të dukeni më të sofistikuara dhe më elegante.