9 Maji – Festa e Nënës, një festë ndërkombëtare që ndryshon përherë datë

Për 2021 është në 9 Maj. Mbase ndryshueshmëria e datës e ka një kuptim, na bën t’i festojmë ato, çdo ditë e datë, gjithherë të ndryshme, me të njëjtën dashuri. Në Shqipëri, si gjithmonë vazhdon të futen të gjitha gratë në një thes, dhe mbetet e paepur dita e 8 Marsit, edhe pse vazhdojmë të luftojmë për të sqaruar se 8 Marsi është Dita Ndërkombëtare e Gruas dhe është dita e luftës së grave për të drejtat e tyre.

“Mother’s Day”, Dita e Nënave festohet në pjesën më të madhe të botës të dielën e dytë të Majit. Është e vërtetë pastaj, edhe se vende të ndryshme kanë të përcaktuar ditë të ndryshme për të nderuar nënat dhe mëmësinë.

Pak historik

Duket si një festë e re, por në të vërtetë nuk është kështu. Që në antikitet është festuar Dita e Nënës dhe janë të njohura festivalet që nderonin nënat, të lidhura me perëndeshat e antikitetit. Grekët dhe romakët e nderuan përherë figurën amë të perëndive të tyre.

Edhe sot, një festival i rëndësishëm në Indi, Durga-puja, nderon perëndeshën Durga.

Gjatë Mesjetës, kur fëmijët ishin të detyruar të punonin larg familjes, që të vegjël, ktheheshin në shtëpinë e tyre një herë në vit, gjatë mesit të Kreshmës. U krijua kështu tradita e fëmijëve që ditën e lirë të vizitonin nënën dhe familjen e tyre.

Në Anglinë e shekullit të 16-të, kjo festë u quajt “E diela e nënave”. Fëmijëve – kryesisht vajzat që kishin shkuar për të punuar si shërbëtore shtëpiake, u jepej një ditë pushimi të Dielën e katërt të Kreshmës për t’u kthyer te nënat e tyre. Djali ose vajza e madhe do t’i sillnin një “tortë mëmës”, e cila do të pritej dhe do të ndahej për të gjithë familjen.

Bashkimet familjare ishin rregulli i ditës, me djemtë dhe bijat që merrnin të gjitha detyrat shtëpiake dhe përgatisnin një darkë të veçantë për nder të nënës së tyre.

Dita e Nënës 2021 është 9 Maji

Në këtë kuadër, siç thamë më lart, një pjesë e madhe e botës (kryesisht amerikane, por jo vetëm) feston Ditën e Nënës, të dielën e dytë të muajit Maj. Për këtë arsye datat ndërrojnë çdo herë dhe këtë vit festa përkon në datën 9. 

Të gjithë, jam e sigurt, që e duan një ditë për të celebruar, festuar e nderuar mëmësinë dhe Nënën si figurën kyçe në jetën e çdo njërit nga ne.

Të mirat, të heshturat, të sakrifikuarat, të dashurat si vetëm ato, të ëmblët, të harruarat, dhe mund të vazhdoja pafund në një list epitetesh që i përbën dhe ku secili prej nesh mund të shtonte atë fjalë që do ta përfaqësonte nënën e tij.

Madje tani që e mendoj, nuk do të ishte keq të vendosej një tabelë e bardhë e stërmadhe në qendër të secilit qytet, me vetëm një fjalë: Nënë dhe ku secili nga ne, edhe një kalimtar i rastësishëm të vendoste fjalën që e përfaqësonte nënën e tij. Kam bindjen që të bashkuara bashkë këto tabela do të bënin jo vetëm një libër të bukur, por edhe do të shkruanin një pjesë historie.

Gjithsesi, 9 Maji i këtij viti është e diela që do të festojë Nënën, atë gruan që lindi dhe rriti e rriti dhe edukoi me dashuri, përkushtim dhe sakrificë nga vetja, secilin prej nesh.

Është dita të kujtojmë edhe nënat e vdekura, ato të mirat që shkuan në qiell pa na pyetur dhe na lanë humbella dhimbjesh pas, në çdo moshë.

Është dita të jemi mirënjohës atyre, emblemave tona që asgjë dhe askush si zhbën dot: Nënat!

8 Marsi apo 9 Maji 2021

Mbase për nënat nuk mjafton një ditë dhe mbase nuk ia vlen t’i përcaktosh ditët se kur nderohen ato, por meqë kemi një ditë të përcaktuar për gjithçka, pse jo edhe një ditë kur të festojmë Nënat.

Në shoqërinë shqiptare vazhdon të festohet 8 Marsi si dita e të gjithë detyrave e shënjimeve që nëna ka në shoqëri, familje e jetë. Vazhdon të thjeshtëzohet lufta e Gruas për të drejtat e saj dhe të zbutet duke marrë mbi supe edhe nënën. Por kjo duhet të ndryshojë patjetër. Po, nëna është grua dhe ajo është e përfshirë në protestën e saj, në zërin e saj për të kërkuar të drejtat e saj, veçse 9 Maji i 2021, apo çdo e dielë e dytë e majit është vetëm e saj dhe është për të nderuar dhe shprehur mirënjohjen, përkëdhekur dhe kujtuar me mall, mbuluar me dashuri në një ditë siç ajo e bën çdo ditë për bijtë e saj.

Festa e Nënës nuk është ditë proteste, është një nga ato ditët e ëmbla dhe retrospektive, është të kujtohesh për të, ta mbulosh me puthje e përqafime, ta duash pa kushte së paku në një ditë, ashtu si ajo e bën për gjithë jetën.

Nesër është dita të gëzoni nënat tuaja, t’i merrni në krahë e t’i mbështillni me dashuri. Së paku në një ditë. Së paku një çast.

Enkeleda Ristani – revista Vip

Recommended Posts