Aurela Gaçe klith fort dhimbjen e gruas

Edhe një zë më shumë kundër dhunës ndaj grave

Jemi mësuar ta shohim të fortë, gati një model për çdo grua që arrin me guxim të sfidojë botën. Muzika e saj shpërthen nga çdo ind, vokali drithërues bën vetëm ta admirosh. Ky është uragani Aurela. Këngët e saj këndohen nga çdo moshë dhe nuk është e thjeshtë të arrihen të risillen nga të tjera zëra.

Këtë radhë “vajza e Vlorës” ka zgjedhur të jetë zëri i gruas së dhunuar, ajo që nuk pranon fatin, ajo që rrebelohet, ajo që zgjedh të jetojë.

Prej disa ditësh këngëtarja lajmëroi ardhjen në jetë të “krijesës” së saj më të fundit dhe askush që priti, nuk u zhgënjye.

Fundi i një dashurie të pamundur, sepse ajo, dashuria nuk mund të jetë e dhunshme, sepse ajo, gruaja nuk mund të jetë as objekt dhe as viktimë.

Piano, violinë e violinçelë të gjalla mes akordeve që luajnë me shpirtin, gjysmë flakë e gjysmë det; ngjyrat irlandeze dhe violina, që duket se gërvisht më shumë shpirtrat, janë elemente që shkojnë sinkron me tekstin, zërin e fuqishëm dhe aktrimin e këngëtares në videoklipin që shoqëron baladën “Veten dua gjallë”.

“E kam mbushur sot, një valixhe plot me lot… më lëndon, më mundon e unë e fal/ por do shkoj se veten dua gjallë…”, janë disa nga vargjet e këngës , krijim i Rozana Radit, që s’mund të lëri pa prekur dhe bërë bashkë kore të tërë zërash artistësh e adhuruesish të këngëtares së dashur shqiptare.

Duhet thënë se për Rozana Radin nuk janë vargjet e para, ku preken problematikat e gruas, dhe nuk mund të mos kuptohej dora dhe ngjyra e shpirtit të saj.

Vetëm për pak orë publikimi kënga është shpërndarë pafund nëpër profile dhe në 106 minuta ajo ka marrë 18. 056 views.

Udhë të mbarë në suksesin e radhës, Aurela Gaçe!

Ermal Fejzullahu i kthehet dashurisë së 15 viteve më parë

Butrint Imeri dhe Ermal Fejzullahu kanë rikthyer këngën ‘Për një dashuri’ të 15 viteve më parë.

Ky hit ishte ‘kryefjala’ e festivalit  ‘Top Fest 2’, ku u vlerësua çmimin e tretë.

Në ndryshim me periudhën, kur Ermali fitoi zemrën e gocave, bashkëpunimi me Butrintin e gjen këngëtarin krejtësisht ndryshe.

Ai tashmë është baba i katër fëmijëve, ka në supe një karrierë të gjatë dhe miliona euro në llogarinë bankare.

‘Për një dashuri’ e ditëve të sotme po dëgjohet sikur atëherë kur Ermali ishte vetëm 17 vjeç.

Shuhet “baresha” e trojeve gjithëshqiptare

Bilbili i Kosovës është ndarë nga jeta në moshën 86-vjeçare. Pagarusha  u shua pas betejës me një sëmundje të rëndë, ndërsa lajmin për humbjen e saj e dhanë familjarët përmes postimeve në rrjetet sociale.

Zëri brilant i Pagarushës do të dëgjohej për herë të parë në vitin1948, në Radio Prishtina, e prej asaj kohe  do të qëndronte në skenë edhe për 40 vite të tjera.

Bilbili i Kosovës ndër vite ka kënduar këngët emblema të muzikës shqiptare, Baresha, E dehun jam, Shota etj. Ajo i ka lartësuar këto copëza identiteti shqiptare, aq sa sot jemi krenarë të themi që mbajnë vulën e saj.

Në vitin 1984, Pagarusha i jep fund karrierës me një koncert në Sarajevë, ndërsa do të  kthehet në skenë pas 16 vitesh mungesë, për të kënduar “Për ty” në vitin 2000. Bilbili i Kosovës, u rikthye sërish në skenë në vitin 2005, e që prej asaj kohe daljet e saj filluan të ishin më të rralla, kjo për shkak të shëndetit të rënduar të artistes, që e ndau përfundimisht prej nesh.

Sot ” Baresha” këndon e lirë në bjeshkë, krenare për artin e zërin që i fali trojeve gjithëshqiptare.

Sanremo 2020 rikthen emrat ikonë të muzikës italiane! Fiorello shfaqet i veshur si prift

Ka nisur nata e parë e festivalit të këngës italiane Sanremo 2020. Me një skenografi magjike, nën prezantimin e Amadeus, edicioni i 70-të i festivalit shënon një rikthim në të kaluarën, të paktën sa i përket këngëtarëve pjesëmarrës në konkurs, si: Irene Grandi, Rita Pavone, Elodie, Marco Masini etj. Organizatorët e festivalit kanë bërë një ndarje klasike të këngëtarëve në garë, midis atyre Big dhe kategorisë së të rinjve (24 këngëtarë të mëdhenj dhe 8 propozime të reja).

Në skenën Ariston, Amadeus nuk do të jetë vetëm, por do të shoqërohet këtë vit nga 10 prezantuese: Laura Chimenti, Antonella Clerici, Emma D’Aquino, Rula Jebreal, Diletta Leotta, Francesca Sofia Novello, Georgina Rodríguez, Sabrina Salerno dhe Alketa Vejsiu, të cilat do të alternohen në 5 mbrëmjet e festivalit.

Sonte përkrah Amadeus është gazetarja Rula Jebreal dhe moderatorja simpatike e emisioneve sportive, Diletta Leotti.  Dy vajzat janë prezantuar me fustane mahnitëse, Diletta me një fustan të verdhë të gjatë, ndërsa Rula me një fustan në ngjyrë argjendi.

Për të mbështetur Amadeus gjatë netëve të festivalit, do të jenë gjithashtu dy super të ftuar, shumë të dashur për publikun italian dhe jo vetëm: Fiorello dhe Tiziano Ferro.

I pari në skenën Ariston, i ftuar nga Amadeus ishte Fiorello, i cili i surprizoi të gjithë ndërsa u shfaq i veshur si prift. Këngëtari dhe moderatori jo pa qëllim e bëri këtë veshje, ndërsa përcolli për publikun mesazhin e paqes dhe dashurisë ndaj njëri-tjetrit, sidomos në këto kohë të vështira, por edhe për të ironizuar pak me polemikat para nisjes së Sanremos, që duhet thënë nuk kalon kurrë pa diskutime të nxehta, duke qenë festa më e rëndësishme e këngës italiane. Ndërsa, Tiziano Ferro këndoi për të përshëndetur publikun, këngën e famshme italiane ‘Volare’ të të madhit Domenico Modugno.

Për të shënuar ishte incidenti me zërin e Tiziano Ferro-s, ndërsa kërkonte me gjithë shpirt të arrinte notat e larta në këngën e dytë përshëndetëse, Almeno tu nell’universo, të Mia Martinit. Lotët e këngëtarit ishin aq të sinqertë sa e gjithë salla u ngrit në këmbë dhe e duartrokiti ngrohtë për ta çliruar nga emocionet e forta.

“Prisha gjithçka”, thotë ai mes lotësh, “më falni!”

Duket sikur pas përplasjeve e akuzave si seksist drejtuar Amadeus, filli i argjendtë që shoqëron si nerv qendror Sanremon është Gruaja, mbështetja për të dhe lufta kundër dhunës ndaj saj. Dhe kjo u manifestua me monologun rrënqethës së njërës nga grave që shoqëronte Amadeon në prezantimin e natës së parë, Rula Jebrael, gazetarja palestineze. Më parë edhe prezantuesja tjetër, me në qendër të vëmendjes gjyshen e saj, pati një monolog mbi gruan, të qënin e bukur dhe nëse kjo do të duhej të shihej ndaras apo në të gjithën e qenies.

Festa do të vijojë për 5 netë me radhë, deri ditën e shtunë, kur do të jetë dhe nata finale që do të shpallë fituesin e këtij edicioni të 70-të të Sanremos.

Gramafoni i frymëzuar nga Saturni

Nëse jeni të dashuruar me vinilin, por edhe me objektet jo të zakonta, dizenjuesi  Elham Mirzapour ka krijuar diçka pikërisht për ju. Bëhet fjalë për një gramafon, frymëzuar nga Saturni dhe unazat e tij.

Kjo pjatë është pajisur me një altoparlant qendror sferik të bardhë, i cili i përngjan planetit. Natyrisht, është i lëvizshëm, në mënyrë që disku të vendoset mbi pjatën rrotulluese.

Gjilpëra, pastaj, është sferike e portokalli dhe përfaqëson Titanin, një nga hënat e Saturnit.

Është e mundur të mos jetë një aparaturë për audiofilët e vërtetë, por do të kënaqë atë që është në kërkim të pamjeve alternative dhe mahnitëse për gramafonin e vet (apo të plotësimit të një aredimi vërtet të pazakontë).

Për momentin me sa duket nuk është mundësia e blerjes së objektit (nuk është në shitje për publikun), por rrini në pritje…

Si kurrë më parë, miqtë rrëfejnë ditët e fundit të John Lennon

“Ditët e fundit të John Lennon” është titulli i dokumentarit më të ri, që do të transmetohet në 40-vjetorin e vdekjes së artistit. Dokumentari ka firmën e Ken Womack, i cili është edhe autori i librit “John Lennon 1980”.

“Ditët e fundit të John Lennon” do të tregojë ngjarje nga jeta e artistit që nga publikimi i albumit “Double Fantasy”, deri në momentin e vrasjes së tij nga Mark Chapman në New York.

“Në dokumentar do të ketë intervista të pa transmetuara më herët, me njerëz, të cilët kanë qenë pranë Lennon në atë periudhë të jetës së tij, që nuk ka qenë shumë mirë e hulumtuar”, tha Lilla Hurst përfaqësuese e kompanisë, përgjegjëse për fushatën e marketingut të filmit.

Ndërsa drejtori kreativ, Mark L. Reda shtoi: “Mendoni se e njihni mirë historinë e John Lennon, por në këtë dokumentar do t’ju tregojmë të vërtetën e ditëve të fundit të legjendës së grupit Beatles”