Saturday, June 14, 2025

Kush ishte Artan Lame?

Share

Artan Lame ka ndërruar jetë në moshën 58-vjeçare në Mynih të Gjermanisë, pas një ndërhyrje të vështirë në zemër. Ai ishte i martuar dhe baba i dy fëmijëve. Artan Lame ka mbajtur funksione të rëndësishme, përfshirë ato si zëvendësministër dhe drejtor i Agjencisë së Kadastrës dhe Legalizimeve.

Ai njihet si publicist, studiues dhe një nga figurat më të njohura të shoqërisë civile në mbrojtje të trashëgimisë kulturore shqiptare.

I lindur në Tiranë në vitin 1967, Lame përfundoi studimet në Fakultetin e Gjeologji-Minierave, dega Inxhinieri Markshajderi. Pavarësisht formimit teknik, ai u shqua si publicist, koleksionist, opinionist dhe njohës i thellë i historisë shqiptare. Ai kontribuoi për më shumë se dy dekada në ruajtjen dhe promovimin e vlerave kulturore kombëtare.

Karriera institucionale dhe politike

Artan Lame ka mbajtur një sërë funksionesh të rëndësishme publike:

2000 – Drejtor i Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës

2000-2002 – Nënkryetar i Bashkisë së Tiranës

2002-2005 – Zëvendësministër i Territorit dhe Turizmit

2013-2019: Drejtor i Përgjithshëm i ALUIZNI-t (Agjensia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Informale).

2019-2021: Drejtor i Përgjithshëm i ASHK (Agjensia Shtetërore e Kadastrës).

Në veprimtarinë politike, Lame ishte anëtar aktiv i Partisë Socialiste, pjesë e Asamblesë Kombëtare dhe kandidat për deputet në zgjedhjet parlamentare të viteve 2005, 2009 dhe 2013. Ai kontribuoi gjithashtu në hartimin e programit të PS-së në periudhën 2011–2013.

Kontributi në kulturë dhe akademi

Lame ishte nënkryetar i Federatës së Koleksionistëve Shqiptarë, anëtar i klubeve ndërkombëtare të koleksionistëve dhe studiues i heraldikës. Drejtonte Qendrën Shqiptare të Trashëgimisë dhe ishte lektor në Universitetin “Marin Barleti”.

Botime të rëndësishme

Ndër veprat më të njohura të tij janë:

Tirana në kartolina deri më 1944

Medaljet shqiptare 1914–1944 dhe 1945–2002

Princi i Shqiptarëve

Piramida e Tiranës (bashkëautor me Ardian Klosin)

Tirana, Planin, Building, Living (bashkëautor). 

Read more

Local News