Saturday, June 14, 2025

Besimtarët myslimanë mblidhen të gjithë bashkë, festojnë Kurban Bajramin në të gjitha qytetet e Shqipërisë

Share

Mëngjesin e sotëm, qindra besimtarë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, përfshirë Bulqizën, Durrësin, Vlorën, Kukësin, Lushnjen, Fierin, Korçën, Pogradecin, Shkodrën, Sarandën dhe Elbasanin janë mbledhur për të falur namazin e Kurban Bajramit.

Në Bulqizë, besimtarët myslimanë janë mbledhur që në orën 05:30 para Xhamisë, ku falja e namazit u udhëhoq nga Myftiu i Bulqizës, Sejdin Strazimiri.

Në fjalën e tij përpara besimtareve tha se “sot është dita më e madhe e vitit, dita që madhërohet emri i Zotit, ndaj Kurban Bajrami është dita e sakrificës së robit për hatrit të Zotit ndaj bëhet kurban në këtë ditë. Sot është dita ku fëmija duhet të tregoje respekt ndaj prindërve dhe më të mëdhenjve, sot është dita ku duhet të shtrijmë dorën e pajtimit duke lënë meritë mënjanë. Sot është koha ku ne duhet ti shërbëjmë vendit, atdheut tonë”.

Në Durrës, besimtarët e qytetit janë mbledhur që në orët e para të mëngjesit në Xhaminë e Madhe dhe xhamitë pranë vendbanimeve të tyre.

Në mesazhin që u përcoll për besimtarët e pranishëm u theksua rëndësia shpirtërore e kësaj dite duke ftuar besimtarët që të largojnë mendimet, veset e këqija, padrejtësitë ndaj të tjerëve dhe mosmarrëveshjet ndërmjet njerëzve. Një mesazh i veçantë u dha dhe për ata që testohen me varfëri e sëmundje.

Në Vlorë, ceremonia ka nisur në orën 06:30, ku besimtarët janë mbledhur në Pallatin e Sportit për shkak të mbylljes së xhamisë pas përmbytjes.

Cermonia është drejtuar nga Myftiu i Vlorës, Ardit Hoxhleku, i cili ka uruar besimtarët në këtë ditë duke dhënë dhe mesazh për paqe kudo në botë: Mos të ketë luftë, mos të ketë vrasje të fëmijëve të vegjël dhe të pafajshëm.

Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë jo vetëm qytetarë vendas por edhe të huaj që punojnë e jetojnë në Vlorë, por edhe turistë që kanë ardhur në qytet këto ditë.

Në Kukës, qindra besimtarë janë mbledhur në xhaminë kryesore për të kryer faljen e namazit, ku Imami Fatjon Isufi ka përcjellë mesazhe paqeje, solidariteti dhe mirësi për të gjithë besimtarët.

Në Lushnjë, Myftiu i Xhamisë, Gramos Blliku, ka udhëhequr faljen e namazit dhe ka bërë thirrje për paqe dhe begati dhe për të ndihmuar njerëzit që janë në nevojë.

Në Fier, besimtarët janë mbledhur në sheshin qendror të qytetit dhe kanë falur namazin në orën 06:40.

Ndërsa i parapriu me fjalën e tij myftiu i Fierit Mikel Hazizolli. Ai përcolli mesazhin për më shumë paqe dhe respekt ndaj njëri- tjetrit dhe theksoi se kjo është dita kur ne shërojmë plagët që ne i kemi shkaktuar njëri- tjetrit.

Urimet solidarizuese ishin kryefjalë edhe e gjithë besimtarëve në këtë ditë feste, ndër më të rëndësishmet e fesë islame.

Besimtarët myslimanë në qytetin e Korçës iu drejtuan xhamisë së vjetër historike Iljaz Bej Mirahori për të falur namazin e Kurban Bajramit.

Ndërsa besimtarët e Pogradecit u falën në të gjitha xhamitë e këtij qyteti. Ceremonia filloi rreth orës 06:15 me ligjërata dhe më pas programi vijoi me faljen e namazit të Kurban Bajramit.

Në qytetin e Shkodrës, besimtarët janë mbledhur në sheshin Ebu Bekër, ku Zëvendës Myftiu, Arben Halluni, ka folur për fenomenin e largimit të shqiptarëve nga vendi. Ai tha se po lënë prindërit të gjallë dhe i gjejnë të vdekur.

“Thirrja jonë e vazhdueshme është që mos të braktisin vendin dhe të mos largohen pa u përpjekur këtu. Ikja nuk është zgjidhje dhe nuk mund të presim që të tjerët të na ndërtojnë kombin, sepse ne jemi përgjegjës, ashtu siç janë edhe ata që na drejtojnë”, tha Halluni.

Ashtu si dhe ne qytetet e tjera të vendit besimtarë falën namazin e Kurban Bajramit në Sarandë.

Në orën 6:45 besimtarët u falën në xhaminë e qytetit, ndërsa krerët myslimanë të Myftinisë përcollën mesazhet për paqe dhe begati mes njëri-tjetrit.

Read more

Local News