Attimi, restoranti shqiptar, i nominuar për World Luxury Restaurants Awards 2020

Lajmin e bën të ditur vetë Shefi italian i restorantit Attimi, një nga restorantet më me class në zemër të Tiranës.

I pyetur nga revista Vip, Loris Marinetto, shefi Italian i restorantit Attimi, u shpreh i kënaqur që restoranti i tij në këtë nominim ndodhet përkrahë emrave të zëshëm të kulinarisë botërore. Ai na tregoi se nominimi i erdhi i papritur nëpërmjet një emaili nga stafi zyrtar i kompeticionit të rëndësishëm, World Luxury Restaurants Awards për vitin 2020.

Dy fjalë për World Luxury Restaurants Awards:

Është maja e suksesit në sektorin e restoranteve të luksit, që ofron njohje botërore pasi votohet nga klientë, udhëtarë dhe operatorë të tjerë të të njëjtit sektor. Është themeluar në vitin 2015 dhe për të votojnë më shumë se 100.000 udhëtarë ndërkombëtarë çdo vit, të cilët në harkun kohor të 4 javëve, përzgjedhin edhe fituesit.

Nga informacionet e mbërritura në redaksi thuhet se restoranti italo-shqiptar, Attimi, konkurron në kompeticion me restorante të tilla si: Hilton i Venezias, The Ritz i Berlinit, Shangri i Parisit etj.

Duam të theksojmë se Loris është Shefi i revistës Vip Albania ndaj:

Urimet më të mira, Attimi dhe Shef Loris!

Ekskluzive nga shefi VIP – Ushqim dhe dashuri

Nga Loris Marinetto – Shefi i VIP

Tradita e do që pikërisht më 14 shkurt të jetë festa e të dashuruarve dhe e të gjithë atyre, të cilët ndajnë një pasion. Ajo që ndodh më shpesh është të takohesh dhe të ndash një darkë apo momentin kur ushqimi kthehet në shoqëruesin perfekt të atmosferës romantike.

Kur flitet për Shën Valentinin, flitet për dhurata dhe mbi të gjitha për ushqimin. Atëherë, mjafton të flitet për ushqimet e zakonshme afrodiziake dhe mjafton të përmenden ostriket përherë të rafinuara, çokollatën nepsndjellëse dhe dredhëzat e ëmbla.

Kemi vendosur t’ju habisim me disa kuriozitete nga bota bimore, që ndoshta nuk i kishit imagjinuar kurrë.

Kur flasim për ushqimin afrodiziak e keni pyetur veten ndonjëherë se cilat duhet të jenë karakteristikat të cilat i bëjnë të tilla këto ushqime?

Së pari do të duhet të stimulojnë zgjerimin e enëve të gjakut dhe për pasojë qarkullimin e mirë të tij, duhet të përmbajë vitaminën E, që reagon mbi dëshirën seksuale dhe, pse jo edhe vitaminat e grupit B, kalium, por edhe të tjera karakteristika. Në udhëtimet e mia, të cilat më kanë shërbyer për të mbledhur eksperiencë në traditën kulinare dhe teknikat e kuzhinës së vendeve të ndryshme, jam përqendruar edhe në të veçantën e përbërësve dhe karakteristikat e tyre.

Nga Orienti i largët mund të përmendim xhinxherin, i cili në shumë kultura konsiderohet si kurë natyrale për të luftuar impotencën. Cilësia kryesore afrodiziake e tij konsiston në aftësinë për të sjellë një sasi të konsiderueshme gjaku në zonat gjenitale. Në kuzhinën orientale xhinxheri përdoret praktikisht në gjithçka.

Thuhet se zaferano (shafrani) ka lindur në Greqi. Është nga specie më të kushtueshme në botë dhe cilësohet si një nga eksitantët më të fortë. Pjata më e famshme është “risotto alla Milanese”, që në pamje të parë duket si një pjatë e thjeshtë. Me shtimin e shafranit ajo kthehet në një pjatë afrodiziake, e cila mund të rizgjojë ndjeshmërinë e kujtdo që e provon.

Shega është konsideruar që nga antikiteti si fruti i bollëkut dhe jetëgjatësisë. E pasur me kripëra minerale, kalium, fosfor dhe vitaminë A, B, C, sipas disa studimeve, ndikon në rritjen e dëshirës te meshkujt, por edhe të testosteronit. Pikun e përdorimit e ka midis tetorit dhe nëntorit dhe është e gjithanshme. Mund të përdoret me mishin, me pastat, rizoton dhe është ideale edhe për ëmbëlsirat.

Fruti origjinal i vendeve tropikale, banania, me vitaminën B, kaliumin, magnezin është e hyjnizuar nga sportistët. Do të habiteshit nëse do të dinit se është në gjendje edhe të rrisë libidon mashkullore, edhe të luftojë impotencën. Në kuzhinën moderne përdoret gjithmonë e më shumë edhe në kombinimet e mishit me peshkun, por gjithmonë duke qenë të kujdesshëm në përdorim për të mos prishur ekuilibrin e pjatës.

Maka rritet në lartësitë 2000-4000 metra, kryesisht në Peru, por mund të gjendet edhe në Ekuador dhe Bolivi. Në natyrë haset në dy ngjyra: të verdhë dhe të kuqe, dhe është quajtur Viagra natyrale.

Përveç vlerave afrodiziake që ka, studime të ndryshme flasin edhe për aftësinë e saj në rritjen e fertilitetit. Vështirë ta gjesh në Europë, por në rangun e “kuzhinës shef” përdoret së tepërmi për biskota, në formën e miellit dhe mbi të gjitha të pluhurit që i jep shijen sallatave. Në Peru përdoret për t’i dhënë jetë njërës nga recetat e ëmbëlsirave më të famshme të tyre, Mazamorra, që konsumohet me vaktin e mëngjesit. Maka në pluhur përdoret së tepërmi edhe për produktet e bukurisë, si: krem, shampo, për lëkurë apo flokë të shkëlqyeshme.

Stikat e pishës janë të njohura në të gjithë botën, vetëm se ndryshojnë shije nga vendi në vend. Të pasur me vitaminën E, janë perfekt si regjenerues në periudhat stresante dhe lodhëse. Stikat e pishës janë sidomos burim fertiliteti. Në kuzhinë përdoren së tepërmi si për pjatat e para dhe të dyta, ashtu edhe tek ëmbëlsirat.

Avokado, me origjinë nga malet qendrore dhe perëndimore të Meksikës, Guatemalës, për të arritur në brigjet e oqeanit Paqësor dhe në Amerikën qendrore, u konsiderua si fruti afrodiziak  par excellence. Ka shumë veti ushqyese dhe tashmë është një nga frutat më ndikuese në kuzhinën ndërkombëtare.

Por, kujdes!

Siç i prezantuam dhe këshilluam disa nga ushqimet afrodiziake, disa të tjera i këshillojmë të evitohen.

Nëse ju pret një darkë romantike dhe më shumë se kaq, duhet evituar mishi i pjekur posaçërisht në pikën e duhur (pra mesatarisht). Edhe pse konsiderohet si një ushqim super- sexy, mund të rëndojë organizmin dhe të ndjellë gjumin, çka do të prishte planet tuaja romantike.

Janë me siguri për t’u evituar edhe ushqime si djathërat, fasulet etj., për shkak të ndjesisë së fryrjes që shkaktojnë. Evitoni gjithashtu edhe kombinimet me mente që ulin nivelin e testosteronit. Absolutisht e pakëshillueshme të shkoni të hani në fast-food, e sidomos patate të skuqura, që sipas shumë studimeve, shkaktojnë kotje e gjumë.

Me këto këshilla keni shumë elementë për darkën romantike të ëndrrave tuaja!

© Të gjitha të drejtat e autorit të rezervuara / Revista VIP.

© Arbër Elezi Photography