Angelina Jolie pozon e mbuluar nga bletët në Ditën Botërore të mbretëreshave të eko-sistemit

angelina jolie e mbuluar nga bletet

Me rastin e Ditës Botërore të Bletës, “National Geographic” publikoi një video të Angelina Jolie, ambasadores së UNESCO-s dhe imazhit së projektit Guerlain “Gratë për Bletët”, e mbuluar nga bletët, insektet e çmuara. E gjitha kjo për të tërhequr vëmendjen dhe rritur ndërgjegjësimin e publikut për rëndësinë e tyre. Kohët e fundit, gjithmonë e më shumë është ngritur alarmi, lidhur me rrezikimin e jetës së bletëve dhe prishjen e eko-sistemit që sjell si pasojë kjo.

bleta mbi nje lule

Dita Botërore e Bletës u festua ditën e djeshme, më 20 maj. Kjo ditë është shpallur e tillë në vitin 2017, nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara për të rritur ndërgjegjësimin e publikut për rolin e rëndësishëm që luajnë këto insekte në jetën tonë. Por edhe për të paralajmëruar në lidhje me rreziqet serioze që ata kanë.

Për këtë Angelina Jolie, ish-ambasadore e projektit ” Women for Bees” e Unesco-s, në bashkëpunim me markën Guerlain, doli e para në pistë me një ndërmarrje tepër të guximshme. Synimi për të tërhequr rreth bletëve sa më shumë bletarë e dashamirës të insekteve të çmuara.

Kështu u realizua videoja e National Geographic, në të cilën Jolie shfaqet e mbuluar nga bletët për 18 minuta, nën objektivin e fotografit dhe bletarit Dan Winters.

Videoja e veçantë e Angelina Jolie për Ditën Botërore të Bletës

Aktorja amerikane u fotografua dhe u filmua e mbuluar në trup nga bletët. Fotografi i apasionuar edhe në bletari, Dan Winters, bëri të pavdekshmë imazhe dhe video gati të frikshme. Por, rëndësia e të gjithë kësaj ishte përtej frikës së pickimeve, ishte për të sensibilizuar të gjithë rreth asaj çka bleta do të thotë për jetën e planetit.

Rëndësia e bletëve për jetën e të gjithëve ne është e jashtëzakonshme, pa to shumica e frutave do të zhdukeshin nga tryezat tona. Së fundmi bletët janë tepër të rrezikuara për shkak të ndryshimeve klimaterike dhe ndryshimit të mjedisit të tyre të përhershëm.

18 minuta e mbuluar me bletë, videoja që të lë pa fjalë

Vetë fotografi ka treguar se si lindi ideja:

”Ishte Angelina ajo që mendoi për portretin e vetes të mbuluar me bletë. Unë jam një bletar dhe kur m’u besua detyra për të punuar me të, shqetësimi im kryesor ishte siguria. Xhirimet gjatë pandemisë, me pajisje të plota dhe bletë të gjalla, e bënë të vështirë punën”.

Për realizimin e videos, Winters përdori teknikën e njëjtë me kolegun e tij, Richard Avedon. Ky i fundit, 40 vjet më parë, “krijoi” Portretin e famshëm të një bletari. Fotografi përdori një feromon të veçantë, të formuluar nga i njëjti entomolog që ndihmoi Avedon, Ai pastaj e aplikoi atë në ato pjesë të trupit të Jolie, ku ai donte që bletët të pushonin.

Në set të gjithë ishin të veshur me kostume mbrojtëse, me përjashtim të aktores.

“Angelina qëndroi e palëvizur mrekullisht, e mbuluar nga bletët për 18 minuta, pa u thumbuar. Të jesh afër bletëve është gjithmonë një përvojë që më lë pa fjalë”, tha Winters.

Më parë ka qarkulluar edhe pamjet e një gruaje shtatzanë, e mbuluar nga rreth 20.000 bletë, por videoja e Jolie është vërtetë një realizim elegant. Redaksia jonë i bashkohet zërave që ngrihen për mbrojtjen e bletës, kësaj mrekulli nga e cila varet i gjithë planeti.

Recommended Posts