A është Sanremo ende Sanremo?!

Në vendin fqinj, Itali, ka filluar festa më e madhe e përvitshme e këngës, Sanremo. Këtë vit një Sanremo e paprecedentë, një sallë Ariston e zbrazur dhe një skenë gati po jetë, megjithë sforcot e prezantuesve të saj Amadeus dhe Fiorello.

Vitin e shkuar, në sheshin më të parë jo vetëm italian të këngës, u ngjit në një nga netët, prezantuesja shqiptare Alketa Vejsiu dhe zëra (në Shqipëri) u përhapën që ajo do të ishte në drejtimin e festivalit të këtij viti, meqënëse u prit mirë nga teleshikuesit italianë dhe jo vetëm. Por mesa duket, edhe pas shumë tratativash që besojmë se duhet të jenë bërë, nuk rezultoi kështu. Edhe këtë herë Sanremo ka vendosur të himnizojë gruan (dhe kjo duket nga numri dhe emrat e të ftuarave), por ndryshe nga viti i shkuar, ka vendosur t’i dedikohet emrave dhe grave vendase.

Janë 8 bashkëprezantuese që do të shoqërojnë dy burrat e Sanremos së dytë së bashku, në të gjithë netët e festivalit. Do të jenë aktore, modele, këngëtare, gazetare, prezantuese të vjetra e madje edhe një dirigjente orkestre, por do të jenë italiane.

Nata e parë dhe e dytë e Sanremos tashmë ia kanë lënë radhën skenës së natës së tretë, që do të vazhdojë të jetë bosh apo me tullumbacet e zgjedhura për të dytën natë, ose ndoshta me diçka tjetër të menduar, veç ajrit mbi poltronat e teatrit Ariston.

Parakalimi i këngëtarëve sërisht i njejtë, mes polemikave dhe diskutimeve nëse Sanremo është më Sanremo. Opinionistët flasin për performanza të ngathta, (me të drejtë, ndërkohë që komunikojnë nga skena me publikun në ekran), për veshje të mërzitshme dhe të pakuruara mirë dhe për nivel këngësh gjithmonë në zbritje, të paktën për dashnorët e muzikës së mirë italiane në vitë.

Sanremo vazhdon zbritjen e nivelit muzikor dhe rritjen e trendit të performancave spektakolare (e ndoshta të bezdisshme, meqë i bie fyellit në një vrimë) të Achille Lauro-s, që vazhdon t’i kushtojë më shumë rëndësi se me çfarë do ta bëjë publikun të flasë për të kësaj here. Dhe mesa duket ia ka arritur. Megjithë vogëlsinë e tij si këngëtar, të gjithë flasin për të dhe atë çka ai kërkon të përcjellë përmes çudive të tit të radhës, të menduara me siguri gjatë një viti të tërë. Një mix midis shumë gjërave, që nuk po e bëjnë dot vetja. Ose ndoshta po.

Sanremo kështu është kthyer në skenën e Achille-s dhe performancave të dobëta, por të presim nëse Fedez do të marrë fitoren siç është përgatitur, apo do të kemi surpriza, që të thuash të vërtetën nuk mungojnë kurrë në një gjigand si Sanremo.

(enkeleda ristani për VIP)

Recommended Posts