Ish-futbollisti anglez Sir David Beckham u fotografua së fundmi në një shtrat spitali pas një dëmtimi që ende nuk është zbuluar. Fotografia tregon Beckhamin duke buzëqeshur me dorën e djathtë në një fashë blu dhe është postuar nga gruaja e tij Victoria me mesazhin “shërohu shpejt!”.
Një foto tjetër tregon këmbën e Sir David Beckham që del nga poshtë çarçafit, ndërsa ai tregon një byzylyk rreth krahut. “Shërohu shpejt”, shkruhej në byzylykun, i cili ishte zbukuruar edhe me zemra.
Bashkëshortja e tij, stilistja e njohur Victoria Beckham nuk zbuloi se si e pësoi lëndimin bashkëshorti i saj dhe as nuk publikoi detaje shtesë për ndjekësit e saj në rrjetet sociale por dyshohet se bëhej fjalë për një krah të thyer. Ndërkaq, legjenda e futbollit anglez, ka marrë një nga nderimet më të larta në Mbretërinë e Bashkuar, pasi është shpallur zyrtarisht kalorës nga Mbreti Charles. Ish-ylli i Manchester United tashmë mban titullin prestigjioz Sir David Beckham, në shenjë vlerësimi për kontributin e tij në sport dhe përfaqësimin e denjë të Britanisë.